Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përurimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit:

Pikësëpari duhet t’i shpjegoj të gjithë të pranishmëve, – që kanë ardhur të veshur si për një shfaqje të rëndësishme operistike dhe kanë shumë të drejtë, se kjo është më shumë se një shfaqje e rëndësishme operistike për ne, – arsyen pse unë jam i veshur kështu. Sepse telefonova kryetarin e Bashkisë së Durrësit, sot në mëngjes dhe i thashë: Çfarë veshjeje keni parashikuar? Si turist, – tha. Edhe unë vendosa të jem turisti i vetëm sot, mesa duket.

Faleminderit që jeni këtu!

Është një moment shumë i rëndësishëm për këtë qytet, por edhe për rrugëtimin tonë në rrugën e rilindjes shqiptare. Është një moment ku, më në fund, pas shumë e shumë vitesh, jo vetëm pas viteve që ishte i mbyllur, por dhe pas viteve që ka qenë i hapur dhe ka qenë si mos më keq, Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një muze kombëtar arkeologjik, çel sot dyert dhe jam i bindur që për të gjithë ata që e shikojnë për herë të parë, – se unë kam pasur fatin ta ndjek punën në proces, – rrezaton në të gjithë shkëlqimin e vet, një trashëgimi të pasur dhe për fat të keq, shumë të dëmtuar dhe shumë të harruar e të braktisur të Shqipërisë sonë.

Është një muze që është rindërtuar tërësisht mbi bazën e një projekti të ri dhe falë pasionit të jashtëzakonshëm të njerëzve që e kanë udhëhequr dhe jetësuar këtë projekt, me një ndjenjë të madhe dashurie dhe me një shprehje të fortë vullnetarizmi. Do të veçoja këtu Edlira Çaushin, e cila është udhëheqësja e procesit të restaurimit. Nuk e vura re nëse është e pranishme, por nuk do të çuditesha fare që të mos jetë e pranishme, sepse jetën ia ka kushtuar objekteve të vjetra dhe jo njerëzve të gjallë. E, mesa duket, pasi ka mbaruar punën me objektet e vjetra, na ka lënë ne të gjallëve të shijojmë frytet e punës së saj dhe të ekipit të saj, ku, padyshim, një meritë të veçantë ka Drejtori Ledion Lako, i cili i ka qëndruar punës mbi kokë, me një përkushtim të admirueshëm dhe duke dhënë një shembull të çmueshëm se si një zyrtar mund të jetë në njëjtën kohë edhe një vullnetar i mirë, përtej çdo orari dhe përtej çdo detyrimi burokratik.

Ne e kemi synim të rëndësishëm transformimin e domosdoshëm të marrëdhënies me trashëgiminë kulturore, një marrëdhënie e degraduar rëndë në vitet e tranzicionit. Pjesë e këtij synimi është edhe gjithë vëmendja që kemi fokusuar në mënyrë të posaçme në këtë qytet. Nuk është vetëm ky muze. Ministrja e preku pak, është edhe Amfiteatri. Amfiteatri më i madh që romakët ndërtuan jashtë Romës dhe që në këndvështrimin tonë është ende larg së qeni një aset, ashtu siç e meriton, i krenarisë tonë kombëtare, por edhe i politikës sonë për turizmin dhe për ndërtimin e kësaj marrëdhënie të re me trashëgiminë kulturore.

Ky këtu është muzeu më i madh në Shqipëri dhe është muzeu më i vërtetë në Shqipëri. Në Shqipëri kemi disa muzeume që mund të konsiderohen më të mëdhenjtë, siç është Muzeu Historik Kombëtar, apo siç mund të jetë edhe Muzeu i Krujës, por janë më shumë muzeume të kopjeve dhe të dëshirës për të qenë ata që duam të jemi, sesa muzeume ku çdo objekt, ku çdo imazh, ku çdo hap është i ndërlidhur me faktet dhe artefaktet historike.

Fondi i këtij muzeu përmban 3204 objekte të prehistorisë, antikitetit, të periudhës post bizantine dhe të mesjetës. Që nga objekte të rënda dhe të mëdha, deri te objekte të brishta dhe të jashtëzakonshme, në këndvështrimin tim, siç janë shishet e parfumeve që prodhoheshin në lashtësi dhe që gjithmonë, në këndvështrimin tim modest, mund të konkurrojnë më të fundit të Dior-it apo të Channel-it.

Ky muze së bashku me Amfiteatrin janë dy pikat më të vizituara të Durrësit dhe faktikisht janë dy qendra shumë të rëndësishme të turizmit historik dhe shumë të vlerësuara, për hir të së vërtetës, edhe nga ekspertët më në zë ndërkombëtarë. Por ky muze është njëkohësisht edhe dëshmitar i veprimtarisë së një plejade të shquar arkeologësh shqiptarë, të cilët për një periudhë të rëndësishme kohe arritën që të vendosin disa gurë të rëndë themeli në muzeologjinë inekzistente shqiptare. Ndër ta, padyshim, është meritë e arkeologut Vangjel Toçi, krijimi i këtij muzeu në vitin 1951, si dhe zbulimi i monumenteve të njohura. Vetë Amfiteatri Antik, i cili u zbulua në 1966; Mozaiku i Bukuroshes së Durrësit, mozaiku i famshëm që është në një farë mënyre, dhe një ndër logot më të njohura të Shqipërisë historike dhe turistike, që është zbuluar në vitin 1959; Mozaiku i Hipokampit që është zbuluar në vitin 1947. Ky muze u përurua në vitin 2002 dhe asnjëherë nuk u përfundua, por ra viktimë e politikës së përurimeve, njësoj si proverbi ‘dardha e ka bishtin prapa’.

Gjithmonë përuro dhe lër mbrapa gjëra të pambaruara, që praktikisht e kanë bërë muzeun të vuajë shumë si një objekt i pambaruar dhe në vend se të përmirësonin, e kanë dëmtuar të gjithë thesarin e tij, pasi asnjëherë nuk u mendua për objektet, asnjëherë nuk u mendua për restaurimin e tyre, asnjëherë nuk u mendua për kushtet në të cilat duhet të mbaheshin objektet. Ndërkohë që janë bërë disa tender për tulla e për llaç e për xhama për objektin e godinës së muzeut, pjesa dërrmuese e objekteve muzeale të tij, praktikisht ishte tërësisht e braktisur.

Si përfundim dhe më e bukura është se pasi u dha fondi më i madh që është dhënë për muzeun, rreth 1 milionë dollarë, në mos gabohem, muzeu u mbyll. U shpenzuan 1 milionë dollarë për ta mbajtur 4 vjet mbyllur.

Kështu që, ajo që na u desh të bënim ishte të rimerrnim në dorë fatin e muzeut dhe të rikonceptonim nga e para të gjithë projektin, duke përfshirë edhe mjediset jashtë muzeut, të cilat ishin lënë plotësisht jashtë dore. E ndërkohë, të bashkëpunonim me Bashkinë e Durrësit për të krijuar një zinxhir projektesh që do ta rrethojnë muzeun nga kodra, që ishte një ide dhe një projekt i Ministrit të Mjedisit dhe që Qeveria e mbështeti fuqimisht. Sot do t’ju ftoj të gjithë ju, miqve të nderuar, që vini për të vizituar këtë muze, të bëni një shëtitje për të parë se çfarë transformimi i madh ka ndodhur deri tek Amfiteatri, duke kaluar edhe përmes pishinës publike, për të cilën ne i kemi dhënë financimin, së fundi, Bashkisë së Durrësit. Dhe faktikisht, pranë muzeut do të kemi edhe pishinën publike për fëmijët, për të rinjtë, edhe për të moshuarit, duke krijuar kështu një zinxhir hapësirash publike për t’u jetuar, që nga kohët e lashta deri në nevojën e ditës së trupit për not dhe për freski.

E gjitha kjo që do të shikoni pas shumë pak minutash është bërë me një fond modest prej 80 mijë dollarësh. Dhe në një vit të vetëm janë restauruar 2500 objekte arkeologjike, të cilat nuk ishin prekur prej 30-40 vjetësh. Kjo është në fakt arsyeja pse ne jemi shumë krenarë, sot, që çelim dyert e këtij muzeu, i cili, përveç të tjerash, do të ketë një program edukativ, një sallë konferencash dhe një kalendar vjetor të aktivitetit të vetë.

Së shpejti, siç e përmendi edhe Ministrja, do të ketë edhe një aktivitet të posaçëm, një ekspozitë antike për të verbrit. Gjë që rinënvizon, mbase, atë që thashë për shishet e parfumit, aspektin fizik të bukurisë së një të shkuare që, edhe nëse mund të mos shihet, mund të preket dhe ndihet në poret e lëkurës, duke prekur të gjithë emocionet e brendshme të njeriut.

Do të vazhdojmë me fazën tjetër për Amfiteatrin, ku do të çlirojmë plotësisht Arenën nga ndërtimet me dhe pa leje brenda saj dhe do t’ua kthejmë atë qytetarëve dhe vizitorëve.

Ju falënderoj shumë për durimin në dëgjimin e këtyre fjalëve. Jam i bindur që, sidoqoftë, nuk e patët të vështirë, sepse sot kemi edhe një diell shumë përkëdhelës. Ju ftoj që së bashku të çelim derën e muzeut, duke ftuar paraprakisht zonjat, të cilat janë bërë gati për të marrë në dorë kujdestarinë e muzeut.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe respekt për të gjithë ata që punuan dhe për të gjithë ata që e mbështetën pa kursim këtë nismë, që me një shumë shumë të vogël parash provoi se nuk janë paratë që pjellin idetë dhe nxisin pasionin, por janë idetë që mund të bëjnë atë që as paratë nuk e bëjnë dot, shumë shpesh.

Shumë faleminderit!

 

***

Pas 5 vjetësh ndërprerje, Muzeu Arkeologjik i Durrësit u çel sot për publikun, i rindërtuar tërësisht mbi bazën e një projekti të ri.

Në ceremoni, merrte pjesë Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë dhe të ftuar të tjerë.

Vitin e kaluar, me iniciativë të Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Bashkinë e Durrësit, nisi rikontruksioni i muzeut dhe më pas, puna për muzealizimin, restaurimi i objekteve arkeologjike dhe ekspozimi e tyre.

Muzeu Arkeologji i Durrësit ka një fond prej 3204 objektesh, nga të cilat 2400 janë të ekspozuara sot, ndërsa faza e dytë, me muzealizimin e objekteve të tjera, do të vijojë vitin tjetër.

Ministrja Kumbaro njoftoi se, gjithashtu, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, po përgatitet një version i ekspozitës arkeologjike edhe për vizitorët e verbër, një mundësi e re kjo në Shqipëri.

Gjatë vitit 2014, falë punës së bërë, është vërejtur dyfishim i numrit të vizitorëve objektet e trashëgimisë kulturore në të gjithë vendin.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.