Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Ndihem i detyruar të bëj një ndërhyrje tani, kur kësaj seance po i vjen fundi për faktin që kjo seancë, ndoshta më e rëndësishmja në vitin parlamentar, nuk u karakterizua nga debate mbi buxhetin, por mbase do mbahet mend për ca kohë për degradimin e rëndë të gjuhës.

Duke qenë se për këtë degradim u mor një zanafillë nga fjala ime, e ndjej për detyrë që të sqaroj dhe për opinionin publik se, e zbardhur literalisht ajo që thashë, fjala ime ishte si më poshtë “Pyet atë që ke në krah se ajo t’i jep shifrat, megjithëse t’i jep shifrat si balonë tabake”.

Gjithë çfarë erdhi pas mua më kujton një moment tek filmi “Il Postino” ku nëna i qahet fshatit se postieri kishte turbulluar vajzën me metaforat e Nerudës. Në ndërkohë, është e paimagjinueshme që teksa një metaforë kthehet në një akuzë, pas saj vazhdon një lumë i tërë balte, sharjesh deri në turrjesh për grushta, duke turpëruar të gjithë parlamentin.

Duke qenë se kjo nisi me zonjën Tabaku, e cila paskëtaj bëri edhe një replikë ku metaforën time, që kishte lidhje me shifrat, si “balonë tabake”, pra shifrat si “balonë tabake”, gjë që pastaj e kthjellova dhe më tutje, duke thënë se është lloji më prezentabël i balonës, ndërkohë që vjen dhe ajo tauke dhe ajo pa bisht.

Duke qenë se edhe më tutje pastaj, zonja Tabaku u ankua këtu para këtij Kuvendi se kjo na qenka një trend, unë kam ardhur këtu me një prej vendimeve të gjykatës, një prej tyre, që ka të bëjë pikërisht me zonjën Tabaku dhe e kam sjellë këtu për të thënë se ka një ndryshim shumë të madh mes retorikës, oratorisë, metaforave dhe mes sharjeve, shpifjeve apo akuzave me sfond penal për individin.

Janë ndryshime shumë të mëdha. Dakord?

Sepse përndryshe kthehemi në kohë shumë të errëta ku njerëzit gjykoheshin dhe diskretitoheshin publikisht për shkak të mënyrës se si përdornin gjuhën.

Jam shumë i impresionuar që edhe një poete si zonja Açka u ndje e prekur nga një metaforë, ndërkohë që unë nuk do prekesha fare, përkundrazi, do e konsideroja si pjesë të të komunikuarit, pavarësisht se herë mund të jetë e qëlluar e herë e paqëlluar, sikur përgjigja të ishte, fjala vjen, që kur unë flas, mund t’i dukem dikujt si “aeroplan pa bisht” apo si “gomar që fluturon”. Nuk ka asnjë problem, në rast se përdoret gjuha në këtë formë, dhe pastaj gjykon publiku.

Por kur gjuha përdoret si në rastin konkret, citoj zonjën Tabaku “Gënjen në shumicën dërrmuese të asaj që tha, saqë është shumë e vështirë të ndash fiksionet, shpikjet, gjysmë të vërtetat dhe trillimet e një njeriu të zënë në darën e korrupsionit, krimit të organizuar, të inkriminimit të çdo qelize të shoqërisë dhe deri dhe të shkatërrimit të saj.” Ky jam unë.  Kjo është zonja Tabaku, ndërsa personi për të cilin flitet jam unë.

Më pas, “Kryeministri e ka ditur që pikat e basteve dhe kazinove janë drejtuar nga njerëz të tillë dhe jo vetëm nuk e ka ngritur gishtin, por në të kundërt, ka votuar shtyrjen e implementimit të ligjit. I njëjti kryeministër që ka vazhduar t’u japë leje ndërtimi këtyre personave që sot i akuzon si të lidhur me krimin e organizuar mu në mes të Tiranës, duke i ofruar dhe arkitektin e tij të preferuar”. Unë jam ky prapë. Dhe me radhë të tjera. Zoti Xhaferri sapo tha që kjo është e vërtetë.

Ky është problemi me komunikimin, me metaforat nga njëra anë dhe akuzat, të cilat pretendojnë të jenë të ngritura në fakte.

Për të gjithë këtë çarçaf, që nuk po e shtrij këtu para jush të gjithin, unë e kam ftuar zonjën Tabaku të çojë në gjykatë një fakt të vetëm për të provuar gjithë këto akuza. Pa hyrë tek çfarë ka thënë gjykata, e cila natyrisht ka kërkuar prova, unë po ju them atë që ka thënë e paditura, që është e njëjta gjë që mua më është dashur të dëgjoj sa herë më është dashur të dëgjoj, sa herë kam shkuar në gjyq me ata prej jush që kam zgjedhur t’i sfidoj në gjykatë.

Më vjen mirë që tani, mesa shoh, edhe disa ndër ju, kanë zgjedhur rrugën e gjykatës. Më vjen shumë mire, por më mirë vonë sesa kurrë sepse deri dje, kur ato që thuhen për ju sot, thuheshin për mua apo për ne të tjerët, juve, jo vetëm nuk ju bënte përshtypje, por përkundrazi, ju ishit pjesa më e zëshme e isos dhe sot ndjeheni të lënduar sepse po ju thuhen gjëra që juve po iu skandalizojnë. Por, më mirë vonë sesa kurrë.

Ndërkohë, e paditura është përpjekur ta prapësojë shqyrtimin gjyqësor të çështjes, duke thënë se “Ky është një opinion”.

Pra, në gjithë këta fashikuj këtu, jo vetëm që nuk ka asnjë fakt, por është i njëjti pretendim, si pretendim që ngriti Kryetari i Këshillit tuaj Kombëtar, se tani e mësova që na qenke kryetar i Këshillit tuaj Kombëtar, kur ishte në gjykatë me mua, ai erdhi përballë meje dhe pasi gjykata i kërkoi të shprehej për gjithë ato akuza, e dini se cfarë tha?

“Unë flas në emër të partisë. Unë nuk kam gjë me këtë fare. Unë këtu jam kot në gjyq, nuk kam lidhje fare sepse unë më thotë partia dil dhe thuaj, unë i besoj partisë”.

Kështu që, thënë të gjitha këto, dua të them edhe një gjë tjetër.

Unë jam shumë krenar për faktin që, në kujtesën time, të paktën qysh në kohën kur populli mori zë, nuk po flas për më parë se nuk bëhej fjalë, por qysh prej kohës kur populli mori zë në vitin 1990, jam i vetmi kryeministër që kam kërkuar ndjesë, jo vetëm njëherë por në dy apo tre raste. Nuk do ta kisha fare për ulje, përkundrazi, do ndjehesha edhe njëherë krenar nëse do kërkoja ndjesë po të ishte vend për ndjesë.

Unë nuk kam ndjesë për të kërkuar këtu sepse po jua them edhe njëherë.

Ju mund ta baltosni sa të doni, është zgjedhja juaj, këtë foltore këtu, që është foltorja e Kuvendit të Shqipërisë.

Ju mund të ktheheni sa herë të doni me gisht, duke treguar me radhë, gra e burra, këtu pas kurrizit tim e duke i etiketuar me fjalët më të ulëta dhe duke e legalizuar, me të drejtë qytetarie të plotë prej kaq shumë vitesh këtu fjalën “Kriminel, trafikant, fjalën i tillë, fjalën i atillë”, sepse këto ju duken normale.

E dëgjuat zotin Xhaferri?

Jam shumë i kënaqur që kurdoqoftë që do hapen nga studiuesit analet e këtij parlamenti, nuk do gjendet në fjalimet e mia asnjëherë një rast, ku unë një personi t’i jem drejtuar me akuza penale; që do të thotë ta kem etiketuar personalisht si “kriminel”, si “hajdut”, si i tillë apo si i atillë. Jo se nuk kam pasur përballë të tillë, edhe këtu në këtë sallë, por është gjuhë e ulët shumë për lartësinë që unë synoj kur flas dhe për respektin që unë kam për njerëzit, për veten, natyrisht për të gjithë ata nga kjo anë dhe ata që i kanë zgjedhur këta që më kanë besuar mua dhe patjetër dhe për mësuesit e mi të gjuhës.

Kështu që unë nuk e ul dot veten në atë nivel ku fjala e fundit e rrugës është bërë kryefjalë e opozitarizmit këtu në parlament.

Vazhdoni përpiquni sa të doni me këtë rrugë. Kjo është rruga që patjetër e dëmton shumë reputacionin e të gjithëve ne, jo tonin, duke rregulluar tuajin. E të gjithëve ne.

Njerëzit atje jashtë as nuk kanë kohë as detyrën ta bëjnë diferencën dhe dihet botërisht që midis një shfaqjeje ku pianisti thyen pianon dhe një shfaqjeje ku luhet “Sonata e Hënës” me pianistin më të mirë, audiencën më të madhe e ka ai që thyen.

Duke tërhequr të gjithë audiencën e mediave dhe të njerëzve tek këto fragmente, ju patjetër që së pari, damkosni veten edhe për sot dhe nesër si humbësa, siç e keni damkosur historikisht, por patjetër dëmtoni të gjithë këtë, si ta quaj, fushë, profesioni, çfarë të doni quajeni, që quhet politikë dhe nëse nuk e keni mësuar akoma që kjo nuk është rruga për të hyrë në mendjet e në zemra e shqiptarëve që bëhen shumicë, kurrë mos e mësofshi, por me klithma, me histeri, me vajtime, me thirrje të përbashkëta në emër të nuk e di se çfarë të drejtë gjinore në këtë rast e të tjera e të tjera, kundër metaforave dhe një mënyre të caktuar të të folurit, harrojeni se dilni gjëkundi e mbi të gjitha harrojeni se më bëni mua të ndryshoj mendim.

E fundit që kam, për… i thashë dje ato për buxhetin. Jua përsëris prap po të keni nge. Nëse keni nge, ua përsëris prapë. Do të ta plotësoj dëshirën tani, por të them dhe të fundit, që ta mbyll me këtë pjesë e pastaj do të vazhdoj me kërkesë të deputetit, bashkëdeputet të Durrësit. Dhe e fundit që kam është kjo. Unë e kuptoj shumë mirë se çfarë ishte gjithë ajo që ndodhi dje dhe kjo që ndodh sot, në aspektin e tensionit që ju keni, por nëse doni ta ktheni përsëri timonin në atë rrugë, është e drejta juaj, patjetër, por mos prisni që nga kthimi i timonit në atë rrugë e nga këputja e të gjitha urave të komunikimit me dhunë këtu në foltore, në këtë foltore, të gjeni tek ne pastaj gjë tjetër përveç thjesht një mirësjelljeje formale. Mbase kjo nuk ju intereson, por të gjitha ato që keni thënë e që keni ndërmend të bëni, nuk i bëni dot pa ne, mund t’i bëni vetëm bashkë me ne, natyrisht në funksion të atyre interesave që ju keni përcaktuar si të rëndësishme e nëse doni bashkëpunimin tonë, nëse doni që ne t’ju dëgjojmë, jo vetëm formalisht me respekt, sepse deri më sot askush këtu nga kjo anë nuk ka ndërprerë askënd nga ju këtej e më e bukura është se nga kjo anë, kur flitet, nuk drejtohen gishta, nuk sulmohen njerëz, nuk vijnë fjalët e faqes së ndaluar të gjuhës shqipe nga rruga drejt e në mikrofon, atëherë zgjedhja është e juaja.

Tani, për bashkëdeputetin tim të Durrësit, mund të them këto, që bashkërisht t’jua komunikojmë atyre që në qytetin e Durrësit punojnë, punojnë shumë më mirë, punojnë shumë më fortë se sa punon ky parlament, e marrin nga 300 mijë deri në 400 mijë lekë të vjetra, që nga 1 janari, ata nuk do kenë tatim mbi pagën. Pastaj t’ju themi atyre që janë përsëri në punë, që punojnë më mirë, punojnë më fort se sa ky parlament dhe punojnë çdo ditë, ky parlament edhe në ato ditë që punon shpesh herë e bën veten për të thënë që më mirë mos qoftë dhe marrin 400 deri në 500 mijë lekë të vjetra rrogë, që taksa e tyre mbi pagën do përgjysmohet nga 1 janari. Po ashtu, t’u themi atyre që janë një krah i shumë mirë kualifikuar i punës në vendin tonë që paguhen nga 1.5 deri në 2 milionë e që e kanë pasur problem tatimin mbi fitimin sepse me tatimin progresiv, tatimi i tyre shkonte deri në 23%, që nga 1 janari, tatimi i tyre thuajse do përgjysmohet.

Pastaj t’ju themi të gjithë atyre që merren me sipërmarrje të vogël në Durrës, që do vazhdojnë të paguajnë zero taksa dhe nëse kanë xhiro deri në 100 milionë nuk do paguajnë as TVSH. Nëse xhiron e kanë deri në 140, nuk do paguajnë taksë, do paguajnë vetëm TVSH.

E bashkërisht t’u themi të gjithëve sëbashku, të mëdhenj e të vegjël, punonjës apo sipërmarrës, që nuk ka rritje taksash. Pastaj shkojmë bashkë Ferdinand, takojmë një familje me ndihmë ekonomike, me tre fëmijë, aq më mirë, atëherë thuaja këtë, mos shko t’u flasësh atyre për krimin dhe për drogën, por shko e folu për dyfishimin e ndihmës ekonomike për secilin prej tyre që ka tre fëmijë apo më shumë se tre, por tre fëmijë të paktën deri në moshën 18 vjeç, pastaj shkojmë dhe bashkë por ti mund të shkosh edhe vetëm, tek të gjitha familjet që janë në ndihmë ekonomike dhe tek një sërë kategorish të tjera, përfshirë dhe një pjesë të pensionistëve, t’i japim po të duash dhe me kategori, janë 106 mijë në total,  që buxheti i vitit 2022 ka 45 milionë dollarë për të vazhduar të kompensojë në faturën e tyre të energjisë elektrike, diferencën mes çmimit të vjetër 7.7 dhe çmimit 9.5, ndërkohë që patjetër tua themi sëbashku, të gjithë të tjerëve, konsumatorëve familjarë dhe biznesit të vogël që sido që të rrotullohet puna, deri kur kjo krizë të jetë në formën e vetë akute, që shpresojmë të mbyllet apo të zbutet në gjashtëmujorin e dytë të vitit tjetër, buxheti i shtetit do të vazhdojë të paguajë e ata nuk do të paguajnë në faturën e tyre më shumë për energjinë elektrike, siç paguajnë tani që flasim, më shumë, motrat, vëllezërit, kushërinjtë e tyre në emigracion, në Greqi apo në Itali, për të mos shkuar më tutje. Do më? Aa, do.

Atëherë, t’ju themi po ashtu mësuesve që paga juaj, do të rritet 6% vitin e ardhshëm, 6% do të rritet edhe për mjekët, po, nga 1 korriku, ekzakt. Faleminderit për ndërhyrjen që edhe për mjekët dhe për infermierët, t’u themi dhe atyre punonjësve të policisë që punojnë jashtë vendbanimit që paga e tyre do të shtohet me një bonus deri në 150%, sepse ata janë larg vendbanimit e është mirë që të mbështeten dhe më shumë e do duhej që të gjithë këta të mbështeteshin dhe më shumë akoma, por këto janë mundësitë tani, që janë më tepër sesa ishin deri tani dhe sigurisht që ambicia është që paga e tyre të rritet 40% gjatë mandatit të tretë, edhe mësuesve, edhe mjekëve, dhe infermierëve, siç është ambicia që dhe paga minimale, deri në fund të mandatit të tretë të jetë 400 mijë, por duke filluar nga viti tjetër do shkojë nga 300 në 320 mijë lekë të vjetra. Nuk janë shumë, por janë më shumë se sa janë sot, pastaj në Durrës kemi dhe shumë gjëra të tjera që ne mund t’ia themi, por ato po i rezervoj kur të shkojmë bashkë në Durrës, sinqerisht, është mirë ta japim bashkërisht një shembull, si deputetë atje, shkojmë, futemi nëpër familje, zgjidhi vetë ti familjet e mund t’i diskutojmë dhe çështjet e krimit dhe të drogës bashkërisht atje, por Ferdinand, një gjë askush nga ju nuk ma mohon dot, që kur kthehemi në shtëpi në darkë, nuk ndihemi mirë.

Nuk ndihemi mirë në raport me familjen dhe në raport me njerëzit tanë. Nuk ndihemi mirë. Nëse, ja prap, kjo nuk është mizogjeni, por një zonjë atje qesh. Nuk e di a është nënë, nuk e di a nuk është nënë, por mua ma ha mendja që qesh se nuk kupton, nuk ma ha mendja se qesh se ndihet mirë kur shkon në shtëpi në darkë dhe familje rreth e rrotull e shikon sikur sapo ka dalë nga një xhungël ku janë kacafytur njerëz që marrin formën e të dalëve nga mendja, besoj. Për këtë duhet të biem dakord.

Të tjerat pastaj, të gjitha mund t’i diskutojmë, mund t’i debatojmë, mund të polemizojmë shumë ashpër, nuk diskutohet, por ka një fjalë që thotë, “mos i bëj tjetrit atë që tjetri nuk do të ta bëjë ty” dhe sot juve po e provoni në lëkurë dhe po e provoni, se është vetëm fillimi. Tani do të hyni në një fazë ku do t’ia digjni lëkurën njëri-tjetrit me bishtat e një cigareje që e keni pirë bashkë 30 vjet e tani do provoni ju se çfarë është të të marrin përpara dhe në vend se të merren me idetë e tua, në vend se të merren me qëndrimet  tua, në vend se të merren me vendimet apo me veprimet e tua, të merren me gjëra që ti as nuk e ke çuar në mend që t’i bësh, me gjëra që ti e di shumë mirë që nuk kanë lidhje fare, dakord? Me gjëra që ti nuk do doje kurrë që të të ndodhnin. E pra, ia keni bërë, e keni bërë këtë 30 vjet. Tani është koha që ta provoni vetë se çfarë është kjo dhe prisni se nuk keni parë gjë akoma, por jo më nga unë e nga ne, por nga njëri – tjetri.

 

*** 

Replikë: 

 

Minimumi i punës që bën, jo i punës së fortë, por i punës që bën një drejtues, se të të them lider, i bie të shpërdoroj konceptin, është që të përgatitet para se të flasë dhe nuk rri si në kafe, duke zgjatur veshin nga njëra anë e nga ana tjetër që t’i japin ushqimin dhe të dali pastaj ta jashtë ekspozojë këtu.

Nga ana tjetër, the “Shteti ka filluar të paguajë Becchetin”. Po për shembull, si? Se unë e kuptoj pse e thua, e kuptoj sepse kërkon të hysh aty ku ti nuk ke për të hyrë dot kurrë, në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve. Madje dhe aty ku të futën të tjerët, prapë të tjerët po të nxjerrin sepse shqiptarët, të cilëve ti këtu u qan hallin, kanë një cilësi të jashtëzakonshme, në raport me shumë popuj të tjerë për arsye të historisë së tyre, të kaluarës së tyre, që nuk ua ha qeni shkopin, Lulzim, e jo më lepuri.

Shqiptarët e kanë politikën sport kombëtar dhe në këtë lloj sporti, i ndjejnë lojtarët me hundë. Nuk ka nevojë fare që të rrijnë gjatë. E ndjejnë me hundë kush e ka me të vërtetë dhe kush bën sikur.

Askund nuk po paguhet Beccheti, Lulzim. Fole për një tjetër që paska fituar një arbitrazh dhe the “Thonë se…”.

Po si mund të dalë një drejtues i partisë që synon të drejtojë një vend të tërë, në foltoren e parlamentit dhe para popullit të thotë “Thonë se…”

Po këtë kush ta tha, se këtë nuk e ke nga ata që ke në krah majtas e djathtas. Ata përpiqen të shkretët po ti kaq mban. Sa është distanca nga aty këtu edhe ato që t’i thonë aty, ty të bien rrugës dhe del këtu e pastaj rrotullon pllakën e gramafonit.

Tani, për t’u kthyer tek arsyeja pse u krijua kjo, edhe këtu fole për një Usta. Ma referove mua “ustain”, por në fakt, ai është “ustai” yt dhe që ai mbetet “ustai” yt dhe ti je thjesht një çirak i tij.

E tregon fakti që ndryshe nga Ustai, që e bënte me iPad këtë komunikimin me popullin me mikrofon, ti e bërë me një iPhone. Kështu do jetë dhe partia juaj vitin tjetër, iPad dhe iPhone.

Ty iPhone do të të mbetet, shpresoj, uroj.

E di pse?

Për të njëjtën arsye që ta kam thënë dhe rithënë dhe stërthënë. Sepse po qe puna për të zgjedhur mes dy të këqijave, njerëzit zgjedhin origjinalin, nuk zgjedhin kopjet. Do shkojnë me origjinalin, jo me kopjen. Se ajo që bërë ti këtu, ndryshonte vetëm zëri, për mua që ju shoh nga mbrapa, ndryshonte statura, nga flokët nga mbrapa dukeni njësoj me të thënë të drejtën, për shkak të asaj të hedhurës përpjetë që keni përpara, por fjalori “sadist, kriminelët me të cilët ti ke ngrënë janë nën dhe, merr qetësues përpara se të vish në sallë”?

Po ku e di ti që marr qetësues unë para se të vi në sallë për shembull? Nga e di? E ke dëgjuar nga “ustai”.

“Të janë vrarë ortakët me antitank kur drejtove Bashkinë e Tiranës”.E të tjera e të tjera me radhë, njësoj si “ustai”. Por me një ndryshim. Që nuk je “ustai”. Je një, as kopje jo. Je një njeri që ke marrë përsipër të bësh atë që as nuk të takon, meqë flet për familje dhe edukatë familjare, nuk të takon. As nuk ka lidhje me gjithë historinë tënde deri kur takove “ustain”. As nuk ka të bëjë fare me atë që ti e quan “Formimi yt i lartë në Holandë” se nuk ka njeri që formohet lart në Holandë dhe vjen e zhytet këtu teposhtë edhe përfundon në një imitacion të “ustait”. Nuk ndodh!

The që mjafton ti kesh qëndruar këtij në një rreze 50 cm për ta kuptuar se sa i dhunshëm është. Po ti ke qëndruar me mua, o Lulzim nja 6 orë me atë rreze. Të kam dhunuar unë gjë ty? Kemi qenë bashkë 6 orë. Kemi kaluar shumë mirë, apo jo?
Cfarë të bëra unë ty?

Meqë ti qenke njeriu që e di që kush rri afër meje 50 cm dhunohet. Tani, o unë ty te kam dhunuar kur kemi qenë bashkë dhe ti duhet ta thuash këtu që të ndahet përfundimisht ky popull nga një dhunues si puna ime, se nuk mund të jesh një i dhunuar që hesht.

Ke detyrë ta thuash ose pastaj, duhet përsëri t’i thërrasësh mendjes se këtë përsëri ta ka thënë “ustai”. Dhe kush “usta”? Ai që ti the “Ma ka thënë një demokrat” dhe në fakt atë nuk ta ka thënë një demokrat, ta ka thënë dikush tjetër që unë e njoh dhe ti e njeh dhe që e ke pasur 50 cm afër, që “Duhet ta kesh përballë që ta njohësh”.

E pra, Lulzim, unë atë e kam pasur përballë 30 vjet dhe pse e njoh atë shumë mirë, kopjen e tij e njoh 1kilometër larg. Ma kujton në çdo fjalë që thua, por më dëshpëron që e ul veten në nivelin përtej Zh, duke përdorur fjalorin më të ulët.

Të kthehem edhe tek ajo që dole këtu dhe e the, madje, si një fëmijë që sheh fshehurazi porno dhe i thoshe “T’jua bëj edhe njëherë”. Harrove që parlamentin, Lulzim, e ndjekin të gjitha moshat?

Ku është ky kujdesi yt për njerëzit?

Po kujdesi yt për të gjitha zonjat këtu ku ishte në këtë rast?

Ai është komunikimi im, patjetër. Unë nuk jam as i rënë nga qielli, as i zgjedhur për papë këtu, por nëse këtu ka një burrë që do çohet të më thotë që asnjëherë në jetën e tij, në komunikim privat, nuk e ka parë gjuhën t’i shkasë në atë fjalë që unë përmenda, atëherë le të çohet. Çohu ti i pari.

Çohu këtu dhe thuaje që kurrë në jetën tënde, në një komunikim privat me dikë, ty nuk të ka shkarë gjuha tek një fjalë që ti kujton, njësoj siç kujtonit kur më nxorët fotografitë  lakuriq, që do t’i bënit shqiptarët të më kthenin kurrizin.
Mi afruat më shumë.
Pse? Sepse nuk janë budallenj, nuk i bëni dot për budallenj.

Dhe ti kujton se duke nxjerrë këtu atë përgjim, se ai është një përgjim të një komunikimi privat, ndërkohë që unë këtu flas për komunikim publik. Nuk flas për të arritur në pikën që në komunikimin privat, ne të gjithë të jemi në gjendje që në asnjë moment të mos ta humbim toruan. Nëse ti e ke arritur edhe këtë, dhe as kur je vetëm, kur je vetëm, jo se kur je vetëm ti fle, nuk zihesh ndonjëherë me veten, siç zihem unë më shume seç zihem me gjithë të tjerët, je krejt unikal dhe i papërsëritshëm në historinë, jo të shqiptarëve, por të qenieve njerëzore e pa pikën e përgjegjësisë, pa pikën e përgjegjshmërisë, pa pikën e turpit, del këtu, vë në mikrofon një përgjim të një komunikimi privat, duke praktikisht treguar, se nuk të bëjnë përshtypje fare ty, se sa ja u prek ndjenjat të gjithë këtyre grave që janë këtu, të cilat dje me demek i mbrojte, duke sulmuar gra të tjera, por përsëri nuk je ti, nuk e bën ti. Sepse ti nuk je vetja!

Ti je thjesht shëmbëlltyra e krijuar nga “ustai” dhe po nuk u  ndave nga ajo shëmbëlltyrë e po nuk gjete rrugën se si të bësh këtë punë që bën, duke më sfiduar mua, duke na sfiduar ne, bashkë me kolegët e tu, ashtu siç sfidohen kundërshtarët në politikë dhe jo duke u gdhirë e duke ngrysur në majë gjuhës, “Edi Rama është armiku ynë i përbashkët”, po çfarë armiku? Ustain tënd unë nuk e kam pasur ndonjëherë mik por a ke dëgjuar ndonjëherë, ma gjej, që është armiku ynë i përbashkët? Jo! Nuk është metaforë. Armiku ynë i përbashkët nuk është metaforë, është një nga ato strapallat e enverizmit që “ustait” i kanë mbetur nga e shkuara e pastaj i ka injektuar tek ju, se më ka bërë përshtypje dhe një gjë tjetër, nuk po përmend emrin këtu se nuk dua të bëjë replikë, me njërin prej jush, që i ka ikur pentagramit të “ustait” dhe duket goxha mirë kur flet, goxha mirë kur lufton, goxha mirë kur argumenton, është çështje e mikroçipit. Lulzim hiq mikroçipin se na turpërove të gjithëve me këtë që fole sot këtu. Fole për fjalor banal. Për cilin fjalor banal e ke fjalën? Për cilin? Ku? Për përgjime? Për çfarë? Kujtove se do dal e do them nuk jam unë? Ajo ka kohë që është nxjerrë e në mos gabohem, është nxjerrë nga një media që ka futur personin që ka telefonuar e që sot në mos gabohem, jeni duke e çuar nëpër gjykata ju. Keni hapur gjyqe. Por në fakt, po hapni gjyqe me vetveten sepse jeni në një luftë hijesh, jeni hije të njëri-tjetrit dhe ka filluar një luftë hijesh aty ndërkohë, që natyrisht përpjekja e hijeve për të dalë në dritë është përpjekje normale por sot për sot, aty jeni të gjithë ju si hijet që duan të dalin në diell, ndërkohë që ka 30 vjet që përvëlohen nga ai diell. Hiqeni atë diell nga mendja, nga gjuha, nga mënyra e të ndjekurit të rrugës së arsyes e pastaj hajdeni bëni këtu debat.

Nuk po zgjatem më tutje me ato që the për buxhetin, jo po këto, jo po ato, se ti je i madh fare, nisesh nga të pa qëna dhe ndërton përralla. Thua që po paguhen lekët e Becchetit, tani ato lekët ne dua jepnim juve, lekët që po u jepen atyre ne do ua jepnim juve, një çorodi e tëra që nuk ia vlen.

Unë të falënderoj për gjithë fyerjet dhe sharjet e tua, jo metaforike, të drejtpërdrejta dhe ndihem vërtetë keq për ty,  ndihem vërtet keq që duhet të jem këtu bashkë me kolegët e mi e duhet të jemi pjesë të së tërës sepse e kam thënë dhe diku tjetër, “kush fle me qenin, ngrihet me morra”, e kjo është ajo që i ndodh për fat të keq hera-herës e i ka ndodhur gjithmonë herë pas here kësaj partie këtu, për shkak të bashkëjetesës në këtë sallë me këtë partinë këtu, që na ka tërhequr historikisht në ekzaktësisht atë lloj balte, shijen e të cilës sapo keni filluar ta ndjeni. Ekzatësisht në atë lloj balte  për të cilën sapo keni filluar të ndjeni sa e poshtër, sa e ndyrë është tani që po e provoni vetë, tani që po ju kthehet juve e për të cilën tani po shkoni dhe nëpër gjyqe. Paçi fat me gjyqet dhe sot në fakt për të ardhur këtu mora fashikullin e zonjës Tabaku, nuk mora fashikullin e Lulzimit se ka dhe Lulzimi një gjyq të humbur me mua, nuk mora as fashikullin e ustait, se ka dhe ai gjyq të humbur me mua, por çfarë i bashkon të gjithë ata fashikuj? Çfarë i bashkon? I bashkon një gjë, të gjitha bashkë, që nga ai që  Lulzimi e quan “ustai im”, kjo është kryevepra, “ustai im”, që nga ai ustai deri tek gjenerata e këtyre të Holandës e nuk e di ku ishte ajo sfera tjetër e lartë akademike ku kishte studiuar zonja Tabaku, i bashkon ekzaktësisht ajo që tani sapo keni filluar ta provoni. Mirëpo, problemi është që ndërkohë që e provoni, vazhdoni dhe bëni të njëjtën gjë me ne, përsëri. Bëjeni, për ne nuk ka asnjë problem, sepse ju thashë, sa herë dilni këtu e përsërisni atë lloj fjalori, aq herë u kujtoni shqiptarëve që humbësa jeni, humbësa do jeni, humbësa keni qenë. Por ajo për të cilën unë shqetësohem, meqë më pyetët për çfarë shqetësohem, është ajo pjesa tjetër, pjesa që ka të bëjë me faktin që ata që dëgjojnë nuk thonë, këta dhe pastaj ne të tjerët nuk ka problem por u kujtohet ajo shprehja, “kush fle me qenin, gdhihet me morra”. Ky është problemi dhe e keni të mundur që ta çlironi këtë parlament, e keni të mundur që ta çlironi këtë politikë, e keni të mundur që ta çlironi këtë shoqëri nga makthi i këtyre seancave ku mund të thoni të gjitha çfarë të doni, mund të përdorni të gjitha ngjyrat e gjuhës shqipe si të doni, por ku nuk keni pse bëheni “bishti i ustait”, siç keni qenë tërë jetën tuaj në atë parti e siç tani që doni të bëni sikur nuk jeni, ua kujtoni njerëzve që jeni thjesht dhe vetëm bishti i tij por siç thoshte ai votuesi juaj dhe i bashkë deputeti tim nga Durrësi, “bishti i shtrembër, i shtrembër mbetet”.

 

*** 

 

Replikë:

E para, për sqarim dola jashtë të marr një qetësues, sepse po më dridheshin gjunjët nga muzika e gramafonit.

Tani, Lulzim, bëre një gabim të vogël, se jo, dua që të mbledh mendimin, bëre një gabim të vogël kur the që kur jemi takuar bashkë, unë i mbaja sytë përtokë dhe ti më shikoje në bebe të syrit. Se si e realizoje këtë duke i pasur unë sytë përtokë e se si ti më shije në bebe, kjo është vetia e nxënësit të mirë. Normalisht, këto detaje nuk jepen, por unë, më detyron, se më the pse nuk flet për buxhetin.

Unë dje kur u çova, fola vetëm për buxhetin dhe ta kam thënë, mos më ço tjetërkund se nuk ia del dot me mua. Rri tek kjo pjesë. Do të flasim për buxhetin? Do të flasim për TVSH-në? Do të flasim për fermerët? Do të flasim për oligarkët? Do të flasim për PPP-të? Jam në dispozicion. Për këtë kam ardhur. Këtë dua. Por kur ti thua të gjitha ato që thua, unë pavarësisht se me eksperiencën, me moshën, me shumë dëshira që rriten me kohën për të mos qenë ai që kam qenë, prap unë ai jam.

Dhe kur them mbaja sytë përtokë, mu kujtua pse ne nuk dolëm në konferencë shtypi mbasi e mbaruam marrëveshjen, nja gjysmë ore, sepse më thoje “më jep fjalën që nuk do qeshësh kur të dalim jashtë, se çdo gjë ok, por humorin tënd nuk e duroj dot”. E ke këtë, është vetia jote, unë nuk e kam, por nuk e duroj dot.

Nëse do të dalësh prap të thuash ndonjë gjë tjetër, këtu më ke dhe për gjë tjetër, por e vërej që edhe kur flet, edhe për vulgaritetin, edhe kur thua ato çfarë i tha këtij qytetarit, çfarë i tha atij qytetarit, çfarë i tha në Kamëz, i tha aty, i tha atje, ti konsideron gabimisht vulgaritet një gjë që nuk ka lidhje fare me vulgaritetin. Ka lidhje me mënyrën e komunikimit, me njerëzit realë. Por ti njeh shumë pak njerëz realë Lulzim, unë njoh shumë, shumë fare, për shkak të detyrës. E duhet të ketë një arsye pse pastaj kur vjen puna tek vota, ti merr aq sa merr e ne marrim ato që marrim e të jesh i sigurt që nuk është masakra zgjedhore, të jesh i sigurt për këtë.

The këtu, goja plot me budallallëqe, nuk fole një fjalë për njerëzit. Jo, unë për njerëzit flas edhe kur flas këto që fola deri më tani, sepse mundohem që të ndaj me njerëzit atë që unë mendoj lidhur me këtë lloj paçavure komunikim e me këtë lloj paçavure politikë që bëhet këtu, për njerëzit flas, nuk flas për ty, flas për njerëzit. Dhe mos më tërhiq në duele të pamundura për ty dhe mos u bëj fare, mos i hy fare asaj rruge të bësh humor, se nuk di të bësh humor, nuk ke lidhje me humorin dhe të del stropio gjithmonë. Kur po thoje që unë i referohem realizmit socialist, e di kë më kujtove? Koçin! Personazh i realizmit socialist, e morën për dhëndër dhe donin t’ia nxirrnin fshatit dhe pastaj se si shkuan gjërat, nuk ka rëndësi, por rëndësi ka një gjë tjetër, për ta mbyllur. Mbasi thua gjëra që nuk thuhen këtu, përsëri gjithmonë një fjali shumë interesante, nuk ma lejon edukata, e më kujton gjithmonë ato gratë që zihen për flokësh dhe që i thonë njëra tjetrës, “nuk ma lejon edukata të merrem me ty mi gaxhije”. Mos Lulzim. Edukata tregohet, nuk promovohet duke thënë nuk ma lejon edukata, se pastaj faktikisht ndodh e kundërta. Mos u mërzisni!

Dhe e fundit më bëri shumë përshtypje ajo që the për “ustain” që na doli që ti e paske njohur dhe paske mësuar të mos bësh si ai. Po që kur kështu? Se deri përpara se të merrja unë fjalën ishe si ai komplet, asnjë ndryshim. Të shohim tani kur të dalësh e të marrësh përsëri fjalën dhe këtë herë do tja plotësoj kërkesën atij që ke në krah. Unë sdo ta rimarr fjalën, do ta lë ty ta mbyllësh këtë. Të shikojmë përsëri, por deri para se të merrja unë fjalën dhe qysh se ke hyrë në këtë parlament, ti thjesht përsërit si kopje atë që ka qenë “ustai yt”  dhe që nuk ka rëndësi fare nëse ti sot thua se po ndahesh, bëj kujdes që të mos mbetet në gjuhën tënde, në mendjen tënde, në mënyrën si ti arsyeton dhe në mënyrën si ti komunikon me të tjerët. Sepse në të gjitha këto je një kopje qesharake e atij. Kur kthehesh dhe ia bën me gisht një nga një këtu, siç bënte ai. Kur ngre e ul kundërshtarët si “kriminelë”, si “budallenj”, si “sadist”, si “të sëmurë”, si të tillë dhe të atillë, je si ai, asnjë ndryshim.

Nëse do flasim për buxhetin apo për çdo temë që diskutohet këtu, herë tjetër, kur çohesh këtu, fol për temën por mos u merr me sulme personale, me akuza si ato për të cilat po shkon dhe ti në gjykatë, mesa kuptova, dhe mirë e bën.

Mos u merr me sjelljen këtu të atij llumi të komunikuari dhe bashkëjetuari ku jeni rritur ju atje, këtu mbrapa, me atë “ustain”, që i mbanit iso nga mëngjesi deri në darkë, që flisnit për llogari të tij lloj-lloj budallallëqesh dhe që bënit garë se kush është më shumë në zemrën  e tij.

Këtë e shohin dhe e dëgjojnë të gjithë. Ajo që mbetet është që patjetër, as unë, as ti, asnjë nga ne, asnjë nga ju, nuk mund të japë vendimin final për njëri-tjetrin, por kjo gjë zhvillohet në sy të të tjerëve.

Ata që japin vendimin dhe që na dëgjojnë, nuk më rezulton të kenë dhënë për ty ndonjëherë ndonjë vendim në favor, ata, ndonjëherë. Ka qenë një rast po pak si i komplikuar ai rasti.

Ndërkohë që, përsa i përket të gjithëve ju së bashku, usta, nxënës e ca jeni këtu, po jua them prapë. Është koha ta provoni në lëkurë tani atë që i keni bërë të tjerëve. Ju ka ardhur tamam koha se thotë mirë ajo fjala “Cfarë gjëje i shkon vërdallë, të vjen vërdallë”.

Tani ju ka ardhur vërdallë.

Edhe jua thashë, nuk keni parë gjë akoma. Do shikoni e do kujtoni e do vijë dita  që do i bini kokës me grushte që keni qenë pjesë e asaj kulture, që keni ushqyer atë kulturë dhe që përmes asaj kulture keni ardhur deri këtu, e madje, jeni ngjitur lart e më lart duke i besuar asaj kulture.

Ndahuni nga ajo kulturë dhe pastaj hajde jepni këtu leksione edhe pretendoni këtu të thoni se çfarë është dhe nuk është vulgare, cfarë është politikë, çfarë është retorikë, çfarë është kështu  dhe ashtu, se nuk jepni dot asnjë leksion.

Ndërkohë që bëni këtë punën për t’u ndarë, fokusohuni tek temat. Urdhëro, na sfidoni me fakte, na sfidoni me ide, me argumenta, na sfidoni me çfarë të doni. Përdorni gjithë arsenalin e gjuhës për të argumentuar pozicionin tuaj, por këtu shance që të intimidoni kënd dhe shans që të merrni veten me këtë formë, nuk keni.

Jeni tamam si hijet që përplasen me njëra-tjetrën dhe këtu ti bën garë me atë tjetrin   andej. Ti në foltore këtu dhe ai në foltore andej se kush shan më shumë dhe kush është i vërteti dhe kush është ai që meriton drejtimin e asaj gjësë që faktikisht, është sot ferri juaj sepse është ferri që e keni ndërtuar vetë dhe do ta jetoni atë ferr për ca kohë dhe pastaj kismet kush do dalë me mend në kokë nga ai ferr.

Meqë më përmende ferrin, ferri sot është ai rreth ku jeni të futur të gjithë bashkë, ju këtu, ata atje, ata nga atje që janë edhe këtu, ata që janë këtu dhe bëjnë sikur janë këtu, por në fakt janë atje a ku di unë se çfarë.

Kjo është e vërteta, Lulzim.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.