Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Tetor 2021:
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKITË KURBIN E LEZHË TË OBJEKTEVE ARSIMORE, SHKOLLA 9-VJEÇARE DHE KOPSHTI “DAN BAJRAMI”, BASHKIA KURBIN, SHKOLLA E MESME DHE PARASHKOLLORI “LLESH NIK DAKA”, BASHKIA LEZHË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te bashkitë Kurbin e Lezhë, përkatësisht, të objekteve arsimore, shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Dan Bajrami”, Bashkia Kurbin, shkolla e mesme dhe parashkollori “Llesh Nik Daka”, Bashkia Lezhë, sipas listës së inventarit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkitë Kurbin e Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA GRAMSH, TË PRONËS NR.1439, ME EMËRTIM “ISH-REPART USHTARAK”, ME VENDNDODHJE NË ÇEKREZ, FSHATI KOÇAJ, GRAMSH, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Gramsh, të pronës nr.1439, me emërtim “Ish-repart ushtarak”, me vendndodhje në Çekrez, fshati Koçaj, Gramsh, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtimin e varrezave të reja të qytetit Gramsh.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.1439, me emërtim “Ish-repart ushtarak”, me vendndodhje në Çekrez, fshati Koçaj, Gramsh, sipas planrilevimit, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Gramsh, miratuar me vendimin nr.431, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen, në pronësi ose në përdorim, të Bashkisë Gramsh, të Qarkut të Elbasanit”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Gramsh i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë atë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Gramsh dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË SIGURIMIT TË CILËSISË SË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE SHOQËROR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror (në vijim, Agjencia), si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale (në vijim, ministri).
2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme.
3. Agjencia ka për mision sigurimin e cilësisë së produkteve/përfitimeve të kujdesit shëndetësor me të gjitha elementet e tij nga të gjithë ofruesit (publikë ose privatë), me qëllim garantimin e kujdesit shëndetësor, shoqëror e cilësor dhe të bazuar në standarde, nëpërmjet edukimit, certifikimit dhe kontrollit të sigurisë së shërbimeve për strukturat dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe shoqëror.
4. Agjencia ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie:
a) Vlerësimin e cilësisë, sigurisë dhe akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor shqiptar, publike dhe private, dhe të institucioneve të kujdesit shoqëror;
b) Edukimin në vazhdim të profesionistëve të shëndetësisë dhe profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË
1. Agjencia ka këto përgjegjësi:
a) Të vlerësojë cilësinë dhe të akreditojë institucionet shëndetësore shqiptare, publike dhe private, dhe institucionet e kujdesit shoqëror;
b) Të ngrejë mekanizmat për vlerësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjes sociale në të gjitha nivelet;
c) Të zhvillojë kapacitetet nëpërmjet akreditimit të programeve të certifikuara të edukimit në vazhdim për profesionistët shëndetësorë dhe të kujdesit shoqëror;
ç) Të vlerësojë nevojat për formim të vazhdueshëm për kategori të ndryshme të punonjësve të shëndetësisë dhe të kujdesit shoqëror;
d) Të menaxhojë projektet dhe programet e miratuara nga ministria në fushën që mbulon agjencia.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË
1. Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. Agjencia ka lidhje funksionale bashkëpunimi me institucionet e tjera të kujdesit shëndetësor në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
3. Agjencia, sipas fushave të përgjegjësisë, kryen këto detyra:
a) Kryen vlerësimin e jashtëm të cilësisë për akreditimin e parë dhe periodik të institucioneve të kujdesit shëndetësor e shoqëror për shërbimet që ato ofrojnë;
b) Mbështet institucionet shëndetësore dhe shoqërore aplikuese për akreditim lidhur me procesin e vetëvlerësimit dhe vetëpërmirësimit;
c) Harton e vë në dispozicion, gjatë fazës së vlerësimit të institucioneve, udhërrëfyesin për vetëvlerësimin e standardeve të akreditimit dhe udhërrëfyesin për vlerësuesit e jashtëm të institucioneve shëndetësore dhe shoqërore;
ç) Planifikon, vepron e realizon procesin e vlerësimit dhe harton raportet për vizitat akredituese të realizuara;
d) Publikon e boton materialet e informacionet për sigurinë dhe cilësinë e ofrimit të shërbimit shëndetësor;
dh) Vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga institucionet e kujdesit shëndetësor dhe shoqëror për akreditim dhe ia paraqet për miratim Bordit të Akreditimit;
e) Kontrollon përmbushjen e standardeve bazë të cilësisë të institucioneve të kujdesit shëndetësor pas licencimit;
ë) Planifikon, bashkërendon dhe zbaton programe të formimit të vazhdueshëm të profesionistëve të shëndetësisë dhe profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror;
f) Bashkërendon punën dhe realizon procesin e akreditimit të ofruesve dhe aktivitetet e edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë dhe profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror, pa përfshirë programet në varësi të ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe shkencën dhe strukturave të saj, sipas standardeve, kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave;
g) Organizon mbledhjet e bordeve të edukimit në vazhdim dhe Bordit të Akreditimit në fushën e shëndetësisë dhe të shërbimeve shoqërore dhe i përcjell për vendimmarrje të gjitha çështjet, sipas legjislacionit në fuqi;
gj) Zhvillon dhe promovon standardet e cilësisë së edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë dhe profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror përmes ofrimit të asistencës teknike për ofruesit e aktiviteteve të edukimit mjekësor dhe shoqëror të vazhdueshëm për procesin e vlerësimit të nevojave për edukim, planifikimin dhe implementimin e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm;
h) Realizon studime për vlerësimin e nevojave për formim të vazhdueshëm, për kategori të ndryshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror;
i) Monitoron ofruesit e akredituar dhe aktivitetet e edukimit në vazhdim, të drejtpërdrejta ose në distancë (e-learning), të akredituara, për të garantuar zbatimin e standardeve të cilësisë së edukimit në vazhdim;
j) Kryen procedurën e njohjes dhe të regjistrimit të krediteve të edukimit të vazhdueshëm të përfituara nga profesionistët e shëndetësisë dhe profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas standardeve dhe kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave;
k) Kryen procesin e certifikimit të profesionistit të shëndetësisë dhe profesionistit të shërbimeve të kujdesit shoqëror;
l) Bashkëpunon me institucionet e arsimit të lartë, institucionet akademike, si dhe organizatat e specializuara, shqiptare ose të huaja, për njohjen e programeve të trajnimit;
ll) Planifikon, bashkërendon dhe zbaton programe të formimit të vazhdueshëm shëndetësor dhe shoqëror.
4. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e agjencisë dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë mbështetet në veprimtarinë e tij nga një zëvendësdrejtor i Përgjithshëm.
5. Për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, pjesë e procesit është dhe rekomandimi nga Bordi i Akreditimit, i cili funksionon sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë.
6. Për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, pjesë e procesit janë dhe:
a) Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm për Profesionistët Shëndetësorë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë;
b) Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm për Profesionistët e Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë.
7. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin e funksionimin e administratës shtetërore.
8. Rregullorja për mënyrën e funksionimit të Agjencisë miratohet nga ministri, pas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm.
9. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm dhe të nëpunësve të Agjencisë rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë të Agjencisë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
10. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
11. Vula e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas këtij vendimi, strukturat aktuale vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara.
2. Numri i punonjësve për Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit dhe Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim riorganizohen në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror.
3. Fondet e miratuara për Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit dhe Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim të mbeten në strukturat aktuale deri më 1 janar 2022.
4. Për nëpunësit e Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit dhe Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil, në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit. Për punonjësit administrativë zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.
5. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.825, datë 14.5.2008, “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, të punonjësve të shëndetësisë dhe për një shtesë në vendimin nr.306, datë 27.6.2002, të Këshillit të Ministrave”, dhe nr.230, datë 15.4.2005, “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore dhe për një shtesë në vendimin nr.306, datë 27.6.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të nivelit të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë”, të ndryshuar”, shfuqizohen.
6. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT NR.III, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE DHE AGJENCI ZBATUESE, PËR PROGRAMIN “ZHVILLIMI I QËNDRUESHËM EKONOMIK DHE RAJONAL, NXITJA E PUNËSIMIT DHE ARSIMI DHE FORMIMI PROFESIONAL” (PROSEED)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit nr.III, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese, për programin “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, nxitja e punësimit dhe arsimi dhe formimi profesional” (ProSEED), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË, PËR FORCIMIN E KAPACITETEVE TË AGJENCISË SË MENAXHIMIT TË BURIMEVE UJORE ,TË MIRATUAR ME VENDIMIN NR.2, DATË 6.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për forcimin e kapaciteteve të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, të miratuar me vendimin nr.2, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.595, DATË 31.8.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI DHE SISTEMIMI I RRUGËS “GJYKATA – AKADEMIA E MARINËS” DHE RRUGA “DURO SHASKA” DERI TEK 7 PALLATET, VLORË, FAZA I”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.595, datë 31.8.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, shifra “… 134 790 025 (njëqind e tridhjetë e katër milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë mijë e njëzet e pesë) …” zëvendësohet me “… 135 335 175 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e treqind e tridhjetë e pesë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë).
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 135 335 175 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e treqind e tridhjetë e pesë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë, të përballohet, si më poshtë vijon:
• 134 790 025 (njëqind e tridhjetë e katër milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë mijë e njëzet e pesë) lekë nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë;
• 545 150 (pesëqind e dyzet e pesë mijë e njëqind e pesëdhjetë) lekë nga buxheti i Bashkisë Vlorë.”.
c) Pas pikës 5 shtohet pika 5.1, me këtë përmbajtje:
“5.1. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i Bashkisë Vlorë.”.
ç) Tabelave bashkëlidhur vendimit u shtohet edhe tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.822, DATË 7.10.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE TË NDËRTIMIT TË KAPACITETEVE TË REJA PRODHUESE TË ENERGJISË ELEKTRIKE, QË NUK JANË OBJEKT KONCESIONI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit, 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në tekstin e rregullave dhe të procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese, të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni, të miratuar me vendimin nr.822, datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në përmbajtje të rregullores:
a) termi “aplikim” zëvendësohet me termin “kërkesë”.
b) termi “aplikues” zëvendësohet me termin “kërkues”.
2. Në nenin 7 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “ë” shfuqizohet.
b) Shkronja “g” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“g) Për kërkesën e projekteve deri në 20 MW, kërkuesi duhet të paraqesë një ose më shumë dokumente bankare në emër të subjektit kërkues që, të marra së bashku, vërtetojnë se subjekti disponon 20% të vlerës së investimit të përgjithshëm të propozuar. Data e lëshimit të tyre (dokumenteve bankare) duhet të jetë jo më parë se 5 ditë nga dorëzimi i kërkesës. Për kërkesën e projekteve mbi 20 MW subjekti kërkues paraqet dëshmi financiare të besueshme për mbulimin e financimit të projektit, të tilla si dokumente bankare, bilance të shoqërisë, premtim financimi, garanci për mbështetje financiare nga shoqëria mëmë apo ortakët e shoqërisë, sigurim të kërkesës së lëshuar nga një agjenci sigurimi, në masën 2% të vlerës së investimit etj.”.
3. Në fund të nenit 31 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në rastin e kapaciteteve prodhuese të energjisë nga hidrocentralet, ky vendim zbatohet vetëm për subjektet që janë pajisur me “Miratim paraprak të ndërtimit të kapaciteteve të reja të energjisë”, përpara se të hynte në fuqi ligji nr.61/2020, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar”.”.
II. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS SË PRITJES PËR AZIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Pritjes për Azil (këtu e në vijim QPA) si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për çështjet e azilit (këtu e në vijim ministri), me seli në Tiranë.
2. Qendra e Pritjes për Azil financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme. Buxheti i qendrës është pjesë e buxhetit të ministrisë që mbulon çështjet e azilit.
3. Qendra e Pritjes për Azil ka si mision të garantojë pranimin dhe akomodimin kolektiv të kërkuesve për mbrojtje ndërkombëtare.
KREU II
PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË QENDRËS SË PRITJES PËR AZIL
Qendra e Pritjes për Azil ka këto përgjegjësi:
a) Organizon punën për të siguruar pranimin kolektiv të kërkuesve për mbrojtje ndërkombëtare;
b) Organizon punën për të siguruar ofrimin e standardeve të jetesës së përshtatshme për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare;
c) Organizon punën për të siguruar zhvillimin e programeve pedagogjike e edukuese dhe këshillimin ligjor falas për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare.
KREU III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I QENDRËS SË PRITJES PËR AZIL
1. Qendra e Pritjes për Azil organizohet në nivel qendror dhe e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Qendra e Pritjes për Azil drejtohet nga drejtori i qendrës, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i qendrës përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.
3. Drejtori i QPA-së emërohet, lirohet ose shkarkohet nga ministri. Drejtori i QPA-së duhet të plotësojë këto kritere:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ç) Të ketë diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike ose të barasvlefshme me to në shkenca shoqërore, sipas legjislacionit për arsimin e lartë;
d) Të ketë eksperiencë profesionale jo më pak se 5 (pesë) vjet në profesion;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
4. Drejtori i QPA-së lirohet nga detyra në rastet kur:
a) jep dorëheqjen;
b) mbush moshën e pensionit të pleqërisë;
c) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën;
ç) gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit.
5. Drejtori i QPA-së shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës;
c) merr formë të prerë vendimi i gjykatës për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar.
6. Drejtori i QPA-së kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Përcakton objektivat vjetorë të qendrës, në përputhje me objektivat strategjikë të miratuar nga ministri dhe harton planin vjetor të punës së institucionit;
b) Drejton procesin e planifikimit buxhetor dhe të raportit vjetor të punës;
c) Raporton në mënyrë periodike dhe sa herë që kërkohet te ministri për kushtet e kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare të akomoduar në qendër dhe për veprimtarinë e saj;
ç) Drejton punën për përgatitjen e rregullores që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të QPA-së dhe/apo ndryshimet e saj dhe e dërgon atë për miratim te ministri;
d) Përgatit kërkesat e veçanta të vendit të punës për rekrutimin e nëpunësve/punonjësve të QPA-së dhe emëron nëpunësit e punonjësit, në përputhje me Kodin e Punës në Republikën e Shqipërisë;
dh) Autorizon shpërndarjen e informacionit për publikun;
e) Nxjerr akte të brendshme për menaxhimin administrativ, financiar, të burimeve njerëzore dhe akte të tjera të brendshme të detyrueshme për nëpunësit e QPA-së për realizimin e funksioneve të këtij institucioni;
ë) Nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit me organe homologe dhe organizata të ndryshme të huaja, në përputhje me parashikimet ligjore;
f) Çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi dhe ministri.
7. Qendra e Pritjes për Azil, në funksion të ushtrimit të kompetencave të përcaktuara nga ligji, kryen detyrat e mëposhtme:
a) Merr masat e nevojshme për akomodimin e kërkuesit të mbrojtjes ndërkombëtare, sipas parashikimeve të bëra në ligjin nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”;
b) Merr masat e nevojshme për ofrimin e standardeve të jetesës së përshtatshme për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare, me qëllim garantimin e shëndetit të tyre fizik dhe mendor, përfshirë kujdesin e nevojshëm shëndetësor dhe kujdesin e duhur mendor në rastet kur është e nevojshme;
c) Bashkëpunon me subjekte shtetërore ose private, vendase ose të huaja, si dhe me organe homologe dhe organizata të ndryshme të huaja për zgjidhjen efektive të problemeve, si dhe veprimtari të tjera për plotësimin e detyrave të përcaktuara në ligjin nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”;
ç) Merr masat e nevojshme për të zhvilluar programe pedagogjike e edukuese, si dhe për dhënien e këshillimit ligjor falas, në përputhje me praktikat kombëtare;
d) Informon autoritetin përgjegjës për azilin dhe refugjatët për procedurat e hyrjes, të daljes apo të qëndrimit të kërkuesve për mbrojtje ndërkombëtare, të kryera sipas përcaktimeve të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”;
dh) Informon kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare për të drejtat dhe detyrimet që duhet të përmbushin në lidhje me kushtet e qëndrimit;
e) Merr masat e nevojshme për të siguruar që të miturit të kenë qasje në aktivitete të kohës së lirë, duke përfshirë aktivitete të përshtatshme për moshën e tyre.
8. Marrdhëniet e punës së drejtorit, nëpunësve dhe punonjësve të QPA-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
9. Rregullorja, që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të QPA-së, dhe/apo ndryshimet e saj miratohen nga ministri pas propozimit të drejtorit të qendrës.
10. Struktura dhe organika e QPA-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
11. Qendra e Pritjes për Azil ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema e qendrës përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Brendshme, Qendra e Pritjes për Azil”.
12. Vula e Qendrës së Pritjes për Azil ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU IV
DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Vendimi nr.332, datë 4.5.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Qendra e Pritjes për Azil për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS “KOLI MARKU”, PATOS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës “Koli Marku”, Patos”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Patos.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme prej 3 593 865.59 (tre milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë pesëdhjetë e nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 593 865.59 (tre milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë pesëdhjetë e nëntë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Patos.
5. Vlera për shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit në zyrat e Bashkisë Patos.
8. Bashkia Patos kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Patos.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Patos, fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe bëjnë regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Patos.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Patos, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT“NDËRTIMI I LINJËS 220 KV, KOMSI – SHUMBAT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 220 kV, Komsi – Shumbat”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme prej 310 490 (treqind e dhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 310 490 (treqind e dhjetë mijë e katërqind e nëntëdhjetë) lekësh, të përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera për shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit në zyrat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Dibër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, e të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Dibër, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Dibër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV, LAÇ 2 – URA E MATIT- SKURAJ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 kV, Laç 2 – Ura e Matit – Skuraj”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “tokë arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 190 736 (njëqind e nëntëdhjetë mijë e shtatëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 190 736 (njëqind e nëntëdhjetë mijë e shtatëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Kurbin, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a., fillon procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe bën regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Lezhë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA