Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkëqeverisja si Ligj i ri është cikli i takimeve sensibilizuese, që nisi sot nga Elbasani, për Bashkëqeverisjen si mekanizëm i ri detyrues ligjor.  

Në takimin e zgjeruar me qytetarët, Kryeministri Rama shpjegoi risitë e këtij ligji të rëndësishëm  që do të çlirojë qytetarin nga pesha e administratës, duke i dhënë akses të plotë në shërbimet administrative përmes smartphone-t apo kompjuterit dhe duke e përballur administratën me pasojat e çdo vonese në shërbimin ndaj qytetarit. Në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh:

 

Përshëndetje të gjithëve! Shumë faleminderit për praninë tuaj. E çmoj posaçërisht sepse sot  ne nisim një cikël takimesh sensibilizuese, lidhur me një ligj të ri, i cili është votuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë. Për arsyen e mos arsyes, që tanimë dihen botërisht, është kthyer mbrapsht nga presidenti i Republikës, por kjo thjeshtë vonon për pak javë futjen plotësisht në fuqi të ligjit sepse ligji do të miratohet ashtu siç është nga parlamenti.

Koncepti i bashkëqeverisjes, platforma Shqipëriaqëduam.al, ndërveprimet me këtë platformë të shumë qytetarëve nuk është diçka e panjohur, besoj, për shumëkënd këtu, në mos për të gjithë, ashtu sikundër për shumëkënd për ata që na ndjekin, në mos për të gjithë.

E reja që ne dëshirojmë të komunikojmë dhe arsyeja pse kemi vendosur ta bëjmë këtë seri takimesh sensibilizuese në çdo qark në Shqipëri, teksa ligji bëhet gati të hyjë në fuqi, është sepse duke e kthyer bashkëqeverisjen në një mekanizëm të detyrueshëm ligjor, ne u japim qytetarëve një instrument jashtëzakonisht të rëndësishëm në këtë fazë të rrugëtimit tonë të përbashkët, kur një nga problemet kryesore me të cilat hasemi, është problemi i marrëdhënieve të qytetarëve me administratën dhe anasjelltas. 

Një nga shqetësimet kryesore e qytetarëve është problematika e vjetër e zvarritjeve, pengesave, ryshfeteve për të marrë shërbime në administratë.

Por, sot, ne kemi të gjitha arsyet të besojmë objektivisht se në mos 100%, 90% pa asnjë ekzagjerim të gjithë problematikës së këtyre marrëdhënieve, kemi në dorë ta zgjidhim me pak vullnet të mirë dhe me gatishmërinë e qytetarëve për të bërë një ndryshim shumë të thjeshtë në këto marrëdhënie, duke mos shkuar, shumë e thjeshtë, në zyra për të marrë shërbime, por duke shfrytëzuar të gjithë sistemin e ri të shërbimeve online përmes telefonit smartphone ose kompjuterit më të afër.

Sot, ne kemi në dispozicionin tuaj 1209 shërbime, që mund të merren nga telefoni ose nga kompjuteri më i afërt, që janë 95% të shërbimeve publike, që do të thotë që nuk është e nevojshme për të shkuar në asnjë zyrë, nuk është e nevojshme për të njohur asnjeri, nuk është e nevojshme për të pritur në asnjë radhë. Kjo mund të duket çudi deri kur secili mund ta provojë.

Sot e-Albania është emër i njohur për të gjithë, edhe falë asaj fatkeqësie që na ra, pandemisë, ku një masë e madhe qytetarësh u detyruan të njiheshin me e-Albania nga halli. 

Fatkeqësisht, nëse nuk do kishte rënë kjo fatkeqësi, do ishte ende sot një pjesë e madhe e qytetarëve që nuk do ta dinin se ku bie e-Albania, sado që ne të bënim promovim për këtë punë sepse problemi kryesor me të cilin edhe vende të tjera janë përballur në këtë transformim kaq rrënjësor të marrëdhënieve të popullit me shtetin, të qytetarëve me administratën është pikërisht inercia e traditës së vjetër të të bërit të gjërave, e shkuarjes nëpër radha, e marrjes në kontakt me zyrtarët, e kërkimit të rrugëve për të gjetur se si të mund të merret një shërbim i caktuar, duke ndjekur të njëjtën rrugë të vjetër.

Aq e vërtetë është kjo, sa dhe inercia e përdorimit të letrës në vend të kompjuterit i ka penguar dhe vetë qeveritë, edhe qeverinë tonë; e ka penguar që ta zbatojë edhe vetë menjëherë atë që ka, praktikisht, bërë po vetë dhe atë që ka pasur në dispozicion; pra qarkullimin e dokumentave brenda për brenda qeverisë pa përdorur letrën.

E dini si u bë?

U bë duke vendosur Kryeministria refuzimin e të gjitha praktikave në letër mes ministrive në drejtim të kryeministrisë dhe u bë.

Kini parasysh që ne, në 2013 e kemi nisur me 1% të shërbimeve online dhe me vetëm 50 mijë të regjistruar në portalin qeveritar të shërbimeve. 

Sot janë 95% e shërbimeve që i keni ty dhe janë 2,3 milionë të regjistruar, që do të thotë që vetëm tani të duash ta kërkosh vetë me zor radhën, vonesën, stresin dhe gjithë hallet e tjera që vijnë nga pas. Do them më pas edhe atë pjesë që mbetet për t’u zgjidhur mes nesh, mes jush dhe nesh, që në mes kemi këtë problematikë kaq të vështirë, kaq të mërzitshme, kaq të lodhshme, kaq të vjetër të administratës që ju streson juve dhe na vë dhe ne në pozitë të vështirë.

Në tërësinë e vet, shërbimet sot mund të merren lehtësisht, pa lëvizur nga shtëpia fare. 

Mjafton të kesh një smartphone, apo një kompjuter dhe të kesh regjistrimin tek portali qeveritar e-Albania ose mjafton të gjesh një kompjuter pranë shtëpisë për ta marrë këtë shërbim. Është gjëja më e thjeshtë në botë.

Nuk po hyj në të gjithë elementët, por po them që sot kemi një proces, ku çdonjëri mund të disponojë nënshkrimin elektronik, ndërkohë që sot kemi një proces ku 50 dokumenta të nevojshëm për qytetarët shkarkohen direkt nga kompjuteri, shkarkohen direkt nga telefoni, me vulë elektronike dhe njihet nga të gjithë.

Sot, kemi një proces ku në biznes, në nevojat e përditshme për të marrë certifikata, dhe këtu kemi edhe një rast për një çështje certifikatash, në nevojat për të marrë dëshmi penaliteti për punë apo gjithfarëlloj aksesesh të ndryshme, në nevojat për arsimin, regjistrimin e fëmijëve e me radhë, nuk është më e nevojshme të lëvizësh nga shtëpia fare, është kaq e thjeshtë.

Ndërveprimi bëhet menjëherë, regjistrohet emri, niset kërkesa dhe merret përgjigja.

Tani vijmë tek ligji i ri. Pse ky ligj i ri është kaq i rëndësishëm dhe ku qëndron lidhja e këtij ligji të ri me shërbimet. Sepse në këtë fazë të parë është e domosdoshme që ne t’u japim qytetarëve në dorë mundësinë që të kërkojnë hesap për shërbimin, dhe po marrim një rast konkret.

Një nga shërbimet më problematike të Shqipërisë është shërbimi i pronës, kadastra; legalizime, marrja e titullit të pronësisë.

Sot, çdokush mund të bëjë aplikimin për titullin e pronësisë dhe legalizimin pa shkuar fare tek Kadastra dhe në bazë të afatit të presë përgjigjen. Nuk jemi ende dhe po punojmë për këtë që edhe hipoteka dhe legalizimi të vijë në kompjuter pa pasur nevojë për letër fizike sepse është një proces që kërkon një plotësim në të gjithë bazën e të dhënave digjitale të Kadastrës, që do të thotë regjistrim digjital i çdonjërës prej miliona e miliona pronave, ama është plotësisht e mundur që në momentin kur ke bërë aplikimin nga shtëpia, e përsëris, dhe nuk e nevojë as për mik, as për shok, as për të njohur, as për drejtor, as për nëndrejtor, për askënd dhe ke afatin e marrjes së përgjigjes. Nuk të erdhi përgjigja në afat?! Ti ke në dorë sot, me ligj, një mekanizëm që e vë menjëherë në lëvizje ligjërisht administratën për të të kthyer ty përgjigje për pronën tënde, duke përdorur platformën e Bashkëqeverisjes. 

Platforma e Bashkëqeverisjes bën të mundur, në kushtet kur është një mekanizëm i ri ligjor, që çdo mosveprim nga ana e administratës dhe çdo mos reagim në kohë të lërë gjurmën e vet, por nëse deri dje, kjo ishte një çështje, e cila i mbetej thjesht qytetarit nëse ankohej apo nuk ankohej, sot kjo është një çështje që menjëherë vë në lëvizje mekanizmin e kontrollit dhe jo vetëm kaq, por kjo është një çështje, e cila në ligjin e ri, përcaktohet si një përgjegjësi e administratës dhe ligji i ri përcakton sanksione financiare, përveç sanksioneve administrative, për personat përgjegjës, që nuk i janë përgjigjur në kohë një qytetari.

Tani, këtu ka dhe një element tjetër që ne e kemi thënë dhe rithënë dhe përsëri është një arsye tjetër pse ne duam ta bëjmë këtë proces sensibilizimi për ligjin e ri sepse përsëri shumëkush edhe në administratë brenda, por dhe nga qytetarët, nuk e shfrytëzon, që është që nuk ka më detyrim me ligj. Kjo është në fuqi. Qytetari të plotësojë dosje për një kërkesë të vetme, pra nëse qytetari ka një kërkesë për të marrë një licencë X, një autorizim Y, një certifikatë Z dhe për këtë dokument ligji kërkon që të ketë 5, 6, 7, 12, 15 dokumente mbështetës që merren në institucione të ndryshme e deri dje të gjitha këto dokumente duhet t’i merrte vetë qytetari, të shkonte në një sportel e pastaj në një tjetër, të mbante 5 palë, 6 palë, 7 palë, 10 palë, 12 palë radha, sot qytetari nuk e ka më këtë detyrim, për të gjitha dokumentet që lëshohen nga shteti. Që do të thotë, bën kërkesën, aplikon, pa dalë nga shtëpia fare. Po ju them, për një licencë, ky aplikim ka nevojë për 5 dokumente mbështetës, nëse në këto 5 dokumente mbështetës, 4 i ka shteti, njëri mund të jetë një dokument privat, një bankë apo një vërtetim nga jashtë shtetit, vetëm ky dokument është detyra e qytetarit, se këtë nuk mund ta gjejë shteti. Të katërt dokumentet e tjerë apo të gjithë dokumentet e tjerë që gjenden në zyrat e shtetit, ka për detyrë t’i marrë e t’i mbledhë për qytetarin zyra që do t’i japi licencën.

Nëse sot, dhe këtë jua them me bindje të plotë, një qytetar nuk do të paguajë realisht nuk do të paguajë, flasim për të gjitha shërbimet që i jep administrata dhe që kanë të bëjnë me dokumente, nuk flasim për shfaqje të tjera të presionit për korrupsion, është temë tjetër. 

Flasim për këtë njëherë, që ka qenë një stres i jashtëzakonshëm dhe të cilin ne e kemi ditur që në krye të herës që mund ta adresojmë vetëm duke përdorur teknologjinë e duke e ndarë rrugën e qytetarit nga rruga e atij që shkon në punë për t’i futur dorën në xhep njeriut që vjen dhe i kërkon një dokument.

Pra, nëse qytetari sot i Republikës së Shqipërisë nuk do të paguajë e nuk do të zvarritet e nuk do të mbajë radhë e nuk do të shohë zyrë shteti me sy, e ka vetë në dorë, është kaq e thjeshtë, për 95% të shërbimeve, sepse ka disa shërbime që e duan praninë fizike. Nëse ti do marrësh një pasaportë e duhet të lësh shenjën e gishtave, shenjën e gishtave nuk mund ta çosh me telefon për shembull. Janë një numër shumë i vogël shërbimesh. Gjithë pjesa tjetër është kështu siç po jua them unë sot e dua ta dëgjoni mirë, jo vetëm të gjithë që janë këtu, por të gjithë ata që na ndjekin. Vetëm nëse do vetë që të vazhdosh me rrugën e vjetër e të shkosh e të mbash radhë e të kërkosh miq, e madje edhe të paguash, atëherë këtu unë nuk e di se si mund të të ndihmojë ty qeveria, Por nëse ti nuk do, ti nuk shkon, e nëse ty nuk të vjen përgjigja në kohë, sipas ligjit, ti ke në dorë menjëherë që të vesh alarmin me ligj, e ke sot me ligj, është e drejta jote me ligj. Pra, sa të vijë ligji në Kuvend përsëri, i kthyer thashë, nga zotëria që është ende në Presidencë, ti e ke me ligj që ti kërkon drejtpërdrejtë të drejtën tënde dhe jo vetëm që ti do marrësh të drejtën për atë shërbim që ke kërkuar, por po me ligj, personat përgjegjës, zyra përgjegjëse, sanksionohet financiarisht për dëmin që të ka shkaktuar.

Që të mos e zgjas më shumë unë, por ndërkohë të kemi dhe kështu, plotësime po ia kaloj fjalën këtu me radhë personave që janë me mua, këtu në njërën anë është drejtorja e Agjencisë për hapje dhe Dialog që mbulon pikërisht si strukturë pjesën e Bashkëqeverisjes, dhe drejtorja e përgjithshme e AKSHI-t, që mbulon gjithë veprimtarinë e platformës qeveritare e-albania dhe zotëria më tutje bashkë me zonjën, zotërinë dhe vajzën aty, janë katër raste konkrete të shfrytëzimit të këtij mekanizmi. 

Unë po jua kaloj fjalën me radhë dhe pastaj mund të bëjmë plotësime edhe duke dëgjuar në rast se ka këtu shqetësime konkrete nga gjithë sa thashë. Edhe duke plotësuar disa gjëra, kemi marrë dhe të dhënat konkrete që janë për t’u bërë më të qartë se sa e rëndësishme është sot për çdo qytetar gjithë kjo punë që është bërë deri këtu. Nuk ka përfunduar, por sot është një punë kolosale e bërë, një investim kolosal i gjithë revolucionit të shërbimeve që duhet shfrytëzuar. Është e paimagjinueshme që sot të kesh në dorë të aplikosh për çdo shërbim pa dalë nga shtëpia dhe njëkohësisht të kesh në dorë që menjëherë të vësh alarmin në pikën më të lartë kur nuk të vjen shërbimi e të vazhdosh të sorollatesh duke rënë pre e lloj-lloj grackave dhe lloj-lloj njerëzve që vazhdojnë e abuzojnë me faktin që qytetarët nuk janë plotësisht të informuar e për këtë arsye ne menduam që duhet kjo fushatë informimi, informimi, informimi dhe këmbënguljeje sepse realisht mund ta çlirojmë sëbashku njëri-tjetrin, në radhë të parë ju veten tuaj, gjithë popullin që kërkon shërbim, veten e vetë, duke marrë e duke përdorur këto dy instrumente, e ne veten tonë në raport me gjithë këtë stres që na shkaktohet nga ata që na marrin fytyrën në zyra ku ju shkoni e ku ju mbyllin derën ose nuk ju presin ose që ju lënë të prisni e të tjera e të tjera. 

Ky është avantazhi që i jep një vendi si i yni, vendeve  si ne, që nuk jemi një vend me traditë 200 apo 300 apo 500 vjet të institucioneve dhe të administratës, jemi vende të reja me prapambetje të mëdha, teknologjia. Me teknologjinë nuk ka rëndësi nëse je shumë i zhvilluar apo nëse je shumë më pak i zhvilluar, mjafton që të përdorësh instrumentet e duhur e ti arrin të bësh të njëjtën gjë e faktikisht, po të shikoni edhe pozicionin e Shqipërisë sot në këtë aspekt, në të gjitha raportet ndërkombëtare, por dhe në shërbimet që ne japim, jemi padiskutuar vendi i parë, jemi të parët në rajon për shërbimet qeveritare dixhitale dhe është praktikisht jo mirë për ne si qeveri dhe për ju si qytetarë që ta kemi këtë kapacitet e mos ta përdorim dhe jemi ndër vendet në grupin e parë të vendeve në Europë, jua them me bindje këtë gjë. 

U bë lajm i parë në Itali përpara një jave apo dy javësh, që presidenti i Italisë shkoi të merrte një certifikatë të gjendjes civile online. Ne certifikatën e gjendjes civile online e kemi prej vitesh. Domethënë prej vitesh në Shqipëri nuk ka nevojë të shkosh në gjendje civile për të marrë certifikatë. Shkojnë vetëm ata që nuk janë të informuar e japin certifikata nëpër gjendje civile ata që janë për tu marrë e për tu nxjerrë jashtë për zverku nga administrata sepse normalisht nuk duhet tua japin, duhet t’u thonë që këtë mund ta merrni direkt vetë, nuk ka nevojë fare të shkoni asgjëkund. 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.