Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Nëntor 2021: 

 

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E LLOJEVE TË DOKUMENTACIONIT PROVUES, PROCEDURAVE TË DEPOZITIMIT, MËNYRËS SË SHQYRTIMIT DHE VLERËSIMIT TË DOKUMENTACIONIT, LLOJEVE TË PROGRAMEVE TË TRAJNIMIT TË DETYRUESHËM, PERIODICITETIT TË TRAJNIMIT, SI DHE MËNYRËS SË VLERËSIMIT TË AFTËSIVE TË PËRFITUARA GJATË TRAJNIMIT PËR AGJENTIN E TOKENIT DIGJITAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 29, të ligjit nr.66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Kreu I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Ky vendim ka si objekt përcaktimin e llojit të dokumentacionit provues, mënyrën e shqyrtimit dhe të vlerësimit të dokumentacionit, si dhe llojet e programeve të trajnimit të detyrueshëm, periodicitetin e trajnimit e mënyrën e vlerësimit të aftësive të përfituara gjatë trajnimit për subjektet që ushtrojnë ose kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë si agjent i tokenit digjital.

Neni 2
Fusha e veprimtarisë

Ky vendim zbatohet ndaj të gjithë personave juridikë, që ushtrojnë ose kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si agjent i licencuar i tokenit digjital në Republikën e Shqipërisë, për klientë që ndodhen brenda territorit të saj, ose nga Republika e Shqipërisë, për klientë që ndodhen jashtë saj.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë vendim, përveç përkufizimeve të dhëna në nenin 3, të ligjit nr.66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Autoritet”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare;
b) “e-Learning”, programet e trajnimit on-line që mundësojnë pjesëmarrjen në distancë;
c)“Fushë e ekspertizës”, të gjitha fushat e trajnimit të përcaktuara në programin e detyrueshëm të trajnimit, sipas nenit 7, të këtij vendimi;
ç) “Kërkesë për njohje”, çdo kërkesë për njohjen e një ose më shumë PTD-ve, sipas procedurave të përcaktuara në nenin 11, të këtij vendimi;
d) “Ligji”, ligji nr.66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”;
dh) “Njohje”, procedura e vlerësimit të një PTD-je me qëllim garantimin e përshtatshmërisë së saj për trajnimet e ofruara;
e) “Personel kyç”, çdo person fizik/individ, i cili mban një ose më shumë nga funksionet e mëposhtme në shoqërinë e subjektit kërkues/agjentit TD:

i. drejtori i Departamentit të Administrimit të Rrezikut;
ii. drejtori i Departamentit të Auditimit të Brendshëm;
iii. drejtori i Departamentit të Financës;
iv. drejtori i Departamentit të Parandalimit të Pastrimit të Parave;
v. drejtori i Departamentit të Përputhshmërisë;
vi. zyrtari përgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
ë) “Program i trajnimit të detyrueshëm (PTD)”, të gjitha kurset, seminaret e trajnimet, të cilat kanë për qëllim certifikimin e njohurive dhe aftësive të subjekteve që ushtrojnë ose kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë si agjent TD;
f) “Tarifa e njohjes”, tarifa që paguhet për marrjen e vërtetimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për kryerjen e një ose më shumë PTD-je;
g) “Periudhë trajnimi”, periudha kohore përgjatë së cilës duhet të kryhet PTD-ja.

Kreu II
LLOJET E DOKUMETACIONIT PROVUES DHE PROCEDURA E DEPOZITIMIT, SHQYRTIMIT DHE VLERËSIMIT TË TIJ

Neni 4
Llojet e dokumentacionit provues

1. Krahas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, subjekti kërkues për licencë agjenti TD, për të provuar se ka aftësitë dhe njohuritë e duhura teknike dhe ligjore për të ushtruar veprimtarinë e lidhur me agjentët TD, duhet të depozitojë edhe dokumentacionin provues lidhur me kryerjen e programeve të trajnimit të detyrueshëm, si më poshtë vijon:

a) Vërtetimin për kryerjen e PTD-së, sipas përcaktimeve të nenit 11, të këtij vendimi;
b) Mandatin e pagesës së tarifës së njohjes së PTD-së;
c) Fotokopjen e kartës së identitetit të punonjësve, të cilët u janë nënshtruar programeve të trajnimit të detyrueshëm.

Neni 5
Procedura e depozitimit të dokumentacionit provues

1. Dokumentacioni provues i përcaktuar në nenin 4, të këtij vendimi, depozitohet pranë Autoritetit në rrugë shkresore ose dorazi, brenda periudhës përkatëse të trajnimit, të përcaktuar në nenin 10, të këtij vendimi.

2. Kërkesa përkatëse nga ana e subjektit kërkues për vërtetimin e kryerjes së PTD-së mund të përfshijë një ose më shumë PTD.

Neni 6
Mënyra e shqyrtimit dhe e vlerësimit të dokumentacionit provues

1. Dokumentacioni provues merret në dorëzim nga Autoriteti, i cili, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve kalendarike vlerëson nëse ky dokumentacion është në përputhje me parashikimet e nenit 4, të këtij vendimi.

2. Nëse dokumentacioni i dorëzuar ka të meta ose nuk është i plotë, Autoriteti i kërkon subjektit të interesuar plotësimin dhe/ose saktësimin e tij brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike.

3. Pas shqyrtimit e vlerësimit të dokumentacioni provues, Autoriteti njofton subjektin lidhur me vendimin për miratimin ose jo të kërkesës së tij, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e këtij vendimi.

4. Ndaj vendimit të Autoritetit, subjekti i interesuar mund të ushtrojë të drejtën e ankimit pranë gjykatës kompetente që shqyrton mosmarrëveshjet administrative, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e marrjes së vendimit.

Kreu III
PROGRAMET E TRAJNIMIT TË DETYRUESHËM

Neni 7
Llojet e programeve të trajnimit të detyrueshëm

1. Programi i trajnimit të detyrueshëm përbëhet nga aktivitete trajnuese dhe edukative, të cilat janë njohur ose zhvilluar nga Autoriteti, me qëllim përmirësimin e detyrueshëm të aftësive dhe përditësimin e njohurive të subjekteve kërkuese dhe agjentit TD.

2. PTD-të organizohen në disa lloje:

a) kurse;
b) seminare; dhe
c) konferenca.

3. Kurset, seminaret dhe konferencat synojnë përmirësimin e përditësimin e vazhdueshëm të njohurive të subjekteve kërkuese dhe/ose agjentit TD, në fushën e tregjeve financiare, të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, dhe kategorizohen në fushat, si më poshtë vijon:

a) Ligjshmëria, përputhshmëria dhe çështjet rregullatore lidhur me teknologjinë e regjistrave të shpërndarë;
b) Financa, duke përfshirë këtu inxhinierinë financiare të teknologjisë së regjistrave të shpërndarë;
c) Teknologjia e informacionit dhe siguria kibernetike.

4. Lista e llojeve të PTD-ve të njohura aktualisht nga Autoriteti janë listuar në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Kjo listë përditësohet nga Autoriteti të paktën 1 (një) herë në vit, brenda muajit dhjetor.

Neni 8
Metodologjia e trajnimit të detyrueshëm

1. PTD-të zhvillohen në formën e leksioneve, kurseve dhe seminareve on-line nëpërmjet kurikulave, të cilat përbëhen nga tekste akademike, trajnime, live streaming, leksione të regjistruara, e-learning.

2. Për metodologjinë e trajnimit, stafi akademik, i cili ofron PTD, duhet:

a) të zhvillojë një metodë ndërvepruese mësimdhënieje;
b) të bëjë përpjekje për të ruajtur një ekuilibër mes trajtimit teorik dhe atij praktik të çështjeve që janë objekt diskutimi, ku prioritet të kenë aspektet praktike;
c) të kujdeset për ndërhyrje konstruktive, të shpërndara dhe jodominuese, duke u lënë hapësirë të bollshme diskutimeve nga ana e pjesëmarrësve;
ç) të ketë aftësinë për të kombinuar disa metoda të mësimdhënies (prezantimi verbal, prezantim me shkrim, puna në grup, pyetjet, përdorimin e mjeteve audiovizive etj.);
d) të ketë aftësi për të prezantuar materialin pa ndonjë mbështetje dokumentare e për të përgatitur materialet burimore të nevojshme, mbështetjen e aspekteve teorike dhe praktike, për të vëzhguar nivelin e duhur të ndërveprimit dhe mbështetjen e metodave të trajnimit, qëllimit e tematikës së prezantimeve dhe për të qëndruar brenda kohës së përcaktuar për një prezantim;
dh) të bashkëpunojë me pedagogët e tjerë që mund të jenë të përfshirë në të njëjtin trajnim ose tematikë.

Neni 9
Përzgjedhja e programeve të trajnimit të detyrueshëm

1. Subjektet kërkuese për licencë ose agjent TD, kanë detyrimin për të marrë pjesë në PTD, të cilat mbulojnë secilën prej fushave të përcaktuara nenin 7, të këtij vendimi.

2. PTD-të duhet të ndiqen nga zyrtarët e agjentit TD ose të subjektit kërkues, të listuar, si më poshtë vijon:

a) Administratori;
b) Anëtarët e këshillit mbikëqyrës/këshillit të administrimit;
c) Personeli kyç.

3. PTD-të mund të zhvillohen brenda ose jashtë Shqipërisë, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi.

Neni 10
Periodiciteti i trajnimeve të detyrueshme

1. Në përputhje me pikën 8, të nenit 29, të ligjit, agjenti TD dorëzon pranë Autoritetit, brenda muajit të parë të çdo viti kalendarik, certifikatat ose dokumentet përkatëse, që vërtetojnë pjesëmarrjen e përfundimin me sukses të PTD-së në secilën prej fushave të përcaktuara në nenin 7, të këtij vendimi.

2. Periudha e trajnimit për agjentin TD fillon nga data e marrjes së licencës deri në:

a) fundin e vitit kalendarik; dhe në vijim për
b) çdo vit kalendarik pasardhës.

3. Autoriteti publikon listën e miratuar të PTD-ve, 45 (dyzet e pesë) ditë kalendarike përpara fillimit të çdo periudhe trajnimi. Kjo listë përditësohet periodikisht të paktën 1 (një) herë në vit.

Neni 11
Mënyra e vlerësimit të aftësive të përfituara nga PTD-ja

1. Pas përfundimit të PTD-së në secilën prej fushave të listuara në nenin 7, të këtij vendimi, subjekti kërkues ose agjenti TD dorëzon pranë Autoritetit kërkesën për t’u pajisur me vërtetimin e kryerjes së PTD-së, duke bashkëlidhur dokumentacionin e mëposhtëm:

a) certifikatën ose dokumentin përkatës, që vërteton përfundimin me sukses të PTD-ve të listuara në shtojcën 1, të këtij vendimi, në secilën prej fushave të përcaktuara në të;
b) listën e notave, në rast se është e aplikueshme;
c) mandatin e pagesës së tarifës së njohjes së PTD-së;
ç) fotokopje të kartës së identitetit të secilit pjesëmarrës në PTD, si dhe pozicionin e tyre brenda strukturës së shoqërisë së subjektit kërkues/agjentit TD.

2. Autoriteti shqyrton kërkesën e dorëzuar sipas pikës 1, të këtij neni, dhe vendos, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve lidhur me pajisjen e subjektit me vërtetimin përkatës. Vërtetimi lëshohet në emër të subjektit kërkues ose të agjentit TD, sipas rastit.

3. Kur subjekti ka përfunduar 1 (një) ose më shumë PTD, të cilat nuk janë të përfshira në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, Autoriteti e pajis subjektin me vërtetimin përkatës vetëm në rastet kur PTD-ja përmbush minimalisht kriteret e mëposhtme:

a) Certifikata ose vërtetimi për përfundimin e studimeve të jetë lëshuar nga institucione të licencuara, të njohura/të akredituara apo institucione të autorizuara në vendin e origjinës;
b) Programi mësimor i PTD-së të jetë i fokusuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë dhe të përfshijë 1 (një) ose më shumë nga fushat e përcaktuara në nenin 7, të këtij vendimi;
c) Plani mësimor të përmbajë të paktën 20 (njëzet) orë mësimdhënieje;
ç) Të ketë të punësuar të paktën 2 (dy) ekspertë në cilësinë e trajnuesve për secilën nga fushat që ofrohet PTD-ja, të cilët përmbushin këto kritere:

i. zotërojnë një diplomë të nivelit “Master shkencor” ose të barasvlefshme, në fushat përkatëse për të cilat ofrohet PTD-ja;
ii. kanë përvojë akademike për të paktën 3 (tre) vjet.

d) Të ketë të paktën 20 (njëzet) pjesëmarrës të regjistruar në PTD-në përkatëse;
dh) Ofruesi i PTD-së të ketë të paktën 3 (tre) vjet përvojë në ushtrimin e veprimtarisë së mësimdhënies e të trajnimeve në 1 (një) ose më shumë nga fushat e përcaktuara në nenin 7, të këtij vendimi.

3. Agjenti i TD-së i licencuar dorëzon pranë Autoritetit vërtetimin për kryerjen e PTD-së për periudhën pararendëse të trajnimit brenda muajit të parë të çdo viti.

4. Në rastet kur një nga personat, i cili ka përfunduar me sukses PTD-në, largohet nga funksionet e përcaktuara në strukturën e shoqërisë së subjektit dhe ky i fundit nuk ka në strukturën e shoqërisë së tij individë të tjerë që kanë përfunduar trajnimin në ato fusha të caktuara, atëherë subjekti njofton Autoritetin, me shkrim, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e largimit të tij. Brenda 6 (gjashtë) muajsh nga data e largimit, subjekti kërkues ose agjenti TD plotëson vendin vakant, duke emëruar individë që kanë përfunduar me sukses PTD-të në fushën e caktuar.
5. Mospajisja me vërtetimin për kryerjen e PTD-së, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi, përbën shkak për refuzimin e kërkesës për licencimin ose revokimin e licencës së agjentit TD.

6. Autoriteti ka të drejtë të bëjë verifikimet përkatëse për vërtetësinë dhe origjinalitetin e dokumenteve të dorëzuara nga subjekti kërkues.

Kreu IV
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 12
Të fundit

1. Ngarkohet Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË NJË ANËTARI TË AUTORITETIT PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të z. Albert Nikolla për anëtar të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË ELBASANIT

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Spiro Maliqi, prefekt i Qarkut të Elbasanit, lirohet nga kjo detyrë.

2. Znj. Majlinda Perriu emërohet prefekt i Qarkut të Elbasanit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË TIRANËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Mersin Murataj, prefekt i Qarkut të Tiranës, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Afrim Qëndro emërohet prefekt i Qarkut të Tiranës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT SAUDIT PËR ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË NDËRTIMIT TË RRUGËS TIRANË – ELBASAN – QUKËS – QAFË E PLLOÇËS, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.46/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës, të ratifikuar me ligjin nr.46/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, MBI NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT ME QËLLIM KONVERTIMI, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.209, DATË 29.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me qëllim konvertimi, miratuar me vendimin nr.209, datë 29.3.2021, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT OPEC PËR ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR (OFID), PËR PROJEKTIN E PUNIMEVE PËR RIPARIME EMERGJENTE TË AUTOSTRADËS TIRANË–ELBASAN, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.62/2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë–Elbasan, ratifikuar me ligjin nr.62/2018, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN TEKNIK 2017, PËR PROJEKTIN “ZHVILLIM I QËNDRUESHËM I ZONAVE RURALE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.19/2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2017, për projektin “Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale”, ratifikuar me ligjin nr.19/2019.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.20, DATË 20.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2021”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shtojca 2, bashkëlidhur vendimit nr.20, datë 20.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për spitalet, për vitin 2021.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1128, DATË 30.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN NGA REPUBLIKA E SHQIPËRISË TË VENDIMEVE TË KËSHILLIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, PËR VENDOSJEN, NDRYSHIMIN DHE SHFUQIZIMIN E MASAVE SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE, TË NDRYSHUARA”, I NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, pika 3, shkronja “c”, dhe 6, pikat 2 e 5, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 5, të kreut I, të vendimit nr.1128, datë 30.12.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “ … i ndryshuar me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2021/1278 …” zëvendësohen me “… i ndryshuar me vendimet e Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2020/607, CFSP 2021/1278 dhe (CFSP) 2021/1800, bashkëlidhur këtij vendimi.”.

2. Ngarkohen organet e parashikuara në pikën 1, të nenit 11, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË PËR PUNONJËSIT E GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të pikave 1, shkronja “a”, dhe 2, të nenit 48, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Struktura e pagës mujore dhe vlerat e pagave e të shtesave mbi pagë për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë janë, si më poshtë vijon:

a) Paga mujore për gradë është sipas kolonës 3, të lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi e është pjesë përbërëse e tij, dhe përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit, në përputhje me gradën që ka fituar brenda rolit përkatës.
b) Shtesa mujore për natyrë të veçantë pune për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë është sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Shtesa mujore mbi pagë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin është sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
ç) Shtesa mujore mbi pagë për vjetërsi shërbimi është shtesa që përfiton
punonjësi i Gardës së Republikës së Shqipërisë për çdo vit shërbimi. Kjo shtesë aplikohet në përqindje mbi pagën për gradë të gradës “Inspektor” dhe jepet në masën 1% për çdo vit, por jo më shumë se 25 vjet.

2. Për efekt të llogaritjes së shtesës mujore mbi pagë për vjetërsi shërbimi, sipas shkronjës “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, vite shërbimi do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës së çdo punonjësi në strukturat e Gardës së Republikës së Shqipërisë, Policisë së Shtetit, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Forcave të Armatosura, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Policisë së Burgjeve, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.

3. Vitet që përjashtohen nga llogaritja e vjetërsisë në shërbim për efekt pagese janë vitet e sigurimit vullnetar, të vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.

4. Punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë, të cilët deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi përfitonin pagë mujore më të lartë se ajo e përcaktuar në këtë vendim, do të përfitojnë “ruajtje page”, por jo më shumë se dy vjet nga data e fillimit të zbatimit të këtij vendimi.

5. Masa e “ruajtjes së pagës”, sipas pikës 4, të këtij vendimi, do të jetë e barabartë me diferencën e pagës mujore që punonjësi përfitonte përpara miratimit të këtij vendimi me pagën mujore sipas përcaktimit të këtij vendimi. Kjo shtesë rillogaritet në çdo rast kur bëhen ndryshimet për pagat për gradë, sipas strukturës dhe organikës së miratuar.

6. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.551, datë 15.7.2020, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë për punonjësit, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe nr.639, datë 29.7.2020, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve, oficerë dhe nënoficerë, të Gardës së Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohen.

7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e planifikuara për Gardën e Republikës së Shqipërisë.

8. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 dhjetor 2021.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR PERSONAT LGBTI+ , 2021 – 2027

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI+, 2021 – 2027, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe insitucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR BARAZI, PËRFSHIRJE DHE PJESËMARRJEN E ROMËVE DHE EGJIPTIANËVE, 2021-2025

Në mbështetje të neneve 18, 20 e 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10/221, datë 4.2.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve, 2021-2025, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I UNAZËS SË QYTETIT BAJRAM CURRI FAZA II”, TROPOJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i unazës së qytetit Bajram Curri, faza II”, Tropojë.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tropojë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme prej 13 425 681 (trembëdhjetë milionë e katërqind e njëzet e pesë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 13 425 681 (trembëdhjetë milionë e katërqind e njëzet e pesë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tropojë.

5. Vlera për shpenzimet procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit në zyrat e Bashkisë Tropojë.

8. Bashkia Tropojë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tropojë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Tropojë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tropojë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Tropojë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tropojë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Tropojë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.138, DATË 12.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RREGULLAT E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË SHKOLLËS SHQIPTARE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE DHE TRAJNIMIN E NËPUNËSVE CIVILË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 9, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.138, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Titulli i vendimit ndryshohet dhe bëhet “Për rregullat e organizimit e të funksionimit të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, trajnimin e nëpunësve civilë, si dhe të çdo individi tjetër jashtë shërbimit civil.”.

2. Shkronja “f”, e pikës 11, të kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“f) lëshon vërtetimin për ndjekjen, me sukses ose jo, të programeve të trajnimit në ASPA;”.

3. Në kreun III bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“8. Personat jashtë shërbimit civil, që me iniciativën e tyre dëshirojnë të ndjekin programin e formimit të vazhdueshëm dhe përzgjidhen nga ASPA, për këtë qëllim, paguajnë 3 000 (tre mijë) – 7 000 (shtatë mijë) lekë për kurs trajnimi, në varësi të kohëzgjatjes së kursit.”.

b) Pas pikës 9 shtohen pikat 9/1 dhe 9/2, me këtë përmbajtje:

“9/1. Nëpunësit e administratës publike jashtë shërbimit civil trajnohen nga ASPA nëpërmjet programit të formimit të vazhdueshëm, për veprimtari administrative të lidhura ngushtësisht me detyrën, trajnime të cilat përcaktohen nga institucioni ku janë të punësuar apo nga institucione të tjera përgjegjëse për fusha të caktuara.

9/2. Nëpunësit, sipas pikës 9/1, të këtij kreu, trajnohen me fonde të buxhetit të shtetit, duke akorduar në buxhetin vjetor të ASPA-s fonde për këtë qëllim. Për të planifikuar fondet e nevojshme, ASPA bashkëpunon me institucionet që kanë nevojën për këto trajnime.”.

c) Pas pikës 11 shtohet pika 12, me këtë përmbajtje:

“12. Pagesa për kurs trajnimi llogaritet në përpjesëtim me orët e trajnimit.”.

4. Në kreun VI bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:

a) Në pikën 1 shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:

“ç) Kontratë për vlerësimin e cilësisë së kurrikulave dhe materialeve të
trajnimit.”.

b) Pika 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“2. Trajnerët me të cilët lidhet kontrata, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij kreu, ndahen në kategoritë e mëposhtme:

a) Trajnerë të kategorisë së ulët, trajnerët që kanë një diplomë “Master i shkencave” ose “Master i arteve” ose “Master professional, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, dhe 3-5 vite përvojë pune në fushën përkatëse për të cilën do të ofrojnë trajnimin;
b) Trajnerë të kategorisë së mesme, trajnerët që kanë një diplomë “Master i shkencave” ose “Master i arteve” ose “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, dhe 6-10 vite përvojë pune në fushën përkatëse për të cilën do të ofrojnë trajnimin, ose trajnerët që kanë një diplomë postmaster apo të barasvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, dhe, minimalisht, 3 vite përvojë pune në fushën përkatëse për të cilën do të ofrojnë trajnimin;
c) Trajnerë të kategorisë së lartë, trajnerët që kanë një diplomë “Master i shkencave” ose “Master i arteve” ose “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike” apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, dhe mbi 11 vite përvojë pune në fushën përkatëse për të cilën do të ofrojnë trajnimin ose trajnerët që kanë një gradë apo titull shkencor;
ç) Trajnerë të kategorisë së veçantë, trajnerët që plotësojnë kriteret e mëposhtme:

i. Kanë një diplomë të arsimit të lartë apo të barasvlershme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë;
ii. Jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë apo janë kthyer në Shqipëri jo më herët se 2 vjet nga momenti i kontraktimit nga ASPA; dhe
iii. Kanë të paktën 3 vite përvojë pune në institucione/organizata/kompani ndërkombëtare jashtë vendit, të lidhura me fushën përkatëse për të cilën do të ofrojnë trajnimin.”.

5. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Trajnerë me të cilët lidhen kontratat e parashikuara në shkronjat “a”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij kreu, zgjidhen:

a) individët që kanë një diplomë “Master i shkencave” ose “Master i arteve” ose “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike” apo të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, dhe një përvojë pune në fushën përkatëse për të cilën do të ofrojnë trajnimin e trajnerëve ose do të hartojnë kurrikulat/materialet trajnuese ose do të vlerësojnë cilësinë e kurrikulës së trajnimit dhe materialeve trajnuese, më të madhe se 11 vjet apo kanë një gradë shkencore apo titull akademik, ose;
b) individët që plotësojnë kriteret e mëposhtme:

i. Kanë një diplomë të arsimit të lartë apo të barasvlershme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë;
ii. Jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë apo janë kthyer në Shqipëri jo më herët se 2 vjet nga momenti i kontraktimit nga ASPA, dhe;
iii. Kanë të paktën 4 vite përvojë pune në institucione/organizata/kompani ndërkombëtare jashtë vendit, të lidhura me fushën përkatëse për të cilën do të ofrojnë trajnimin e trajnerëve ose do të hartojnë kurrikulat/materialet trajnuese ose do të vlerësojnë cilësinë e kurrikulës së trajnimit dhe materialeve trajnuese.”.

6. Në shkronjën “a”, të pikës 4, fjalët “… të pikës 1, të kreut V, të këtij vendimi …” zëvendësohen me “… të pikës 1, të këtij kreu …”.

7. Shkronja “b”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) për kontratat e parashikuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij kreu, masa e pagesës për hartimin e kurrikulave apo të materialeve të trajnimit, të nevojshme për zhvillimin e 6 orëve 60-minutëshe trajnimi të jetë:

i. 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë për trajnerët që plotësojnë kriteret e parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij kreu;
ii. 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë për trajnerët që plotësojnë kriteret parashikuara në shkronjën “b”, të pikës 3, të këtij kreu.”.

8. Pas shkronjës “b”, të pikës 4, shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:

“b/1. për kontratat e parashikuara në shkronjën “ç”, të pikës 1, të këtij kreu, masa e pagesës për vlerësimin e cilësisë së kurrikulave apo materialeve të trajnimit të nevojshme për zhvillimin e 6 orëve 60-minutëshe trajnimi të jetë 10 000 (dhjetë mijë) lekë.”.

9. Shkronja “c”, e pikës 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) në rastet e hartimit apo vlerësimit të cilësisë së kurrikulave apo të materialeve të trajnimit për më pak ose më shumë se 6 orë trajnimi 60 – minutëshe pagesa llogaritet në përpjesëtim me orët e trajnimit.”.

10. Në lidhjen nr.1, që përmendet në shkronjën “a”, të pikës 4, të kreut VI, të shtohet një rresht me këtë përmbajtje:

trajnerë të kategorisë së veçantë 3 000 lekë/orë 60 – minutëshe trajnimi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.162, DATË 2.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RREGULLAT, PROCEDURAT DHE MËNYRAT E VËNIES NË DISPOZICION TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË ZONAT ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E TURIZMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 35, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.162, datë 2.3.2016, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 4, të kreut I, shtohen pikat 4.1 dhe 4.2, me këtë përmbajtje:

“4.1 Në rastin e investitorëve strategjikë, sipas ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk zbatohet procedura e përcaktuar në kreun II, të këtij vendimi, për vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit. Vënia në dispozicion e këtyre pasurive bëhet, si më poshtë vijon:

a) Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) miraton paraprakisht vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit për investitorët strategjikë, si masë mbështetëse për realizimin e investimit, në përputhje me ligjin nr.55/2015, të ndryshuar.
b) Vendimi i KIS-it dhe dokumentacioni shoqërues i përcillen ministrisë përgjegjëse për turizmin nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.

4.2 Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin, miraton vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore, sipas pikës 4.1, të kreut I, të këtij vendimi.”.

2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.887, DATË 24.12.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURËS SË PËRSHPEJTUAR PËR HARTIMIN DHE MIRATIMIN E PLANIT TË DETYRUAR VENDOR, SI DHE PROCEDURËS SË MIRATIMIT TË LEJEVE TË ZHVILLIMIT/NDËRTIMIT, NË RASTET E FATKEQËSISË NATYRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19, pikat 3 e 8, 20, 21, pikat 3 e 5, 22, pika 4, 23, pika 4, 25, pika 2, dhe 34, pika 6, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.887, datë 24.12.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 1, të kreut I, pas fjalëve “… në rastet e fatkeqësive natyrore, për …” shtohen fjalët “ … objektet e dëmtuara, …”.

2. Pas pikës 10, të kreut II, shtohet pika 11, me këtë përmbajtje:

“11. Në bazë të nevojave dhe të situatave që dalin para apo gjatë procesit të zbatimit të punimeve në terren, njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të hartojnë dokumentin e rishikuar të planit të detyruar vendor, brenda 30 (tridhjetë) ditëve pune nga data e marrjes së nismës për rishikimin e tij.”.

3. Në kreun III bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, fjalët “… shkronjat “c” dhe “d”…” zëvendësohen me “… shkronjat “c”, “d” dhe “e”…”;
b) Në pikën 3, fjala “… kriteret …” zëvendësohet me “… kushtet …”.

4. Në kreun IV bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në shkronjën “e”, të pikës 1, pas fjalëve “… njësitë zbatuese …” shtohen fjalët “… ose përfituesit e procesit të rindërtimit dhe programeve të tij …”.

b) Shkronja “k”, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“k) rilevimi topografik i pasurive që zhvillohen, shk 1:500, i hartuar nga topograf i licencuar.”.

c) Shkronja “a”, e pikës 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) brenda 20 (njëzet) ditëve pune nga data e paraqitjes së aplikimit në sistemin e-leje, për lejet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij kreu;”.

ç) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Për çdo çështje tjetër lidhur me planifikimin e detyruar vendor e lejet e zhvillimit, sipas parashikimeve të këtij vendimi, kur nuk ka parashikime të posaçme në këtë vendim, zbatohen rregullat e parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, dhe për aq sa është e mundur, por pa rënë ndesh me këtë vendim, edhe parashikimet e legjislacionit në fuqi për planifikimin e zhvillimin e territorit.”.

5. Pas kreut IV shtohet kreu V, me këtë përmbajtje:

“V. PROCEDURA E PËRSHPEJTUAR PËR SHQYRTIMIN E MIRATIMIN E CERTIFIKATËS SË PËRDORIMIT

1. Gjatë zhvillimit mbahen aktet e kontrollit për proceset e ndërtimit nga subjektet, persona fizikë dhe juridikë, të pajisur me licencë në fushën e mbikëqyrjes së punimeve të ndërtimit, të cilat depozitohen për arkivim pranë njësisë vendore, të shoqëruara me një deklaratë noteriale përgjegjësie ose deklaratë përgjegjësie të nënshkruar elektronikisht, të plotësuar nga subjekti/personi fizik, juridik që i ka hartuar.

2. Në përfundim të procesit të zhvillimit, dokumentet që duhet të paraqesë aplikuesi për pajisjen me certifikatë përdorimi janë, si më poshtë vijon:

a) Kërkesa për certifikatë përdorimi, sipas formatit të aplikimit të përcaktuar në sistemin e-leje, e nënshkruar elektronikisht;
b) Autorizim me prokurë nga zhvilluesi për aplikantin (nëse zhvilluesi dhe aplikuesi janë subjekte të ndryshme) ose autorizim i pajisur me nënshkrim elektronik, nëse aplikuesi është subjekt shtetëror;
c) Procesverbali i kolaudimit, i hartuar nga kolaudatori/grupi i kolaudimit, i shoqëruar me licencën/licencat përkatëse, brenda afatit të vlefshmërisë;
ç) Relacioni teknik i mbikëqyrësit/mbikëqyrësve për zbatimin e të gjitha disiplinave të punimeve të ndërtimit, shoqëruar nga licencat përkatëse, brenda afatit të vlefshmërisë;
d) Aktet e kontrollit të fazave të ndërtimit të shoqëruara me deklaratë noteriale përgjegjësie ose deklaratë përgjegjësie të nënshkruar elektronikisht, të plotësuar nga subjekti/ personi fizik, juridik që i ka hartuar;
dh) Leja e ndërtimit dhe dokumentacioni shoqërues i saj;
e) Kontrata e nënshkruar ndërmjet zhvilluesit dhe shoqërisë/ shoqërive ndërtuese, shoqëruar me licencën përkatëse;
ë) Deklaratë noteriale përputhshmërie ose deklaratë përgjegjësie të nënshkruar elektronikisht, lëshuar nga subjekti ndërtues, i cili deklaron, nën përgjegjësinë e tij, se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me kushtet e lejes së ndërtimit;
f) Situacioni përfundimtar i punimeve;
g) Aktkolaudim nga shoqëria tregtare, që ofron shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm në njësinë e vetëqeverisjes vendore;
gj) Procesverbali i furnizimit me energji elektrike nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike;
l) Akt teknik nga shërbimi për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi në nivel vendor.

3. Aplikuesit përfitues të grantit të rindërtimit për ndërtimin e banesave individuale duhet të paraqesin për pajisjen me leje përdorimi vetëm dokumentet e kërkuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të kreut V, të këtij vendimi, si dhe deklaratë noteriale përputhshmërie ose deklaratë përgjegjësie të nënshkruar elektronikisht, lëshuar nga subjekti ndërtues, i cili deklaron, nën përgjegjësinë e tij, se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me kushtet e lejes së ndërtimit ose aktin përfundimtar të kontrollit të lëshuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore.

4. Kryetari i bashkisë vendos për kërkesat për lëshimin e certifikatës së përdorimit, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e paraqitjes së aplikimit në sistemin e-leje. Në çdo rast, certifikata e përdorimit për të gjitha kategoritë e lejeve të përcaktuara në këtë vendim jepet sipas lejes përkatëse të ndërtimit.”.

II. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, njësitë e vetëqeverisjes vendore, sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË KUÇOVË, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE KUÇOVË, TË PASURIVE 6/570 DHE 6/571, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 2310

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Kuçovë, për njësinë administrative Kuçovë, të pasurive 6/570 dhe 6/571, me vendndodhje në zonën kadastrale 2310, sipas formularit gjithsej 1 (një) fletë dhe planeve të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim implementimin e projektit “Rikualifikimi i Parkut Industrial Kuçovë”.

2. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme publike të miratuar me vendimin nr.662, datë 8.10.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë së Kuçovës”, të ndryshuar.

3. Bashkisë Kuçovë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Bashkia Kuçovë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA  

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.