Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Nëntor 2021:

 

V E N D I M
PËR

EMËRIMIN E DREJTORIT EKZEKUTIV TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 12, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Maksim Et’hemaj emërohet drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Vjollca Braho emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË SHKOLLËS 9-VJEÇARE “HALIT COKA”, BASHKIA KAMZË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KAMZË SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “Halit Coka”, Bashkia Kamzë, në masën 444 000 000 (katërqind e dyzet e katër milionë) lekë pa TVSH.

2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2021, për financimin e rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “Halit Coka”, Bashkia Kamzë, në masën 88 800 000 (tetëdhjetë e tetë milionë e tetëqind mijë) lekë pa TVSH, i cili do të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë.

3. Caktimin e Bashkisë Kamzë si njësi zbatuese për financimin e rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “Halit Coka”, Bashkia Kamzë, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT E TË RIPARIMIT TË MJEDISEVE NË BASHKËPRONËSI OSE TË PËRBASHKËTA NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË TIRANË, DURRËS DHE MIRDITË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 824 836 517 (tetëqind e njëzet e katër milionë e tetëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e shtatëmbëdhjetë) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose të riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në bashkitë Tiranë, Durrës dhe Mirditë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi, në masën 240 000 000 (dyqind e dyzet milionë) lekë;
b) Bashkisë Durrës i transferohet fondi, në masën 388 182 835 (treqind e tetëdhjetë milionë e njëqind e tetëdhjetë e dy mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë) lekë;
c) Bashkisë Mirditë i transferohet fondi, në masën 196 653 682 (njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e dy) lekë.

2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2021, në masën 164 967 303 lekë (njëqind e gjashtëdhjetë e katër milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e treqind e tre) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose të riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në bashkitë Tiranë, Durrës dhe Mirditë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi, në masën 48 000 000 (dyzet e tetë milionë) lekë;
b) Bashkisë Durrës i transferohet fondi, në masën 77 636 567 (shtatëdhjetë e shtatë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e shtatë) lekë;
c) Bashkisë Mirditë i transferohet fondi, në masën 39 330 736 (tridhjetë e nëntë milionë e treqind e tridhjetë mijë e shtatëqind e tridhjetë e gjashtë) lekë.

3. Efekti financiar, për vitin 2021, të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë dhe t’u transferohet bashkive Tiranë, Durrës dhe Mirditë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Tiranë, Durrës dhe Mirditë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN TE BASHKITË TIRANË DHE SHIJAK TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin te bashkitë Tiranë dhe Shijak, përkatësisht, të 20 njësive individuale të banimit në Njësinë Administrative Vaqarr, Bashkia Tiranë, dhe 25 njësive individuale të banimit, Bashkia Shijak, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkitë Tiranë e Shijak për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Albert Nikolla, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT EKZEKUTIV TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Znj. Edlira Kraja, drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR LEHTËSIMIN E PROCEDURAVE DHE KUSHTEVE PËR MARRJEN E LEJEQËNDRIMIT TË PËRKOHSHËM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR SIGURIMET SHOQËRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për sigurimet shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

FUNKSIONIMIN, ORGANIZIMIN DHE VEPRIMTARINË E MUZEUT KOMBËTAR TË PAVARËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 209, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Përcaktimin e funksionimit, organizimit e të mënyrës së zhvillimit të veprimtarisë së Muzeut Kombëtar të Pavarësisë.

2. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë është person juridik, publik, buxhetor në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me seli në Vlorë. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë është institucion i specializuar në fushën muzeore dhe ka statusin “muze kombëtar”.

3. Mjediset, ku ushtron veprimtarinë Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, janë në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

4. Misioni i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë është përkujtimi dhe promovimi i vlerave të periudhës historike të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, trashëgimisë historike, që lidhet me një nga ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë, Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

5. Burimet e financimit tё Muzeut Kombëtar të Pavarësisë janë:

a) buxheti i shtetit;
b) burime tё tjera sipas legjislacionit nё fuqi.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TЁ MUZEUT KOMBËTAR TË PAVARËSISË

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për të siguruar:

a) dokumentimin e fakteve historike, lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912, nëpërmjet studimit, kërkimit, arkivimit të këtyre fakteve, si dhe bashkëpunimit me subjekte publike e private, shqiptare apo të huaja;

b) ruajtjen e trashëgimisë kulturore lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912;

c) ofrimin e shërbimit për publikun dhe promovimin e publikimin e fakteve historike lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I MUZEUT KOMBËTAR TË PAVARËSISË

1. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë e shtrin veprimtarinë për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet nё nivel qendror.

2. Struktura dhe organika e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë miratohet me urdhër tё Kryeministrit, sipas përcaktimeve nё legjislacionin nё fuqi pёr organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

3. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë kryen këto detyra:

a) Zbaton politikën e ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, në fushën e trashëgimisë kulturore dhe të muzeologjisë, me qëllim ruajtjen, mbrojtjen, ekspozimin, pasurimin, propagandimin, studimin, restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike;
b) Ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis që nxit edukimin dhe argëtimin;
c) Merr të gjitha masat për të siguruar disponueshmërinë e koleksioneve të muzeve për vizitorët dhe studiuesit;
ç) U ofron personave të të gjitha moshave mundësi për të mësuar nëpërmjet kontaktit me materiale origjinale, edhe duke bashkëpunuar me subjektet arsimore;
d) Organizon aktivitete, të cilat përmbushin vizionin e misionin e tij në përkujtimin e ditës së Pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912;
dh) Organizon brenda dhe jashtë vendit çeljen e ekspozitave me objektet që disponon, në përputhje me legjislacionin nё fuqi;
e) Përgatit pasaportën shkencore të çdo objekti ekzistues apo të ri, që bёhet pjesё e fondit tё tij, dhe ia përcjell për regjistrim institucionit përgjegjës për regjistrimin e trashëgimisë kulturore;
ë) Kryen hulumtime profesionale dhe shkencore për mbledhjen, vlerësimin e ekspozimin e objekteve që disponon;
f) Nxit e inkurajon, nëpërmjet projekteve, veprimtarinë kërkimore-shkencore lidhur me fondet që administron për studiuesit në fushën e historisë dhe punonjësit në fushën e muzeologjisë;
g) Inkurajon dialogun me dhe ndërmjet qytetarëve për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen shqiptare.

4. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë e realizon veprimtarinë e tij nё bashkëpunim me:

a) organet e administratës shtetërore qendrore dhe organet e vetëqeverisjes vendore;
b) rrjetin muzeor shqiptar;
c) muzetë kombëtarë, muzetë qendrorë, muzetë vendorë, muzetë autonomë, muzetë privatë, për të tërhequr në fondet e tij objekte me vlera të veçanta, si edhe për ekspozita e aktivitete të tjera të përbashkëta;
ç) institucione shkencore, kulturore, artistike dhe fetare, individë, persona fizikë dhe juridikë, privatë, për evidentimin, grumbullimin e restaurimin e objekteve, pjesë e fondit të tij, që janë vlera materiale të trashëgimisë kulturore dhe muzeologjisë;
d) institucione të huaja simotra nëpërmjet marrëveshjeve ndërkombëtare, duke marrё nё çdo rast miratimin e ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

5. Statuti dhe rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë miratohen nga ministri, me propozimin e drejtorit të muzeut.

6. Marrëdhëniet juridike të punës sё drejtorit, të nëpunësve dhe të punonjësve tё Muzeut Kombëtar të Pavarësisë rregullohen nё bazë tё dispozitave tё Kodit tё Punës.

7. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë drejtohet nga drejtori i muzeut, i cili organizon e drejton tё gjithë veprimtarinë e institucionit dhe përgjigjet përpara ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

8. Drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë emërohet ose lirohet nga detyra nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, sipas kritereve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Muzeve. Drejtori emërohet për një mandat trevjeçar. Procedura e emërimit dhe e lirimit tё tij përcaktohet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore nё rregulloren për metodat e brendshme tё punës dhe sjelljen e personelit.

9. Drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë ka kompetencat, si më poshtë vijon:

a) Drejton veprimtarinë e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në përputhje me legjislacionin në fuqi, statutin e institucionit dhe rregulloren e brendshme të funksionimit të tij;
b) Përfaqëson Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në marrëdhëniet me të tretët;
c) Ka të drejtë të lidhë marrëveshje për shkëmbimin e fondeve muzeore, pas marrjes sё miratimit nga Këshilli Kombëtar i Muzeve. Procedura e ndjekur nё këtë rast bёhet sipas përcaktimeve të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”;
ç) Merr masa mbrojtëse dhe ruajtjeje lidhur me fondin kombëtar të muzeut;
d) Emëron e liron nga detyra të gjithë punonjësit e muzeut, në përputhje me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e punës;
dh) Nxjerr urdhra dhe udhëzime me karakter të brendshëm për punonjësit e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë;
e) Çdo kompetencë tjetër në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

10. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ka stemën, logon dhe vulën e tij zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e … (emri i ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore), Muzeu Kombëtar i Pavarësisë”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

11. Vula e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave. Vula prodhohet, administrohet e ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Deri në miratimin e strukturës dhe të organikës së re të muzeut, sipas këtij vendimi, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë do të funksionojë sipas strukturës e organikës në fuqi.

2. Vendimi nr.293, datë 17.5.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen “Kombëtar” të Muzeut të Pavarësisë, Vlorë dhe për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të tij, nga Bashkia e Vlorës në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, si dhe institucionet e tjera në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.221, DATË 12.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 1, të vendimit nr.221, datë 12.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, z. Etjen Xhafaj, anëtar, zëvendësohet me z. Genc Resuli.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

AKT NORMATIV
PËR

MIRATIMIN E DISA NDRYSHIMEVE TË NËNSHKRUARA (AMENDAMENTI I DYTË) NË MARRËVESHJEN PËR PRODHIMIN DHE FURNIZIMIN, NGA DHE NDËRMJET PFIZER EXPORT B.V. DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TË SHQIPËRISË, MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN DHE INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK, MIRATUAR ME AKTIN NORMATIV NR.3, DATË 18.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave e të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1
Miratimi i disa ndryshimeve

Miratimin e disa ndryshimeve të nënshkruara (amendamenti i dytë) në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr.3, datë 18.1.2021, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.285, DATË 19.5.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË PROKURIMIT PUBLIK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7, pika 2, 13, pika 1, shkronja “a”, 14, pika 3, 17, pikat 1 dhe 2, 21, pika 4, 23, shkronjat “c” dhe “gj”, 33, pika 2, 34, pika 2, 35, pika 3, 41, pika 2, 42, pikat 1 dhe 3, shkronja “a”, 43, pikat 1 dhe 4, shkronja “a”, 44, pika 1, 50, pikat 2 dhe 7, 54, pika 1, 56, pika 4, 57, pikat 1 dhe 2, shkronja “c”, 58, pika 2, 71, pikat 1 dhe 2, shkronja “c”, 72, pika 1, 74, pika 1, 78, pika 3, 82, pikat 1 dhe 5, 111, pika 1, 116, pika 4, 124, pika 6, 131, pika 2, e 132, pika 2, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në tekstin bashkëlidhur vendimit nr.285, datë 19.5.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në nenin 26, “Formulari përmbledhës i vetëdeklarimit”, bëhen këto ndryshime:

a) Në shkronjën “dh”, të pikës 2, fjalët “… për pagimin e tatimeve …” zëvendësohen me “… për pagimin e taksave dhe tatimeve …”.

b) Në paragrafin e parë, të pikës 6, fjalia e parë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Përpara publikimit të njoftimit të fituesit dhe nisjes së afateve të ankimit, autoriteti/enti kontraktor i kërkon ofertuesit të kualifikuar, i pari dorëzimin e dokumenteve provuese të parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “d”, “dh”, “e”, “h” “i”, “j”, të pikës 2, të këtij neni, si dhe dokumentet e tjera shoqëruese të ofertës, të dorëzuara në rrugë elektronike.”.

2. Në pikën 3, të nenit 30, “Sigurimi i ofertës”, në fund të fjalisë së parë shtohen fjalët “… të kontratës ose lotit …”.

3. Në nenin 38, “Njoftimi i anulimit”, pikat 1 e 3, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Autoriteti/enti kontraktor u komunikon të gjithë kandidatëve ose ofertuesve vendimin dhe arsyet për të mos e vazhduar procedurën e prokurimit menjëherë, por jo më vonë se 3 (tri) ditë nga marrja e vendimit.

3. Autoriteti/enti kontraktor vijon me publikimin e vendimit përfundimtar për anulimin e procedurës së prokurimit jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e skadimit të afatit të fundit për paraqitjen e ankesave ose dhënien e vendimit përfundimtar për ankimin, duke e publikuar njoftimin në të njëjtën mënyrë siç publikon njoftimin e kontratës.”.

4. Në nenin 43, “Kërkesat për kapacitetet ekonomiko-financiare” bëhen këto ndryshime:

a) Në pikën 1 hiqen fjalët “… dhe, sipas rastit, të xhiros që mbulon kontrata,”.

b) Kudo në përmbajtje të pikës 2, fjalët “… vlerës së parashikuar të kontratës …” zëvendësohen me “… vlerës së përllogaritur të kontratës ose lotit …”.

c) Në pikën 4 fjalia e dytë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Nëse kërkohen një ose dy bilance, kërkesa konsiderohet e përmbushur nëse në bilancin/et e kërkuara nuk ka raport negativ ndërmjet aktivit dhe pasivit.”.

5. Në nenin 45, “Kriteret për shpalljen e ofertës fituese”, pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:

“2.1. Për furnizimin me karburant, gazoil, benzol dhe karburant për ngrohje, në rastet kur oferta ekonomikisht më e favorshme bazohet në çmimin më të ulët, ky i fundit përllogaritet bazuar në:

a) çmimin e bursës, lëvruar sipas kushtit CIF-Shqipëri, i cili dërgohet për publikim çdo javë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Buletinin e Njoftime Publike;
b) elementet fiskale;
c) normën e fitimit të shprehur në vlerë absolute, e cila duhet të jetë e pandryshuar gjatë gjithë kohës së zbatimit të kontratës.”.

6. Në nenin 48, “Procedura e kufizuar”, pika 2, shfuqizohet.

7. Në nenin 54, “Shërbim konsulence”, bëhen këto ndryshime:

a) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Pas mbylljes së fazës së kualifikimit dhe në përfundim të afateve të ankimit, autoriteti/enti kontraktor fton kandidatët e përzgjedhur për paraqitjen e propozimeve.”.

b) Shkronja “e”, e pikës 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“e) Në vijim, autoriteti/enti kontraktor identifikon ofertën më të mirë dhe shpall ofertuesin fitues. Në përfundim të afateve të ankimit, autoriteti/enti kontraktor fton ofertuesin fitues për të nënshkruar kontratën.”.

8. Në nenin 55, “Procedurë e hapur e thjeshtuar”, në shkronjën “a”, të paragrafit të tretë, të pikës 4, fjalët “… vlerës së përllogaritur të kontratës …” dhe “… vlera limit e kontratës …” zëvendësohen, përkatësisht, me “… vlerës së përllogaritur të kontratës ose lotit …” dhe “… vlera limit e kontratës ose lotit …”.

9. Në nenin 62, “Rregulla për prokurimin e marrëveshjes kuadër”, në pikën 5, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Kur, autoriteti/enti kontraktor vendos vlerësimin e ofertave mbi bazën e “çmim për njësi”, përveç vlerës së pritshme të kontratave përllogarit edhe shumatoren e çmimeve për njësi për çdo artikull apo shërbim, e cila publikohet bashkë me vlerën e pritshme të kontratave në njoftimin e kontratës. Në këtë rast, ofertimi nga operatorët ekonomikë do të bëhet me shumatoren e çmimeve për njësi. Për efekt krahasimi, vlerësimi i ofertave të paraqitura do të bëhet mbi bazën e shumatores së çmimeve për njësi, të përllogaritur për çdo artikull apo shërbim nga autoriteti/enti kontraktor.”.

10. Në nenin 67, “Prokurimi i përqendruar dhe delegimi i prokurimit”, në pikën 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:

“2.1 Me kërkesë të një autoriteti ose enti kontraktor ose me nismën e vet, Këshilli i Ministrave, sipas pikës 2, të nenit 53, të LPP-së, mund të ngarkojë për procedura të veçanta prokurimi një autoritet ose ent tjetër kontraktor si organ qendror blerës.”.

11. Në fund të pikës 9, të nenit 68, “Sistemi dinamik i blerjes”, shtohen fjalët “…, për të cilin nuk zbatohen parashikimet e nenit 116, të LPP-së, për ankimin administrativ.”.

12. Në nenin 107, “Zbatimi dhe mbikëqyrja e kontratës”, pas pikës 8 shtohen pikat 9 dhe 10, me këtë përmbajtje:

“9. Gjatë kohës së zbatimit të kontratës për furnizimin me karburant, gazoil, benzol dhe karburant për ngrohje, vlera absolute e normës së fitimit nuk do të ndryshojë gjatë ekzekutimit të kontratës, në rast të luhatjes së çmimeve. Nëse çmimi gjatë kohës së zbatimit të kontratës për furnizimin me karburant, gazoil, benzol dhe karburant për ngrohje ndryshon në raport me çmimin e kontratës, atëherë autoritetet/entet kontraktore duhet të bëjnë likuidimin e mallit sipas faturave periodike të shitjes, mbështetur në çmimin e bursës të publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, i dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, lëvruar sipas kushtit CIF-Shqipëri në këtë moment.

10. Autoriteti kontraktor, para pagimit të faturës së mallit duhet të kontrollojë përqindjen e pranuar të rritjes apo të uljes të çmimit të bursës, të publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave lëvruar sipas kushtit CIF-Shqipëri, në momentin e shitjes së mallit, objekt kontrate, autoriteteve kontraktore, si dhe cilësinë e mallit të lëvruar, nëse është e njëjtë me atë për të cilën është shpallur fitues kontraktori.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRJASHTIMIN NGA PROCEDURA E PËRZGJEDHJES NGA MËSUESIT NË BAZË SHKOLLE TË TEKSTIT TË ABETARES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 47, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përjashtimin nga procedura e përzgjedhjes nga mësuesit në bazë shkolle të tekstit të abetares dhe unifikimin e saj si tekst i vetëm “Abetare”, për të gjithë nxënësit në institucionet e arsimit parauniversitar.

2. Teksti i vetëm “Abetare” sigurohet nga botues, mbi bazën e standardeve të teksteve shkollore, nëpërmjet një konkurrimi të hapur, të barabartë dhe transparent, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.

3. Teksti i vetëm “Abetare” do të përdoret në sistemin arsimor parauniversitar, duke filluar nga viti shkollor 2022-2023 e në vijim.

4. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR LICENCIMIN E SUBJEKTEVE QË USHTROJNË VEPRIMTARINË SI BURSË DLT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, shkronja “b”, 51, pika 3, dhe 106, pika 1, të ligjit nr.66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, dhe të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullores “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si bursë DLT”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR LICENCIMIN E SUBJEKTEVE, QË USHTROJNË VEPRIMTARINË SI KUJDESTARE TË PORTOFOLIT TË PALËVE TË TRETA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, shkronja “ç”, 77, pika 5, dhe 106, pika 1, të ligjit nr.66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, dhe të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullores për licencimin e subjekteve, që ushtrojnë veprimtarinë si kujdestare të portofolit të palëve të treta, sipas tekstit që i bashëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS “SABRI KOSTURI”, LUSHNJË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës “Sabri Kosturi”, Lushnjë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë jo banimi”, me një vlerë të përgjithshme prej 5 020 078 (pesë milionë e njëzet mijë e shtatëdhjetë e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 5 020 078 (pesë milionë e njëzet mijë e shtatëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Lushnjë.

8. Bashkia Lushnjë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Lushnjë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Lushnjë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Lushnjë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.187, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në pikën 1/2 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:

i. Pas emërtesës “… Agjencia për Media dhe Informim …” shtohet emërtesa “… Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës …”;
ii. Emërtesa Njësia Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion shfuqizohet.

b) Në pikën 1/3 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:

i. Në shkronjën “a”, emërtesa “… Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë …” shfuqizohet;
ii. Në shkronjën “b” shtohet emërtesa “… Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë …”;
iii. Në shkronjën “c”, emërtesa “… Qendra Pritëse e Azilkërkuesve Babrru …” zëvendësohet me emërtesën “… Qendra e Pritjes për Azil …”.

c) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1. Në kuptim të këtij vendimi:

a) njësitë teknike të përmbajtjes, njësitë/drejtoritë/sektorët e përmbajtjes dhe drejtoritë/sektorët teknikë janë ata/ato që realizojnë funksionet për të cilat është krijuar dhe funksionon institucioni. Në to nuk përfshihen strukturat organizative përgjegjëse për funksionet horizontale të institucionit sipas përcaktimit në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore;
b) njësitë/drejtoritë/sektorët apo specialistët mbështetës janë ato/ata që kryejnë funksionet horizontale të institucionit sipas përcaktimit në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.”.

ç) Pas pikës 3/3 shtohet pika 3/4, me këtë përmbajtje:

“3/4. Nivelet e pagave të pozicioneve “ekspertë”, në qendrat e ekselencës, pjesë e strukturës dhe organikës së institucioneve të administratës shtetërore, të jenë sipas lidhjes nr.3/4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Nëpunësit në këto pozicione nuk përfitojnë elemente të tjera të pagës apo shtesa të tjera të përcaktuara në këtë vendim apo në akte të tjera.”.

d) Pika 4/2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4/2. Në Kryeministri, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj, për nëpunësit civilë në pozicionet:

a) “Drejtor Departamenti”, “Drejtor Njësie”, “Drejtor Drejtorie”, “Jurist” dhe “Koordinator”, në departamentet përgjegjëse për zhvillimin dhe mirëqeverisjen, si dhe përgjegjëse për çështjet rregullatore dhe përputhshmërinë;
b) “Drejtor Departamenti”, në departamentin përgjegjës për administrimin;
c) “Drejtor Njësie” në njësinë përgjegjëse për buxhetin dhe administrimin;
ç) “Drejtor drejtorie” në drejtorinë përgjegjëse për administrimin e brendshëm;
d) “Koordinator” në njësinë e menaxhimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm.”.

dh) Pika 4/4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4/4. Në Komisionin e Prokurimit Publik, nëpunësit në drejtoritë apo sektorët teknikë të përmbajtjes, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj.”.

e) Pika 4/13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4/13.Në drejtorinë e përgjithshme, përgjegjëse për kodifikimin dhe harmonizimin e legjislacionit, në Ministrinë e Drejtësisë, nëpunësit në pozicionet “Drejtor i Përgjithshëm”, “Drejtor drejtorie”, “Përgjegjës sektori” dhe “Specialist”, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë.”.

ë) Në pikën 6, paragrafët që përcaktojnë pagesat për këshilltarët dhe ndihmësit e jashtëm ndryshohen, si më poshtë vijon:

“Kryeministri ka të drejtë të ketë këshilltarë të jashtëm dhe ndihmës të jashtëm. Pagesa e tyre mujore përcaktohet nga Kryeministri, në masën deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj për këshilltarët e jashtëm dhe deri në 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë në muaj për ndihmësit e jashtëm.
Zëvendëskryeministri dhe ministrat kanë të drejtë të kenë këshilltarë të jashtëm. Pagesa e tyre mujore përcaktohet përkatësisht nga Zëvendëskryeministri apo ministri që punëson këshilltarin e jashtëm, në masën deri në 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë në muaj.
Titullarët e institucioneve në varësi të Kryeministrit apo ministrave, me qëllim realizimin me efektivitet dhe efiçencë të misionit dhe objektivave të institucionit që drejtojnë, kanë të drejtë që, për të marrë këshillimin e duhur për çështje specifike, të kenë këshilltarë të jashtëm. Pagesa e tyre mujore përcaktohet nga titullari i institucionit të varësisë që punëson këshilltarin e jashtëm, në masën deri në 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë në muaj.
Pagesa e këshilltarëve të jashtëm dhe ndihmësve të jashtëm bëhet nga llogaria ekonomike e përcaktuar sipas udhëzimit të ministrit përgjegjës për financat.”.

f) Në lidhjen nr.5, që përmendet në pikën 8, emërtesa “… anëtar i Komisionit të Prokurimit Publik …” shfuqizohet.

g) Lidhja nr.5/8, që përmendet në pikën 8/8, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
gj) Pika 8/12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8/12. Kategoritë e pagave të nëpunësve për emërtesat “drejtor i Përgjithshëm”, “Koordinator”, “Drejtor drejtorie”, “Përgjegjës sektori” dhe “Specialist”, në Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Bashkërendimit të Ndihmës, janë sipas lidhjes nr.5/12, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

h) Në lidhjen nr.7, që përmendet në pikën 10, bëhen këto shtesa:

i. Pas emërtesës “… ekspert mjeko-ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore …” shtohet emërtesa “… ekspert antropolog ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore …”;
ii. Pas emërtesës “… ekspert mjeko-ligjor pranë gjykatave të apelit …” shtohet emërtesa “… ekspert anatomo-patolog pranë gjykatave të apelit …”.

2. Efektet, që do të rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2021, të përballohen nga fondet e miratuara për këtë vit për secilin institucion dhe të fillojnë në momentin:

a) e emërimit/transferimit të nëpunësve/punonjësve përkatësisht në strukturën dhe organikën e Qendrës së Pritjes për Azil dhe në strukturën dhe organikën e re të Agjencisë së Prokurimit Publik, përkatësisht, për përcaktimet e nënndarjes “iii”, të shkronjës “b”, të pikës 1, dhe të shkronjës “g”, të pikës 1, të këtij vendimi;
b) e emërimit/transferimit të nëpunësve për përcaktimin e shkronjës “d”, të pikës 1, të këtij vendimi;

c) e hyrjes në fuqi të këtij vendimi për të gjitha parashikimet e tjera.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.