Fjala e kryeministrit Edi Rama takimin e radhës për konsultimin publik me nxënësit dhe studentët e të gjithë Shqipërisë, për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029), të zhvilluar në Elbasan:
Shumë faleminderit për praninë, për kontributet tuaja!
Dua t’ju them që në fillim që gjithë ky proces që është ndërmarrë nga Ministrja për Rininë dhe për Fëmijët është një proces që mund të duket në pamje tw pare ose mund të duket nga larg si një rutinë takimesh, por në fakt është një proces që është shumë ndihmues dhe shumë konstruktiv për ne sepse ka gjëra, të cilat janë shumë të prekshme dhe janë pjesë e jetës së përditshme dhe vështirësive të jetës së përditshme të një komuniteti të caktuar, siç është në këtë rast komuniteti i nxënësve e që i shpëtojnë syrit të atyre që marrin vendime ose atyre që përgatisin vendimmarrjet në nivelin e ekspertëve.
Ballafaqimi drejtpërdrejtë me subjektet e një strategjie apo një vendimmarrjeje të caktuar, ndihmon jashtëzakonisht shumë për t’u fokusuar në gjëra që përndryshe mund të shpëtojnë nga fokusi i vendimmarrësve dhe po ju jap një shembull shumë konkret nga këto takime. Ky, Bora tha, është takimi i 11. Unë nuk kam marrë pjesë në 11, por kam marrë pjesë në disa pa asnjë lidhje me njëri-tjetrin, nga Shkodra këtu, nga Durrësi në Korçë, ju thoni disa gjëra që janë të njëjtat. Për shembull, këtu u përmend këshillimi i karrierës si një shqetësim, si një nevojë, si një kërkesë që vjen si rezultat i faktit që me sa duket këshillimi i karrierës është i dobët si proces, si mekanizëm dhe si shërbim.
Në çdo takim e kam dëgjuar këshillimin e karrierës.
Këtu u përmend vlerësimi i nxënësve, jo vetëm për çfarë thonë apo shkruajnë kur bëjnë provimet lidhur me lëndët, por edhe për vullnetarizmin. Në çdo takim e kam dëgjuar të njëjtën gjë.
Këtu u përmend çështja e laboratorëve. Në çdo takim e kam dëgjuar të njëjtën gjë dhe më vjen shumë mirë t’ju them që e kemi adresuar që tani me buxhetin e vitit 2022 ku kemi vënë një shumë të posaccme pikërisht për të adresuar këtë problem sepse është shumë e vërtetë që laboratorët rezultojnë që janë në dispozicion në letër, por edhe në shkollë, ky është laboratori i kimisë, ky është i biologjisë, por në shumë raste, faktikisht janë të pajisur në mënyrë shumë modeste dhe natyrisht që kur laboratorët janë të pajisur në mënyrë shumë modeste ose kur janë të pajisur keq, atëherë edhe mësimi në laborator vetvetiu nuk e ka atë impakt e nuk e ka as atë interes që normalisht mund të kishte.
Kështu që, qysh në fillim të vitit të ardhshëm, ne do fillojmë një investim masiv për laboratorët në mënyrë që të jenë të mirëpajisur, por ndërkohë Ministrja bashkë me njerëzit në ministri, kanë filluar punën për përmbajtjen e laboratorëve e të mësimit në laborator, në mënyrë që, jo thjesht ta pajisim me një numër më të madh gjërash, por gjërat me të cilat laboratorët të pajisen të kenë pjesë në mësimin në laborator, jo të rrinë si stoli aty e të mos përdoren me dobinë maksimale për ju.
Tjetër gjë që e kam dëgjuar kudo është problemi i rasteve që fatkeqësisht janë jo të pakta, të mësuesve që japin lëndë teknike të rëndësishme, deri dhe mësues të IT, këtu u fol për vizatim teknik, por që nuk janë të profilizuar në atë fushë, por që janë mësues matematike apo të ndonjë tjetër lënde të shkencave ekzakte e kjo duhet adresuar me urgjencë siç kemi vendosur një fond të veçantë për të ndryshuar komplet sistemin e dhënies së mësimit të informatikës sepse faktikisht klasë informatike në letër e në inventarët e shkollave ka pothuajse kudo, por siç e tha një vajzë këtu, situata është pothuajse kudo e njëjta, që mund të ketë kompjuter aty, por një pjesë nuk punojnë, një pjesë tjetër janë të lodhur, ndërkohë që vetë mësimi është shumë herë më mbrapa sepse ambicia e atyre nxënësve që duan të ecin më përpara me informatikën dhe faktikisht duke qenë se ne i kemi vënë një fokus të veçantë edukimit me teknologjinë e re, jo vetëm në shkolla që thashë, do të fusim një sistem komplet tjetër të mësimit të informatikës, duke përfituar dhe nga një prej mësimeve tw pandemisë që nuk është e nevojshme të jemi fizikisht në të njëjtën hapësirë për të shkëmbyer dijet tona, pra duke vënë në dispozicion të mësimit të informatikës përmes një sistemi të qendërzuar, mësues që janë të nivelit më të lartë në vend e duke shfrytëzuar kontributin e tyre që, jo vetëm nxënësit, por dhe mësuesit që japin informatikën në klasën e caktuar të mund të rrisin dijet, kapacitetet dhe performancën e tyre, duke qenë të pranishëm në mësime të qendërzuara që jepen në të njëjtën kohë në disa shkolla në një zonë të caktuar.
Po kështu, çështjen e arteve, çështjen e sporteve, e keni dëgjuar kudo, fatmirësisht qysh në programin e qeverisë e kemi vendosur si objektiv që të kemi dy programe kombëtare të reja, një program kombëtar për artet dhe zejet dhe një program kombëtar për sportet. Për këto programe kemi vendosur buxhet dhe do fillojmë hap pas hapi, gjithë riorganizimin e sistemit në mënyrë që shkollat të kenë kapacitet për t’ju përgjigjur nevojave, dëshirave dhe kërkesave të nxënësve që duan të zhvillojnë talentin e tyre në një fushë të caktuar të artit, por njëkohësisht dhe për t’ju vënë në dispozicion mundësi që të rrisin fushën e dijes në zeje të caktuara, ku natyrisht hyn edhe ajo që thashë më parë, mësimi më intensiv dhe më i veçantë përtej mësimit në shkollë të teknologjisë.
Patjetër që është shumë e vërtetë çfarë u tha këtu që mungesa e një hapësire të mbushur me aktivitete jashtëshkollore ku mund të jesh një person aktiv apo edhe spektator, pra në rast se ka konkurse, festivale, kampionate e të tjera e të tjera, që përfshijnë shkollat, në këto përfshihen një pjesë si protagonistë, një pjesë tjetër përfshihen si ndjekës të këtyre dhe është një hapësirë e munguar shumë që ne do përpiqemi me çdo kusht që ta mbushim hap pas hapi të krijojmë një sistem komplet të ri të sportit në shkollë të arteve e të zejeve në shkollë.
Nganjëherë, jam i detyruar që të kujtoj disa gjëra sepse nëse nuk i kujtojmë disa gjëra, e kemi shumë të vështirë pastaj të kuptojmë pse jemi këtu ku jemi e ku mund të shkojmë.
Deri përpara disa vitesh, edukimi fizik ishte hequr komplet nga shkolla. Nuk kishte asnjë orë. Është futur edukimi fizik, janë rritur orët e edukimit fizik, por sigurisht që është një edukim fizik që lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar sot që flasim e njëkohësisht është një nivel bazik i edukimit fizik që nuk vazhdon ose nuk shoqërohet me hapësira për ata që janë më të prirur që të zhvillojnë dhuntitë e tyre përmes sportit, kështu që ky është objektiv dhe edhe për këtë nuk flasim për çfarë bëhet mbas disa vitesh, flasim për punën që ka filluar e për financimet që janë në dispozicion, duke filluar që nga viti i ardhshëm.
Diçka u tha këtu lidhur me mësuesinë, e vërteta është që ne i kemi dhënë shumë rëndësi mësuesisë. Unë nuk e shoh si një fushë ku nuk ka perspektivë, përkundrazi, pasi kemi rritur shumë kërkesën për nivelin e nxënësve që futen në mësuesi. Më pare, mësuesia ishte lëndë si zgjedhje halli pasi ezauroheshin të gjitha mundësitë e tjera, mbeteshe pa një rrugë dhe shkoje për t’u bërë mësues, që është një çudi shumë e madhe se si më të dobtit të kishin mundësinë të hynin në shkollën për t’u bërë mësues e për të mësuar të tjerët. Sot nuk është më kështu.
Së dyti, roli i mësuesit bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm e për hir të vërtetës ka marrë shumë më tepër vëmendje se sa ka pasur më përpara. Nuk është më mësuesi një top futbolli që gjuhet sipas shqelmave të politikës, të ndryshimeve politike, të partive, e kështu me radhë. Mësuesit janë shumë më të respektuar e shumë më të stabilizuar në punën e tyre, pavarësisht se çfarë kanë në kokë për politikën apo çfarë votojnë e çfarë flasin është puna e tyre nuk është puna jonë.
Nga ana tjetër, sot rekrutimi i mësuesve është shumë më meritokratik. Nuk mund të bëhesh dot mësues sot, këtu nuk kam parasysh rastet kur bëhen abuzime, ku gjithmonë, kudo ka raste që janë përjashtimore, por si rregull mësues nuk bëhesh dot sot me rekomandim apo me mik, apo me lekë sepse duhet të kalosh procesin e konkursit, të portalit “Mësues për Shqipërinë”, përzgjedhja është shumë më e kontrolluar sesa ka qenë më përpara edhe pse ka raste siç e thashë, abuzimesh, por as nuk ka krahasim me më përpara dhe nga pikëpamja financiare mbështetja për mësuesit ka ardhur duke u rritur e prapë do rritet edhe vitin e ardhshëm, e kemi futur dhe në buxhet që mësuesve do t’u rritet përsëri paga sepse janë shumë të rëndësishëm për shoqërinë, janë shumë të rëndësishëm për ne.
Për të mos e zgjatur shumë, na takon ne që t’i përkthejmë në vendime dhe mekanizma këto nevoja, por sigurisht që vendimet për veten secili i merr vetë dhe edhe ju vendimet për veten i merrni vetë, duke dëgjuar 100 vetë dhe duke bërë në fund siç dini vetë, se kështu duhet të jetë në fakt.
Dy, tre këtu kërkuan që ne t’u themi se cilat janë arsyet pse duhet të qëndrojnë këtu dhe të mos ikin.
Unë pavarësisht pozicionit nga ku flas, në këtë rast nuk e shmang dot, nuk kam ndryshuar mendim dhe nuk ndryshoj mënyrën si e shoh këtë punë. Çdokush është i lirë dhe është në të drejtën e vet të marrë vendimin për veten e vet se çfarë do bëjë. E për fat të mirë, nuk jetojmë më si deri para 30 vjetësh që nuk e kishim zgjedhjen dhe nuk e kishim këtë dilemë.
Nuk ia bënim këtë pyetje vetes sepse ishte e pamundur ta imagjinoje, jo më ta bëjë që të thoje “Unë shkollën e lartë do e bëj jashtë shtetit”. Nuk dilte askush jashtë shtetit, as për shkollë, as për punë e asgjë tjetër. Pra, nuk e kemi patur këtë dilemë. Në njëfarë mënyre, e kishim mendjen e fjetur që nuk ka asnjë rrugë tjetër. Liria i ka dilemat shumë më të mëdha dhe zgjedhja e lirë është një zgjedhje shumë më e vështirë sesa imponimi i një zgjedhje të vetme që të vjen nga lart, që ka të gjitha pasojat e tmerrshme për jetën e njeriut, ndërkohë që kur njeriu është përpara dilemave, duhet të bëjë zgjedhjet e veta.
Meqë u pyetëm këtu, unë do e nisja nga e kundërta. Nuk do thosha arsyet pse duhet të iki, por do filloja nga arsyet pse nuk duhet të iki. Cilat janë arsyet se pse nuk duhet të iki e pastaj nëse nuk janë të mjaftueshme, do bëja balancën, por një gjë është e sigurt, që në të gjitha rastet, në Shqipëri e jashtë saj, kjo botë është e atyre që guxojnë dhe atyre që janë të vendosur.
Kush guxon dhe është i vendosur ja del kudo që të jetë, kjo nuk diskutohet. Sigurisht që bën zgjedhjet e veta në varësi se deri ku do të shkojë dhe sa larg do të ngjitet.
Unë kam pasur për shkak të detyrës mundësinë, në më shumë se një rast, të vizitoj familje shumë të varfra. Të varfra në kuptimin e vërtetë të fjalës, jo të varfrit që ankohen në iPhone “Nuk kemi bukë, se ajo nuk është varfëri, por të varfra, të varfra dhe aty kam parë dhe kam takuar fëmije me të gjitha 10-ta.
Nuk e harroj kurrë një shtëpi në zonën rurale të Shkodrës, ku 3 vajza mësonin me çadër sepse kur binte shi, çatia, në atë dhomën e vogël ku mësonin, pikonte dhe ishin me të gjitha 10-ta dhe flisnin anglisht.
Të treja vinin nga një familje që jetonte me punën e babait që kishte një karrocë dhe me atë karrocë bridhte gjithë fshatrat rreth e rrotull për të ndihmuar të tjerët që të lëviznin mallrat.
Natyrisht, babai nuk kishte asnjë shans të gjente kohë e jo më mundësi të influenconte tek notat e vajzave të veta. Ato vajza, dhe nuk kam parë vetëm ato, i kishin të gjitha mundësitë të thonin – dhe ishin të justifikuara, po të thonin “Ne nuk kemi kushte për të mësuar dhe nuk mësojmë dot”.
Në fakt, nuk i kishin kushtet për të mësuar dhe kishin gjithçka në dispozicion si justifikim që të mos mësonin, mirëpo, duke mësuar, ato po rrisnin krahët për të fluturuar nga ajo gropë varfërie dhe për ta pasur ndryshe jetën e tyre sepse ajo që di, është ajo që sjell më shumë.
Dija të bën që të ecësh përpara, natyrisht kur ke vendosur të ecësh në mënyrë të drejtë. Përgjigja është brenda secilit, çfarëdo qoftë që mund të dëgjosh, është vetëm një nga argumentat apo opinionet. Ama, kush ka ambicie, kush ka guxim dhe vendosmëri, e arrin atë që do, pavarësisht se ku gjendet, kjo nuk diskutohet.
Nga ana tjetër, është problem që ne vazhdojmë sot, pas 30 vjetësh që ka ndryshuar sistemi, dhe të gjithë ju keni lindur në këtë sistem, nuk keni lindur në atë sistem, të kërkojmë nga shteti sikur shteti është nënë, sikur shteti është babë e gjithccka. Shteti ka shumë detyra. Sipas mundësive, shtetet ndahen në shtete që kanë më shumë apo më pak mundësi, por shteti nuk e bën dot për ty, atë që ti duhet të bësh për veten dhe nëse pret gjithçka nga shteti, je i destinuar të mos shkosh dot, aty ku do të shkosh.
Nëse flasim për jashtë, studentët jashtë bëjnë nga 1 apo 2 punë, paralelisht me shkollën, nuk është shteti që u shkon nga mbrapa që u gjen punë.
Dikush tha “Sa të sigurt e kam unë në Shqipëri të studioj për një degë të caktuar e të gjej punë për atë që kam studiuar”. Ku e ke të sigurt këtë? Po të shikoni statistikat e vendeve të tjera më të pasura, sa mbarojnë për një degë e sa prej tyre punojnë në atë profil për të cilin ka mbaruar? Nuk është askund 100%.
Ka shumë që punojnë punë nga më të ndryshmet ose adaptohen për të punuar në punë të tjera.
Ashtu sikundër, në vende të tjera, pasi mbarojnë shkollën vazhdojnë bëjnë lloj-lloj trajnimesh, lloj-lloj kursesh, në mënyrë që t’i adaptohen tregut që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme. Mund të jesh në çdo lloj dege dhe mund ta gjesh një punë, por edhe mund të jesh i detyruar të shkosh në punë tjetër.
Djali tha “Unë dua të studioj për juridik, por duhet që shteti tu sigurojë vende punë të gjithë juristëve”, por nuk funksionon kështu. Nuk funksionon kështu asgjëkundi, ndërkohë që secili prej jush dhe çdonjeri që ka një nivel edukimi të caktuar, ka mundësinë që edhe me aq sa di sot, të nxjerrë lekë për ato shpenzime që i duhen për të vazhduar studimet.
Jam i bindur që këtu shumica dinë anglisht, por nuk di nëse u ka shkuar mendja të bëni kurse për fëmijë më të vegjël dhe t’u ofrojë atyre fëmijëve dhe familjeve një shërbim më të lirë sesa çdo u ofronte një kurs privat për një nivel të caktuar anglishteje, që jam i bindur që shumica prej jush e ka. Po e sjell si shembull shumë të thjeshtë, por edhe plot gjëra të vogla që mund të bëhen, duke parë nga vetja e duke pyetur veten “Çfarë mund të bëj me kaq sa di sot që të kem lekët për të paguar qiranë”, jo për më shumë, se pjesën tjetër ma japin prindërit, pjesën tjetër është bursa e me radhë, pra për ato shpenzime flas. Patjetër që, gjithsecili prej jush mund të bëjë diçka më shumë.
Kudo në Tiranë apo qytete të tjera ka pleq të vetmuar, fëmijët e të cilëve janë gati të paguajnë për dikë që kujdeset për ta, qoftë dhe 4 orë. Patjetër që secili prej jush këtu e ka gjithë mundësinë ta bëjë këtë gjë nëse ka vullnet ta bëjë.
Nuk po e zgjas më shumë sepse është bisedë interesante në fakt, por thjesht për të thënë që duhet parë më shumë nga vetja, duhet kërkuar nga shteti ajo çka i takon shtetit, por duke mos e lënë veten në dorë të shtetit. Ky është sistemi që kemi zgjedhur, nuk mund të jetë ndryshe. Ajo që ndodh me shqiptarët kur shkojnë jashtë është që aty nuk njeh njeri, as mik, as kushëri, as parti, as shoqëri e as komshi e aty është “Gjallë a vdekur, do ia dalësh”.
Prandaj jashtë niveli i suksesit të shqiptarëve individualisht është i jashtëzakonshëm dhe këtë karakteristikë e kanë një sërë popujsh rreth e rrotull nesh, po t’i shikosh, që kur shkojnë jashtë, bëjnë sukses në çdo nivel,edhe në nivelin më të ulët, në atë punë bëjnë sukses, qoftë edhe si punëtorë.
Janë shumë herë më të mirë sesa të tjerët. Kurse këtu, me të gjitha interferencat, me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për t’i marrë gjërat në mënyrë më të lehtë, dhe natyrisht dhe me faktin që shpeshherë ndodh që dikush që nuk e meriton, merr diçka e ti që e meriton nuk e merr, atëherë krijohet kjo turbulence. Kjo nuk do të thotë që individi që do t’ia dalë, nuk ia del dot. Të jeni të sigurt për këtë dhe mos dyshoni për asnjë çast.
Kush e vendos t’ia dalë dhe kush beson tek vetja e investon tek vetja, nuk diskutohet që do ia dale, pastaj se cila është zgjedhja që bën, është komplet individuale, padiskutim.
Ne do bëjmë maksimumin e mundshëm që t’i adresojmë këto gjëra, që janë gjëra që i dëgjojmë kudo dhe që janë shumë të qarta dhe do fillojmë ta bëjmë menjëherë. Strategjia ka një hark kohe si çdo strategji, më të gjatë sesa 1 vit e sesa një 4 vjeçar, por ajo që ne duam është të mos jetë një gjë thjesht e shkruar bukur, por një plan veprimi që hap pas hapi zbatohet dhe që gjërat që ju thoni sot, pas një viti, pas dy vitesh apo tre vitesh ose të mos jenë më në bisedë, pra të jenë të zgjidhura ose në bisedë të jenë një arsye për si mund të bëhen akoma më interesante apo më mire, por të mos diskutojmë më mjediset e edukimit artistik, mjediset e edukimit me zejet, mjediset e aktiviteteve sportive, mos diskutojmë më si ato aktivitetet në nivel bashkie, qarku apo kombëtar, që besoj unë do krijojnë një energji pozitive në jetën e nxënësve, duke u dhënë mundësi të kenë shumë më tepër ndërveprim për pasionet dhe për dëshirat e tyre që lidhen me dhuntitë, me talentet, me ambiciet përtej vajtjes në mësim, bërjes së detyrave, daljes nga mësimi dhe shkuarjes në shtëpi për të bërë detyrat.
Faleminderit!