Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Tetor 2021:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË KONTRIBUTIT KOMBËTAR TË PËRCAKTUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit, që përcakton Kontributin Kombëtar të Përcaktuar (NDC) për arritjen e objektivit global të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), me qëllim mbajtjen e temperaturave të ngrohjes globale nën 2°C, duke kufizuar rrezikun e ardhshëm e kostot e përshtatjes ndaj ndryshimeve të klimës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të dorëzojë dokumentin, që përcakton Kontributin Kombëtar të Përcaktuar (NDC), në Sekretariatin e Konventës.
3. Ngarkohen ministria përgjegjëse për mjedisin, ministria përgjegjëse për energjinë, ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe ministria përgjegjëse për financat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, pika 1, e 15, pikat 1, shkronja “c”, e 3, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Ardi Veliu, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Gledis Nano emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe i jepet grada “Drejtues Madhor”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË 35 NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM, NJËSIA ADMINISTRATIVE RRËSHEN , BASHKIA MIRDITË, NË KUADËR TË MARRËVESHJES SË GRANTIT TË LIDHUR NDËRMJET AGJENCISË SË ZHVILLIMIT AUSTRIAK (ADA) DHE MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN, PËR PROJEKTIN “PËRGJIGJE NDAJ TËRMETEVE NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në vlerën 129 087 000 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e tetëdhjetë e shtatë mijë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të 35 njësive individuale të banimit brenda zonës së re për zhvillim, njësia administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë, në zbatim të marrëveshjes së grantit të lidhur, ndërmjet Agjencisë së Zhvillimit Austriak (ADA) dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, për projektin “Përgjigje ndaj tërmeteve në Shqipëri”.
2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 129 087 000 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e tetëdhjetë e shtatë mijë) lekë pa TVSH, sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES KUADËR TË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS PËR ZHVILLIM TË KËSHILLIT TË EVROPËS, PËR MBËSHTETJEN E PËRPJEKJEVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR ZBUTJEN E PANDEMISË COVID-19
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë COVID-19, në shumën prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.212, DATË 11.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, pika 3, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.212, datë 11.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 2, shifra “… 5 130 260 797 (pesë miliardë e njëqind e tridhjetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH …” zëvendësohet me “… 5 001 173 797 (pesë miliardë e një milion e njëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH …”.
b) Në shkronjën “a”, të pikës 2, shifra “… 4 125 706 878 (katër miliardë e njëqind e njëzet e pesë milionë e shtatëqind e gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekësh pa TVSH …” zëvendësohet me “… 3 996 619 878 (tre miliardë e nëntëqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekësh pa TVSH …”.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.475, DATË 8.6.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E NJË TOGE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK TË NATO-S NË LETONI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 5, të vendimit nr.475, datë 8.6.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, data 31 dhjetor 2021 ndryshohet dhe bëhet 31 dhjetor 2023.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1134, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT/RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE, NË BASHKINË TIRANË DHE CAKTIMIN E BASHKISË TIRANË SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në shkronjën “b”, të pikës 1, të vendimit nr.1134, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, emërtimi “… TIP në RSU nr.1 (nr.16) …” zëvendësohet me “… TIP në RSU nr.1 (nr.19) …”.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.608, DATË 29.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT, KRITERET DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMIT TË NXITJES SË PUNËSIMIT NËPËRMJET PUNËSIMIT TË PERSONAVE TË DALË TË PAPUNË SI PASOJË E COVID-19”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.608, datë 29.7.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, të kreut I, fjalët “… 31 dhjetor 2020.” zëvendësohen me “… 30 qershor 2021.”.
b) Në pikën 1, të kreut V, fjalët “… deri më 31 dhjetor 2021.” zëvendësohen me “… deri në 3 vjet nga fillimi i zbatimit të saj.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE MËNYRAVE TË ADMINISTRIMIT TË BAZËS TË TË DHËNAVE TË PASURIVE KULTURORE TË VJEDHURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 130, të ligjit nr.7/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton dhe shtrin fushën e veprimit në:
a) përcaktimin e procedurave dhe mënyrave të administrimit të bazës të të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura, të hyra ose të dala në mënyrë të paligjshme në ose nga territori i Republikës së Shqipërisë (në vijim “Baza e të dhënave”);
b) mbledhjen, ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave në lidhje me të gjitha pasuritë kulturore, të parashikuara në nenet 50 e 51, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të cilat:
i. raportohen si të vjedhura ose të humbura nga pronari ose poseduesi legjitim i pasurisë kulturore; ose
ii. janë gjetur nga autoritetet përkatëse ligjzbatuese duke u importuar, eksportuar dhe/ose trafikuar në mënyrë të paligjshme në ose nga territori i Republikës së Shqipërisë.
2. Në këtë vendim termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Administrimi i bazës të të dhënave”, menaxhimi nga autoriteti publik i bazës të të dhënave, që përfshin të gjitha llojet e aksesit në sistemin e bazës të të dhënave, përfshirë përditësimin dhe ndryshimin e informacionit të ruajtur;
b) “Autoriteti rregullator koordinues i bazave të të dhënave shtetërore”, është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit;
c) “Baza e të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura”, mbledhja e organizuar e informacionit lidhur me pasuritë kulturore të vjedhura, të hyra ose të dala në mënyrë të paligjshme në ose nga territori i Republikës së Shqipërisë, të ruajtur në formë elektronike, ku përpunimi dhe përditësimi i tij kryhen nëpërmjet një sistemi kompjuterik, sipas rregullave të parashikuara në nenin 130, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe legjislacionit të zbatueshëm në fuqi;
ç) “Institucioni administrues”, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK), që është përgjegjës për administrimin e bazës të të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura;
d) “Ndërveprim”, procesi i shkëmbimit të informacionit ndërmjet bazave të të dhënave shtetërore;
dh) “Ofruesi i informacionit”, subjektet publike ose private, siç përcaktohet në këtë vendim, që sigurojnë informacione për plotësimin e bazës të të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura;
e) “Palë e interesuar”, çdo person fizik ose person juridik i cili lejohet të ketë akses të drejtpërdrejtë në bazën e të dhënave, sipas përcaktimeve në këtë vendim.
II. PROCEDURA E DHËNIËS SË INFORMACIONIT
3. Dhënësit e informacionit e sigurojnë informacionin nëpërmjet një deklarate, sipas modelit “A” dhe “B”, bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Në rolin e dhënësit të informacionit janë:
a) Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
b) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
c) Njësitë e vetëqeverisjes vendore;
ç) Institucionet publike kombëtare që kanë në pronësi dhe administrojnë fonde të pasurive kulturore;
d) Organizmat ndërkombëtarë që operojnë brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë dhe që kanë në fushën e veprimtarisë së tyre edhe trashëgimisë kulturore;
dh) Bashkësitë fetare.
III. TË DHËNAT PARËSORE DHE DYTËSORE TË BAZËS TË TË DHËNAVE TË PASURIVE KULTURORE TË VJEDHURA
5. “Të dhënat parësore” janë të dhënat e mbledhura nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe të përditësuara në bazën e të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura “Pasuritë kulturore të vjedhura”.
6. “Të dhënat dytësore” janë të dhënat që merren nga:
a) Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe përfshijnë:
Të dhënat e ngjarjes
i. Kodi i ngjarjes/ numër reference;
ii. Zyra e cila ka marrë raportin e ngjarjes ose e raporton atë;
iii. Protokolli i zyrës proceduese;
iv. Referenca e bazës të të dhenave;
v. Data e aktit;
vi. Data e ngjarjes;
vii. Ankuesi;
viii. Vendi ku është kryer krimi;
ix. Qarku;
x. Bashkia;
xi. Njësia administrative;
xii. Adresa;
xiii. Përshkrimi i ngjarjes;
xiv. Skeduesi;
xv. Data e skedimit.
b) Regjistri Kombëtar i Pasurive Kulturore (për objektet që janë të regjisturara në RKPK) dhe përfshijnë:
Të dhëna mbi objektin
i. Kodi i objektit;
ii. Lloji i objektit;
iii. Teknika;
iv. Materiali;
v. Gjatësia;
vi. Gjerësia;
vii. Lartësia;
viii. Diametri;
ix. Pesha;
x. Vlera;
xi. Periudha;
xii. Titulli;
xiii. Autori;
xiv. Numri i inventarit;
xv. Kodi RKPK.
Galeria e objektit
i. Dokumentacioni administrativ (urdhra, vendime);
ii. Dokumentacioni fotografik për objektet;
iii. Dokumentacioni audiovizual për objektet e trashëgimisë materiale ose jomateriale;
iv. Emërtimi;
v. Madhësia;
vi. Lloji;
vii. Pamja ballore.
Statusi
i. Status autenciteti;
ii. I humbur;
iii. Status dëmtimi;
iv. Trashëgimi;
v. Aprovuar;
vi. Miratuar;
Historiku
i. Titulli;
ii. Historiku;
iii. Bibliografia.
Përshkrime
i. Akademik;
ii. Përshkrimi;
iii. Të tjera.
c) Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
ç) Regjistri Tregtar nën Administrimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit: NIPT, emërtimi, administratori, adresa, statusi (aktiv, pezulluar, çregjistruar).
7. Të dhënat, që vendosen në dispozicion nga Policia e Shtetit, miratohen paraprakisht nga prokurori i çështjes.
IV. ADMINISTRIMI I BAZËS TË TË DHËNAVE
8. Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore përfaqëson autoritetin e vetëm, i cili përcakton të drejtat dhe kufizimet e operimit në bazën e të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura, përmes Sistemit Informatik Kombëtar të Regjistrimit dhe Administrimit të Pasurive Kulturore, nëpërmjet kërkesave të skemave të aksesit me nivele të shkallëzuara dhe hierarkike të administrimit të informacionit respektiv për të gjithë punonjësit.
9. Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, si institucion administrues i bazës të të dhënave, pas kryerjes dhe bazuar në rezultatet e analizës së sigurisë, përcakton grupet dhe nëngrupet e sigurisë të të dhënave, siç parashikohet në dispozitat e kapitullit V, të vendimit nr.945, datë 2.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores ‘Administrimi i sistemit të bazave të të dhënave shtetërore’”, të ndryshuar.
10.Palët e interesuara në bazën e të dhënave janë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si dhe institucionet e tyre të varësisë.
11.Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si dhe institucionet e tyre të varësisë kanë akses të plotë në bazën e të dhënave me të drejta vetëm për shikim (viewer) të të dhënave.
12. Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore është përgjegjësi kryesor për përpunimin e të dhënave. Të dhënat personale të përfshira në bazën e të dhënave përpunohen në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9887/2008. Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore mbikëqyr funksionimin e duhur të bazës të të dhënave dhe pajtueshmërinë me dispozitat që rregullojnë metodat dhe kushtet e komunikimit të të dhënave.
13.Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore mund të shpërndajë të dhënat për qëllime statistikore dhe në formë të përpunuar për qëllime të studimeve dhe parandalimit të krimeve, me anë të teknikave që nuk lejojnë identifikimin e palëve të interesuara, qoftë edhe tërthorazi.
14.Institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore mund të kërkojnë informacionin që ruhet në bazën e të dhënave nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore të kufizuar te të dhënat jopersonale.
15.Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, duke marrë parasysh qëllimet e përmendura në pikat 13 e 14, të këtij vendimi, përdor bazën e të dhënave edhe për përpunimin e statistikave, kërkimeve, studimeve e analizave të të dhënave, si dhe për komunikimin ose shpërndarjen e mundshme të tyre, vetëm në formë anonime, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.
V.AKSESI I PUBLIKUT NË BAZËN E TË DHËNAVE
16. Personat fizikë ose juridikë privatë mund të kenë qasje të tërthortë në bazën e të dhënave përmes kërkesave në Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, në përputhje me shtojcën “C”.
17. Tregtarët e pasurive kulturore dhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë verifikimin e prejardhjes legjitime të një pasurie kulturore në bazën e të dhënave, duke dërguar një kërkesë zyrtare me shkrim tek Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, sipas pikës 16, të këtij vendimi, me kusht që të paraqesin informacionin e nevojshëm për identifikimin e objektit të kërkesës dhe vendndodhjen e saktë të tij.
18. Mënyra e aksesimit në sistem të subjekteve të interesuara bëhet sipas skemës së mëposhtme:
Subjekti i interesuar Përshkrimi i procesit
1. Institucionet që posedojnë dhe administrojnë fonde të pasurive kulturore Konsultues (Viewer) i informacionit nëpërmjet WEB-it
2. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave Konsultues (Viewer) i informacionit nëpërmjet WEB-it
3. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Konsultues (Viewer) i informacionit nëpërmjet WEB-it.
4. Personat fizikë/juridikë Konsultues (Viewer) i informacionit nëpërmjet WEB-it
5. Bashkësitë fetare Konsultues (Viewer) i informacionit nëpërmjet WEB-it
6. Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore Administrator dhe editor
19. Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore është përgjegjës për menaxhimin në përputhje me këtë vendim të aksesit në bazën e të dhënave. Në rast të gjetjes së veprimeve të paligjshme do të pezullojë menjëherë qasjen e personit i cili ka vepruar në kundërshtim me ligjin, udhëzimet dhe procedurat për administrimin e bazës të të dhënave. Pezullimi i aksesit nuk e përjashton përgjegjësinë disiplinore, civile ose penale.
VI. DISPOZITAT E FUNDIT
20. Ngarkohen ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E PROKURIMIT TË MALLRAVE, PUNËVE E TË SHËRBIMEVE, NË KUADËR TË VEPRIMTARIVE TË CEREMONIALIT SHTETËROR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të pikës 4, të nenit 11, të vendimit nr.285, datë 19.5.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për prokurimin publik”, dhe të vendimit nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Institucioni i Presidentit të Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Kryeministria, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare të prokurojnë mallra, punë dhe shërbime, sipas përcaktimeve të ceremonialit shtetëror të Republikës të Shqipërisë dhe të legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, në kuadër të organizimit të veprimtarive të veçanta dhe të përditshme me karakter protokollar e ceremonial.
2. Prokurimet për kategorinë e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i nënshtrohen procedurës së prokurimit me vlerë të vogël, sipas dispozitave të legjislacionit për prokurimin publik, nëse vlera e përllogaritur për artikuj apo grup artikujsh, brenda një viti kalendarik, është nën kufirin e ulët monetar. Kjo procedurë prokurimi nuk zhvillohet me mjete elektronike.
3. Institucioni i Presidentit të Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministria, për blerjen e biletave të udhëtimit dhe akomodimit të Kryeministrit, të Presidentit dhe të kryetarit të Kuvendit dhe personelit ndihmës e shoqërues të tyre, për vizitat zyrtare në kuadër të ceremonialit shtetëror, kontraktojnë drejtpërdrejt një ofrues shërbimesh që plotëson kushtet e konfidencialitetit. Në çdo rast, marrësi i shërbimit duhet të sigurohet që çmimet e shërbimeve të mos jenë mbi çmimet e tregut.
4. Vendimi nr.358, datë 24.4.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e prokurimit të mallrave, punëve e të shërbimeve, në kuadër të veprimtarive të ceremonialit zyrtar”, i ndryshuar, shfuqizohet.
5. Ngarkohen institucioni i Presidentit të Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Kryeministria, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR KOHËZGJATJEN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT, ORËT SHTESË DHE KOMPENSIMIN E TYRE NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, INSTITUCIONET E PAVARURA DHE NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të neneve 76, 78, 79, 83, 85, 86, 87, 94, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kohëzgjatjes së punës dhe të pushimit, si dhe i rregullave në lidhje me orarin ditor të punës, festat zyrtare, pushimet, orët shtesë dhe kompensimin e tyre.
2. Ky vendim zbatohet për nëpunësit civilë, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë (në vijim, i/të punësuari/t) në:
a) institucionet e administratës shtetërore;
b) institucionet e pavarura;
c) njësitë e vetëqeverisjes vendore e institucionet të tyre të varësisë.
3. Për të punësuarit dhe/ose institucionet për të cilët/cilat ligjet e tyre specifike kanë përcaktime për kohëzgjatjen e punës e të pushimit, si dhe për rregullat në lidhje me orarin ditor të punës, pushimet, orët shtesë dhe kompensimin e tyre, ky vendim zbatohet për aq sa nuk parashikohet ndryshe në këto akte.
4. Në këtë vendim termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Institucion i administratës shtetërore”, i njëjti kuptim i përcaktuar sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore;
b) “Institucion i pavarur”, administrata e institucioneve të pavarura të parashikuara në Kushtetutë apo të krijuara me ligj dhe që i raportojnë Kuvendit, përfshirë degët e tyre territoriale;
c) “Njësi e vetëqeverisjes vendore”, i njëjti kuptim i përcaktuar sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore.
II. KOHËZGJATJA E PUNËS DHE ORËT SHTESË
1. Kohëzgjatja javore e punës për të punësuarit e përcaktuar në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, është 40 (dyzet) orë në javë.
2. Orari ditor i punës për të punësuarit në:
a) institucionet e administratës shtetërore, si rregull, fillon çdo ditë në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:30, ndërsa ditën e premte fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 14:00;
b) institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore përcaktohet në rregulloren e brendshme të institucionit.
3. Për institucionet e administratës shtetërore, në raste të veçanta dhe për arsye objektive, orari ditor i punës mund të ndryshohet me urdhër të Kryeministrit, por për një periudhë jo më të gjatë se 3 (tre) muaj.
4. Brenda orarit ditor të punës, të punësuarit mund të kryejnë veprimtari mësimdhënieje pas miratimit nga titullari i institucionit, por jo më shumë se 4 (katër) orë në javë, të cilat kompensohen në orë pune, brenda javës, pas orarit ditor të punës. I punësuari që angazhohet në mësimdhënie detyrohet të depozitojë, pranë njësisë së burimeve njerëzore të institucionit ku është i punësuar, kopjen e kontratës së lidhur me institucionin arsimor.
5. Për institucionet e përcaktuara në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, për të cilat, për shkak të natyrës së punës, puna duhet të organizohet me turne apo i punësuari duhet të kryejë punë nate, orari ditor i punës përcaktohet nga vetë institucioni, brenda kufijve të përcaktuar në Kodin e Punës.
6. Për efekt të llogaritjes së pagës orare, muaji llogaritet, mesatarisht, me 174 orë pune. Për efekt të llogaritjes së pagës ditore, muaji llogaritet, mesatarisht, me 22 ditë pune.
7. Me kërkesë të eprorit direkt dhe me miratimin e titullarit të institucionit, të punësuarit mund t’i kërkohet të kryejë orë shtesë, brenda kufijve të përcaktuar në Kodin e Punës.
8. Të punësuarit, që kryen veprimtari administrative, orët shtesë në punë i kompensohen vetëm me pushim, të barabartë me:
a) orët shtesë plus 25 (njëzet e pesë) për qind të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune; apo
b) orët shtesë plus 50 (pesëdhjetë) për qind të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00-6:00.
9. Të punësuarit, që kryen veprimtari operacionale, orët shtesë në punë, si rregull, i kompensohen me pushim të barabartë me:
a) orët shtesë plus 25 (njëzet e pesë) për qind të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune; apo
b) orët shtesë plus 50 (pesëdhjetë) për qind të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00-6:00.
10. Në rastet kur është e pamundur dhënia e pushimit për orët shtesë në punë, i punësuari, që kryen veprimtari operacionale, ka të drejtë të kompensohet me shtesë mbi pagën normale. Çdo orë shtesë tej orarit zyrtar:
a) në ditë të zakonshme paguhet mbi pagën orare edhe me 25 (njëzet e pesë) për qind shtesë të kësaj page;
b) ndërsa orët shtesë gjatë ditëve të pushimit apo ditëve të festave, si dhe çdo orë shtesë e kryer nga ora 22:00-6:00 paguhet mbi pagën orare edhe me 50 (pesëdhjetë) për qind shtesë të kësaj page.
11. Në kuptim të këtij vendimi, veprimtari operacionale, si rregull, konsiderohen ato veprimtari që kanë kohëzgjatje të pandërprerë (sistem 24-orësh/gatishmëri). Për raste të tjera specifike merret mendimi i detyrueshëm nga ministria përgjegjëse për financat dhe Departamenti i Administratës Publike.
12. Titullari i institucionit detyrohet t’i japë të punësuarit pushimin, sipas përcaktimeve në pikat 8 dhe 9, të këtij kreu, brenda 2 (dy) muajve nga kryerja e orëve shtesë.
13. Për të kryer një detyrë të caktuar jashtë kohës normale të punës, titullari i institucionit miraton urdhrin përkatës për detyrën që duhet të kryhet, kohëzgjatjen e saj dhe të punësuarin apo të punësuarit që ngarkohet/n me kryerjen e kësaj detyre. Njësitë e burimeve njerëzore, në bashkëpunim me eprorin e të punësuarit, që caktohet të punojë jashtë kohës normale të punës, marrin masat për të siguruar realizimin e detyrës së caktuar, si dhe për të përcaktuar kohën e kryerjes së pushimit të përllogaritur, sipas pikave 8 dhe 9, të këtij kreu.
14. Si rregull, puna kryhet në ambientet e institucionit. Kur është e mundur dhe pa cenuar cilësinë e realizimit të punës nga i punësuari, si dhe cilësinë e punës së institucionit, i punësuari e realizon punën e tij tërësisht nëpërmjet telepunës, apo ka të drejtën ta realizojë punën e tij pjesërisht nëpërmjet telepunës, duke respektuar përcaktimet e Kodit të Punës dhe të marrëveshjes së lidhur për këtë qëllim, midis tij dhe titullarit/sekretarit të përgjithshëm, ku pjesë e detyrueshme e saj duhet të jetë dhe procedura e kontrollit të realizimit të punës nëpërmjet telepunës. Të punësuarit, që do të kryejnë punën e tyre tërësisht apo pjesërisht nëpërmjet telepunës, u nënshtrohen të gjitha rregullave të vlerësimit të rezultateve në punë të përcaktuara në legjislacionin në fuqi që rregullon marrëdhënien e tyre të punësimit.
III. PUSHIMET
1. Si rregull, ditët e pushimit javor janë dita e shtunë dhe e diel, me përjashtim të rasteve kur, me vendim të Këshillit të Ministrave apo në kontratën kolektive, është përcaktuar ndryshe.
2. Kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar është 4 (katër) javë kalendarike. Koha e kryerjes së pushimit vjetor të paguar përcaktohet nga titullari i institucionit/sekretari i përgjithshëm, sipas kërkesës të të punësuarit, duke mos cenuar vijueshmërinë e punës.
3. I punësuari ka të drejtë të kërkojë kryerjen e pushimit vjetor të paguar edhe në periudha të ndryshme e të ndara, por këto periudha nuk mund të jenë më të shkurtra se 1 (një) javë kalendarike pa ndërprerje.
4. Pushimi vjetor i paguar duhet të jepet gjatë vitit kalendarik ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit kalendarik pasardhës. Në rastet kur punëdhënësi nuk miraton kryerjen e pushimeve vjetore apo i punësuari nuk i merr pushimet vjetore, të plota apo të pjesshme, ai ka të drejtë t’i kryejë ato brenda tre vjetëve nga dita në të cilën i lind kjo e drejtë, duke zbatuar të njëjtën procedurë të parashikuar në pikat 2 dhe 3, të këtij kreu.
5. Kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar, kur i punësuari nuk ka kryer një vit kalendarik pune të plotë, përcaktohet në përpjesëtim të drejtë me kohëzgjatjen e marrëdhënies financiare të punës. Ky rregull zbatohet si në rastet e fillimit të marrëdhënies së punës për herë të parë gjatë vitit kalendarik përkatës, ashtu edhe në rastet e përfundimit të marrëdhënies së punës.
6. Në rastet kur i punësuari, brenda vitit kalendarik, ka kryer lejen e barrëlindjes, kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar llogaritet në përpjesëtim të drejtë me kohëzgjatjen efektive të punës pa përfshirë periudhën e kësaj lejeje.
7. Pushimi vjetor me pagesë shtyhet kur:
a) gjatë periudhës së këtij pushimi, i punësuari ka qenë i shtruar në spital ose ka qëndruar në shtëpi, për shkak sëmundjeje ose aksidenti, të vërtetuar me raport mjekësor, për aq ditë sa ka zgjatur shtrimi në spital apo raporti mjekësor. Në këtë rast i punësuari duhet të njoftojë eprorin direkt dhe njësinë e burimeve njerëzore të institucionit për shtyrjen e pushimit vjetor të paguar;
b) dita e festës zyrtare bie në periudhën e këtij pushimi, për aq ditë sa ka qenë festa zyrtare.
8. Pushimet vjetore të paguara, përfshirë rastin e parashikuar në pikën 4, të këtij kreu, nuk zëvendësohen me pagesë, me përjashtim të rasteve kur marrëdhënia e punës ka përfunduar për arsye të paparashikuara dhe kryerja e pushimeve vjetore është e pamundur. Në këtë rast, i punësuari, të cilit i ka përfunduar marrëdhënia e punës, ka të drejtë të përfitojë një shpërblim të barabartë me pagën e këtyre pushimeve. Çdo marrëveshje që parashikon heqjen dorë nga e drejta për pushim vjetor, kundrejt pagesës, është e pavlefshme.
9. Llogaritja e shpërblimit, e përcaktuar në pikën 8, të këtij kreu, bëhet në përpjesëtim të drejtë me kohëzgjatjen e punës brenda vitit kalendarik, në të cilin të punësuarit i ka përfunduar marrëdhënia e punës dhe ai duhet të jepet brenda të njëjtit vit kalendarik. Në rastin e parashikuar në pikën 4, të këtij kreu, shpërblimit të llogaritur në përpjesëtim të drejtë me kohëzgjatjen e punës brenda vitit kalendarik, i shtohet edhe shpërblimi që i takon për pushimet e pakryera dhe të mbartura nga vitet e mëparshme.
10. Pushimi vjetor i paguar, që i është dhënë të punësuarit në një vend pune, llogaritet në kohën e pushimit vjetor të paguar, kur ai caktohet në një vend tjetër pune.
11. Paga e dhënë për pushimin vjetor të paguar është ajo që ka i punësuari në çastin e marrjes së saj dhe i jepet atij në fillim të pushimit vjetor.
12. I punësuari ka të drejtën e pushimit të paguar edhe për rastet, si më poshtë vijon:
a) Martesa e tij – 5 (pesë) ditë;
b) Lindja e fëmijës për bashkëshortin/bashkëjetuesin – 3 (tre) ditë;
c) Vdekja e bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindërve, gjyshërve ose pasardhësve të drejtpërdrejtë të tij – 5 (pesë) ditë.
13. Përveç sa është parashikuar në pikën 12, të këtij kreu, nëpunësi civil ka të drejtën e pushimit të paguar për 5 (pesë) ditë për përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve akademikë apo diplomave të studimeve të ciklit të tretë të studimeve universitare, sipas përcaktimeve të legjislacionit për arsimin e lartë, të lidhur me punën që kryen.
14. I punësuari ka të drejtë që të përfitojë pushim pa të drejtë page, si më poshtë vijon:
a) Për të punësuarin, marrëdhënia e punës të të cilit rregullohet nëpërmjet Kodit të Punës apo me legjislacion tjetër të ndryshëm nga legjislacioni për nëpunësin civil, në rastet e sëmundjeve të rënda të anëtarëve të familjes, bashkëjetuesit, prindërve ose pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, të vërtetuar me raport mjekësor;
b) Për nëpunësin civil, për arsye shëndetësore apo të tjera arsye personale, që lidhen me vetë nëpunësin civil, fëmijët, bashkëshortin/bashkëjetuesin apo prindërit.
15. Kohëzgjatja e pushimit pa të drejtë page, sipas pikës 14, të këtij kreu, përcaktohet nga titullari i institucionit/sekretari i përgjithshëm, me propozimin e eprorit direkt. Kohëzgjatja maksimale e të gjitha pushimeve të papaguara, brenda një viti kalendarik, nuk mund të jetë më e gjatë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike.
IV. PUNA NË DITËT E FESTAVE ZYRTARE DHE TË PUSHIMIT JAVOR
1. Si rregull, ditët e festave zyrtare janë ditë pushimi. I punësuari gëzon të drejtën e pagës në këto ditë.
2. Kur festa zyrtare bie në ditët e punës dhe, me vendim të Këshillit të Ministrave ose në kontratën kolektive, është vendosur të punohet, puna e kryer ditën e festës zyrtare kompensohet me një shtesë page jo më pak se 25 (njëzet e pesë) për qind dhe me një pushim të pagueshëm të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer në ditët e festave zyrtare. Ky pushim merret një javë para ose pas kryerjes së saj.
3. Kur festa apo festat zyrtare bie/bien në ditën apo ditët e pushimit javor, atëherë pushimi shtyhet në ditën apo ditët pasardhëse të punës.
V. VEPRIMTARIA E INSTITUCIONEVE NË RASTE TË VEÇANTA
1. Gjatë periudhës së gjendjes së epidemive, të përcaktuara si të tilla sipas legjislacionit në fuqi:
a) institucionet e përcaktuara në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, janë të detyruara të realizojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet kombinimit të punës në ambientet e institucionit dhe telepunës (puna në distancë on-line), me qëllim respektimin e rregullave të distancimit social ndërmjet të punësuarve, të përcaktuara nga Instituti i Shëndetit Publik, bazuar në sipërfaqen e institucionit;
b) për realizimin e detyrimit të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike, institucionet duhet të përcaktojnë në mënyrë të detajuar e të qartë grafikun e të punësuarve që do të punojnë në ambientet e institucionit dhe të atyre që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës. Grafiku duhet të miratohet nga sekretari i përgjithshëm/titullari i institucionit;
c) në përcaktimin e të punësuarve që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës, institucionet duhet të bazohen në:
i. vlerësimin e llojit të detyrave që ushtrojnë të punësuarit;
ii. evidentimin e rasteve të të punësuarve me patologji të ndryshme, të cilët janë më të rrezikuar në rast infektimi;
iii. evidentimin e të punësuarve që kanë në kujdestari fëmijë deri në moshën 14 (katërmbëdhjetë) vjeç.
Për rastet e parashikuara në nënndarjet “ii” dhe “iii”, të kësaj shkronje, përpara miratimit të grafikut, institucionet duhet të konsultohen me të punësuarit, me qëllim që të mundësohet realizimi i detyrave.
ç) Puna nëpërmjet telepunës ka të njëjtën kohëzgjatje kohore, si edhe puna në ambientet e punës së institucionit.
2. Në rastet e kufizimeve të orarit të mësimit gjatë periudhave të gjendjeve të epidemive:
a) orari i punës për të punësuarit e përcaktuar në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, që janë prindër apo kujdestarë ligjorë të fëmijëve që frekuentojnë/ndjekin arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, për ditët kur ata duhet të kryejnë detyrat në ambientet e institucionit, sipas grafikut të miratuar, përcaktohet nga titullari i institucionit;
b) orari i punës për këta të punësuar gjatë kësaj periudhe përcaktohet në varësi të orarit që fëmija/fëmijët e tyre do të frekuentojnë mësimin, por duke siguruar që kohëzgjatja maksimale e punës të mos ndryshojë.
VI. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Ngarkohen Departamenti i Administratës Publike për institucionet e administratës shtetërore dhe secili institucion i pavarur e njësi e vetëqeverisjes vendore për institucionin e tyre të miratojnë, rast pas rasti, rregullat e procedurat standarde të punës të harmonizuara, në përputhje me përcaktimet e kreut V, të këtij vendimi, dhe udhëzimet e dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik apo institucione/organe të tjera të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi për përcaktimin e rregullave në rastet e epidemive.
2. Pushimi vjetor i paguar, pushimet e tjera dhe koha e kryerjes së tyre shënohen në dosjen e personelit të të punësuarit.
3. Urdhri nr.80, datë 17.11.2020, i Departamentit të Administratës Publike, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave standarde të punës të harmonizuara, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 dhe periudhës së kohëzgjatjes së vitit shkollor 2020 – 2021”, dhe urdhrat/udhëzimet e institucioneve të pavarura dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, të miratuara në zbatim të pikave 4, 5 dhe 6, të kreut III, të vendimit nr.511, datë 24.10.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet e administratës shtetërore”, të ndryshuar, vazhdojnë të jenë në fuqi deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.
4. Vendimi nr.511, datë 24.10.2002, i Këshillit të Ministrave, “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT PËR ZHVILLIMIN E ZONËS SË RE, NË PËRPUTHJE ME PLANIN E DETYRUAR VENDOR, PËRMES KOMPENSIMIT ME SHKËMBIM, PËR TË GJITHA PASURITË QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE NR.6, ZONA ‘KOMBINAT’, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, pika 1, të neneve 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të nenit 32, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit për zhvillimin, në përputhje me planin e detyruar vendor, përmes kompensimit me shkëmbim, për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi projektit “Për zonën e re për zhvillim, në njësinë administrative nr.6, zona “Kombinat”, Bashkia Tiranë”, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Shpronësimi përmes kompensimit me shkëmbim bëhet në favor të Bashkisë Tiranë, për qëllim të rindërtimit.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, shpronësohen, përmes kompensimit me shkëmbim, sipas të dhënave që paraqiten në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”.
4. Shkëmbimi i pasurive private të llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”, me një pasuri tjetër të paluajtshme të ardhshme në pronësi të shtetit do të bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, si dhe marrëveshjeve/kontratave individuale që do të lidhen, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe subjekteve të prekura nga ky shpronësim.
5. Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa), është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
6. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme do të jetë në përfundim të realizimit të projektit “Për zonën e re për zhvillim në njësinë administrative nr.6, zona ‘Kombinat’, Bashkia Tiranë”.
7. Bashkia Tiranë i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit përmes kompensimit me shkëmbim ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën truall, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, në regjistrat e pasurive të paluajtshme të bëhet regjistrimi i barrës ligjore sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat, për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kur pronari privat ka pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë e kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regjistrimin e pasurisë së ardhshme në regjistrin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesë të Bashkisë Tiranë dhe të përfaqësuesit të pronarit shtet bëhet regjistrimi i kalimit të të drejtave të pronësisë për pronën shtet, në favor të pronarit privat, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
8. Bashkia Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin, t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e pasurive, pronë private, të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi, si edhe referuar aktmarrëveshjeve të lidhura nëse ka.
9. Gjatë periudhës së zbatimit të projektit (përfundimin e punimeve) qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara.
11. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI URBAN I RRUGËS “RAMIZ ARANITASI”, FIER”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve, të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi urban i rrugës “Ramiz Aranitasi”, Fier”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Fier.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 9 637 882 (nëntë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e shtatë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e dy) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 637 882 (nëntë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e shtatë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e dy) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2021, i miratuar për Bashkinë Fier.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim pranë Bashkisë Fier.
8. Bashkia Fier të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Fier.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Fier, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit, përfaqësuar nga Bashkia Fier.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Fier dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.420, DATË 8.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E CEREMONIALIT SHTETËROR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2015, “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në nënpikën 2.3, të pikës 2, “Përdorimi i sallës VIP të aeroportit”, të kapitullit V, të vendimit nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas fjalëve “Ish-President i Republikës” shtohen “Ish-Kryetar i Kuvendit”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË, PËR SUBVENCIONIMIN E PAGESAVE TË QIRASË PËR FAMILJET E MBETURA TË PASTREHA, SI PASOJË E FATKEQËSIVE NATYRORE, TËRMETIT TË DATËS 26.11.2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe të aktit normativ nr.37, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për një ndryshim në aktin normativ nr.8, datë 7.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në programin e strehimit, shtohet fondi prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”, përkatësisht, në produktin për pagesat e subvencionimit të qirasë për familjet e mbetura të pastreha si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019.
2. Efekti financiar, prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 5 YJE, STATUS SPECIAL” APLIKUESIT “MEDITERRANEAN INVESTMENT GROUP”, SH.P.K
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” aplikuesit “Mediterranean Investment Group”, sh.p.k.
2. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË BERAT TË PASURIVE ME NR.14/124, NR.14/125 DHE NR.14/166, ZONA KADASTRALE 8501, BERAT, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.359, DATË 5.6.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI SHËRBIMIT INFORMATIV SHTETËROR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin, nga Shërbimi Informativ i Shtetit në pronësi të Bashkisë Berat, të pasurive me nr.14/124, nr.14/125 dhe nr.14/166, zona kadastrale 8501, Berat, me qëllim ushtrimin e funksioneve administrative dhe për interes vendor të Bashkisë Berat.
2. Prona me emërtimin “Drejtoria SHISH Berat”, ndodhur në zonën kadastrale 8501, me numër pasurie 14/124, 14/125 dhe 14/166, Berat, hiqet nga lista e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.359, datë 5.6.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Shërbimit Informativ Shtetëror”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Berat i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurive të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Bashkia Berat, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ