Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nisi ndërtimin i pari impiant në vend për trajtimin e mbetjeve urbane. Impianti, investim me vlerë 22 milionë euro, është vendosur në vendgrumbullimin e mbetjeve në anë të ish kombinatit metalurgjik në Elbasan, që ishte kthyer në një rrezik serioz për shëndetin dhe mjedisin për qytetin dhe zonat përreth, ku gjenerohen rreth 120-140 tonë mbetje të ngurta urbane. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit Lefter Koka, kryetari i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini si dhe deputetja Evis Kushi, inspektuan sot punimet për impiantin, një premtim i dhënë qytetarëve të Elbasanit që nisi jetësimin.

Kryeministri Rama e cilësoi një tumor 20 vjeçar, problematikën e mbetjeve urbane për këtë qytet, por që me këtë projekt vendoset një model i ri në trajtimin të tyre në mbarë vendin.

“Unë jam shumë krenar që ky tumor i madh i një kanceri që prej 20 e ca vitesh stërmundon organizmin e gjithë zonës së Elbasanit dhe u kthye në një problem madhor, jetik, për të gjithë banorët e zonës për shkak të një ndotje katastrofike, të gjeneruar nga fusha e tmerrshme e plehrave, është sot në fazën e një operacioni rrënjësor shërues, me një teknologji që futet për herë të parë në Shqipëri. Elbasani, nga zona më problematike, më e ndotur dhe më e kërcënuar në shëndet kthehet në platformën e vendosjes së një modeli të ri të mbledhjes dhe trajtimit të mbeturinave, të cilin ne do ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë.”

Projekti parasheh avantazhe jo vetëm për Elbasanin, por edhe më gjerë. Nga njëra anë, i jepet zgjidhje një problemi serioz në vend, mbledhjes dhe grumbullimit të mbetjeve, por nga trajtimi teknologjik i tyre do të përfitohet edhe energji e gjelbër. Në fazën e shfrytëzimit është parashikuar të prodhohet rreth 17 250 MWh energji në vit. Kryeministri theksoi se ndërsa për Elbasanin, ky projekt shënon epokën e rilindjes mjedisore, për vendin përbën hapin e parë në transformimin rrënjësor të marrëdhënieve me mjedisin.

“Ky impiant, i cili do të prodhojë edhe energji dhe do të prodhojë edhe një mbështetje energjetike të drejtpërdrejtë për bujqësinë. Është një impiant që vendoset për herë të parë në vendin tonë, por që me këtë vendosje përbën edhe themelin për të transformuar rrënjësisht të gjitha marrëdhëniet me mjedisin në hapin e tyre të parë, marrëdhënia me mbeturinat, me plehrat që 20 e kusur vite e mbyten Shqipërinë, dolën jashtë çdo kontrolli dhe që ne kemi vendosur t’i kthejmë nga një burim ndotjeje dhe kanceri në një burim energjie. Ky është zotimi ynë dhe ky zotim po realizohet duke filluar nga ky operacion madhor. Ndërkohë që impianti do të hyjë në punë vitin e ardhshëm, fusha për mbledhjen dhe përpunimin e mbeturinave, për landfill-in do të hyjë në punë qysh në verë të këtij viti. Pra, për bashkinë e re të Elbasanit fillon një epokë e re, një rilindje e vërtetë mjedisore.”

Projekti i kushton rëndësi të posaçme, përmbushjes së kërkesave teknologjike dhe mjedisore sipas standardeve europiane. Impianti do të ketë në përdorim një teknologji bashkëkohore, që siguron shmangien e çdo ndikimi negativ në mjedis. Sipas drejtuesit të projektit, Ernesto Granelli, falë kësaj teknologjie që siguron djegie në 360 gradë, në impiant mund të trajtohen edhe mbetje spitalore. Po ashtu, projekti parashikon edhe krijimin e një brezi të gjelbëruar përreth digës. Projekti vlerësohet të sjellë ndikim edhe në ekonominë lokale. Nga përpunimi i mbetjeve parashikohet të sigurohen rreth 400 tonë skrap dhe plastikë në vit, prej të cilave vlerësohet të gjenerohet një e ardhur vjetore prej 90 mijë euro.

***

Në Gjinar të Elbasanit ka nisur një operacion i gjerë për të luftuar një prej shkaktarëve të dëmtimit të pyjeve me pisha, procesionares, e njohur si sëmundja e pishës. Ky operacion ka nisur kuadër të Programit Kombëtar për Luftimin Mekanik të Procesionares, i shtrirë në 4 rajone të vendit, Shkodër, Dibër, Elbasan dhe Korçë, ku janë përfshirë 33 njësi të qeverisjes vendore. Për t’u njohur në terren me ecurinë e projektit, Kryeministri Rama dhe Ministri i Mjedisit Koka ishin sot në Gjinar.

Behar Hate, Koordinatori Kombëtar i Projektit tha se këtij operacioni i janë nënshtruar 6335 hektarë pyje në grumbujt pyjor të pishës së zezë. Hate theksoi se ky është fondi i parë në 30 vjet, për parandalimin e procesionares.

Ministri Koka nënvizoi se projekti ka sjellë një impakt pozitiv edhe në punësim. Nga njësitë e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me Zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit janë punësuar mbi 6000 punonjës. “Kemi bërë kontrata individuale për 6000 mijë punonjës nëpërmjet Zyrës Kombëtare të Punësimit. Mbi 6300 hektarë që pastrohen me këtë fond janë një sasi e madhe, po të mendojmë se kjo shumëfishohet vitin pasardhës, duke u transformuar larvat në flutura, mund të themi se me 6000 hektarë parandaluam dëmin e 60 mijë hektarëve vitin pasardhës.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.