Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Tetor 2021:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KUSHTEVE PËR VENDOSJEN E DETYRIMIT TË SHËRBIMIT PUBLIK NDAJ TË LICENCUARVE NË SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE GJATË GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE DHE PËR PËRBALLIMIN E PARANDALIMIN E SAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. QËLLIMI I VENDIMIT

Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë kushtet për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen për të licencuarit në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes e furnizimit me energji elektrike gjatë gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike, si dhe për parandalimin e përballimin e saj.

II. ZBATIMI I VENDIMIT

1. Ky vendim është i zbatueshëm për përballimin e situatës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike, në bazë të vendimit nr.584, datë 8.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike”, si dhe parashikon masa të vazhdueshme për përballimin e parandalimin e saj. Parashikimet e vendimit nr.244, datë 30.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike”, janë të zbatueshme gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike, për aq sa nuk bien në kundërshtim me këtë vendim.

2. Rregullorja e blerjes të energjisë, e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), nuk është e zbatueshme për procedurat e blerjes së energjisë, të përcaktuara në krerët IX e X, të këtij vendimi.

III. DETYRIMI I SHËRBIMIT PUBLIK GJATË GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI

Detyrimi i shërbimit publik ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike vendoset duke marrë në konsideratë interesin publik në ushtrimin e këtij aktiviteti, për kushtet që lidhen me gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike.

IV. DETYRIMI I SHËRBIMIT UNIVERSAL TË FURNIZIMIT

1. Furnizuesit të Shërbimit Universal, për të përmbushur kërkesat e klientëve që përfitojnë nga Shërbimi Universal i Furnizimit, në përputhje me parashikimet e pikës 1, të nenit 109, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, i vendoset detyrimi i shërbimit publik për të blerë sasinë e nevojshme të energjisë elektrike, të prodhuar nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, aksionet e së cilës kontrollohen plotësisht ose pjesërisht nga shteti. Shoqëria e prodhimit e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik furnizon Furnizuesin e Shërbimit Universal me gjithë sasinë e nevojshme, për qëllime të plotësimit të kërkesës së plotë të furnizuesit të shërbimit universal, sipas çmimit për njësi të energjisë elektrike, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqërisë. Për efekt të këtij vendimi, Furnizuesi i Shërbimit Universal dërgon te prodhuesi publik i energjisë programe mujore, javore dhe ditore për mbulimin e kërkesës me energji elektrike për klientët fundorë. Shoqëria publike e prodhimit kryen veprime shitjeje energjie dhe depozitimi/shkëmbimi vetëm pasi plotëson gjitha nevojat e furnizimit të Furnizuesit të Shërbimit Universal.

2. Në rastet kur shoqëria publike e prodhimit të energjisë elektrike nuk mund të sigurojë sasinë e nevojshme të Furnizuesit të Shërbimit Universal, e informon këtë të fundit dhe bien dakord për sasinë që do të furnizojë më pak. Në këtë rast, Furnizuesi i Shërbimit Universal ka detyrimin që të sigurojë sasinë e nevojshme të energjisë me anë të shoqërisë publike të furnizimit në tregun e lirë, me të njëjtin çmim që kjo energji prokurohet në treg të parregulluar.

3. Sasia e tepërt e energjisë elektrike, e krijuar nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, pas përmbushjes së kërkesës së klientëve që përfitojnë nga furnizimi universal, në përputhje me parashikimet e kontratës së rregulluar ndërmjet palëve, i shitet Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për mbulimin e humbjeve, sipas çmimit të shitjes së prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike nga burime hidrike me kapacitet të instaluar deri në 15 MW, në periudhën në të cilën është kryer livrimi i energjisë, për produktin/profilin në bandë. Në këtë rast, sasia e shitur Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nuk duhet të tejkalojë sasinë e energjisë që është e nevojshme për mbulimin e humbjeve në rrjet.

V. ÇMIMI I RREGULLUAR PËR FURNIZIMIN E KLIENTËVE NGA FURNIZUESI I SHËRBIMIT UNIVERSAL

Gjatë gjendjes së emergjencës në furnizim, Furnizuesi i Shërbimit Universal është i detyruar të furnizojë klientët në treg të rregulluar të energjisë, sipas përcaktimeve të nenit 109, të ligjit të sektorit të energjisë elektrike, me çmimin e rregulluar, të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë.

VI. BURIMET E RINOVUESHME TË ENERGJISË

1. Shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë tregton energjinë e blerë nga energjitë e rinovueshme për mbulimin e humbjeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes me të njëjtin çmim me të cilin e blen këtë energji nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, deri në përfundimin e kontratave të shitblerjes së energjisë.

2. Në rast të tepricave të krijuara, ato, sipas rastit, nëse ka nevojë për furnizim të klientëve fundorë, të përdoren nga Furnizuesi i Shërbimit Universal me çmimin e blerë nga prodhuesit hidrikë me përparësi të energjisë elektrike, për përballimin e nevojave të klientëve fundorë. Në rast se sasia e nevojshme për furnizimin e klientëve fundorë të furnizuar nga Furnizuesi i Shërbimit Universal plotësohet nga shoqëria e publike e prodhimit të energjisë, atëherë teprica e krijuar nga prodhuesit me përparësi shitet në treg të lirë nga furnizuesi publik në tregun e lirë.

VII. TEPRICAT E ENERGJISË TË PRODHUESIT PUBLIK TË ENERGJISË

1. Shoqëria e prodhimit publik të energjisë për menaxhimin e kaskadës dhe sigurimit të energjisë së nevojshme për furnizimin e klientëve të rregulluar kryen procedurat sipas kreut VIII, të këtij vendimi, për depozitimin e shkëmbimin e tepricave të energjisë elektrike, vetëm pasi ka plotësuar nevojat e Furnizuesit të Shërbimit Universal. Për qëllime të këtij vendimi, tepricë e energjisë së prodhuesit publik është sasia e energjisë që mbetet pas furnizimit të plotë të nevojave të Furnizuesit Universal të Energjisë dhe të humbjeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

2. Shoqëria e prodhimit publik të energjisë ka të drejtë të bëjë optimizim financiar të kaskadës, vetëm në rastet kur nuk cenon sasitë e nevojshme të furnizimit të Furnizuesit të Shërbimit Universal dhe vetëm brenda periudhave javore ose mujore.

VIII. PROCEDURA E SHKËMBIMIT/DEPOZITIMIT TË ENERGJISË NGA PRODHUESI PUBLIK I ENERGJISË

1. Në zbatim të këtij vendimi, shoqëria publike e prodhimit të energjisë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, fillon procedurat konkurruese për përzgjedhjen e subjekteve që do të bëjnë depozitimin e shkëmbimin e tepricave të energjisë elektrike. Në përfundim të kësaj procedure ndërmjet palëve lidhen marrëveshje kuadër për një periudhë deri në 3 (tre) vjet.

2. Nëpërmjet këtij procesi, shoqëria publike e prodhimit të energjisë depoziton/shkëmben tepricat e energjisë të destinuara për shitje në tregun e lirë me qëllim që:

a) të maksimizojë prodhimin e energjisë elektrike nga kaskada dhe të optimizojë përdorimin e prurjeve për prodhim, për të evituar shkarkimet e ujit pa prodhuar energji elektrike dhe duke krijuar njëkohësisht rezervë energjie për periudhën e thatë të vitit;
b) të garantojë në mënyrë të vazhdueshme përmbushjen e detyrimeve kontraktore;
c) të rrisë fleksibilitetin teknik për të siguruar përmbushjen e detyrimit për shërbim publik;
ç) të minimizojë dhe/ose të parandalojë ndikimet potenciale social-mjedisore.

3. Shoqëria livron energjinë elektrike për qëllime të depozitimit dhe shkëmbimit, në rast të krijimit të tepricave pas furnizimit të Furnizuesit të Shërbimit Universal dhe ka siguruar rezervën hidrike, sipas rregullores të menaxhimit të plotave.

4. Shoqëria publike e prodhimit të energjisë merr energjinë elektrike në periudhën e thatë të vitit me qëllim minimizimin e kostove financiare që rrjedhin nga importi i energjisë për mbulimin e nevojave të energjisë për konsumatorët fundorë.

5. Kriteret e kualifikimit të ofruesve në procedurën e posaçme konkurruese të zhvilluar nga shoqëria, ndër të tjera, janë, si më poshtë vijon:

a) Subjekti ofertues të jetë i pajisur me licencë për tregtimin e energjisë elektrike;
b) Subjekti ofertues të ofrojë garanci bankare për vlerën e energjisë elektrike të tërhequr për qëllime të shkëmbimit;
c) Subjekti ofertues të ketë vlerë të kapitalit të regjistruar jo më të vogël se 30 000 000 (tridhjetë milionë) euro;
ç) Subjekti ofertues nuk është në proces likuidimi/falimentimi dhe kapitalet/asetet e tij nuk janë objekt i procedurave përmbarimore;
d) Subjekti ofertues e administratori nuk janë të dënuar nga gjykata dhe as nuk ndiqen penalisht për shkelje penale për çështje që lidhen me aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike apo vepra të tjera penale (pjesëmarrje në organizatë kriminale, korrupsion, mashtrim, pastrim parash, falsifikim, shpërdorim detyre, vjedhje, pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës dhe veprat penale në fushën e falimentit);
dh) Subjekti ofertues të depozitojë pasqyrat financiare të vitit të fundit të certifikuara (pozitivisht kalueshëm dhe pa rezervë), sipas rregullave të shtetit përkatës, ku shoqëria ushtron aktivitetin;
e) Shoqëria duhet të paraqesë eksperiencën e mëparshme për sigurimin e kësaj sasie energjie edhe me kontrata afatgjata furnizimi në masën 100% të sasisë.

6. Në rastet e tepricave të prodhimit, shoqëria publike e prodhimit të energjisë kërkon pranë palëve të kontraktuara të ofrojnë koeficientët e kthimit të energjisë elektrike që ofrohet për t’u shkëmbyer në periudhën e thatë të vitit, bazuar në kërkesën për ofertë dhe me normë kthimi të energjisë së depozituar jo më të ulët se 1 (një).

7. Çdo ofertues oferton vetëm një herë. Oferta fituese shpallen ofertat që përmbajnë koeficientin më të lartë të depozitimit dhe të shkëmbimit të energjisë.

8. Në rast se procedura e shkëmbimit rezulton e pasuksesshme, atëherë shoqëria publike e prodhimit vijon me shitjen e tepricave në treg.

9. Të ardhurat e krijuara nga shitja e tepricave akumulohen në një fond të posaçëm, i cili shërben si fond rezervë për minimizimin e riskut hidrologjik apo balancimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të shoqërisë së prodhimit për periudhat e ardhshme.

10. Këto të ardhura përdoren nga ana e shoqërisë publike të prodhimit, sipas nevojës, me miratim të Asamblesë së Aksionarit.

11. Shoqëria publike e prodhimit të energjisë bën publike gjithë dokumentacionin dhe ofertat fituese në faqen zyrtare të internetit.

IX. SIGURIMI I ENERGJISË NGA PRODHUESIT VENDAS OSE TË HUAJ TË ENERGJISË

1. Gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizim, shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë, në varësi të sasive të disponueshme, mund të lidhë kontrata për furnizimin me energji elektrike me prodhues vendas ose të huaj të energjisë.

2. Shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë organizon një procedurë të posaçme konkurruese, me afat të përshpejtuar 5-ditor, për sigurimin e sasive të energjisë me afat deri në 2 (dy) vjet. Oferta fituese të shpallen ofertat që përmbajnë uljen më të madhe për njësi nën çmimin e bursës hungareze, sipas profilit të kërkuar. Çmim tavan të jetë çmimi i bursës hungareze, sipas profilit të kërkuar. Shpallet fitues furnizuesi i energjisë, që garanton sigurimin e energjisë me çmimin më të ulët.

3. Kriteret kualifikuese të ofertuesve në procedurën e posaçme konkurruese të zhvilluar nga shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë, ndër të tjera, janë, si më poshtë vijon:

a) Subjekti ofertues të jetë i pajisur me licencë për prodhimin e tregtimin e energjisë elektrike, të lëshuar nga ERE për ofertuesit e regjistruar në Republikën e Shqipërisë apo nga shtetet përkatëse për ata ofertues, të cilët janë regjistruar jashtë Republikës së Shqipërisë;
b) Subjekti ofertues të ofrojë një sigurim bankar oferte sipas kërkesave të procedurës konkurruese, të vlefshme për një periudhë prej të paktën 5 (pesë) ditësh kalendarike nga dita e paraqitjes së ofertës;
c) Subjekti ofertues të ofrojë garanci bankare për përmbushjen e detyrimeve kontraktore;
ç) Subjekti ofertues të depozitojë pasqyrat financiare të vitit të fundit të certifikuara (pozitivisht kalueshëm dhe pa rezervë), sipas rregullave të shtetit përkatës, ku shoqëria ushtron aktivitetin;
d) Subjekti ofertues të ketë dokumentacionin e lëshuar nga institucionet kompetente të shtetit përkatës, i cili duhet të vërtetojë që:

– subjekti ofertues nuk është në proces likuidimi/falimentimi dhe kapitalet/asetet e tij nuk janë objekt i procedurave përmbarimore;
– subjekti ofertues dhe administratori nuk janë të dënuar nga gjykata dhe as nuk ndiqen penalisht për shkelje penale për çështje që lidhen me aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike apo vepra të tjera penale (pjesëmarrje në organizatë kriminale, korrupsion, mashtrim, pastrim parash, falsifikim, shpërdorim detyre, vjedhje, pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës dhe veprat penale në fushën e falimentit);
– subjekti ofertues ka paguar të gjitha detyrimet për pagimin e tatimeve dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Në rastet kur ofertuesi e ka të pamundur të sigurojë dokumentacionin e lartpërmendur, për shkak të afateve të shkurtra të procedurës së posaçme konkurruese, atëherë mjafton një deklaratë me shkrim nga ofertuesi, e cila vërteton të dhënat e kërkuara.

4. Në rast se nuk ka asnjë ofertues që ofron sasitë e nevojshme të energjisë edhe pas 2 (dy) thirrjeve të njëpasnjëshme, shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë ka të drejtë të hyjë në marrëveshje të drejtpërdrejtë me prodhues vendas ose të huaj, që sigurojnë këtë sasi të energjisë.

X. KONTRATA KUADËR E FURNIZIMIT TË ENERGJISË

1. Shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë ka të drejtë që të kryejë edhe procedurë konkurrimi për lidhjen e kontratave kuadër, për sigurimin afatgjatë të energjisë së nevojshme për furnizimin e klientëve fundorë dhe për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes, në përputhje me përcaktimet e këtij kreu. Marrëveshja kuadër të ketë afat deri në 3 (tre) vjet.

2. Shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë përllogarit sasinë e nevojshme të energjisë për periudhën vjetore, sipas nevojave të Furnizuesit të Shërbimit Universal dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, bazuar në skenarët e mundësive të furnizimit nga shoqëria publike e prodhimit të energjisë, si dhe e prodhuesve prioritarë të energjisë së rinovueshme.

3. Mbi këtë sasi të energjisë së nevojshme, shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë të shpallë procedurën konkurruese për sasinë vjetore të energjisë nga shoqëri vendase apo të huaja. Procedura përcakton që kontrata e furnizimit të jetë për sasi të energjisë të ndryshueshme, sipas profilit me bazë orare, ditore, javore, mujore apo vjetore.

4. Kriteret kualifikuese për shoqëritë pjesëmarrëse në këtë procedurë konkurruese, ndër të tjera, janë, si më poshtë vijon:

a) Të jetë e pajisur me licencë për tregtimin e energjisë elektrike të lëshuar nga ERE për ofertuesit e regjistruar në Republikën e Shqipërisë apo nga shtetet përkatëse për ata ofertues, të cilët janë regjistruar jashtë Republikës së Shqipërisë;
b) Të ofrojë një sigurim bankar oferte sipas kërkesave të procedurës konkurruese;
c) Një angazhim që oferta e tyre të jetë e vlefshme për një periudhë prej të paktën 7 (shtatë) ditësh kalendarike nga dita e paraqitjes së ofertës;
ç) Angazhimin që, në rast se ofertuesi do të përzgjidhet si ofertues fitues, ky ofertues të lëshojë një garanci bankare kontrate, në formë dhe në përmbajtje të pranueshme për shoqërinë publike të furnizimit në tregun e lirë;
d) Shoqëria duhet të paraqesë eksperiencën e mëparshme për sigurimin e kësaj sasie energjie në kontrata afatgjate furnizimi në masën 100% të ofertës së bërë.

5. Çdo ofertues oferton vetëm 1 (një) herë.

6. Oferta fituese të shpallen ofertat që përmbajnë shtesën më të ulët për njësi mbi çmimin e bursës hungareze (∆%*HUPEX), e llogaritur sipas profilit të energjisë së kërkuar nga shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë, me bazë orare, ditore, javore, mujore apo vjetore.

7. Çdo ofertues duhet të paraqesë ofertën financiare në euro për sasinë e energjisë së ofertuar.

8. Shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë përcakton mënyrën e bërjes së pagesave për livrimet e energjisë në njoftimin e procedurës konkurruese.

9. Shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë bën publike gjithë dokumentacionin dhe ofertën fituese në faqen zyrtare të internetit.

XII. TË FUNDIT

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enti Rregullator i Energjisë dhe shoqëritë KESH, sh.a., “OSHEE Group”, sh.a., dhe OST, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR ARSIMIN 2021-2026 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E SAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Arsimin 2021-2026 dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe të gjitha ministritë e insitucionet përgjegjëse të përmendura në tekstin e kësaj Strategjie për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

EMËRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË TATIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Ceno Klosi emërohet në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA  

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.