Konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama, përpara nisjes së vizitës zyrtare në Romë:
Mirëmëngjes të gjithëve! Ju faleminderit për mundimin!
Siç të gjithë e keni marrë lajmin e ndodhisë tragjike të pasdites së djeshme në Grecalli të Fierit, e gjithë shoqëria është tronditur, por mbi të gjitha mbetet e pangushëllueshme për prindërit për familjen për të afërmit humbja e vogëlushit Mateo dhe ajo çka megjithatë nuk e bën më të lehtë peshën e kësaj humbjeje në mendjen e në zemrën e nënës, babait, familjes, por sidoqoftë pritet me padurim nga të gjithë është verdikti më ekstrem i drejtësisë mbi barbarin, i cili falë reagimit të menjëhershëm dhe identifikimit dhe kapjes së shpejtë nga policia e shtetit gjendet sot prapa hekurave.
Kjo është një nga ato ngjare që të lënë pa fjalë dhe duke shqyrtuar imtësisht gjatë mbrëmjes së djeshme të gjithë rrjedhën e ngjarjes, si dhe profilin e autorit mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur dhe siç e thashë domosdoshmëria për të reaguar menjëherë në nivelin e drejtësisë dhe për të vënë pikën e drejtësisë në këtë episod kaq tronditës.
Vëllazërisht, ju shpreh ngushëllimet prindërve, familjes, të afërmve, i vetëdijshëm që fjalët në një rast si ky janë krejt të pafuqishme, por sidoqoftë fjalët mbeten dhe pjesa tjetër siç e thashë i takon drejtësisë e cila në këtë rast duhet të jetë domosdoshmërisht e shpejtë dhe domosdoshmërisht në lartësinë e nevojës së gjithë opinionit publik për një reagim me vendimin më ekstrem të parashikuar nga ligji i Republikës së Shqipërisë.
E pata të pamundur të shkruaj një tekst mbi këtë ngjarje dhe kjo është dhe arsyeja që mu duk më e udhës që ta bëja këtë sot së bashku me ju në prag të nisjes për vizitën zyrtare në Romë, ku në bisedimet për thellimin e bashkëpunimit dypalësh me Italinë, dua ta bëj me dije për të gjithë sepse ka një kërkesë gjithmonë e më këmbëngulëse nga bashkëqytetarët tanë në Itali, në qendër të vëmendjes në bashkëbisedimin me kryeministrin Mario Draghi do të jetë njohja e pensioneve të tyre. Është një proces që ne e kemi filluar prej kohësh, është një proces tejet i vështirë. Ne kemi bërë marrëveshje një sërë marrëveshjesh njohje pensioneve me një sërë shtetesh, çka ka nisur në fakt si proces me qeverinë tonë, pasi në këtë fushë gjetëm realisht një tokë të shkretë, por dy janë marrëveshjet më të vështira për shkak të masës së qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe në Greqi, marrëveshjet pikërisht me Greqinë dhe Italinë. Në respekt ardhjes tuaj deri këtu, jam në dispozicion në rast keni pyetje për të bërë.
-Gjithmonë kur ka ngjarje të tilla si ajo e djeshmja një pjesë e madhe e opinionit publik, përfshi dhe unë, që jam nënë e dy fëmijëve, një prej të cilëve sot mbush 8 vjeç, kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. E di se sa e pamundur është kjo, aq më tepër për një vend që aspiron të futet në BE, ku dënimi me vdekje nuk ekziston, por duke patur parasysh që mostra të tilla, ka patur, do të ketë dhe nuk do të mungojnë, a është e udhës të rishikohet Kodi Penal, jo vetëm për vrasje të kësaj natyre, por edhe për raste të pedofilisë, të ketë dënim maksimal, burgim të përjetshëm . A shikohet e mundur që pikërisht për momente të tilla të shikohet edhe reforma për institucionet siç janë spitalet psikiatrike sepse për gjyqtarë të papërgjegjshëm, njerëz të tillë edhe pse mund të kapen , siç ishte rasti i djeshëm futen në burg dhe lëshohen përsëri në rrugë sepse mund të kenë probleme të çrregullimit mendor dhe pastaj nuk ka asnjë rehabilitim të këtyre personave dhe shkojnë deri në ngjarje si ajo e djeshmja.
Kryeministri Edi Rama: Unë e mirëkuptoj këtë reagim nga emocionet shumë ekstreme të momentin nga një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë për hir të së vërtetës siç e the dhe ti, por çështja e dënimit me vdekje është një çështje e adresuar kohë më parë si çështje e civilizimit tonë nga të gjithë vendet e BE dhe më gjerë dhe në adresimin e kësaj çështje ka patur një proces të gjatë kur janë hedhur nga vendet e para hapat për heqjen e dënimit me vdekje, të bazuar në shumë analiza në shumë fakte, të cilat kanë folur qartësisht, jo vetëm në aspektin moral të një shoqërie demokratike të bazuar në kartën universale të lirive dhe të drejtave të njeriut, por dhe në aspektin praktik dënimi me vdekje nuk i bën të paevitueshme ngjarje të tilla.
Fatkeqësisht shoqëritë edhe në vendet më të zhvilluara, edhe në vendet me nivelin më të lartë të civilizimit tonë, i kanë në gjirin e tyre dhe këto qenie që janë në gjendje të shkojnë deri në shfaqjet më ekstreme të asaj që ka mbetur nga kafsha në qenien e njeriut.
Rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur e as një formulë apo një shkop magjik për të parandaluar të tilla ngjarje, të cilat siç e the edhe siç e dimë, ndodhin në të gjitha shoqëritë, ndërkohë që për sa i përket pjesës tjetër, unë duhet të them që në aspektin e kuadrit ligjor, Shqipëria për shkak të disa ndërhyrjeve në vite në legjislacion, ka të shkruar legjislacionin më të ashpër, ose nga më të ashprit.
Çështja është zbatimi i legjislacionit dhe ajo që përbën një fatkeqësi për ne në shumë vite, është pikërisht papërgjegjshmëria e trupave gjykues në raport me individë që kanë kryer krime deri dhe ekstreme, por edhe krime që në mos me vrasje, kanë rezultuar në përdhunime, në dhunë ndaj grave dhe që janë lënë të lirë në sallën e gjyqit apo kanë marrë dënime shumë herë më të ulëta se sa parashikon legjislacioni dhe pastaj i kanë përsëritur ato, duke shkaktuar dhimbje dhe plagë krejtësisht të panevojshme dhe të evitueshme.
Patjetër që mundësitë për të rishikuar legjislacionin janë gjithmonë, por këtu thelbi është ngritja e trupave gjykues në nivelin e legjislacionit. Ne kemi legjislacion përgjithësisht të standardeve të mira të shoqërive demokratike dhe sfida nuk është të shkruhen më shumë ligje, sfida është të zbatojmë ligjet.
Kemi një studim në dorë, me Ministrinë e Brendshme për të gjitha rastet përsëritëse, do ta bëjmë publik së shpejti dhe kemi një numër jo të vogël rastesh përsëritëse në vite, nuk flas vetëm për vitet e fundit, në vite, të cilat janë flagrante në aspektin e papërgjegjshmërisë deri dhe ekstreme të trupave gjykues.
Në të njëjtën kohë, jemi duke reflektuar për një ndërhyrje në legjislacion, që nuk lidhet me rastin konkret apo nuk është rezultat i rastit konkret, të cilën do ta përfshijmë në konsultimin kombëtar që unë e kam lajmëruar ku do të pyesim popullin për një sërë çështjesh me një rëndësi të veçantë, për të marrë një opinion të gjerë përtej partive, duke dëshiruar që të hedhim disa hapa të guximshëm sëbashku e duke synuar që ta ngremë nivelin e dëgjimit të njëri-tjetrit mes qeverisë dhe popullit në një nivel tjetër. Nuk mund t’ju them konkretisht sot sepse jemi duke i formuluar pyetjet për qytetarët, por pikërisht në këtë aspekt synojmë të adresojmë përsëritjen, ndërsa në rastin konkret, e kam parë me shumë vëmendje të gjithë atë çka ka referuar Policia e Shtetit lidhur me dinamikën e kësaj ngjarje, por edhe profilin e autorit. Nuk është rasti tipik në fakt i përsëritësve të liruar papërgjegjshmërisht sepse shumë vite më parë, autori është ndaluar për heqje të paligjshme të lirisë të një personi dhe e ka marrë një dënim të cilin dhe e ka kryer. Sigurisht, mbetet pastaj çështje e diskutueshme nëse dënimi ka qenë i mjaftueshëm ose jo, por ka kryer disa vite dënim. Është realisht tragjike, por siç e thashë, këto janë ngjarje ekstreme, të cilat nuk janë evituar në asnjë vend të botës e nuk evitohen 100% sido që t’i shkruash ligjet edhe sado në lartësinë e ligjit të jenë trupat gjykues.
– Zoti Kryeministër, pak javë më parë një grua fillimisht u vra nga bandat, më pas u vra nga dy shtete, e në fund vrau veten. Një fëmijë u përdhunua nga i ati e dhjetëra e dhjetëra raste të tjera deri sa kemi arritur në rastin e ditës së djeshme. A keni menduar që ndoshta mund të duhet të ketë një trajtim për familjarët e këtyre viktimave dhe nëse po, të çfarë natyre? Gjithashtu, gjatë dy ditëve të kaluara kam ndjekur seancën plenare ku edhe ju jeni akuzuar si “dhunues”, “sadist”, akuza, të cilat i keni mohuar. A keni ju sot një mesazh për burrat shqiptarë?
Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që politika me gjuhën e saj, me akuzat e saj, e kur them politika, kam parasysh atë burim të pasur të këtij pisllëku gjuhësor e jo të gjithë, kontribuon në ushqimin e një klime psikologjike të rënduar e është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe ta bësh këtë. Ashtu sikundër, qysh në kohën e Romës, civilizimit romak, është përcaktuar vija ndarëse mes akuzuesve e të akuzuarve. Është barra e atij që akuzon të provojë akuzat, nuk është barra e të akuzuarit të provojë se akuzat nuk janë të vërteta. Por barbaria e trashëguar nga regjimi komunist dhe jo vetëm, por sidomos nga regjimi komunist, që ishte hapësira ku u rrit një popull i tërë dhe posaçërisht e gjithë gjenerata e politikës së këtyre 30 viteve, me asnjë ide për ekzistencën e të ndryshmit, për ekzistencën e rivalit, për ekzistencën e kundërshtarit në ide, por vetëm me idenë që kush mendon ndryshe, flet ndryshe dhe mban qëndrim të ndryshëm është armik, i cili duhet pushkatuar, burgosur, linçuar publikisht, vazhdon ende të ketë bishtat e vetë dhe në ditët e sotme.
Është një çështje kulturore, që nuk adresohet dhe nuk zgjidhet sa hap e mbyll sytë, kërkon vite dhe ne e shohim edhe sot, e kemi para syve dhe ju të gjithë jeni të detyruar që ta pasqyroni gjithë këtë furi të gjuhës së kohëve të vjetra që riprodhohet për arsyet e mos arsyes së politikës së ditës dhe kur shikon në të gjithë ekranet fantazmat e të shkuarës që flasin me gjuhën ekstreme apo edhe pasqyrën e Parlamentit të Shqipërisë, ku për fat të keq nuk mungojnë ekstremet në akuza, të natyrës penale, gjuha kriminalizuese për tjetrin, atëherë është e kuptueshme që mesazhi që marrin shtresat e ndryshme të shoqërisë dhe mesazhi që marrin edhe këta elementë me prirje kriminale dhe barbare në shoqëri është inkurajues, patjetër, fatkeqësisht. Kështu që, këtu nuk është çështja e një mesazhi, këtu është çështja e shembullit. Secili duhet të përpiqet që me shembullin e vet ta lehtësoj këtë helm që e karakterizon politikën, karakterizon mediat, karakterizon hapësirën e komunikimit publik në tërësi. Çfarë mund të thuhet më shumë se sa durim dhe shembull?
Ju thatë dhjetëra e dhjetëra, por në fakt fatmirësisht nuk janë dhjetëra e dhjetëra, në një kohë të shkurtër, sigurisht janë raste që përsëriten dhe këto raste ekstreme janë të mjaftueshme dhe sikur të jenë fare pak, për t’u tronditur thellësisht. Ajo që është e përsëritur në vijimësi është pikërisht dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave dhe e thashë, aty legjislacioni është nga më të ashprit, por kur në gjykata rastet tregojnë se trupat gjykues favorizojnë burrat, në raport me gratë e dhunuara, ky është një skandal i madh. Ndërkohë që për t’ju përgjigjur konkretisht pyetjes, në buxhetin e vitit 2022, ka një trefishim të mbështetjes financiare për këto subjekte të dhunës ,abuzimit, trafikimit.
Zoti kryeministër, shumë persona me probleme psikikë enden të lirë nëpër qytetet e Shqipërisë, duke u kthyer në një rrezik permantent kryesisht për të miturit. Çfarë do të bëjë qeveria për të evidentuar këto raste dhe për të shmangur, ndoshta, tragjedi si ajo e Fierit mbrëmë?
Kryeministri Edi Rama: Ja, edhe këtu për shembull është e rëndësishme të matet pesha e fjalës. “Shumë persona enden të lirë nëpër qytete me probleme psikike”. Mbi c’bazë e thua këtë? Ku janë shifrat për ta thënë këtë?
Ndërkohë, patjetër që nuk ka nevojë të jenë shumë, por edhe pak janë problem dhe janë rrezik potencial. Rasti konkret për të cilin po flasim, siç e thashë, nga shqyrtimi i bërë kemi të bëjmë me një individ i cili është dënuar 10 apo më shumë se 10 vite më parë, ka kryer dënimin dhe pastaj ka dalë dhe ka pasur përgjatë gjithë këtyre viteve punë të ndryshme, por nuk është identifikuar apo denoncuar ndonjëherë si një person nga ata që ju përmendët. Kështu që, në kushtet e një tronditjeje të tillë, janë legjitime të gjitha emocionet, mendimet ekstreme që i kalojnë njeriut në kohë, por adresimi i problemit kërkon qetësi dhe gjakftohtësi.
Këtu, e para është që drejtësia, dhe nuk ka asnjë arsye për të menduar se do ndodhë ndryshe por, nuk është thjesht çështja e reagimit me vendimin më ekstrem ndaj autorit, por edhe të shpejtësisë. Pra, të veprojë, jo vetëm duke dhënë vendimin më ekstrem të mundshëm, siç do dëshironim të gjithë, por duke e dhënë atë me shpejtësi.
Aspekti tjetër është vazhdimi i punës dhe adresimi i këtyre çështjeve në mënyrë sistematike. Problemi kryesor që ne kemi, përtej këtyre momenteve kaq ekstreme, është raporti shumë i zhdrejtë midis rezultateve të operacioneve të policisë, numrit të autorëve të identifikuar, ndaluar, shoqëruar dhe çuar në prokurori nga policia për krime të natyrave të ndryshme, si abuzime apo dhunë ndaj personit me numrin e të dënuarve nga gjykata.
Bashkautorë në të gjitha krimet e përsëritura ose në shumicën dërrmuese të tyre, janë gjykatësit. Gjykatësit e korruptuar, gjykatësit e degjeneruar, të cilët janë dhe arsyeja pse procesi i vetting-ut dhe pastrimit masiv të llumit është jetik dhe vazhdon.
Natyrisht që, njerëzit janë në të drejtën e tyre ta kërkojnë ndryshimin e sjelljes dhe eficencës së sistemit të drejtësisë menjëherë dhe kur them menjëherë, kam parasysh disa vite. Kjo nuk ndodh dot objektivisht sepse të ndërtosh një sistem drejtësie ashtu siç ne duam të gjithë dhe siç e meritojnë qytetarët shqiptarë, nuk është një çështje thjeshtë e aprovimit të ligjeve të duhura, as një çështje e pastrimit të llumit por çështje e plotësimit të të gjithë boshllëkut të krijuar nga largimi i llumit me individët e duhur dhe ngritjes së institucioneve, kolonës së shtetit që ka qenë një kalbësi e gjallë në këto 3 dekada. Kjo nuk mund të ndodhë në asnjë formë dhe mënyrë me shpejtësi.
Patjetër që 4-5 vite në jetën e njeriut janë shumë, por në jetën e një vendi janë 4-5 minuta.
Po t’i shohim sot sistemet e drejtësisë në vendet europiane, ato sisteme që ne i konsiderojmë objektivin tonë, ato janë ngritur me shekuj, dhjetëra e dhjetëra dekada dhe e mira apo avantazhi ynë në këtë disavantazh të prapambetjes së thellë, është që e kemi eksperiencën e të tjerëve, jemi në një proces integrimi në atë familje, kemi partnerët e duhur me të gjithë eksperiencën dhe njohjen e duhur për ta bërë këtë punë, duke e përshpejtuar kohën dhe duke i kapërcyer ato hapësira të gjata kohore që të tjerët i kanë kaluar vetë sepse kanë qenë ata që e kanë çarë rrugën dhe kanë vendosur bazat e sistemit demokratik të drejtësisë.
Kush e konsideron Reformën në Drejtësi një dështim apo një proces të pasuksesshëm, nuk di çfarë flet sepse është një proces organik që kërkon kohën e vet dhe që ka një kosto, siç janë kostot e ngjarjeve të rënda që ju i dini, i keni transmetuar publikut të lirimeve arbitrare krejtësisht të paligjshme të kriminelëve e me radhë, por që është e vetmja rrugë. Duhet durim dhe shtrëngim dhëmbësh dhe vazhdim me vullnet për ta çuar deri në fund.
Shumë faleminderit të gjithëve!