Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në ciklin e takimeve për buxhetin 2022, Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të biznesit të vogël:

 

Mirëmbrëma të gjithëve! Uroj që këto pikat e shiut të jenë lajmëtare të bereqetit tuaj, ndërkohë që, më vjen mirë që duke folur për buxhetin e vitit të ardhshëm, e fillojmë me faktin që konsolidojmë një pozicion tanimë të fituar të biznesit të vogël, duke vazhduar të mbajmë një regjim me taksë zero mbi fitimin për të gjitha bizneset e vogla dhe nga ana tjetër, pa Tvsh deri në 100 milionë xhiro.

Dua të sjell këtu një shifër apo disa shifra, por duke filluar nga njëra që është shumë kuptimplotë, besoj unë, për të pasur pamjen e situatës ku ndodhemi, duke u nisur nga ku e ndërmorëm këtë përpjekje në krye të herës.

Bizneset ishin 60 mijë dhe tatoheshin 10%. Sot, bizneset e vogla janë 110 mijë dhe tatohen zero. Kjo vlen edhe për t’iu thënë të gjithë atyre që flasin për mbyllje, falimentime dhe shkatërrime dhe, në radhë të parë, të atyre që bien pre e kësaj lloj propagande, se në terrenin e fakteve dhe shifrave, biznesi i vogël është padiskutim, forca më e përkrahur dhe më e mbështetur nga qeveritë tona.

Tjetra që prapë është domethënëse; edhe pse ishin 60 mijë gjatë periudhës 2006-2013, kanë paguar 19 miliardë lekë tatime. Nga 2014 deri në 2021, duke qenë 110mijë, kanë paguar vetëm 5,7 miliardë tatime, pra 3 herë më pak, që do të thotë që diferenca nuk ka ikur në lumë. Diferenca ka hyrë në familjet e këtyre sipërmarrësve të vegjël dhe bëhet fjalë për një diferencë jo të vogël. Bëhet fjalë për një diferencë 133 milionë dollarë.

Më tutje, sot ne kemi shifrën tjetër të rëndësishme për rimarrjen e gjithë ritmit nga biznesi i vogël pas mbylljes dramatike nga pandemia dhe faktikisht, në tetor të 2021, kur është bërë edhe numërimi më i fundit, janë 2400 biznese të vogla më shumë sesa përpara mbylljes nga pandemia.

Patjetër që ka patur biznese që kanë mbyllur aktivitetin, është normaliteti i këtij sistemi që kemi zgjedhur, por ka pasur shumë më tepër që kanë hapur aktivitete dhe në fund fare, shifrat e përgjithshme që nuk bëhet fjalë për një biznes që mbyllet dhe hapet me një emër tjetër, por tregojnë që bëhet fjalë për 2400 biznese të vogla, më shumë.

Me siguri, në këndvështrimin tonë, ka luajtur rolin e vet edhe mbështetja që ne i dhanë bizneseve të vogla gjatë pandemisë, duke ua hequr lakun mbytës nga fyti dhe duke i mundësuar një kapërcim të asaj krize të tmerrshme, pa qenë në kthetrat e falimentimit.

Tjetra që është e rëndësishme; sot kemi hyrë në një fazë komplet të re për gjithë biznesit, në fazën e fiskalizimit. Tanimë kemi 67% të bizneseve të vogla me çertifikatë elektronike dhe 32% të bizneseve të vogla që kanë filluar të lëshojnë fatura të fiskalizuara.

Kjo, për shtetin, për biznesin e vogël dhe për të gjithë ata që janë të interesuar për më shumë shpenzime kapitale, për më shumë investime, për më shumë shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë, shërbim shëndetësor e më radhë, ka një domethënie të madhe sepse nga njëra anë, nuk përkthehet si presion fiskal mbi biznesin. Nga biznesi i vogël deri në 100 milionë, praktikisht nuk kërkohet asnjë taksë, nuk merret as TVSH, por ama duke u fiskalizuar, biznesi i vogël mbyll të gjitha shtigjet për të mëdhenjtë që ta përdorin biznesin e vogël si shkarkues të informalitetit të tyre dhe sposton paratë e të mëdhenjve, që deri dje shkonin në kanalin e informalitetit, drejt arkës së shtetit.

Po ashtu, shumë e rëndësishme që, jo vetëm arka e shtetit do ketë disponim më të madh për të adresuar edhe me më shumë fonde nevojat e të gjitha kategorive shoqërore dhe komuniteteve, por përfundimisht, njëherë e mirë të gjithë do çlirohen nga makthi i kontrolleve, inspektorëve, i arbitraritetit, i hetimorëve dhe me radhë.

Unë jam këtu bashkë me ministren, e cila vjen nga drejtimi i Tatimeve, ku ka lënë një gjurmë të mirë në kujtesën e të gjithë për integritetin e vet profesional dhe ndershmërinë në punë dhe në ndërkohë, drejtori i ri i Tatimeve, vjen dhe ai nga një eksperiencë e çmuar, por së bashku të dy janë këtu, në këtë përpjekje, në këtë front, për të garantuar kapërcimin në një nivel tjetër të gjithë sistemin, duke larguar përfundimisht dorën e inspektorëve, tatimorëve, hetimorëve nga fyti i cilitdo biznes.

Na shërben jashtëzakonisht shumë revolucioni digjital për këtë sepse gjithçka bëhet e lexueshme në kohë reale dhe për gjithçka flet kompjuteri, nuk flet as inspektori, as tregtari, ama kush punon me rregulla, është zot në punën e vet dhe askush nuk vjen t’i trokasë në derë.

Ndërkohë, sistemi punon me një tru artificial inteligjent, që në bazë risku dhe në bazë projeksionesh të bëra në kohë reale, jep indikacione për shtetin, për administratën tatimore apo edhe atë doganore sipas rastit se ku po ndodh një lëvizje e dyshimtë. I gjithë kontrolli zhvillohet mbi këtë bazë.

Unë e di shumë mirë që përtej gjithë mundit, përpjekjeve, zhvillimeve pozitive që janë siguruar falë punës së bërë nga Drejtoria e Tatimeve, nga Ministrja e mëparshme e Financave, paraardhësja e saj dhe përtej gjithë shprehjes së vullnetit të mirë nga pjesa më e madhe, në sistemin tonë tatimor, një pjesë e vogël, por mjaftueshmërisht problematike, ka krijuar stres për sipërmarrësit.

Heqja e këtij stresi përfundimisht është objektivi ynë, ndërkohë që së fundmi, ministrja dhe drejtori kanë hartuar një strategji të re për të qasur biznesin në këtë fazë të ndërmjetme, sepse akoma nuk e kemi kuadrin e plotë të fiskalizimit, akoma do na duhet të kemi marrëdhënie terreni, duke e paralizuar hetimin tatimor nga aktiviteti i gjobvënies për llogari të shtetit, por që faktikisht, jam i bindur që edhe mes jush mund të ketë një dëshmitar apo dëshmitare që ka qenë një gjobvënie e stimuluar fort për xhepat e inspektorëve dhe në ndërkohë, duke shtyrë sa më shpejt dhe në mënyrë sa më të efektshme procesin e fiskalizimit, bashkë me gjithë procesin e organizimit të brendshëm të tatimeve dhe inspektimit si një proces komplet tjetër.

Ka kërkuar kohë, ka kërkuar përpjekje, ka kërkuar mund, ka kërkuar edhe kosto morale nga ana jonë, në sytë tuaj, ka kërkuar dhe kosto psikologjike dhe kosto kohe për ju, por janë gjëra që në fund kërkojnë kohën e tyre.

Ministrja foli për disa programe dhe unë nuk dua t’i përsëris, por dua të vë theksin tek volumi krejt i ri i mbështetjes financiare për më të rinjtë, për ata që duan të hapin një biznes të vogël, që kanë ide inovative dhe posaçërisht për start-up.

Nuk është vetëm në këtë zonë të buxhetit, por është horizontal vullneti që të stimulojmë sa më shumë inovacionin, futjen e teknologjisë dhe të stimulojmë sa më shumë të rinjtë për t’u përfshirë në këtë valë të re zhvillimi të njerëzimit, ku faktet flasin përmes të rinjsh që jetojnë edhe në fshatra në Shqipëri, të cilët janë të punësuar jashtë, pa lëvizur fare nga shtëpia, dhe punojnë për kompani të mëdha në të gjitha kontinentet. Natyrisht, falë talentit të tyre, falë ambicies, vullnetit, përkushtimit të tyre, pasi e kanë bërë krejt në bazë të meritës individuale, ndërkohë që ne duam tani të shtyjmë shumë fort me mbështetje financiare, ata të rinj, që duan të futen, qoftë në rrugën e edukimit, qoftë në rrugën e biznesit përmes teknologjisë.

Dy masa të rëndësishme të paketës fiskale, që janë me impakt edhe në zonën e aktivitetin e biznesit të vogël janë; e para, rritja e pagës minimale në 320 mijë lekë të vjetra, me ambicien që brenda mandatit, të shkojë 400 mijë lekë të vjetra. Këtu, ne po punojmë për një skemë bashkëpunimi me biznesin dhe ende është herët që unë ta elaboroj këtë sepse jemi në punë e sipër, por këtu duam të ndërlidhin biznesin, të voglin, pse jo edhe të madhin me ndihmën  ekonomike dhe të kërkojmë nga biznesi aleancë për të punësuar njerëz që janë me ndihmë ekonomike, duke ua kaluar si pjesë të pagës ndihmën ekonomike.

Pra, nëse kemi një pagë minimale që shkon në 320 mijë lekë, atëherë një pjesë të kësaj page, për ata që janë me ndihmë ekonomike dhe i kanë kushtet fizike normale dhe nuk kanë probleme shëndetësore, e paguajmë ne, shteti dhe pjesën tjetër të pagës e paguan biznesi. Kjo është mënyra, besoj, më e mirë për të stimuluar të dyja palët, edhe hapjen e vendeve të punës dhe marrjes në punë të njerëzve në nevojë dhe njerëzit në nevojë për të dalë nga ajo situatë permanente varësie nga një ndihmë ekonomike që është vetëm për të mbajtur frymën gjallë, nuk është për asgjë tjetër, që të jemi realistë.

Këtu, një komponent i rëndësishëm, është dhe pjesa e më të rinjve në familjet me ndihmë ekonomike, që mund të kthehen, edhe duke ndjekur studimet, mund të kthehen në gjeneratorë të ardhurash për familjet e tyre, në rast se bashkëpunojnë ose përfshihen në punë në një biznes të vogël apo të madh.

E dhëna tjetër është që deri sot, ne kemi pagë pa taksë 300 mijë lekë, pra kemi vetëm minimumin të pataksuar.

Me paketën e re, paga e pataksuar shkon deri në 400 mijë lekë. Pra, gjithë hapësira mes 300 mijë dhe 400 mijëshit nuk taksohet më. Kjo prapë është një stimul, besoj. Është një stimul pozitiv për ata që ato lekë që deri sot ia paguanin shtetit, do i çojnë në shtëpi, por është një  stimul edhe për biznesin, besoj.

Tjetra që dua ta them dhe për ta mbyllur, sepse e thashë, nuk dua të përsëris ato që i shtroi ministrja, është që mbështetja relativisht masive për start-up dhe puna që do bëjë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me Agjensinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, për gjithë pjesën tjetër të punëkërkuesve me programe të targetuara për ata që duan realisht të përfshihen në tregun e punës.

Tregu i punës sot, është e vjetër kjo nuk është e re, ka vende pune të lira plot. Unë nuk po ju sfidoj juve këtu, se ju jeni biznese të vogla dhe mbase mund të ketë ndonjë ose disa që nuk kanë vende pune, por duke parë disa tundje koke, besoj se dhe ju keni nevojë dhe, edhe midis  jush ka subjekte që kanë nevojë për punonjës, por ajo që kemi vënë re është që pjesë e madhe e këtyre vendeve ka kërkesë një kualifikim të caktuar, sado modest.

Sot, edhe kamarierë, në një numër të konsiderueshëm strukturash, nuk mund të hysh si dikur, nga rruga. Duhet një trajnim, sado modest, sado i shkurtër e jo më për disa profile të tjera, në ndërmarrje apo ndërmarrje të vogla që janë me ende pak më shumë nevojë për kualifikim.

Për këtë arsye, ne kemi vendosur një buxhet që përsëri do duhet të organizohet së bashku me biznesin, duke ua dhënë mbështetjen biznesit drejtpërdrejtë, në bazë të kërkesave të veta dhe duke e përdorur fuqinë mbështetëse të biznesit për të identifikuar njerëzit dhe për t’i sjellë ata drejt vendit të punës. Që do të thotë që skema me Zyrat e Punës, kështu siç është, ka nevojë për një rishikim sot sepse është pasive. Ndërkohë që, në rast se Agjensia do marrë nga bizneset nevojat dhe bizneset do paraqiten me emra kandidatësh për vendet e tyre të punës, por që kanë nevojë për kualifikim, atëherë mbështetja me kualifikim do bëhet drejtpërdrejtë pranë biznesit.

Biznesi, në momentin që merr fondin e kualifikimit, do ketë detyrën të bëjë dhe punësimin përkatës sepse për një numër të caktuar profilesh janë vetë bizneset që mund ta bëjnë kualifikimin, nuk është problem.

Nëse flasim pastaj për profile pak më komplekse, kjo përsëri do bëhet në harmoni me biznesin, por duke futur një figurë të tretë, të trajnuesit përkatës për këtë profil përkatës.

Unë besoj shumë që sot, jemi në kushtet kur realisht mund të aspirojmë të hyjmë në një fazë të re.

Besoj shumë që konsolidimi i pozicionit me zero taksa për biznesin ka një vlerë të rëndësishme.

Besoj shumë që përsëritja e zotimit që sa kohë ne do jemi këtu, deri në 2029, nuk do ketë taksë për biznesin e vogël, që në njëfarë mënyre jep edhe një qetësi psikologjike dhe për të planifikuar dhe për të mos pasur paparashikueshmëri.

Kush do dalë nga 140 e do shkojë më lart, do paguajë taksën sepse ne fund të fundit qëllimi ky është dhe kompensimi këtu do bëhet, që pjesa më e zhvilluar e biznesit të vogël, që janë në zonën e sipërme të mund të kapërcejnë dhe të hyjnë në zonën tjetër, ku do fitojnë më shumë, por sigurisht do fillojnë të paguajnë edhe më shumë.

Shumë falemindrit, shumë respekt!

Suksese dhe shëndet që të gjithëve ju dhe familjeve tuaja!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.