Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Dhjetor 2021:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E DOKUMENTACIONIT, TË PROCEDURAVE E TË KRITEREVE PËR KRYERJEN E INSPEKTIMEVE SHTETËRORE TË SISTEMIT TË ARSIMIT DHE FORMIMIT PROFESIONAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 26, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PJESA E PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e dokumentacionit, të procedurave e të kritereve për kryerjen e inspektimit në sistemin e arsimit dhe formimit profesional (në vijim AFP) në Shqipëri.
2. Inspektimi i ofruesve publikë dhe jopublikë të AFP-së bazohet në këto parime:
a) Parimi i pavarësisë;
b) Parimi i programimit të inspektimeve;
c) Parimi i proporcionalitetit në veprimtarinë e inspektimit;
ç) Parimi i dispozitës më të favorshme ligjore;
d) Parimi i informimit të publikut dhe mbrojtjes së konfidencialitetit.
3. Objekt i inspektimit, sipas këtij vendimi, janë të gjithë ofruesit publikë dhe jopublikë të AFP-së në Republikën e Shqipërisë.
II. NJËSIA PËRGJEGJËSE PËR INSPEKTIMIN
4. Njësia përgjegjëse për inspektimin e ofruesve të AFP-së është sipas pikës 1, të nenit 6, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”.
5. Me qëllim përmirësimin e sistemit arsimor profesional, njësia përgjegjëse:
a) informon AKAFPK-në dhe AKPA-në lidhur me raportet e inspektimit dhe gjetjet nga inspektimet e kryera pranë ofruesve publikë dhe jopublikë të AFP-së, me qëllim garantimin e cliësisë në proceset e vetëvlerësimit, akreditimit, monitorimit e licencimit;
b) bashkërendon veprimtarinë me AKPA-në për vlerësimin e jashtëm të sigurimit të cilësisë së ofruesve privatë të licencuar për ofrimin e kurseve afatshkurtra të të nxënit gjatë gjithë jetës.
III. PROCEDURAT, DOKUMENTACIONI DHE KRITERET E INSPEKTIMIT
6. Ministri përgjegjës për AFP-në:
a) miraton planin vjetor të njësisë përgjegjëse për inspektimet në AFP;
b) fillon me kërkesë apo kryesisht procedurën e inspektimit të paplanifikuar në planin vjetor të njësisë përgjegjëse për inspektimin;
c) përcakton objektivat afatmesmë të inspektimit;
ç) i rekomandon subjektit përmirësimin e situatës në bazë të gjetjeve të inspektimit.
7. Inspektimi i ofruesve të AFP-së është në katër lloje:
a) Inspektim i orientuar;
b) Inspektim tematik;
c) Inspektim i plotë;
ç) Inspektim i detyrave të lëna.
8. Inspektimi i orientuar nënkupton një inspektim specifik për një proces konkret të veprimtarisë së ofruesve të AFP-së, për të cilin ka një ankesë apo ka informacion për shkelje të legjislacionit për arsimin profesional. Inspektimi i orientuar është i paplanifikuar.
9. Inspektimi tematik është i planifikuar dhe synon kontrollin, monitorimin dhe vlerësimin e fushave të caktuara të funksionimit të ofruesit të AFP-së, të cilat konsiderohen përparësi për politikat e AFP-së.
10. Inspektimi i plotë nënkupton vlerësimin e jashtëm, tërësor të veprimtarisë së ofruesit të AFP-së. Inspektimi i plotë mbështetet në raportin e vetëvlerësimit të ofruesit të AFP-së.
11. Inspektimi i plotë për ofruesit e AFP-së, në rastin kur përfshihet dhe inspektimi i aspekteve të kulturës së përgjithshme, realizohet në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për arsimin.
12. Inspektim i detyrave të lëna (rekomandimeve) nënkupton inspektimin e rekomandimeve përkatëse dhe detyrave të lëna për përmirësimin e situatës pas inspektimeve të mëparshme.
13. Inspektimet kryhen me urdhër të ministrit përgjegjës për AFP-në. Në rastet kur inspektimi realizohet sipas pikës 11, të këtij vendimi, inspektimi kryhet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për AFP-në dhe ministrit përgjegjës për arsimin. Në urdhrin e ministrit përcaktohen:
a) subjekti që do të inspektohet;
b) lloji i inspektimit;
c) afati për përfundimin e inspektimit;
ç) periudha për të cilën do të kryhet inspektimi.
14. Dokumentet e procedurës së inspektimit janë sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
15. Njësia e inspektimit:
a) përgatit programin e inspektimit, i cili miratohet nga eprori i tij drejtpërdrejtë;
b) përgatit raportin e inspektimit;
c) përgatit planin vjetor të njësisë përgjegjëse për inspektimet në AFP dhe e dërgon për miratim te ministri.
16. Në hartimin e planit vjetor të inspektimit kanë përparësi subjektet:
a) të cilat janë konstatuar me shkelje gjatë inspektimeve të mëparshme;
b) të cilave u janë lënë rekomandime për përmirësimin e situatës nga inspektime të mëparshme;
c) të cilat kanë arritje krahasimisht të ulëta të nxënësve/kursantëve lidhur me programet që ofruesit e AFP-së ofrojnë, por dhe të arritjeve të ulëta të nxënësve në provimet e maturës shtetërore profesionale.
17. Në ushtrimin e inspektimit, njësia inspektimit:
a) kryen hetim të plotë administrativ, sipas Kodit të Procedurave Administrative;
b) kërkon dhe merr nga subjektet çdo informacion të nevojshëm për kryerjen e detyrave të tij;
c) inspekton dosjet dhe çdo dokument lidhur me administrimin e veprimtarisë së ofruesve të AFP-së.
18. Ministri përgjegjës për AFP-në urdhëron subjektin e inspektimit për të korrigjuar shkeljet e konstatuara dhe për të eliminuar pasojat e tyre, duke përcaktuar një afat të arsyeshëm për këtë qëllim. Subjekti i inspektimit është i detyruar të njoftojë për korrigjimin e shkeljeve brenda afatit të përcaktuar dhe, nëse është e nevojshme, të paraqesë provat që e vërtetojnë këtë fakt. Për verifikimin e korrigjimit të shkeljeve mund të kryhet një inspektim sipas pikës 12, të këtij vendimi.
19. Në rast të moszbatimit të rekomandimeve të dhëna, sipas pikës 18, të këtij vendimi, në mënyrë të përsëritur, ministri përgjegjës për AFP-në mund të vendosë mbylljen e një ofruesi të AFP-së, kur nuk respektohen kriteret e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas shkronjës “e”, të nenit 7, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”.
IV. DISPOZITA TRANZITORE DHE TË FUNDIT
20. Ministria përgjegjëse për AFP-në, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, ngarkohet të marrë masat e nevojshme, në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike, për shtimin e njësisë përgjegjëse për inspektimin në struktuën dhe organikën e ministrisë.
21. Ngarkohet ministria përgjegjëse për AFP-në për miratimin e rregullores së brendshme të detajuar të punës për inspektimin në fushën e AFP-së, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
22. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe ofruesit e AFP-së për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKITË DURRËS, SHIJAK DHE KAMZË TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te bashkitë Durrës, Shijak dhe Kamzë, përkatësisht, të 249 (dyqind e dyzet e nëntë) njësive individuale të banimit, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, detajuar, si më poshtë vijon:
a) Bashkia Durrës 131 (njëqind e tridhjetë e një) njësi individuale banimi;
b) Bashkia Shijak 101 (njëqind e një) njësi individuale banimi;
c) Bashkia Kamzë 17 (shtatëmbëdhjetë) njësi individuale banimi.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkitë Durrës, Shijak dhe Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKIA KRUJË TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te Bashkia Krujë të 260 (dyqind e gjashtëdhjetë) apartamenteve në 13 (trembëdhjetë) njësitë e banimit në ndërtesa (pallat), në Njësinë Administrative Thumanë, Bashkia Krujë, sipas listës së inventarit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Eugena Tomini, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDËRKOMBËTARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN E UNIONIT HORIZON EUROPE – PROGRAMI KUADËR PËR KËRKIMIN DHE INOVACIONIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Unionit Horizon Europe – programi kuadër për kërkimin dhe inovacionin, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË LLOJEVE TË MBROJTURA TË BIMËVE/FLORËS DHE KAFSHËVE/FAUNËS TË VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 20, të ligjit nr.9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së llojeve të mbrojtura të bimëve/florës dhe kafshëve/faunës së vendit, sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.253, DATË 24.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PLANIT TË KONSOLIDIMIT FINANCIAR TË SEKTORIT PUBLIK, ELEKTROENERGJETIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “E”, të seksionit IV, e pikës 22, të shtojcës, që i bashkëlidhet marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, ratifikuar me ligjin nr.170/2014, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Të dhënat e tabelës 6 “Reduktimi i humbjeve të rishikuara dhe synimet për grumbullimin e të ardhurave/arkëtimeve”, të kreut IV, të tekstit të planit të konsolidimit financiar të sektorit publik, elektroenergjetik, që i bashkëlidhet vendimit nr.253, datë 24.4.2019, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen me të dhënat në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, sh.a., OSHEE GROUP, sh.a, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., dhe Enti Rregullator i Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.422, DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT E KRYENEGOCIATORIT, PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe në vijim të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e Kryeministrit dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në kreun I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit, për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Paragrafët 4-7, 9-10, 13, 14, 16, të pikës 1, zëvendësohen, përkatësisht, me paragrafët, si më poshtë vijon:
– “Z. Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm dhe z. Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, bashkënegociatorë përgjegjës për kapitullin 24”;
– “Znj. Megi Fino, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, negociator përgjegjës për kapitullin 31”;
– “Znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, negociator përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitujt 4, 32 dhe 33”;
– “Z. Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, negociator përgjegjës për kapitujt 1, 2, 3, 6, 7, 20 dhe 30 si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 19, 28”;
– “Znj. Vasilika Vjero, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, negociator përgjegjës për kapitujt 16 dhe 29”;
– “Z. Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, negociator përgjegjës për kapitullin 15”;
– “Znj. Albana Tole, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, negociator përgjegjës për kapitullin 25”;
– “Znj. Nina Guga, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, negociator për kapitullin 26”;
– “Znj. Natasha Ahmetaj, zëvendësguvernator i dytë në Bankën e Shqipërisë, negociator përgjegjës për kapitullin 17”;
2. Paragrafi 8, i pikës 1, shfuqizohet.
3. Pas paragrafit të fundit, të pikës 1, shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:
“ – Znj. Romina Kuko, zëvendësministër i Brendshëm, negociator përgjegjës për kapitullin 22;
– Znj. Enkelejda Muçaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, negociator përgjegjës për kapitujt 14 dhe 21, dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 10;
– Znj. Denada Seferi, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 19 dhe 28;
– Znj. Mirlinda Karçanaj, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 10;
– Znj. Albana Koçiu, drejtor i Departamentit të Administratës Publike, negociator përgjegjës për reformën në administratën publike.”.
4. Shkronjat “b”, “c”, “ç”, “d” e “dh”, të pikës 6, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“b) “Nënkomiteti i Stabilizimit dhe Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri, “Tregu i Brendshëm dhe Konkurrenca”, bashkëkryesohet nga negociatori përgjegjës për kapitujt 1, 2, 3, 6, 7, 20 dhe 30 si dhe bashkënegociatori përgjegjës për kapitujt 19 dhe 28;
c) Nënkomiteti i Stabilizimit dhe Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri “Transporti, mjedisi, energjia dhe zhvillimi rajonal”, bashkëkryesohet nga negociatori përgjegjës për kapitujt 14 dhe 21, dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 10;
ç) Nënkomiteti i Stabilizimit dhe Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri, “Tregtia, Industria, doganat dhe tatimet” bashkëkryesohet nga negociatori përgjegjës për kapitujt 16 dhe 29;
d) “Nënkomiteti i Stabilizimit dhe Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri “Për inovacionin, shoqërinë e informacionit dhe politikat sociale” bashkëkryesohet nga negociatori përgjegjës për kapitujt 14 dhe 21 dhe bashkënegociatori përgjegjës për kapitullin 10;
dh) “Nënkomiteti i Stabilizimit dhe Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri, “Çështjet ekonomike, financiare dhe statistikat”, bashkëkryesohet nga negociatori përgjegjës për kriteret ekonomike, dhe kapitujt 4, 32 dhe 33.”.
5. Pika 7, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Anëtarët e Grupit Negociator, në bashkërendim me Kryenegociatorin, me qëllim garantimin e prioriteteve të kapitujve specifikë gjatë hartimit të programimit të asistencës financiare të Bashkimit Evropian për sektorët, për të cilët janë përgjegjës, japin mendim gjatë procesit të identifikimit të prioriteteve për mbështetje. Kryenegociatori i paraqet Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës prioritetet e dakordësuara në Grupin Negociator. Institucioni përgjegjës për kryesimin e secilit kapitull negociues siguron zbatimin e parashikimeve të kësaj pike.”.
6. Pas pikës 7, të kreut I, shtohen pikat 7/1 dhe 7/2, me këtë përmbajtje:
“7/1. Kryenegociatori në koordinim me Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës jep mendim gjatë prioritizimit të projekteve me rëndësi kombëtare, në përputhje me prioritetet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, strategjitë kombëtare ndërsektoriale dhe sektoriale.
7/2. Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës informon Kryenegociatorin për procesin e identifikimit të prioriteteve dhe programimit të asistencës financiare të BE-së, në funksion të procesit të aderimit në Bashkimin Evropian dhe të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.”.
7. Pika 8, e kreut I, shfuqizohet.
II. Në pikën 2, të kreut II, fjalët “… është Koordinatori Kombëtar për Instrumentin e Paraaderimit të asistencës financiare të Bashkimit Evropian dhe …” shfuqizohen.
III. Në pikën 2, të kreut III, pas fjalëve “… Kabineti në koordinim me …” shtohen fjalët “… Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ….”.
IV. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, anëtarët e Grupit Negociator, institucionet e përmendura në pikat 1, 2, 3, të kreut I, të këtij vendimi dhe Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.620, DATË 22.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE, PËR VENDOSJEN E DETYRIMIT TË SHËRBIMIT PUBLIK NDAJ TË LICENCUARVE NË SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE, GJATË GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE DHE PËR PËRBALLIMIN E PARANDALIMIN E SAJ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.620, datë 22.10.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun IV bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Furnizuesit të Shërbimit Universal, për të përmbushur kërkesat e klientëve që përfitojnë nga Shërbimi Universal i Furnizimit, në përputhje me parashikimet e pikës 1, të nenit 109, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, i vendoset detyrimi i shërbimit publik për të blerë sasinë e nevojshme të energjisë elektrike, të prodhuar nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, aksionet e së cilës kontrollohen plotësisht ose pjesërisht nga shteti. Shoqëria e prodhimit, e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, furnizon Furnizuesin e Shërbimit Universal me të gjithë sasinë e nevojshme, për qëllime të plotësimit të kërkesës së plotë të Furnizuesit të Shërbimit Universal, sipas çmimit për njësi të energjisë elektrike, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqërisë.
Për qëllime të furnizimit me të gjitha sasitë e nevojshme për nevojat e Furnizuesit të Shërbimit Universal, shoqëria e prodhimit e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik ka të drejtë të marrë me qira asete gjeneruese termike të energjisë, të shkëmbejë/të depozitojë apo të kryejë transaksione shitblerjeje energjie në tregun e lirë.
Shoqëria publike e prodhimit të energjisë organizon një procedurë të posaçme konkurruese, me afat të përshpejtuar për marrjen me qira të aseteve gjeneruese termike të energjisë me afat deri në tri vite, sipas procedurave të përcaktuara në kreun VIII, të këtij vendimi.
Ndërmjet Furnizuesit të Shërbimit Universal dhe shoqërisë së prodhimit të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik nënshkruhet kontrata, e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në lidhje me sasinë e energjisë së nevojshme për furnizimin e të gjithë klientëve universalë dhe çmimin për njësi, sipas burimit të energjisë. Shoqëria publike e prodhimit, në bazë të kontratës, lëshon ndaj furnizuesit të shërbimit publik çdo muaj faturën për koston përkatëse të prodhimit të energjisë nga burimet e veta, nga asetet e marra me qira dhe/ose blerja e energjisë.
Për efekt të këtij vendimi, Furnizuesi i Shërbimit Universal dërgon te prodhuesi publik i energjisë programe mujore, javore dhe ditore për mbulimin e kërkesës me energji elektrike për klientët fundorë. Shoqëria publike e prodhimit kryen veprime shitjeje energjie dhe depozitimi/shkëmbimi vetëm pasi plotëson të gjitha nevojat e furnizimit të Furnizuesit të Shërbimit Universal.”.
b) Pika 2 shfuqizohet.
2. Në kreun VIII bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Titulli i kreut ndryshohet dhe zëvendësohet me “PROCEDURA E MARRJES ME QIRA TË ASETEVE GJENERUESE DHE SHKËMBIMIT/DEPOZITIMIT TË ENERGJISË NGA PRODHUESI PUBLIK I ENERGJISË”.
b) Pas pikës 11 shtohen pikat 11, 12, 13, 14, 15 dhe 16, me këtë përmbajtje:
“12. Shoqëria publike e prodhimit të energjisë për nevoja të sigurimit të gjithë energjisë së nevojshme për furnizimin e klientëve universalë, kryen procedurë të posaçme konkurruese për marrjen me qira të aseteve gjeneruese termike të energjisë për një periudhë deri në 3 (tre) vjet.
13. Shoqëria publike e prodhimit të energjisë hap procedurën konkurruese duke bërë njoftim në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, në website-in e saj dhe në një gazetë ndërkombëtare. Afati i hapjes së aplikimeve është jo më pak se 7 (shtatë) ditë nga botimi në gazetën ndërkombëtare.
14. Kriteret e kualifikimit të ofruesve në procedurën e posaçme konkurruese të zhvilluar nga shoqëria, ndër të tjera, janë, si më poshtë vijon:
a) Dokumentacioni ligjor mbi të drejtat e përdorimit apo të pronësisë së asetit gjenerues që ofrohet për dhënien me qira;
b) Kapaciteti prodhues i asetit;
c) Dokumentacioni për gjendjen teknike të asetit, rendimentin e prodhimit, specifikimet e lëndës djegëse, konsumin nominal dhe treguesit e ndotjes mjedisore;
ç) Garancia për aftësinë gjeneruese të sigurt dhe pa ndërprerje të asetit;
d) Deklarata për rendimentin në prodhim të asetit gjenerues të ofruar;
dh) Deklarata për dhënien e garancisë së lidhjes së asetit në sistemin e transmetimit 220 KV të Republikës së Shqipërisë.
15. Shoqëria e prodhimit përcakton në procedurën e qiramarrjes një sistem vlerësimi për ofertën fituese, i cili bazohet kryesisht mbi çmimin më të ulët të qirasë së ofruar si dhe, ndër të tjera, por pa u kufizuar në:
a) efiçencën në gjenerim të asetit;
b) emetimet e gazrave serë;
c) kostot e operimit dhe mirëmbajtjes.
16. Shoqëria publike e prodhimit të energjisë bën publike gjithë dokumentacionin dhe ofertat fituese në faqen zyrtare të internetit.”.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enti Rregullator i Energjisë dhe shoqëritë KESH, sh.a., OSHEE Group, sh.a., dhe OST, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT 2022–2024, TË STRATEGJISË PËR KONTROLLIN E ARMËVE TË VOGLA, TË LEHTA, MUNICIONEVE DHE EKSPLOZIVËVE 2019–2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të veprimit 2022-2024, të Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019–2024, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË GODINËS SË INSTITUTIT TË NDËRTIMIT DHE CAKTIMIN E INSTITUTIT TË NDËRTIMIT SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për financimin e rikonstruksionit të godinës së Institutit të Ndërtimit, me vlerë të plotë në masën 68 930 414 (gjashtëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e tridhjetë mijë e katërqind e katërmbëdhjetë) lekë, pa TVSH.
2. Në buxhetin e miratuar për vitin 2021, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim” 01110, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm” shtohet fondi prej 13 786 082 (trembëdhjetë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e tetëdhjetë e tre) lekësh pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të godinës së Institutit të Ndërtimit.
3. Instituti i Ndërtimit caktohet si njësi zbatuese për zbatimin e projektit të rikonstruksionit të godinës së Institutit të Ndërtimit.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Instituti i Ndërtimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTEVE PËR KTHIMIN E BAZËS AJRORE KUÇOVË NË BAZË AJRORE TAKTIKE TË NATO-S
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projekteve për kthimin e Bazës Ajrore Kuçovë në Bazë Ajrore Taktike të NATO-s.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Komandës së Forcës Ajrore.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë” dhe “truall”, “ndërtesë” dhe “kultura bujqësore”, me vlerë 109 555 139 (njëqind e nëntë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e njëqind e tridhjetë e nëntë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 109 555 139 (njëqind e nëntë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e njëqind e tridhjetë e nëntë) lekësh, përballohet nga Komanda e Forcës Ajrore, sipas buxhetit të akorduar nga Ministria e Mbrojtjes, në programin buxhetor “Forcat e luftimit” 02120, për vitin 2021.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 40 000 (dyzet mijë) lekë, përballohen nga Ministria e Mbrojtjes.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është 12 (dymbëdhjetë) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi kanë paraqitur pranë Ministrisë së Mbrojtjes certifikatën e pronësisë/kartelën e pasurisë së paluajtshme, hartën treguese të regjistrimit, të dhënat e llogarisë bankare, në të cilën do të kryhet pagesa e vlerës së shpronësimit, aktin e përfaqësimit të noterizuar, me anë të të cilit autorizohet një përfaqësues për tërheqjen e vlerës së shpronësimit, në rastet kur përfitues të saj janë më shumë se një pronar, si dhe kopjen e kartës së identitetit ose të pasaportës.
8. Komanda e Forcës Ajrore kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe mbarimit të punimeve është në përputhje me parashikimet e projektit.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes për Komandën e Forcës Ajrore.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes për Komandën e Forcës Ajrore.
12. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Forcës Ajrore, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Berat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
P R O J E K T V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR KRYEMINISTRINË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS “DIGJITALIZIMI I TË DHËNAVE KADASTRALE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 6, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i shtohet fondi prej 652 000 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë e dy milionë) lekësh, në formën e transfertës në artikullin 604, për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për projektin “Digjitalizimi i të dhënave kadastrale të pasurive të paluajtshme”.
2. Efekti financiar, prej 652 000 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë e dy milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.
3. Ngarkohen Kryeministria, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SISTEMIN E NJOHJES SË TË NXËNIT TË MËPARSHËM JOFORMAL DHE INFORMAL
Në mbështetje të nenit 100 të dhe të pikës 4, të nenit 21, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PJESA E PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për objekt përcaktimin e rregullave për njohjen e të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal për arritjen e kualifikimeve profesionale në nivelet 2 deri në 5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), me përjashtim të kualifikimeve që lëshohen nga institucionet e arsimit të lartë, niveli 5, KSHK.
2. Përveç parimeve të përcaktuara në nenin 5, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, sistemi i njohjes së të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal mbështetet edhe në parimet e mëposhtme:
a) E drejta individuale, e cila përfshin procesin e njohjes së të nxënit të mëparshëm, është zgjedhje vullnetare e individit;
b) Besueshmëria, e cila konsiston në proces, procedura dhe kritere për njohjen e të nxënit joformal dhe informal, i cili duhet të jetë i drejtë, transparent dhe i mbështetur në mekanizmat e sigurimit të cilësisë;
c) Aksesi i barabartë dhe trajtim i drejtë, si një sistem i njohjes së të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal, që duhet të respektojnë interesat legjitimë të kandidatëve, si dhe të garantojnë pjesëmarrje të balancuar e trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët.
3. Sistemi i njohjes së të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal përfshin:
a) procesin e akreditimit të ofruesit të arsimit dhe formimit profesional (në vijim, AFP) për njohjen e të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal;
b) njohjen e të nxënit të mëparshëm nga ofruesit e AFP-së të akredituar, nëpërmjet dhënies së një kualifikimi në formën e një certifikate.
II. INSTITUCIONE PËRGJEGJËSE PËR SISTEMIN E NJOHJES SË TË NXËNIT TË MËPARSHËM JOFORMAL DHE INFORMAL
4. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e procesit të njohjes së të nxënit të mëparshëm (në vijim, NJNM) joformal dhe informal janë:
a) ministria përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional, që miraton procedurat e rregulloret e njohjes së të nxënit të mëparshëm;
b) Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve;
c) Agjencia e Kombëtare për Punësim dhe Aftësi;
ç) ofruesit e AFP-së të akredituar si njohës të të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal.
5. Ministria përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional harton politikat e përgjithshme për njohjen e të nxënit të mëparshëm joformal e informal.
6. Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, me qëllim funksionimin e sistemit të njohjes së të nxënit të mëparshëm joformal e informal:
a) propozon udhëzimin për procedurat e vlerësimit e të certifikimit, sipas pikës 2, të nenit 21, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”;
b) akrediton ofruesit e AFP-së si njohës të të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal, sipas shkronjës “k”, të pikës 3, të vendimit nr.673, datë 16.10.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve”.
7. Agjencia e Kombëtare për Punësim dhe Aftësi bashkëpunon e ndihmon ofruesit AFP-së të akredituar për njohjen e të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal:
a) duke identifikuar e orientuar kandidatë potencialë nga punëkërkuesit e papunë për sistemin e njohjes së të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal;
b) duke vendosur në dispozicion burimet e nevojshme për procesin e njohjes së të nxënit të mëparshëm për institucionet publike ofruese të AFP-së të akredituara si ofrues të njohjes së të nxënit të mëparshëm, sipas shkronjës “ç”, të pikës 3, të vendimit nr.554, datë 31.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi”.
8. Ofruesit e AFP-së të akredituar për njohjen e të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal kanë për detyrë:
a) të ofrojnë informacion për të gjitha fazat e procesit të njohjes së të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal, në bazë të legjislacionit në fuqi dhe të publikimeve zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve;
b) të ofrojnë informacion për mundësitë e plotësimit të kualifikimit, në rastet kur, në përfundim të procesit, konstatohet se kandidati e ka të nevojshëm përvetësimin e disa rezultateve të të nxënit;
c) të mbajnë një regjistër të veçantë të arritjeve të çdo kandidati dhe të të certifikuarve nëpërmjet procesit të njohjes së të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal;
ç) të raportojnë rregullisht tek Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, sipas instrumenteve të përcaktuara për ecurinë e procesit të NJNM-së joformal dhe informal;
d) të zbatojnë procedurat për njohjen e të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal.
III. SISTEMI I NJOHJES SË TË NXËNIT TË MËPARSHËM JOFORMAL DHE INFORMAL
9. Njohja e të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal realizohet vetëm nga ofrues të AFP-së të akredituar nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve.
10. Ofruesit e akredituar për njohjen e të nxënit të mëparshëm janë institucione të AFP-së, sipas përkufizimit të pikës 5, të nenit 4, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, me kapacitetet e nevojshme, që përmbushin standardet e akreditimit për procesin e njohjes së të nxënit të mëparshëm.
11. Strukturat përgjegjëse të ofruesit të AFP-së së akredituar për njohjen e të nxënit të mëparshëm, në zbatimin e procesit të njohjes së të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal, janë:
a) koordinatori, i cili është përgjegjës për administrimin e zbatimin e procesit të njohjes së të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal;
b) eksperti këshillues, i cili informon e orienton kandidatët për procesin në tërësi dhe në të gjitha fazat e veçanta;
c) eksperti vlerësues i fushës përkatëse profesionale, i cili verifikon dëshmitë e të nxënit individual dhe vlerëson nëse këto përputhen me standardet.
12. Ekspertët e jashtëm për ofruesit publikë të akredituar përzgjidhen sipas përcaktimeve të këtij vendimi dhe legjislacionit përkatës në fuqi.
13. Procesi i njohjes së të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal përfundon me dhënien e certifikatës për nivelin përkatës të KSHK-së dhe bazohet në procesin e vlefshmërisë, i cili përfshin 4 (katër) faza:
a) Identifikimin;
b) Dokumentimin;
c) Vlerësimin;
ç) Certifikimin e rezultateve të të nxënit.
14. Procedura e vlerësimit të rezultateve të të nxënit, sipas shkronjës “c”, të pikës 13, të këtij vendimi, realizohet sipas pikave 1 dhe 2, të nenit 28, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të përcaktuara në standardet e kualifikimeve profesionale të niveleve 2, 3, 4 dhe 5, të KSHK-së.
15. Ofruesit e AFP-së të akredituar të njohjes së të nxënit të mëparshëm arkivojnë të gjithë dokumentacionin lidhur me procesin e njohjes.
16. Njohja e të nxënit realizohet në përputhje me procedurat e vlerësimit e të certifikimit, të cilat përfshijnë procedurat e vlerësimit dhe të ankimimit, sigurimin e cilësisë, akreditimin e ofruesve të njohjes e të të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal, procedurat e ankimimit, administrimit, si dhe tarifat e aplikuara për kandidatët e procesit të njohjes së të nxënit joformal dhe informal, si dhe për institucionet që aplikojnë për akreditim, të miratuara nga ministri përgjegjës për arsimin profesional, sipas pikës 2, të nenit 21, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”.
17. Ngarkohen Ministra e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, si dhe institucionet ofruese të AFP-së të akredituara për njohjen e të nxënit të mëparshëm për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1128, DATË 30.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN NGA REPUBLIKA E SHQIPËRISË TË VENDIMEVE TË KËSHILLIT TË BASHKIMIT EVROPIAN PËR VENDOSJEN, NDRYSHIMIN DHE SHFUQIZIMIN E MASAVE SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE, TË NDRYSHUARA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, e të neneve 3, pika 3, shkronja “c”, dhe 6, pikat 2 e 5, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 5, të ligjit nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 3, e kreut I, të vendimit nr.1128, datë 30.12.2020, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2016/1693, “Për vendosjen e masave kufizuese kundër ISIL dhe Al-Qaeda dhe individëve, grupeve, ndërmarrjeve dhe entiteteve të lidhura me to”, të ndryshuar me vendimet e Këshillit të Bashkimit Evropian (CFSP) 2018/1000, (CFSP) 2019/271, (CFSP) 2019/1944, (CFSP) 2020/1126, (CFSP) 2020/1516, (CFSP) 2021/613 dhe (CFSP) 2021/1825”, sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
Ngarkohen organet e parashikuara në pikën 1, të nenit 11, të ligjit nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe organet e parashikuara në pikën 1, të nenit 7, të ligjit nr.153/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ