Projekti për Tunelin e Llogarasë, një ndër veprat më madhore në infrastrukturën e vendit, nisi sot jetësimin në terren. I mbetur në sirtar për tre dekada, realizmi i tij do të hapë një perspektivë të re për zhvillimin ekonomik dhe turistik të gjithë zonës së bregdetit me një ndikim të drejtëpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit.
Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nisjes së punimeve për Tunelin e Llogarasë:
Është shumë e vërtetë që kjo është një ditë e shënuar në kapitullin e ditëve të punëve të mëdha publike sepse sot nis të realizohet në terren një ëndërr që e ka shoqëruar përgjatë gjithë këtyre dekadave pas ndryshimit të sistemit këtë zone, por edhe këdo që ka parafytyruar një Shqipëri të re moderne turistike.
Projekti ka qenë, sic e tha ministrja, në sirtar për të treja këto dekada, ka qenë një nga kryefjalët e premtimeve të atyre që kanë kaluar nga këto anë, në fushata elektorale gjatë të treja këtyre dekadave dhe ndryshe nga të tjerët, siç ka ndodhur edhe me të tjera vepra të mëdha, ne zotimin tanimë e kemi futur në rrugën e jetësimit në realitet.
Kam sjellë këtu me vete një frazë të mrekullueshme të Lord Bajronit, në poemën “Shtegtimi i Çajld Haroldit” që i shkroi këto fjalë pasi shkeli për herë të parë, në vjeshtën e vitit 1809 në këto vise. “Parajsë e dashur edhe pse është vend klasik i shenjtëruar, nuk krahasohet dot me viset që fsheh ky bregdet” dhe kjo është një e vërtetë që tanimë, hap pas hapi, falë gjithë zinxhirit të veprave të infrastrukturës, po shpaloset dhe do shpaloset gjithnjë e më shumë në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe udhëtarëve të huaj sepse e gjithë pjesa e fshehur përtej zonës së plazhit, mes maleve të Labërisë, e cila shtrihet nga këtu afër deri tutje, në Tepelenë e pastaj lidhet me gjithë pjesën e fshehur të Përmetit, Gjirokastrës e deri në Leskovik, Kolonjë e deri në kufi me Korçën, tanimë po lidhet me një infrastrukturë të re krejtësisht, që krijon mundësi të reja për turizmin, për zhvillimin e zonave rurale për ekonominë e tyre, por edhe për ekonominë tonë kombëtare.
Faktikisht, ky tunel është pjesë e gjithë kësaj harte investimesh, të cilat po realizohen njëra pas tjetrës, duke krijuar hap pas hapi një gjerdan në tërë këtë kurorë të mrekullueshme të natyrës shqiptare.
Tuneli do të bëjë të mundur një shkurtim të konsiderueshëm të kohës, rritje të konsiderueshme të sigurisë dhe lidhje organike me segmentin tjetër në ndërtim e sipër, ai i Orikumit dhe pastaj me bypass-in e Vlorës, që tanimë është drejt përfundimit me detajet e fundit për të qenë plotësisht i kryer në sezonin e ardhshëm turistik, e më tutje me bypass- in e Fierit, nëse shohim drejt veriut nga këtu.
Ndërkohë që, nëse shohim drejt jugut, po punohet në një tjetër segment, segmenti poshtë, i cili lidh Palasën me pjesën tjetër të bregut, drejt Dhërmiut, duke lehtësuar qarkullimin në një zonë që po njeh zhvillim të konsiderueshëm nga pikëpamja e ofertës turistike. Për të shkuar më tutje akoma më poshtë në një tjetër vepër, e cila ka qenë një nga të shumëpremtuarat e këtyre dekadave dhe sot është në rrugën e realizimit, Kardhiq-Delvinë, që bën një tjetër shkurtim të konsiderueshëm të lëvizjes përgjatë gjithë këtij pellgu, duke e afruar shumë ndjeshëm Sarandën dhe nga ana tjetër, duke ofruar pamje dhe zona të tëra për t’u vizituar, që deri dje ishin krejtësisht të paaksesueshme dhe të panjohura. Pa harruar rrugën e Lumit të Vlorës, pa lënë pa përmendur lidhjen mes Kurveleshit lart dhe bregut të Jonit poshtë, duke mos lënë mënjanë pjesën tjetër, e cila lidh Nivicën poshtë me Tepelenën, pastaj drejt Përmetit, që ndërkohë po lidhet përmes një rruge të re me Leskovikun, për të kaluar në Kolonjë. Po punohet tani që flasim për lidhjen shumë të pritur përfundimtare me Korçën dhe duke u dhënë mundësi turistëve, vizitorëve, udhëtarëve brenda apo atyre që vijnë nga jashtë që në një kohë shumë të shkurtër, të mund të qarkullojnë në gjithë këto territore, gjë e cila ishte e pamundur më pare, pasi do duheshin ditë të tëra për t’i prekur të gjitha këto pika.
Të mos harrojmë aspektin tjetër, aspektin ekonomik. Sot që flasim flet vetë rritja e menjëhershme e vlerës së pronës, tokës, së asaj toke të mundur për zhvillim turistik dhe agroturistik për gjithë pjesën e brendshme, dhe jo vetëm pjesën e bregdetit. Flet vetë sepse tanimë gjithë ky zhvillim infrastrukturor i ka hapur rrugën një parafytyrimi shumë më të prekshëm për të krijuar një realitet të ri për prodhimet bujqësore dhe blegtorale të zonës, të cilat nuk do jenë më prodhime mbijetese për ata që ende janë në këto vise, ndërkohë që të tjerë janë larguar nga këto vise sepse përndryshe do duhet të pranonin thjeshtë një prodhim mbijetese, në pamundësi për të pasur një prodhim, i cili të sillte përfitime, të krijonte ekonomi dhe hapësirë për sipërmarrje të mirëfilltë në këtë zonë. Sot, është shumë e qartë që realiteti i ri është jo dhjetëra vite e as dekada të tëra, e thënë ndryshe përpara, por vetëm pak vite përpara nesh për të parë një rritje të natyrshme të prodhimit në gjithë këto vise, në funksion të turizmit në bregdet, por dhe në funksion të turizmit më thellë.
Aktualisht që flasim është gati dhe do të hapë dyert në pranverë një investim fantastik i një grupi suedez, në majë të Nivicës, diçka e paimagjinueshme vetëm pak vite më përpara, ku në majën e Nivicës kishte vetëm rrënoja e pak shtëpi që ndiznin ende oxhakun, në një izolim total në mes të një parajse të fshehur. Sot kemi një investim që është vetëm një dallëndyshe e parë e një zinxhiri investimesh që sjellin vlerë të shtuar, investime që synojnë të tërheqin drejt këtyre viseve deri dje e ende sot në një pjesë të tyre të fshehura turistë të nivelit A, që do të thotë turizëm elitar me shumë para për banorët dhe për të gjithë sistemin e vlerës të krijuar këtu në Shqipëri.
E them këtë sepse shpesh herë dëgjojmë shpesh herë ata, të cilët ankohen apo komentojnë se “Shqipëria nuk ka nevojë për investime të tilla, Shqipëria nuk ka nevojë për porte, Shqipëria nuk ka nevojë për aeroporte se:…”, dhe vjen ajo fjalia pastaj që populli po vuan për bukë. Në fakt, ajo që është shumë elementare, por që edhe nuk do të ishte nevoja mbase të shpjegohej e që megjithatë mbetet e domosdoshme për t’u shpjeguar në vijimësi është që pikërisht të gjitha këto rezultojnë në një ekonomi shumë më të fortë, në të ardhura shumë më të larta, në një mundësi rishpërndarje shumë më të madhe, që do të thotë shumë më tepër për njerëzit, që do të thotë, jo vetëm paga më të larta, por do të thotë edhe shumë më tepër vende pune të paguara shumë më mirë.
Prandaj, padashur të bie në përsëritje, dua t’i rikthehem atyre pikave që i preku ministrja në fjalën e saj, që lidhen me infrastrukturën portale dhe aeroportuale. Për pak ditë, më në fund, pas një kalvari të vërtetë e pas shumë kthesash të papritura, jo për shkakun tonë, ne do të bëjmë të njëjtën gjë si sot, duke ngritur kantierin e aeroportit të ri të Vlorës. Aeroporti i Vlorës do të jetë një aeroport ndërkombëtar, por jo vetëm kaq, por do të jetë një aeroport, i cili do të sjellë vlerë të shtuar si një aeroport i një kategorie të lartë, ndër më të lartat sipas standardeve europiane, kategoria 4E, që do të ofrojë fluturime kudo edhe kapacitet fluturimesh transoqeanike dhe shërbime, të cilat sot, ende nuk i ka aviacioni civil shqiptar që do të jenë të mundura edhe në aeroportin tjetër Nënë Tereza, falë një investimi tjetër që fillon në atë aeroport për pistën që sot për sot e bën të pamundur vendosjen e fluturimeve me Shtetet e Bashkuara direkte, apo me vende të tjera jashtë Europës.
Përtej kësaj, pra përtej veprës së re të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, është edhe porti i ri që po brenda disa javësh do të jetë në kantier, porti turistik i Vlorës që do të krijojë edhe ai një tjetër hallkë të rëndësishme të zinxhirit të vlerës. Një port për turistët e detit, një port për jahtet që përsëri duhet nënvizuar, është një tjetër motor për ekonominë e vendit sepse ata, të cilët kur gjykojnë për portet dhe aeroportet, për linja ajrore apo për porte jahtesh, duke thënë se ne duam bukë, nuk duam port edhe aeroporte, duhet ta dijë që këto janë të gjitha “fabrika buke”, që do të thotë, sjellin me vete hallka të reja të zinxhirit të vlerës. Në portin e ri turistik të Vlorës do të ketë, jo vetëm turistë, por do të ketë shumë shërbime, të cilat sigurisht do t’i kryejnë vendasit që do të thotë, do të ketë shumë vende pune të reja, por nga ana tjetër do të ketë shumë fluks të shtuar njerëzit, të cilët nuk do të vijnë për t’u
mbyllur brenda, do vijnë për të dalë, do vijnë për të shëtitur, do vijnë për të ngrënë, do vijnë për të udhëtuar në këto vise, do vijnë për të fjetur një herë këtu e një herë atje e do të lënë këtu para, për ata, të cilët këtu punojnë dhe zhvillojnë jetën e tyre në ekonominë e turizmit.
Nga ana tjetër, jemi sot me një garë ndërkombëtare të shpallur për aeroportin tjetër të Sarandës, që është edhe aeroporti i katërt, një aeroport turistik, i cili do të jetë i fokusuar për sezonin, natyrisht, por që do të sjellë përsëri vlerë të shtuar dhe në gjithë këtë gamë, mos harrojmë se jemi tanimë, drejt përfundimit të punës për të lidhur kontratën për nisjen e investimit më të madh ndër të gjithë këta, që është investimi që i kapërcen 2 miliardë eurot, në portin e Durrësit, që nga një port i vjetër, ndotës mallrash do të kthehet në një prej porteve më të mëdhenj turistik të Mesdheut, duke sjellë përsëri shumë mundësi të reja ekonomike, duke sjellë përsëri punësim dhe hapur vende pune të paguara mirë, duke sjellë përsëri një kontribut tjetër të madh në gjithë zinxhirin e vlerës prej të cilit do të përfitojë, jo vetëm Durrësi, por do përftojë e gjithë Shqipëria.
E për ta mbyllur, të dyja këto porte turistike nuk do t’i përjashtojnë, përkundrazi do t’i mundësojnë dy portet e reja tregtare, që do të thotë nuk do të humbasim një port tregtar në Vlorë, që e dini shumë mirë se çfarë niveli i mjerueshëm është, por do të fitojmë një port të ri tregtar tek Triporti, sëbashku me një port të ri më në fund, të peshkimit, që do t’i japi industrisë së peshkimit këtu një vlerë të re, ashtu sikundër në Durrës do të përfitojmë një port të ri tregtare me shumë më tepër vlerë dhe me shumë më tepër mundësi për sa I përket aktivitetit komercial përmes detit, për të cilin aktualisht që flasim ka dalë dhe fituesi për projektin, një nga kompanitë më të mëdha të botës, e cila po angazhohet për të na dhënë projektin që pastaj do ta fusim në rrugën e zbatimit.
Të gjitha këto janë lajme të mira, por për të gjitha këto duhet kohë, natyrisht duhet durim, natyrisht duhet punë cilësore e mua më vjen shumë mirë që këtë projekt sot këtu në Llogara për ndërtimin e tunelit, kemi mundësinë që t’ia besojmë një kompanie që është një ndër kompanitë më prestigjioze, kompania ASL nga Turqia, e cila është e njohur dhe për ndërtimin e një prej tuneleve më të gjatë në kontinentin tonë, që në një konsorcium ka fituar garën e do të sjellë të gjithë kapacitete e saj, eksperiencën e saj e atë që e kemi parë, kemi pasur rastin ta shohim në ndërtimin e spitalit të Fierit, kapacitetin për të vënë në punë një makineri të tërë, jo vetëm makinerish, por edhe njerëzish, me kohë të plotë dhe për të dhënë në një kohë më të shpejtë të mundshme, një vepër që do t’i vlejë jashtëzakonisht shumë vendit tonë, popullit tonë e të ardhmes tonë.
Kështu që, duke ju uruar edhe mirëseardhjen kompanisë turke sëbashku me partnerët e saj e duke i siguruar të gjithë ata që na ndjekin që kjo do të jetë një vepër për të cilën të gjithë do të krenohemi kur të jetë e përfunduar, kam besim që kompania do ta tejkalojë afatin e paracaktuar dhe ne do ta kemi këtë vepër edhe pak më shpejt se sa 33 muajt për të cilët kompania është zotuar.
Shumë faleminderit të gjithëve dhe ndërkohë ju e dini, ose mbase dhe nuk e dini, por unë dua ta them këtu se kam nevojë ta them, që unë nuk pres shirita, nuk besoj tek gërshërët sepse jam shumë i fokusuar tek fundi, jo tek fillimi i punës, por meqë në këtë rast nuk është shirit, por është buton e meqë dikush duhet ta shtypë butonin, unë kërkova që këtu të ishteBashkë me ne ajo vajza që u bë si ikonë e këtij rrugëtimi, të cilën e pata takuar për herë të parë kur ishim në fushatën e vitit 2013, ishte më e vogël dhe pastaj më pas na ka shoqëruar në këtë rrugëtim dhe i lutem që ta shtypë ajo butonin në mënyrë që ne ta konsiderojmë të nisur punën për këtë vepër kaq të rëndësishme.