Në vijim të vizitës zyrtare në Itali, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, bashkëdrejtuan mbledhjen e parë të Komitetit të përbashkët Ekonomik mes Italisë dhe Shqipërisë, i cili shënon një hap të rëndësishëm cilësor në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në përfundim, Kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm Di Maio dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Gjithashtu, sot pasdite, Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëronte u mirëpritën nga Kryetari i ri i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri.
* * *
Deklaratë e përbashkët me Ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio:
Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio: Para së gjithash, dëshiroj të falenderoj Kryeministrin Edi Rama, ministrat e pranishëm dhe gjithë delegacionin e qeverisë shqiptare që gjenden këtu me ne sot.
Së bashku me kryeministrin Rama, ne kemi drejtuar sot mbledhjen e parë të Komitetit të Përbashkët të Përhershëm për çështjet ekonomiko-sociale të vendeve tona, të cilën e kishim lançuar pikërisht para 1 viti, më rastin e vizitës sime në Tiranë.
Do dëshiroja të falenderoj kolegët që kanë marrë pjesë në këto punë, ministrin e infrastrukturave Enrico Giovannini dhe ministrin Cingolani të tranzicionit ekolologjik dhe kolegët e tyre shqiptarë.
Si objektiv, ne kemi përforcimin e marrëdhënieve tona për të bërë një hap tjetër të rëndësishëm cilësor në bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Kjo rëndësi strategjike nuk vjen si detyrim nga lidhja që kanë dy vendet tona, por edhe përkatësia në Bashkimin Europian.
Ndaj, unë dua të konfirmoj mbështetjen tonë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar në rrugën drejt anëtarësimit në familjen europiane. Mbështesim hapjen e negociatave për anëtarësim para fundit të vitit.
Do jepte kjo një mesazh besimi dhe optimizmi për të gjithë rajonin e Ballkanit. Shkëmbimi që patëm sot në Komitet ka qenë shumë frytdhënës.
Dua të falënderoj të gjithë kolegët për propozimet që kanë bërë. Ne tani kemi objektiv që në muaj e ardhshëm t’i kemi operative idetë dhe për këtë, sot ramë dakord për një plan veprimi që të konkretizojmë angazhimet që kemi marrë në të gjithë sektorët strategjikë; infrastrukturë dhe tranzicion ekologjik.
Dolën në pah disa perspektiva të rëndësishme për bashkëpunimin tonë në sektorin e infrastrukturës. Flitet për strukturë dhe modernizim, që kryeministri Rama i ka vënë tashmë në kantier dhe ne si italianë, duam të jemi protagonistë të realizimit të tyre.
Mbi këtë mund të mbështetemi në praninë e sipërmarrjeve italiane që veprojnë në tregun shqiptar, duke dhënë një kontribut në rritjen e punësimit dhe rritjen ekonomike.
Unë dua të kujtoj që Italia është furnizuesi i parë, klienti i parë i Shqipërisë dhe kjo gjë na bën shumë krenarë. Tema e tranzicionit ekologjik dhe rëndësia e ndërhyrjeve që ka bërë Italia në këtë sektor, falë edhe Cooperazione Italia, prania në tregun shqiptar të shumë sipërmarrësve italianë, dhe perspektiva e integrimit nëpërmjet linjës së interkonjesionit Shqipëri-Mal i Zi, na çon në këtë drejtim.
Përfundimet e konferencës mbi klimën në Glasglow konfirmoi përparësinë që bashkëpunimit në këtë sektor në t’i japim rëndësi, si në rrafsh kombëtar, ashtu edhe europian.
Në këtë këndvështrim, Italia dhe Shqipëria mund të kenë një rol udhëheqës në të gjithë Ballkanin Perëndimor edhe përmes planit të zhvillimit ekonomik të lançuar nga Komisioni Europian, falë zhvillimeve nga të gjitha aktorët e përfshirë.
Duke falënderuar sërish të gjithë ata që morën pjesë, do doja t’ia jepja edhe njëherë fjalën kryeministrit Rama.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit ministër! Faleminderit i dashur Luigi, që një mbyllje mjaft domethënëse e kësaj dite, e këtij komiteti të përbashkët ku ne mundëm të trajtonim tema konkrete, veprime konkrete dhe të identifikonim rrugëtime konkrete në drejtime me interes të përbashkët dhe unë jam shumë i kënaqur për këtë ditë. Ka filluar në Pallatin Chigi në Kryeministri dhe pastaj vazhdoi në takimet bilaterale të ministrave dhe të atyre që nuk janë këtu të pranishëm, por që sidoqoftë përfaqësojnë disa shtylla të rëndësishme të bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë, që janë temat e drejtësisë, të sigurisë, më në fund, për të mbërritur në këtë punë të përbashkët mes nesh, që unë jam shumë i bindur që do të sjellë fryte konkrete vitin e ardhshëm e unë shpresoj shumë që të mund të jem pjesë bashkë me të tjerët këtu. Do ju mirëpresim ty dhe të gjithë ministrat e përfshirë për të vazhduar punën sëbashku brenda kësaj jave italiane që duam të organizojmë qershorin e ardhshëm. Nuk dua të hyj tani në hollësi për të mos i lodhur më shumë ata, të cilët na kanë ndjekur në këtë punë dhe duke marrë shënime e duke ndihmuar si para ashtu dhe pasi, ashtu si ambasadori i shkëlqyer italian në Shqipëri që shpresoj që në fund të misionit të tij të mos e lëri Shqipërinë pa pasaportën shqiptare, ashtu siç ka bërë një mik tjetër, që sot është le të themi kështu në katet më të larta të kësaj ndërtese.
Faleminderit Luigi, faleminderit Fabrizio. Ju falënderoj të gjithëve dhe mirupafshim së shpejti në Tiranë. Ne, që nga nesër do të vazhdojmë të punojmë mbi këto projekte, që nga hekurudhat, tek projektet që kanë të bëjnë me ekonominë detare, projektet infrastrukturore dhe të energjisë, pastaj bujqësia, tranzicioni ekologjik, turizmi, kultura e me radhë sigurisht, pa harruar për atë që thamë më parë, për këto shtyllat që kanë karakterizuar gjithmonë si pikë shumë të rëndësishme të përbashkët bashkëpunimin tonë, siguria dhe drejtësia. Faleminderit shumë!