Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin e Tiranës për Ndërlidhjen Infrastrukturore me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës:

 

Ju faleminderit dhe përshëndetje të gjithëve që po na ndjekin në distancë. Shoh edhe Fleckentein, që në fakt kishte zënë të gjithë ekranin pas  fitores në zgjedhjet e fundit në Gjermani, edhe pse nuk e kanë ende përcaktuar qeverinë, por u bëj thirrje të gjitha palëve të jenë konstruktive, ashtu siç thonit ju kur vinit në Shqipëri.

Jam shumë i kënaqur që gjendem sot këtu, – ashtu siç prezantuesi tha – vetëm një ditë pas Samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo, ku patëm mundësinë të ndanim me 27 vendet anëtare dhe 5 bashkudhëtarët në BP, mendimet tona lidhur me situatën aktuale dhe sigurisht, jo vetëm lidhur me zgjerimin, por në përgjithësi për sfidat që po bëhen gjithmonë e më tepër të ndërlidhura.

Mendoj se po bëhet gjithmonë e më e qartë se zgjerimi është përherë e më pak një fjalë që përdoret me pasionin dhe vullnetin me të cilin përdorej vite më parë dhe nuk ka dyshim që procesi mund të kërkojë shumë kohë.

Në të njëjtën kohë është shumë e qartë për të gjithë se Ballkani Perëndimor është një realitet gjithmonë e më tepër i rëndësishëm për BE-në dhe mendoj se kjo është po ashtu, një arsye pse disa prej vendeve skeptike tashmë duken se janë shumë më të hapura ndaj idesë për të nxitur sa më shumë të mundet, të nxjerrin brenda afatit të shkurtër që ka mbetur nën trysni nga të gjitha anët e BE-së për shkak të populizmit të së djathtës ekstreme dhe të lëvizjeve të tjera të ngjashme. Të tilla lëvizje nuk qeverisin në asnjë prej këtyre vendeve, por është e qartë që ato ndikojnë dhe ndikojnë shumë qeveritë e moderuara në BE.

Sigurisht, kjo ndodh për shkak të arsyeve zgjedhore, kryesisht. E meqë ra fjala, gjatë diskutimeve ju thashë se kam mësuar një teknikë të re për të zbuluar zhvillimet e së ardhmes së afërt, duke parë kalendarin e zgjedhjeve në të njëjtin afat kohor. Kështu që, ju sugjeroj të gjithëve, nëse doni të dini pak a shumë llojin e qëndrimit të disa vendeve të rëndësishme, shihni kalendarin e  tyre zgjedhor dhe do ta kuptoni, ka një harmoni mjaft të madhe midis nevojave për të shkuar tek votuesit dhe tonin, karshi procesit të zgjerimit dhe integrimit.

Thënë e gjithë kjo, ndërgjegjësimi dhe vetëdija që ndjej është gjithmonë e më e lartë për rëndësinë që Ballkani Perëndimor ka për arsye gjeopolitike dhe së dyti, për vetë arsyen për të mbrojtur Europën nga migracioni i paligjshëm së pari dhe mbi të gjitha po sjell përherë e më shpesh në tryeze bindjen e përbashkët se BP duhet të mbështetet më tej, të ndihmohet më shumë e të shoqërohet më shumë në procesin e transformimit.

Një prej instrumenteve më të rëndësishme që BE-ja dhe Komisionit Europian kanë identifikuar si një motor për të shtyrë makinerinë e transformimit përpara në Ballkan, është i ashtuquajturi Plani Ekonomik dhe i Investimeve në Ballkan, i cili është mjaft ambicioz me atë çfarë kemi patur deri tani, shumë sfidues, pasi lidhet me një vlerë mjaft të konsiderueshme parash dhe lidhet me kapacitetet,  jo vetëm për të parashikuar, por edhe për të punuar së bashku për projektet që do të financohen në funksion të më shumë ndërlidhjeje në infrastrukturë, hekurudha, ndërlidhja në fushën digjitale dhe ndërlidhja në rrjetet energjetike.

Kështu që jemi njëfarësoj të qartë për situatën dhe duam të bëjmë më të mirën nga kjo situatë. Siç u thashë dhe dje, nëse BE-ja nuk mund të mbajë shpejt fjalën për zgjerimin dhe në rast se Ballkani Perëndimor nuk bashkohet dot me BE-në, atëherë objektivi i BE-së duhet të jetë, ec drejt BP nëpërmjet një mënyre më të qëndrueshme dhe të njëtrajtshme përmes veprimeve të përbashkëta. E këto veprime janë të dy llojeve, të parat,  veprime të përbashkëta për të përballur kriza të përbashkëta me shpresë pa përsëritur nisjen dramatike të përgjigjes ndaj pandemisë ku Ballkani Perëndimor u la tërësisht mënjanë nga skema e shpërndarjes së vaksinave; Kriza energjetike, e cila po godet fort shumë vende në BE dhe në thelb, ata që janë apo varen nga burimet e gazit ashtu siç Europa si e tërë, të gjithë e dinë mirë varet në rreth 95% të saj tek gazi që nuk prodhohet brenda Europës, por vjen në Europë përmes destinacioneve të tjera.

Harta e ndërlidhjes është e qartë. Është hartuar prej disa kohësh tashmë, financimi dhe proceset operative për zbatimin e asaj për të cilën është rënë dakord lidhur me këtë hartë, është sfida.

Është një sfidë mjaft e madhe.

Unë vazhdoj të këmbëngul se përmes Ballkanit të Hapur, ne do të kemi një mekanizëm shtesë më efikas për të nxitur saktësisht kapacitetet që ne kemi, për të bërë më shumë në këtë drejtim.

Investimet në ndërlidhje, kombinuar me përpjekjet e përbashkëta për ta bërë rajonin tonë një rajon pa barriera, sa më shpejt të jetë e mundur, sa u takon barrierave jo tarifore, është gjëja e duhur për t’u bërë dhe është rruga e duhur për të ecur përpara.

Ka diskutime mjaft konfuze për Procesin e Berlinit, për Ballkanin e Hapur, ndërkohë që për mua është shumë e qartë. Ballkani i Hapur është frymëzuar nga Procesi i Berlinit, është një zhvillim i natyrshëm i Procesit të Berlinit, është një instrument i krijuar në rajon, për të vendosur të gjitha përpjekjet nga rajoni, për të zbatuar parimet dhe objektivat e vetë Procesit të Berlinit.

Ndërkohë që Procesi i Berlinit i vetëm është e qartë që ka një problem. Problemi është që autorësia është jashtë Ballkanit, çka nënkupton që, pavarësisht vullnetit të mirë, cilido nga jashtë që është i angazhuar me Procesin e Berlinit ka objektivisht shumë më tepër gjëra për t’u marrë në jetën e vetë të përditshme e nuk mund të përqendrohet vetëm tek Ballkani, çka ne mundemi e duhet ta bëjmë. Praktikisht është njësoj si një njësi zbatimi projekti. Donatorët marrin pjesë me financim dhe shoqërohet nga projekte, por kanë gjithmonë nevojë për njësinë e zbatimit të projektit në vend, me qëllim që të merren pikërisht me zbatimin, pra, Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të Procesit të Berlinit, shumë e thjeshtë. Është gjithëpërfshirës, ashtu siç është dhe Procesi i Berlinit, është natyrisht i hapur për përmirësime …[e padëgjueshme], nuk është një proces, i cili ndikon apo e trazon këtë proces, por është një proces që kërkon zbatimin e të katër lirive. Pasi, le ta themi, ne mund të kemi infrastrukturën më të mirë, por nëse nuk kemi një qarkullim … [e padëgjueshme], nuk maksimizojmë atë çka investojmë financiarisht dhe nga ana tjetër, ajo çfarë investojmë financiarisht, për shkak të natyrës së këtij plani, është gjithmonë e varur nga kapacitetet dhe nga performanca e më shumë sesa një vendi. Çdo rrugë, çdo segment, rrugor, çdo segment hekurudhor, çdo segment dixhital apo çfarëdo lloj gjëje që ne të bëjmë në një rrjet të ndërlidhur të energjisë nuk mund të ndërtohet në mënyrë të fragmentarizuar e nuk mund të ndahet nga tjetri. Nëse ndërtojmë një rrugë apo një hekurudhë nga pika A në pikën B brenda vendit dhe nuk kemi ndërlidhjen me të njëjtin standard dhe me të njëjtin synim në kufi, nuk ka shumë kuptim.

Për t’ju informuar, ne duam të nxisim përpara Korridorin Adriatiko-Jonian e meqë ra fjala, jemi aktualisht të angazhuar në një ushtrim solo, ndërkohë që vitet kalojnë dhe projekti është larg së qeni gati sa i takon përfshirjes së vendeve që presupozohet ta kenë këtë ndërlidhje, konkretisht Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia. Për këtë, ne jemi përgatitur shumë seriozisht dhe tërësisht për një investim, i cili duhet të sigurojë financimin përmes kontratave të drejtpërdrejta me rrugët që nënkupton rrugët me pagesë. Ideja është që na duhet të kemi një zgjidhje, të ndërtojmë Korridorin, por të kemi një zgjidhje alternative për të gjithë, pra, jo vetëm Korridorin, por dhe alternativat për rrugët.

Jemi tashmë, më së fundmi, duke parë punën të fillojë për hekurudhën Tiranë – Durrës, që ka qenë një proces i gjatë, do të thoja as proces zakonisht i gjatë, por edhe më shumë sesa aq, me BERZH-in, për arsye që nuk kanë qenë të lehta për t’u kuptuar sa i përket moskundërshtimeve, por më në fund, gjërat janë në rregull e mund të fillojmë.

Aktualisht na duhet që ta lidhim Durrësin me Malin e Zi, në kuptimin hekurudhor, sepse në të kundër, atëherë nuk ka kuptim. Lidhja e Durrësit me Hanin e Hotit dhe nga Hani i Hotit me Malin e Zi do të nxisë tregtinë. Paralelisht me këtë, ne jemi sigurisht të interesuar dhe presim me padurim që të punojmë edhe për hekurudhën tjetër, Durrës – Prishtinë dhe më pas të lidhet me Nishin, që sërish e sjell të gjithë investimin në një rrjet më të gjerë, jo vetëm rajonal, por edhe Europian.

Së treti, – nuk po e vendos në tabelën e përparësive, por këto të tria janë shumë të rëndësishme dhe duhet të nisim sa më shpejt të jetë e mundur, – është segmenti midis Durrësit dhe Maqedonisë së Veriut, që sërish do të jetë kuptimplotë për rajonin dhe do të jetë shumë i rëndësishëm, paralelisht me punën që kemi nisur për portin e ri tregtar të qytetit të Durrësit që sigurisht do të jetë më i madh, më i mirë dhe shumë më tepër dinjitoz nga pikëpamja mjedisore, sesa infrastruktura katastrofike që kemi dhe që ende e quajmë port.

Kjo ishte sa u takon hekurudhave e rrugëve, ndërkohë që urojmë që të mund të shoqërojmë projektin e hekurudhës Durrës – Maqedoni e Veriut dhe me projekte të infrastrukturës rrugore, por kjo duhet bërë pasi të sigurohemi që të tejkalojmë disa pengesa në situatën aktuale.

Ana tjetër e historisë sigurisht ka të bëjë me dixhitalen dhe me rritjen e kapaciteteve këtu brenda vendit, duke hapur një horizont të ri për të rinjtë. Kemi shumë të rinj të talentuar, ashtu si në çdo vend të rajonit, që duhet të shoqërohen përmes një mënyre të gjithanshme e gjithëpërfshirëse të prezantimit të tyre me botën dixhitale. Do të ndryshojmë krejtësisht programin e informatikës në shkolla, duke e sjellë në një epokë tjetër, sepse laboratorët e vjetër dhe mënyra e vjetër e mësimit të saj nuk përmbush e nuk përballet dot me sfidat e kohës. Gjithashtu do të angazhojmë përpjekjet financiare në kodim, për të pasur sa më shumë të jetë e mundur të rinj, të cilët përfshihen në kodim. Puna është në vazhdim tek Piramida, për ta transformuar në qendrën më të madhe rajonale të teknologjisë, por nuk është e vetmja. Jemi duke u përpjekur për Qendrën e Vlorës, ndërsa në Korçë e kemi tashmë, ku biblioteka e re ka një hapësirë mjaft të këndshme, të vogël, që po rritet e do bëhet më e madhe. Duam të bëjmë të njëjtën gjë për Durrësin, Shkodrën e në faza të mëtejshme të përfshimë dhe bashki të tjera.

Kjo gjithashtu vjen shoqëruar me nevojën për të ecur paralelisht me rritjen e investimeve në kapitalin njerëzor përmes qasjes së re ndaj universiteteve.

Duke mos dashur të marr më shumë prej kohës suaj dhe me shpresën që ajo çfarë thashë, e di që nuk është e re për ju, por shpresoj të ketë qenë e dobishme, dua ta përmbyll me bindjen se pavarësisht mendimit që për shkak të faktit që Bashkimi Europian nuk ka qenë në gjendje të mbajë fjalën në raport me procesin e integrimit dhe këtë herë për shkak të diçkaje që nuk ishte aspak e parashikuar, siç ishte Bullgaria, unë jam optimist në mënyrë të arsyeshme, sepse besoj fortë që ndjesia e komunitetit midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor po rritet në Europë mes udhëheqësve dhe ndjesia e përgjegjësisë, po kështu, karshi Ballkanit Perëndimor po rritet. Ndjej që ka një kuptim më të madh të rëndësisë së Ballkanit, për shumë arsye, për të ardhmen e Europës. Jo vetëm për të ardhmen, por gjithashtu për të tashmen.

Faleminderit shumë!

Shpresoj që kjo të ishte e dobishme për ju.

*Përkthim simultan

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.