Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me Kryetarë të Bashkive dhe Prefektë:
Shumë faleminderit ministre! Panorama është e qartë për të gjithë besoj. Asgjë e re nuk u tha në sensin që nuk ka shqiptar që jeton në Shqipëri apo që vjen në Shqipëri për të kaluar pushimet që nuk ngacmohet drejtpërdrejtë nga këto pamje, të cilave duhet t’u japim fund me se s’bën.
Patjetër që, nëse kthejmë kokën mbrapa, ministrja solli dy-tre të dhëna dhe fakte ndër shumë të dhëna dhe fakte që e bëjnë të qartë se ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm, por siç thotë ajo fjala, populli nuk pyet “si ke qenë dje, por si je sot” dhe sot situata është në udhëkryq, duhet të dalin me se s’bën dhe do dalim tani, jo pas disa vitesh.
Vërtetë ka gjëra që duan vite, por ka dhe gjëra që duan vetëm qartësi dhe vullnet.
Kemi bashkitë që sot kanë përgjegjësi për një territor që mbulon qendrën, periferinë dhe zonën rurale dhe për fat të keq, kemi sot që flasim, në territorin e Shqipërisë një numër të papranueshëm vend-depozitimesh abuzive, të paligjshme, kriminale, në raport me mjedisin, por edhe në shkelje të plotë të detyrimeve ligjore, të cilat çdo ditë përdoren nga ju.
Kemi pastaj pirgjet e plehrave lart e poshtë, si ato që u treguan këtu dhe që janë të panumërta anembanë, të cilat jo çdo ditë pastrohen prej jush.
Kemi rrugët kombëtare që janë një problem më vete dhe ku nuk mund dot të konsideroheni ju si përgjegjës, pavarësisht se kur vjen puna për të dhënë leje të paligjshme për karburante, hyni edhe tek rrugët kombëtare, por kur vjen puna për t’i pastruar rrugët kombëtare, jo vetëm që nuk hyni, por aty nuk ua kërkon kush.
Nuk e di a e patë atë karburantin e prishur dje. Për atë karburant të prishur dje do shkojnë në prokurori të gjithë ata që kanë firmosur në bashkinë e Lushnjës sepse bashkitë nuk kanë të drejtë të japin leje për asnjë gjë në rrugët kombëtare, për më tepër, në shkelje të plotë të atij ligji që është shkelur me të katër këmbët prej vitesh e vitesh në të shkuarën që thotë 20 metra nga aksi i rrugës kombëtare nuk mund të zhvillohet asgjë, pa diskutuar pjesën që as pas 20 metrash nuk mund të zhvillohet asgjë, në rast se është tokë buke dhe bëhet ndryshim destinacioni etj. Por kjo është temë tjetër.
Kemi bregdetin, që është bërë problem i madh dhe do jetë problem gjithnjë e më i madh sepse çdo vit e më shumë rritet numri i turistëve.
Ndërkohë, përtej sezonit kemi këto pamjet këtu që janë e përditshmja e dhimbshme, e turpshme e bashkisë Himarë, që është simboli i të fjeturit gjumë përballë plehut dhe maskarallëkut, bashkia e Himarës.
Kemi zonat e mbrojtura dhe zonat me rëndësi të veçantë historike e kulturore dhe patjetër kemi tokën e bukës që nuk mund të jetë vend për të hedhur plehra.
Unë e kam thënë dhe në paraqitjen e programit të qeverisë dhe me këtë sy po punojmë dhe qeveria nuk do rrijë më në këtë pozicion, por do ndërhyjë drejtpërdrejtë. Ndërhyrja e parë që ne do të bëjmë është kjo, ndaj janë këtu dhe prefektët; asnjë buxhet i asnjë këshilli bashkiak nuk do kalojë në rast se në atë buxhet nuk do jetë parashikuar, sipas kostimit për të cilin qeveria e Republikës së Shqipërisë do punojë për ju, pastrimi.
Ministrja do jetë vetë në mbledhjet e këshillit bashkiak dhe do ishte mirë që kryetarët e bashkive as të mos e ndërmarrin fare hapin që t’i çojnë këshillit një projekt-buxhet ku pastrimi dhe dalja përfundimisht nga kjo epokë të mos jetë parashikuar aty në buxhet.
Asnjë bashki nuk ka asnjë problem që të mbulojë pjesën e menaxhimit të përditshëm të mbetjeve, nga pikëpamja financiare, por edhe sikur i gjithë buxheti i bashkisë totalisht të shkojë për pastrimin, do shkojë për pastrimin. Asnjë gjë tjetër nuk është më e rëndësishme sesa pastrimi.
Shtëpitë e shqiptarëve kanë qenë në çdo kohë, në çdo shekull, pavarësisht nivelit të jetesës dhe nivelit të varfërisë, shembull pastërtie.
Shqiptarët nuk janë një popull që janë dalluar ndonjëherë për pisanjosë në shtëpitë e tyre.
Bashkitë janë shtëpitë e këtyre komuniteteve dhe nëse problem sot e gjithë ditën mbetet një kategori qytetarësh që nuk e konsiderojnë si shtëpinë e tyre mjedisin e përbashkët dhe i hedhin plehrat rrugëve, i zoti i shtëpisë që përgjigjet, amvisa që duhet të rrijë mbi kokë aty, është kryetari i bashkisë bashkë me stafin, kjo nuk diskutohet. Askush nga ne që jemi këtu si të zgjedhur nuk mundet dot më të bashkëjetojë me turpin e pisllëkut.
Është e patolerueshme, e pajustifikueshme dhe do jetë e papranueshme, duke filluar nga buxheti i vitit të ardhshëm për çdo bashki që të mos vendosë aty të gjithë fondin që duhet për të mos pasur vend-depozitime ilegale, për të mos lejuar pirgje që bëhen stok me javë të tëra nëpër territor, për të kontrolluar procesin më së miri.
Kjo kërkon kostim, buxhetim, vullnet dhe mirëadministrim. Sikur askush të mos e kishte bërë dhe sikur askund të mos kishim ndonjë shembull, mbase do duhet të thonim që ka diçka tjetër. Shkoni në Lezhë, jua tha dhe ministrja, jua sugjeroj jo metaforikisht, por praktikisht. Shkoni në Lezhë dhe shikoni plazhin, shikoni qytetin, po të doni shkoni shikoni dhe zona rurale dhe shkoni e gjejeni një vend-depozitim ilegal, shkoni gjeni pirgje që rrinë aty me javë dhe shkoni edhe kur është sezoni turistik, që shumëfishohen nevojat dhe buxheti i bashkisë nuk shumëfishohet. Bëni një xhiro në rërë dhe gjeni një copë letër atje.
Ky është vullneti dhe mirëadministrimi dhe nuk është rastësi që nga të gjitha bashkitë e Shqipërisë, bashkia e Lezhës ka buxhetin më të madh të vendosur nga vetja, jo se ja ka dhënë dikush tjetër, e ka ndarë mënjanë për respektin për veten, që fillon nga pastërtia, një buxhet që i përgjigjet nevojave. Jo, se nuk ka nevoja, por sepse në ato kushte, ka parë që këto kemi dhe me këto do ta bëjmë.
Shkoni ne Korçë dhe gjeni plehra rrugëve, shkoni në bashkitë e qarkut Korçë dhe kërkoni një bashki që në vend që të shkojë tek pika fundore i hedh në buzë të lumit, siç ndodh me bashkitë e Elbasanit apo siç ndodh me bashkitë e Durrësit apo me Kamzën, që ka krijuar një destinacion allasoj atje. Vetëm emri i mungon, sepse ata në Kamëz i vinin emra globalë të gjithë destinacioneve. Habitem si nuk i kanë vënë asaj grope toksike emrin “Green Peace” ndërkohë që landfilli është atje.
Ajo që rezulton dhe do ta themi, është që kur shkohet në pikat fundore, bie sasia. Pse bie sasia kur shkohet në pikat fundore? Sepse zakoni shumëvjeçar i faturimit fiktiv të tonelatave nuk është zhdukur nga territori i Shqipërisë, me vende depozitimi ilegale politike, për interesa personash dhe vijnë vërdallë.
Nga një anë, janë bërë investimet më të mëdha seç janë bërë ndonjëherë tjetër, përfshirë edhe vitet më parë, edhe për plehrat, edhe për ujin, por për ujin do flasim javën tjetër. 800 milionë euro ka investuar kjo qeveri, së bashku me donatorët, por donatorët nuk është se i sjellin paratë dhuratë, janë fonde të këtij populli. 800 milionë euro dhe humbjet në rrjet dhe trajtimi i sektorit të ujit si një sektor punësimi nëpër ndërmarrje të mbingarkuara me njerëz që marrin rroga kot, ndërkohë që çdo vit rritet borxhi i bashkive, është bërë rutinë por kjo është temë tjetër. Flas për mbetjet. Prandaj, sot që po përgatiten buxhetet është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë të qartë se asnjë buxhet bashkiak nuk do ta kalojë dot filtrin e prefektit nëse kalon filtrin e këshillave bashkiakë dhe jo vetëm ministrja, por dhe unë personalisht do vij të dëshmoj përpara këshillave bashkiak në rast se do informohem që kryetari i bashkisë çon një buxhet që nuk i përgjigjet kostos së pastrimit.
Natyrisht, në këtë proces ka edhe specifika, nuk janë të gjitha specifika të njëjta. Ka bashki që kanë specifika të caktuara, vështirësi të caktuara, por kur bashkia e Lezhës ngrihet dhe çon mbetjet në Bushat, nuk ka asnjë tjetër këtu që të thotë jo se është larg, jo se kushton.
Nuk ka kosto më të rëndë sesa ajo që i faturohet çdo ditë fëmijëve tanë dhe të këtij vendi me ato vend depozitimet ilegale Tonin. Me vend depozitime që janë të fshehta, nuk ka. Kjo është kostoja më e madhe. Nuk ka lekë, nuk ka euro, nuk ka dollarë që matet me këtë kosto.
Nga ana tjetër, unë e kuptoj shumë mirë që në fazën e sezonit bashkitë bregdetare duhet të përballojnë një volum që është eksponencialisht më i lartë në raport me mundësitë që kanë për shkak se nëse pastrimi bazohet tek të ardhurat nga kontributet, atëherë për pastrimin e Durrësit po themi kontribuon një numër X dhe Durrësi në sezon duhet të kthehet në një vend me një popullsi që është kushedi se sa herë më e madhe se sa ajo që ka dhe ku gjenden dhe kontributorë, shumë dakord. Por nga njëra anë, për çfarë përdoren paratë që jepen për administrimin mizerabël të plazheve? Për çfarë përdoren? Ku shkojnë ato para? E si shpjegohet që mbasi ju jepen plazhet në administrim privatëve, e vetmja gjë që bëjnë privatët atje është vendosin shezllonët, vendosin çadrat, vënë dhe tarifat dhe rëra apo zalli tek Jorgua, janë mbushur me letra, cigare, bishta cigaresh, me qese, me të gjitha. Po kush i ka këto? Ju i keni? I kanë ata, pse nuk pastrojnë? Pa llogaritur që me gjithë hapat e bërë, akoma jemi ku e ku më larg me atë që duhet të jetë administrimi i plazheve dhe nga ana tjetër, unë e kuptoj edhe pjesën e ngarkesës që për shkak të bregdetit merr qyteti, por që qendrat, deri në qendër, siç ndodh me Himarën, që është bërë destinacion me një fluks të jashtëzakonshëm njerëzish e që në darkë, në qendër të Himarës duhet të ecësh përmes kazanëve të stërmbushur me plehra dhe duhet të bashkëjetosh me muzikën në kupë të qiellit dhe me erën e plehrave.
Ne do vendosim një buxhet të veçantë për bregdetin, pa diskutim, në bashkëpunim me kryetarët e bashkive dhe me bashkitë, pa diskutim, e do ndajmë barrën, një pjesë do ta mbajë bashkia, një pjesë tjetër do ta mbështesë qeveria financiarisht por edhe në rast se bëjmë këtë, po qe se kryetarët e bashkisë nuk bëjnë të gjithë atë që bën kryetari i bashkisë së Lezhës, atëherë përsëri problemi nuk do të zgjidhet, por do të mbetet si ping – pong.
Një nga plazhet më të bukura të bashkisë Himarë, janë bërë këtë verë fotografi që kanë marrë globin ku pushuesit dhe kuajt rrinin bashkë. Kuaj, kope me kuaj. Pushuesit në çadra, kuajt rreth e rrotull plehrave dhe merreni me mend se çfarë situatash. As për të larguar një kope kuajsh nga plazhi, ose për ta kthyer në një atraksion turistik. Mund të rrijë dhe kopeja e kuajve, por i vendoset një gardh dhe i vendosen dhe njerëz dhe pastaj pushuesit mund ta konsiderojnë një mrekulli, një befasi. Jo, jo, fare, asgjë.
Ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht me ju për këtë, por fjalët po shterojnë dhe ligji parashikon shumë qartë që kryetarët e bashkisë janë përgjegjës dhe bashkitë sanksionohen me ligj, financiarisht, për veprime të kësaj natyre dhe ne do të ecim edhe me sanksione dhe sanksionet do shkojnë deri në marrjen në administrim të bashkisë, me sigurisht, çuarjen respektive të kryetarit të bashkisë në prokurori.
Ky do të jetë fundi i rrugëtimit të përbashkët në rast se nuk do të gjejmë partnerët e duhur në territor që do ta bëjnë natën ditë dhe që do të garantojnë që Shqipëria në sezonin e ardhshëm të jetë shembull i pastërtisë. Dhe kur them sezonin e ardhshëm, nuk kam parasysh vetëm bregdetin, kam parasysh të gjitha zonat. Nuk i kushton asgjë askujt, po të mos kishim pikat fundore atëherë do kishim problem. I kemi pikat fundore, i kemi. Qarku Shkodër i ka, qarku Durrës dhe Tiranë i kanë, qarku Fier i ka, qarku Vlorë i ka, qarku Elbasan i ka, qarku Korçë i ka.
Berati është një tjetër shembull sot që flasim. Megjithëse ka trashëguar një situatë problematike, është shembull që po e bën transformimin. Akoma nuk ka përfunduar gjithë infrastruktura, por ama shumë shpejt do ta ketë edhe qarku Berat. Po kështu, e përmendi ministrja edhe më thellë në Çorovodë dhe më tutje pastaj në Gjirokastër, tani çfarë mungon këtu? Duhet t’i shkojmë t’i lutemi kryetarëve të bashkisë së Elbasanit, e kam fjalën për Librazhdin, e kam fjalën për Belshin, e kam fjalën për Cërrikun, e kam fjalën për Peqinin, e kam fjalën për Gramshin, e kam fjalën për Përrenjasin. Duhet të vijmë t’ju lutemi ne ju? Që të çoni mbetjet në pikën e përpunimit? Në vend që t’i hidhni rrugëve, duke u justifikuar që është shtrenjtë? Çfarë është shtrenjtë? Jo, nuk është shtrenjtë. E kundërta është e vërtetë. Është më shtrenjtë ashtu sepse faturohen sasira me sy nga operatorë kurse atje do shkojnë do peshohen kilogram për kilogram, nuk është më shtrenjtë dhe gjithë ajo që është diferenca, patjetër që ulet pastaj nga kostot e transportit dhe sigurisht nëse duhet më shumë do vihet dhe më shumë buxhet. Nuk do harxhohen paratë për asgjë tjetër, se asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme. Nuk po ju themi atë që në fakt mund edhe të thuhej, po mirë, si do bëhet kjo puna e shpenzimeve të ujësjellësve? Si do bëhet kjo? Për çfarë arsye duhet të zhytet sektori në borxhe kur administrimi i ujësjellësve është kriminal? Hajde, po ju marrim juve buxhetin e po fillojmë të paguajmë borxhet, por nuk po ju themi këtë, se kjo do të ishte sikur të jemi ne FMN-ja dhe ju një vend tjetër.
Ne këtu jemi partnerë dhe e kuptomë shumë mirë edhe pjesën e vështirësive dhe i kuptojmë shumë mirë dhe kufizimet, por tek pastrimi, po nuk u bë pastrimi, nuk kuptoj se çfarë tjetër mund të presësh e çfarë tjetër duhet të bëjë bashkia. Nuk e kuptoj fare. Çfarë jemi ne? Si mund ta pranojmë ne këtë gjë? Ikin vitet dhe do vazhdojmë ne të kënaqemi me progresin gradual kur këtu është bërë gjithë ky investim i madh dhe janë krijuar pikat fundore e tani nuk ka më justifikime? Jo, fare. Nuk ka nevojë për progres gradual. Këtu duhet një kryetar bashkie që merret 24 orë me këtë punë, një buxhet që është i duhuri, një mbështetje nga qeveria që nuk do t’ju mungojë dhe mbaron çdo gjë për 100 ditë. Kurse me këtë progresin gradual na duhen 100 vjet.
Ministrja do të vijë personalisht në të gjithë territorin, do të ulet me ju sipas qarqeve. Aty do të diskutoni specifikat sepse e thashë, ka specifika të veçanta. Për shembull një nga arsyet pse puna shumë e madhe që bëhet në Tiranë dhe kjo është e vërtetë pavarësisht se edhe Tirana ka problem, disa zona më të thella, hidhet treçereku në kosh nga pikëpamja e perceptimit për shkak të licencave të dhëna në vite, për gjoja grumbulluesit e mbeturinave dhe për shkak të pikave ilegale të riciklimit gjoja dhe natyrisht kur shkojnë njerëzit turren nëpër kazanë për të gjetur kanoçe dhe nxjerrin gjithë plehrat jashtë, atëherë këtu sigurisht që një pjesë e madhe e punës hidhet poshtë në aspektin e perceptimit. Edhe kjo është një problematikë specifike që duhet trajtuar e duhet fshirë. Po kështu, mund të kemi të gjithë problematika të tilla. Natyrisht, unë nuk mund ta konceptoj dot, se në këtë pikë jam dëshmitar, jam dhe viktimë, si një nga qytetarët e shumtë që në periudhën e pushimeve shkojnë në Himarë, në Dhërmi më saktë. Nuk e konceptoj dot. Një pedonale ka Dhërmiu që përshkohet në këmbë. Sikur Jorgua, Gjergji, të çohej vetë në katër të mëngjesit e ta merrte vetë rrugën me një trastë në dorë, i mblidhte vetë ato. Por çohem unë më përpara se sa Jorgua dhe shikoj mbetjet, zgjoj Jorgon nga gjumi e pastaj vjen një dumdum, një lloj makinerie që nuk e di se e çfarë viti prodhimi është dhe bën sikur mbledh plehrat.
Këto janë skena që janë të jetuara në vetë të parë dhe që duke qenë se po përgatitemi për këtë plan, më kanë bërë që këtë vit unë të mos dal fare, vetëm e vetëm që mos përballem me këtë situatë që i thotë të gjitha. E duke qenë se ju jeni zgjedhur, nuk mundet dot të bëj transferim të Pjerinit në Himarë e të çoja Jorgon në Lezhë se e para nuk lejohet, e dyta puna është të kemi dy si Pjerini, jo të kemi dy si Jorgua. Këto janë gjërat. Ju lutem të mobilizohemi të gjithë bashkërisht sepse ky është një turp i përbashkët e këtu nuk është puna tua lëmë juve përgjegjësinë apo tu lëmë juve fajin. Edhe ai ladfilldi i Bushatit, e dini pse është bërë funksional? Falë meritës së kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës. Vullnet i personit të zgjedhur për të mos e lënë topin në mes të fushës me justifikimin që “nuk kam çfarë i bëj”, “unë e kam bërë timen, nuk kam çfarë i bëj”. Jo, për të shkuar përtej asaj.
Shkoni në bashkinë e Maliqit që të mos ju duket sikur këtu është vetëm një. Bashkia e Maliqit nuk është më e pasur se sa bashkitë e tjera. Shkoni, shikojeni dhe kur të gjeni plehra si ato që gjenden me shumicë në Himarë, si ato që janë në Dhërmi edhe tani që flasim, më informoni dhe mua, do jem shumë i surprizuar. E pse? Çfarë ka bashkia e Maliqit? Ka një njeri atje që nuk pajtohet dot me plehrat. Kaq. Patjetër që kur të shkojë ministrja e të ulet, do ta pyesi, me siguri edhe ai ka ato të vetat, por ama në ndërkohë nuk thotë që “unë e kam bërë timen, nuk kam çfarë bëj më shumë”. Por bën më shumë dhe u garanton njerëzve që sytë të mos u marrin grushte sa herë dalin në rrugë nga pirgjet e plehrave. Kjo është gjëja që bën diferencën, vullneti dhe miradministrimi dhe ndërveprimi me ata që janë në këtë proces, operatorë privatë që janë zgjedhur nga disa bashki apo operatori publik që një bashki ka vendosur ta mbajë vetë, këto janë zgjedhje që secili e bën vetë, janë pjesë e autonomisë suaj.
Edhe tek tarifat, se mos kujtojë njeri që nga çfarë u tha për tarifat, ideja është të rrisni tarifat.
Patjetër, po tua rrisni atyre që ndotin më shumë, jo pensionistëve, jo familjeve me kollajllëkun që hajde se po ua marrim tek faturat e dritave dhe ujit. Tua rrisni atyre bizneseve që ndotin më shumë dhe nuk ju kushton asnjë gjë t’i thoni që zotrote, gjithë këto plehra, se kazanët nuk i stërmbushin qytetarët në Himarë, i stërmbushin bizneset, i stërmbushin restorantet, i stërmbushin klubet dhe ato duhet të hyjnë në një tjetër metodologji e duhet të imponohet një tjetër metodologji e ata duhet t’i lënë mbeturinat nëpër thasë në një orë të caktuar, përpara lokalit apo mbrapa lokalit apo në një pikë afër lokalit, jo nëpër kazanë.
Kazanët nuk janë për të marrë gjithë mbetjet e restoranteve e të hoteleve që janë në anë të një rruge. Kazanët janë për konsumin familjar, për qeset e vogla si në gjithë botën. Nëse kalon në rrugët e Parisit, nga ora 7 deri në 8 pasdite rrugët janë të mbushura me thasë të zinj që janë në anë të dyerve dhe në atë orë, vijnë makinat, i marrin të gjitha dhe mbas 1 ore nuk ka më asgjë e po të shkosh në kazan duke qenë biznes, të mbyllin biznesin në Paris, po kështu në gjithë botën.
Po kush i bën këto? I bën kryetari i bashkisë.
Si i bën këto? I bën duke u zgjuar i pari e duke fjetur i fundit, jo duke u zgjuar i fundit e duke fjetur i pari.
I bën duke mos mbyllur sytë deri sa të sigurohet që pika e fundit është pastruar dhe deri sa të sigurohet që të gjithë ato që janë mbledhur janë çuar aty ku e parashikon ligji, jo janë hedhur nëpër rrëpira se na rroftë rritja e numrit të turistëve nëse i shoqërojmë me rritjen e pirgjeve e të togjeve të plehrave. Është e paimagjinueshme kjo dhe ne të gjithë sa jemi këtu, mjaftojmë ne po ju them, nuk ka nevojë për të pasur mijëra apo dhjetëra mijëra, mjafton kjo sallë këtu e mjaftojnë njerëzit në këtë sallë këtu, që kjo situatë të përmbyset pa diskutim në një kohë të shkurtër e që sezoni i ardhshëm të jetë komplet gjë tjetër, mjaftojmë ne që hyrjet e Shqipërisë që nga hyrja në Rinas e hyrja më lartë në Morinë dhe hyrja në Murriqan, hyrja në Kakavijë, hyrja në Kapshticë të mos jenë hyrje në një vend që të thotë “mirë se erdhe në territorin ku plehrat janë pjesë e peizazhit”.
Është e paimagjinueshme dhe për ta thënë fjalën e fundit, kjo bisedë që bëjmë sot nuk do të mund të bëhej përpara disa vitesh sepse përtej të gjitha vullneteve, na mungonin pikat fundore. Sot, i kemi pikat fundore dhe jeni ju që duhet të merrni masa sot, menjëherë, që të garantoni që të gjitha mbetjet e qyteteve e të bashkive tuaja të shkojnë në pikat fundore, pa diskutim fare, asnjë lloj vend depozitimi i paligjshëm nuk do tolerohet e për këtë do sanksionohet drejtpërdrejtë bashkitë dhe buxheti i bashkive e do shkojë deri në marrjen në administrim të bashkisë, e ka ligji, nuk është se është shkelje e autonomisë. E merr qeveria bashkinë në administrim, por nëse do shkojmë në atë pikë, kryetari i bashkisë bashkë me gjithë të tjerët, do shkojnë të përgjigjen për gjithë këtë gjëmë.
Unë shpresoj që nuk do jetë nevoja të shkohet deri në atë pikë se nuk po kërkohet ndonjë gjë e madhe dhe mos harroni dhe një gjë tjetër, që në mars ne do të vëmë në veprim satelitin e parë dhe sateliti do të na e japi ndër shumë informacione të tjera në kohë reale, çdo ditë edhe situatën e mbetjeve. Çdo vend-depozitim do të jetë pjesë e punës së satelitit për të informuar, nuk do kemi nevojë as për inspektorë, as për nga ata që bëjnë si inspektorë dhe shkojnë e bëjë marrëveshje, as për të bredhur nëpër male për të gjetur njërin e tjetrin dhe secili nga ju do ta ketë në tavolinë pamjen, urdhëro ku e ke, që do të na ndihmojë shumë kundër abuzivizmit, edhe për plehrat, edhe për ndërtimet që nuk i shikoni ju, çuditërisht, që nuk i shikojnë ata që duhet t’i shikojnë në territor në radhët e policisë së shtetit dhe që kur arrihet tek identifikimi i tyre, ose kanë mbaruar, ose janë në kat të tretë. Edhe këto do të jenë në kohë reale në pasqyrë, si dhe shumë informacione të tjera nga territori, që do të bëjnë që të mos kemi më ndërmjetës, të mos kemi më sekserë rrugëve që për të marrë një bakshish këtu e një bakshish atje, mbyllin sytë përpara këtyre krimeve që bëhen në territor, por ama, as sateliti nuk bën dot pastrimin. Nuk bën dot administrimin, nuk bën dot atë që bën vetëm një figurë në territor sipas ligjit e zakonit që është kryetari i bashkisë.
Kështu që me këtë mesazh, ju falënderoj për praninë tuaj dhe patjetër që nëse dikush dëshiron, mbasi të mbyllim këtë pjesë, mund të ngrejë çfarëdo shqetësimi me ministren.