Fjala e kryeministrit Rama në simpoziumin Ndërkombëtar “Përvojat tolerante të bektashizmit dhe sfidat e tij brenda islamit tradicional”:
Hirësia Juaj, Baba Mondi, Kryegjysh botëror i Bektashinjve,
Shumë të nderuar klerikë, studiues dhe besimtarë,
Të nderuar miq,
I jam mirënjohës komunitetit bektashi për këtë ftesë dhe për këtë mundësi për të përshëndetur çeljen e kësaj konference. Formati i saj ndërkombëtar përkon padyshim edhe me pritshmëritë universale të Selisë qendrore të bektashinjve në Shqipëri, e njohur tash e tëhu, si e përbotshme nga besimtarët e feve të ndryshme dhe nga institucionet e tyre përfaqësuese.
E bash për këtë arsye, nuk do të më keqkuptoni nëse shprehem paksa i zhgënjyer, në thonjëza, nga emërtimi i ndrojtur i kësaj konference, siç e lexova në letrën me të cilën më ftonte Baba Mondi të merrja pjesë: “Përvojat tolerante të bektashizmit dhe sfidat e tij brenda islamit tradicional”.
Afërmendsh, toleranca dhe përvojat e përftuara nga ushtrimi i saj, janë një fakt për t’u përshëndetur me përulje, si mes feve, po ashtu edhe mes kulturave. Megjithatë, modestish, unë mendoj se në Shqipëri, dhe se me bektashinjtë, mund të guxohet edhe më shumë. Më ngjan se përvoja bektashiane në Shqipëri, por edhe më gjerë, është një çelës i artë i bashkëjetesës dhe vëllazërimit. Toleranca, e cila konsiston në një shpalosje të kufizuar të lirive, për hir të një paqeje sociale me kosto të ulët nuk duket se, as historikisht, as etikisht, mund të përkufizojë plotësisht një përvojë aq pjellore dhe aq urëndërtuese, sa ajo që bektashizmi kultivon prej shekujsh, sidomos në territoret tona.
Fjala “kultivim” e cila ka në rrënjë kulturën, pra procesin e rritjes shëndetshëm dhe me përkujdesje të gjithçkaje që gjallon dhe i premtohet ciklit të jetës, më qaset në mëndje fare lehtë kur fjala vjen tek besimi juaj. Dikur, ndoshta edhe sot, teqetë bektashiane ndërtoheshin në një largësi prej gjashtë orë rrugë njëra nga tjetra, në mënyrë të tillë që udhëtari i cilido besimi të mund të kalonte natën nën një strehë. Kultivimi i përkujdesjes ndaj të panjohurit, i mikpritjes dhe i përkundjes së praktikës fetare së gjithsecilit në një respekt autentik, i ktheu gjatë shekujve bektashinjtë në shëmbëlltyrë të bashkëjetesës dhe në artizanë shpirtërore të paqes.
Kur Kryegjyshi i Bektashinjve, me një gjest spontan, i trupëzon katër krerë fetarë me një të kapur krahu, mes 500.000 parisienëve të mbledhur po aq spontanisht në bulevardin Voltaire në Paris për t’i thënë “PO” vijimësisë së bashkëjetesës dhe jo brishtësimit të një tolerance në pikëpyetje të përhershme, dhe gjithnjë e më shqetësuese në botën ku jetojmë, gjithkush nga ne mund të ndihet fatlum duke parë se si historia i shkel syrin guximit të urtësisë, dhe përvojës së thjeshtësisë.
Nuk ka sesi një orientim i tillë drejt së mirës dhe të paqmes, mos të përçohej edhe në një estetikë, e cila edhe sot është krejt e përveçme nën kubene e besimit bektashian. Shpesh kam pyetur veten se si shpjegohen sixhadetë tuaja mbi të cilat shfaqen me raste zvarranikët prehistorikë, të cilëve internacionalja e fanatikëve kokëshkretë ua mohon edhe ekzistencën. Nën imazhe që shumëkujt i duken naive, fshihet që në krye të herës një urtësi autentike, e cila, për këdo që e kundron estetikën bektashiane, shfaqet hirshëm dhe mjeshtërisht në vendndodhjet e përzgjedhura natyrore të teqeve, në kopshtet e kultivuara me shumë kujdes, të dukshëm në pastërtinë dhe në stilin e ndërtesave. Odeoni i madh që po vjen drejt përfundimit dhe i gjithë ansambli arkitektonik dhe botanik i Selisë suaj të shenjtë, është një dëshmi e gjallë dhe aktuale e kësaj prirje të admirueshme për ekuilibër dhe bashkëjetesë jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes njeriut dhe elementëve të tjerë të natyrës, në sytë tuaj, kurdoherë të paçmueshëm ky ekuilibër për të ushqyer, kultivuar kulturën e paqes dhe të bashkëjetesës.
Historikisht, si besim, bektashizmi i kishte të gjitha shanset të mos bënte, prokopi siç i thonë, në viset shqiptare. I frymëzuar nga një profet me origjinë të largët, i ngjizur nga shartimi plot fruta të ndaluara midis një islami ortodoks dhe një urtësie indo-perse origjinale, bektashizmi mund të ishte ndoshta përbuzur nga shqiptarët, përgjithësisht kokëshkretë, apo mund të ishte lënë në një indiferencë plot tolerancë, por gjithsesi indiferencë, nëse ai do të ishte propozuar si një recetë besimi më shumë.
Por bektashizmi nuk është një recetë më shumë. Në një kontekst të përshkuar nga përballje monoteizmash antagonistë të rraskapitur nga luftëra perandorish dhe feudalitetesh, bektashizmi lulëzoi, jo si dogmë, por si një urdhëresë mistike e cili më shumë sesa e predikon një fe, synon një pedagogji përshpirtjeje dhe bashkëjetese, siç dikur ishin shfaqur në Perëndim të ashtuquajturit “urdhra endacakë”, françeskanë apo domenikanë.
I rrokullisur tamam si një meteor vetmitar mbi bjeshkët e larta fisnike, ndonëse të serta të islamit dhe krishtërimit shqiptar, bektashizmi fitoi përulësisht një të drejtë qytetarie dhe madje edhe një kombësi shqiptare, të pranuar nga të gjithë të tjerët.
I dashuruar pas stoicizmit të islamit të shkretëtirës dhe po aq sa pas krishtërimit të fillesave dhe kujdesit të tij baritor, bektashizmi u bë, për shumë të krishterë të ndodhur nën trysninë e një kryeneçësie osmane, një mburojë vëllazërore. Shumë myslimanë e panë si udhërrëfyes të pajtimit me besë me vëllezërit e krishterë, pa flijuar ndërgjegjen, dhe pa e braktisur përkatësinë e tyre konfesionale.
Të gjithëve, në fakt, dhe sot e gjithë ditën kjo është tanimë e qëruar nën dritën e diellit, “Urdhri i Babave dhe Dedejve” u tha të ishin shqiptarë. Vetiu, nuk kishte se si, midis ashikëve të paqtimit dhe jetës dhe frymëzuesve të emancipimit shoqëror dhe kombëtar të shqiptarëve, të mos shugurohej ajo besëlidhje e fuqishme që aq shumë kontribuoi në luftërat për pavarësi dhe afirmimin e një shqiptarie të pa cunguar dhe as të rreshkur nga armiqësia apo pangopësia ndaj të tjerëve, por të një shqiptarie humaniste, zemërbardhët dhe syçelët.
Dhe është i hatashëm rrugëtimi besa besë i bektashizmit me idealizmin ovardhar dhe paparagjykime të rilindasve. Në pamje i fjetur, rrjeti i 40 teqeve – një numër që është bashkërisht simbolik për të krishterë dhe për myslimanë – që yjëzonin gjeografikisht sanxhaqet shqipfolëse të perandorisë së dikurshme, u aktivuan si të ishin stacionet e një hekurudhe për të përcjellë mesazhin kombëtar, sapo në teqetë e Frashërit, Krujës, Elbasanit u dha shenja e kryengritjes. Kjo hekurudhë, e inauguruar në Prizren më 1878, përvijëzoi si flakërimë deri në Vlorë, më 1912, flamurin kombëtar, duke kurorëzuar edhe urdhrin mistik, më periferik dhe më të përulur, me një lavdi të cilën as koha, as persekutimi i gjatë komunist që nuk i toleroi as bektashinjtë, siç nuk toleroi as edhe sivëllezërit e tyre më të mëdhenj, nuk e zbehën dot.
Shqiptarët ishin qysh herët të ngjizur dhe të mbrujtur në bashkëjetesë, sikundër në bashkëjetesë u shpalos edhe çka gjuha franceze do ta quante “gjeniu” i bektashizmit. Për pasojë nuk është më asnjë çudi që, megjithëse tradicionalisht me seli në Turqi, Tarikati i Bektashinjve numëroi një shumicë Dedejsh apo Kryegjyshësh me origjinë shqiptare, sikundër nuk është çudi që në 1923, në pikëpyetje mbi ardhmërinë e tyre, hierarkët bektashinj erdhën këtu dhe ringritën selinë e përbotshme, këtë herë në Tiranë.
Të jemi të qartë e të kthjellët, edhe pse, mbase nuk është nevoja. Shteti shqiptar nuk ka as paragjykim dhe as parapëlqim për këtë apo atë komunitet fetar, por është dhe në këndvështrimin tim duhet të jetë gjithmonë e më i ndjeshëm ndaj përvojës së veçantë dhe të paçmuar që secilit prej komuniteteve të këtushme fetare përçon në gjakun e shoqërisë. Dëshmi e bashkëjetesës, e vetëpërmbajtjes dhe e një përulësie natyrale intelektuale, rrugëtimi dhe e tashmja e bektashizmit janë një premtim i madh për vazhdimësinë e partneritetit vëllazëror, në vijim dhe në shërbim të urtësisë, të qytetarisë dhe të së mirës së përbashkët që kaq mrekullisht e reflektojnë sot të katërt komunitet, në një botë gjithnjë e më të trazuar dhe të mjegulluar, ku ky rrezatim merr një forcë ende më të madhe dhe besoj, duke u bërë gjithnjë e më shumë pjesë e një krenarie kombëtare dhe e në krenarie qytetare edhe të atyre qytetarëve të këtij vendi që nuk ndehen pjesë e asnjërit prej komuniteteve dhe që i thonë vete ateistë.
E pra, për këtë realitet dhe falë kontributit të të gjitha komuniteteve, ku sot dita dhe rasti që na ka mbledhur e do që të nënvizohet kontributi i paçmuar i bektashinjve, shqiptarët, të gjithë së bashku, besimtare ose jo, kanë të drejtën e plotë të jenë krenarë, por edhe shpresëplotë. Dhe Shqipëria europiane e dy monoteizmave dhe e disa përkatësive fetare, ka sot të drejtën të jetë kryelartë përpara kujtdo qoftë.
Në mbyllje të kësaj fjale, mu duk me vend sot dita, për t’ju përcjellë idenë e ndërtimit në Tiranë, së shpejti, të një “Parku të Besimit”. Një hapësirë publike, e gjelbër, e mbjellë me të gjitha bimët, lulet dhe pemët që përmenden në Kuran dhe në Bibël. Në këtë park, kushtuar bashkëjetesë, fëmijët, prindërit, gjyshet dhe gjyshërit e kryeqytetit, apo të qyteteve të tjera shqiptare dhe po ashtu, vizitorët e huaj, do të mund të gjejnë jo vetëm të gjithë krijesat e gjelbra të librave të shenjtë, por edhe imazhe, objekte, tinguj që i bëjnë jehonë kësaj historie dhe pasurie të paçmuar shqiptare, për të cilën, përulësisht, çdo shqiptar, duke filluar nga Shteti shqiptar, nga të gjitha institucionet dhe autoritetet shqiptare, duhet t’i jetë mirënjohës komuniteteve fetare të këtij vendi dhe padyshim, mes tyre, edhe komunitetit të bektashinjve shqiptarë.
Ju falënderoj me mirënjohje dhe ju siguroj se marrja e këtyre ftesave për të përshëndetur evente të organizuara nga komunitetet fetare, është për mua gjithmonë një lajm i posaçëm dhe fjalët e mbajtura përshëndetëse në këto raste janë për mua, jo një punë e zakonshme.
Mirënjohje të gjithëve!