Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën e OSBE-së për Europën Juglindore, “Gazetari në kohë krizash”:
Është padyshim kënaqësi për mua që gjendem këtu, pasi diskutuam me ambasadorin e OSBE-së, pak kohë më parë, si të forcojmë bashkëpunimin tonë dhe si të bashkojmë përpjekjet për të krijuar një mjedis më të mirë për lirinë e medias dhe njerëzit e përfshirë.
Nga ana tjetër më duhet të pranoj se nuk jam saktësisht njeriu i duhur për t’u ftuar në këto lloj takimesh, për shkak të opinioneve të mia që njëfarësoj ndryshojnë nga ato që janë politikisht korrekte, kur bëhet fjalë, jo për lirinë e medias, por për mënyrën sesi në emër të kësaj lirie, shumë gjëra që shkojnë kundër këtij koncepti të lirisë ndodhin. Po i referohen përhapjes në internet të lajmeve të rreme, të sjelljeve që priren të jenë kundër lirisë dhe priren të jenë kundër të drejtave të njerëzve të tjerë, priren të jenë kundër logjikës, kur vjen fjala për gazetarinë realiste, që bazohet në të vërtetën, në kontrollin e fakteve dhe në burime të qarta e që sigurisht, mbështetet në ndjenjën e misionit për të përfaqësuar një fuqi të katërt reale e për t’i trajtuar kësisoj fuqitë e tjera. Mendoj që ka një vijë mjaft të hollë dhe padyshim është përherë e rrezikshme që të përpiqemi t’i kombinojmë e t’i bëjmë të dyja bashkë të jetojnë në harmoni. Nga njëra anë, për respektin e lirisë së gazetarëve dhe nga ana tjetër, për të respektuar lirinë e qytetarëve.
Mendoj që kur vjen fjala për median në internet, liria e përhapjes së kësaj medie ka minuar njëfarësoj lirinë e fjalës dhe liria e përhapjes nuk mund të jetë njësoj me lirinë e fjalës. Është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, kur vjen fjala për të gjetur mënyrën sesi të rregullohet kjo hapësirë kaotike ku të vërtetat dhe gënjeshtrat janë bërë bashkëshoqëruese dhe të vërtetat e gënjeshtrat bashkëjetojnë duke e bërë ndonjëherë të vështirë dallimin mes tyre.
Sidoqoftë, nga ana tjetër nuk mendoj se mënyra më e mirë është që t’i largohesh sfidës dhe të mbash thjesht një qëndrim ku thua se në emër të lirisë na duhet thjesht të bëjmë durim me këtë sasi gënjeshtrash, akuzash, shpifjesh apo shantazhesh, që në ditët e sotme janë shndërruar në një problem të madh. Mendoj se na duhet të reflektojmë mbi këtë.
Ndoshta e kemi mësuar në mënyrën më të vështirë se kjo nuk lidhet vetëm me qeverinë apo shumicën parlamentare e as më pak me vendet e vogla, pasi kur bëhet fjalë për t’u përballur me këtë sfidë, duhet përballur një mori paragjykimesh dhe një mori reagimesh që vijnë nga bota e “korrektes politikisht”. Mendoj se kjo lidhet me përpjekjen e përbashkët të të gjitha shoqërive e vendeve demokratike dhe me shpresë, duke nisur prej atyre më të forta, për t’u ngritur kundër lirisë së përhapjes që barazohet me lirinë e fjalës, sepse nuk është kështu, është krejt e kundërta.
Kur përpiqesh të parafytyrosh p.sh, se çfarë do t’i kishte bërë makineria propagandistike naziste botës me këtë liri është tronditëse. Apo edhe pa u përpjekur të imagjinoni fare, përpiquni të vlerësoni se çfarë dëmi po shkaktohet në jetën e përditshme nga burimet e së keqes në këtë botë nga terrorizmi, të gjitha llojet e fondamentalizmave, deri të pedofilia e të gjitha sëmundjet e shoqërisë moderne, që përmes lirisë së përhapjes mund të prekin shumë qenie njerëzore, grupe në nevojë dhe pjesë të dobëta të organizmit të shoqërive tona.
Do thoja që po, është vërtetë shumë e rëndësishme që të mbrojmë sa më shumë të jetë e mundur dhe të lejojmë sa më shumë të jetë e mundur lirinë e fjalës të lulëzojë dhe të sigurohemi që gjithkush që ka diçka për të thënë, të jetë në gjendje ta thotë, por në të njëjtën kohë kjo nuk mjafton. Na duhet po kështu të mbrojmë njerëzit.
Dua ta përmbyll me një përvojë personale nga disa kohë më parë, kur u ftova të shkruaja një artikull për The Guardia-n. Ka qenë fillesë të viteve ’90-të dhe ishte përvoja ime e parë me median ndërkombëtare. Asokohe u trondita nga sa të saktë donin të ishin në botimin e artikullit tim të shkurtër, pasi nuk e botuan. Donin ta kontrollonin, donin të verifikonin me mua nëse mund të ndryshonin titullin. Unë nuk kisha mundësi t’u përgjigjesha në të njëjtën ditë asaj kohe, sepse ishte një kohë kur nuk kishim as telefona celularë, kështu që pritën që të merrnin përgjigje prej meje.
Kjo përvojë, më pas u ndoq nga një tjetër edhe më befasuese me The New Yorker, kur Jane Kramer erdhi për të bërë një portret timin. Ajo kaloi një javë, u takua me shumë njerëz dhe para se të largohej më thotë, më duhet të të them se ka mbetur edhe një gjë tjetër dhe duhet të përgatitesh që të kalosh një proces shume neurotik të kontrollit të fakteve të vetë artikullit tim. Në fillim nuk e kuptova për çfarë po fliste, më pas kuptova që ata, për çdo njeri që përmendej në artikull, edhe për gjëra shumë të vogla, donin që çdo person i përmendur në artikull të binte dakord me çdo fjalë të shkruar në artikull, që i citonte dhe kur i thashë që kjo është e tepërt, ndoshta, ajo më tha, kjo është arsyeja pse ne nuk kemi humbur kurrë asnjë çështje në gjykatë në SHBA.
E nëse krahasoni këtë me atë çka po ndodh ditë pas dite në këtë fluks të pandalshëm informacioni përmes medias në internet dhe me sa herë ju duhet të shihni që jeni keqcituar, ndonjëherë edhe jo thjesht keqcituar, por ekspozuar, duke thënë gjëra që as ju kanë shkuar nëpër mend e jo më t’i thuash, kjo është diçka përtej asaj apo këtij kërkimi, – për të mos përdorur fjalë të tjera, – për audiencë, për përhapje. Pra, çfarë kjo po u bën atyre që janë në detyrë e po të shkojmë përtej këtyre njerëzve që mbajnë detyra e po të shkojmë tek njerëzit normalë, të cilat janë qytetarë të thjeshtë, çfarë dëmi u shkakton atyre, është e papërballueshme, është absolutisht kriminale. Në fund të fundit, kur je politikan, kur je zyrtar i zgjedhur, kur mban një detyrë, mund ta stërvitësh veten t’i mbijetosh e t’i thuash vetes që ja që kështu janë gjërat, siç thotë legjendari Donald Trump, kështu që më duhet të bashkëjetoj me këtë, kaq. Sepse të gjitha mënyrat për të kundërsulmuar janë mënyra potencialisht të rrezikshme për veten, sepse menjëherë etiketohesh si një person që je kundër lirisë. Por kur sheh fëmijët e tu, familjen tënde, kur sheh familje e fëmijë të të tjerëve që ngacmohen publikisht me gënjeshtra, me shpifje, me akuza që janë tërësisht të pabaza, çfarë bën? Shkon në gjykatë? Po pastaj? Duhen vite që gjykata ta përfundojë çështjen, por ndërkohë dëmi është bërë.
Ndaj kur mendon që kapaciteti për këto gënjeshtra që të lexohen e të dëgjohen është shumë herë më i madh, sesa kapaciteti i të vërtetës për t’u lexuar e për t’u dëgjuar, kjo shndërrohet në një makth të mirëfilltë, për të qenë i sinqertë.
Jam i sigurt që njerëzit këtu e njohin këtë vlerësim që i është bërë përhapjes së informacionit përmes Twitter-it, ku në pikëpamjen faktike, postimet e pasakta e të pavërteta në Twitter kishin një përhapje shumë më të lartë sesa postimet e sakta e të vërteta. Kjo është thjesht për të përmendur një prej shumë shembujve.
Unë mendoj që shoqëritë tona e bota jonë është përballë sfidave të mëdha, por është ai lloj sfide që duhet trajtuar në mënyra krijuese, duhet trajtuar pa harruar sa e rëndësishme është për të mos kufizuar lirinë e fjalës, ndërkohë që përpiqemi të rregullojmë lirin e përhapjes.
Megjithatë, mendoj se ta lësh të pa trajtuar e thjesht të predikosh për lirinë, përballë këtyre valëve kaq shkatërrimtare të gënjeshtrave e të pavërteta, nuk është përgjigja. Unë nuk e kam përgjigjen sepse po ta kisha përgjigjen, ndoshta do të kisha fituar edhe unë një çmim Nobel, por nuk e kam. Kjo është arsyeja pse jam shumë i lumtur që gazetarët fituan çmimin Nobel dhe respektoj shumë ata që kanë respekt për veten e për misionin e tyre e luftojnë për të vërtetën deri në fund, duke u përballur madje, edhe me regjime brutale e të rrezikshme.
Sinqerisht, sidoqoftë, nuk jam optimist duke parë atë çka ndodh e nuk e kuptoj vërtetë se pse televizionet apo gazetat duhet të rregullohen e janë të rregulluara dhe media online të mos mund të rregullohet. Natyrisht, unë dëgjoj në mënyrë të qartë e të fortë, lidhur me të ashtuquajturin vetërregullim, por nuk jam i sigurt që vetërregullimi është përgjigja përkundrejt shpejtësisë, sepse shpejtësia është përtej kufijve të imagjinatës së qenieve njerëzore kur vjen fjala për vëllimin që duhet përpunuar, për të parandaluar këtë përhapje apo edhe idesë për të klikuar dhe për t’u thënë njerëzve diçka. Kjo nuk është për një afat një ditor, kjo bëhet për një sekondë dhe ka një nevojë të jashtëzakonshme për integritetin e të vërtetës dhe integritetin e vetë medias.
Megjithatë, pa patur përgjigjen, do të ndalem këtu, sepse mendoj se kam thënë mjaftueshëm për t’u sulmuar sërish, kështu që nuk më duhet të them më shumë se kaq. Faleminderit!
*Përkthim simultan