Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Dhjetor 2021:
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E NGRITJES, ADMINISTRIMIT, MIRËMBAJTJES SË BAZËS SË TË DHËNAVE PËR RININË, SI DHE MËNYRËN E NDËRVEPRIMIT TË SAJ ME BAZAT E TJERA TË TË DHËNAVE SHTETËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të pikës 4, të nenit 18, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin dhe funksionimin e bazës së të dhënave për rininë, si regjistër elektronik për rininë (në vijim, RER).
2. Agjencia Kombëtare për Rininë (në vijim, AKR), si institucioni përgjegjës për rininë, administron RER-in dhe është dhënës i informacionit, në kuptim të legjislacionit për bazat e të dhënave shtetërore.
3. Të dhënat që përmban RER-i ndahen në të dhëna parësore dhe në të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:
a) Të dhëna parësore do të konsiderohen:
i. numri i aplikimit nga Organizata Kombëtare Përfaqësuese Rinore, organizata rinore dhe për të rinjtë, në vend apo në diasporë, për regjistrim në RER;
ii. numri i regjistrimit në RER të Organizatës Kombëtare Përfaqësuese Rinore, organizatave rinore dhe për të rinjtë, në vend apo në diasporë;
iii. të dhëna për politikat rinore kombëtare, të miratuara në fushën e planifikimit strategjik rinor (në rast se ka);
iv. të dhëna për politikat rinore vendore (në rast se ka);
v. të dhëna për politikat rinore evropiane (në rast se ka).
b) Të dhëna dytësore konsiderohen ato të dhëna që përfshijnë:
i. të dhënat e regjistrit gjyqësor në lidhje me organizatat jofitimprurëse, për numrin dhe datën e regjistrimit të subjektit, llojin (formën e organizimit) e organizatës jofitimprurëse, emrin e subjektit, fushën e veprimtarisë dhe misionin e tij;
ii. të dhënat e regjistrit tregtar për datën e regjistrimit të subjektit, emrin e subjektit/shoqërisë tregtare, numrin unik të identifikimit të subjektit, llojin e shoqërisë tregtare (formën e organizimit të saj), fushën e veprimtarisë dhe misionin e tij/saj, statusin e tij;
iii. të dhënat e regjistrave që lidhen me studime, analiza, vlerësime, vëzhgime dhe vlerësime të zbatimit të politikave rinore (në rast se ka);
iv. të dhënat e regjistrave që kanë të bëjnë me financimin e projekteve dhe veprimtarive rinore (në rast se ka).
Të dhënat dytësore të mësipërme trajtohen si informacion konfidencial, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit të posaçëm, për aq sa trajtohen si të tilla prej tij. Përdorimi i tyre është i lejuar vetëm për punonjësit e AKR-së, që përdorin bazën e të dhënave.
4. Mbrojtja dhe përpunimi i të dhënave të grumbulluara bazohet në:
a) parimin e ndershmërisë, të drejtësisë dhe të ligjshmërisë;
b) grumbullimin për qëllime specifike, të përcaktuara qartë dhe në përputhje me këto qëllime;
c) saktësinë nga ana faktike dhe, kur është e nevojshme, përditësimin e kryerjen e çdo veprimi për të siguruar që të dhënat e pasakta të ndryshohen ose të rregullohen;
ç) garantimin e masave teknike dhe organizative të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave bëhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi;
d) kryerjen e çdo veprimi në sistem lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave etj., duke lënë gjurmë me qëllim garantimin e sigurisë dhe konfidencialitetit të të dhënave;
dh) mbajtjen e të dhënave që lejojnë identifikimin e subjekteve (organizatave rinore dhe për të rinjtë) për një kohë të caktuar, por jo më tepër sesa është e nevojshme për arritjen e qëllimit për të cilin janë regjistruar.
5. Të dhënat e mbledhura nga RER-i mund të përdoren për kërkime shkencore e statistikore, analiza, vlerësime apo projekte të ndryshme, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
6. Të dhënat e RER-it përditësohen periodikisht nga AKR-ja, sa herë është e nevojshme apo ka ndryshime të këtyre të dhënave.
7. Niveli i aksesimit në sistemin për personat e interesuar të bazës së të dhënave RER është, si më poshtë vijon:
a) Të rinjtë, organizatat rinore dhe organizatat për të rinjtë dhe Organizata Kombëtare Përfaqësuese për Rininë kanë nivel aksesi si lexues të RER-it e dërgues të kërkesave për informacion publik, nëpërmjet portalit “Për rininë”;
b) AKR-ja ka akses si administrator dhe përdorues i RER-it. Niveli i aksesimit, funksionet e të drejtat për secilën kategori përdoruesi të sistemit janë në përputhje me pozicionin e punës së punonjësit të AKR-së.
8. Baza e të dhënave të RER-it ndërvepron nëpërmjet shkëmbimit elektronik të të dhënave me:
a) bazën e të dhënave të regjistrit gjyqësor për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse (OJF-ve);
b) bazën e të dhënave të regjistrit tregtar;
c) bazën e të dhënave të informacionit të planifikimit të integruar – SIPI.
9. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Agjencia Kombëtare për Rininë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Organizata Kombëtare Përfaqësuese Rinore, organizatat rinore dhe organizatat për të rinjtë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTACIONIT SHOQËRUES TË FORMULARIT, AFATEVE DHE PROCEDURËS SË SHQYRTIMIT TË KËRKESËS PËR PAJISJE ME DEKLARATË, SI DHE TË DEKLARATËS PËR ARRITJEN E FAZËS SË ZHVILLIMIT PËRFUNDIMTAR TË KËRKIMIT SHKENCOR PËR BURIMET GJENETIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 49/1, të ligjit nr.9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentacionit shoqërues të formularit, afateve dhe procedurës së shqyrtimit të kërkesës për pajisje me deklaratë të kontrollit të detajuar ndaj kërkimit shkencor për burimet gjenetike, si dhe të deklaratës për arritjen e fazës së zhvillimit përfundimtar të kërkimit shkencor, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
2. Dokumentacioni shoqërues i formularit përmban:
a) certifikatën për përdorimin e materialit biologjik të lëshuar nga ministria për kërkesën për akses në burimet gjenetike in-situ;
b) dokumentin e miratimit nga ministria për aksesin në burime gjenetike ex-situ;
c) marrëveshjen për transferimin e materialit nga burimet ex- situ, që janë në
pronësi apo financim publik dhe të të dhënave shoqëruese të tyre;
ç) pëlqimin e informuar paraprak me shkrim nga komuniteti, për të pasur akses në dijet, risitë dhe praktikat e komuniteteve vendore, në lidhje me burimet gjenetike e njohuritë tradicionale;
d) miratimin paraprak për transferimin e materialeve gjenetike te të tretët në bazë të normave ndërkombëtare, të lëshuar nga ministria/apo pronari privat, si dhe marrëveshjen e nënshkruar nga palët;
dh) informacionin për materialin biologjik, që do të jetë objekt i shfrytëzimit të burimeve gjenetike, numrin e mostrave dhe sasitë përkatëse, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
e) informacionin për metodat laboratorike për veprimtaritë kërkimore-shkencore në burimet gjenetike, sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Formulari i kërkesës së bashku me dokumentacionin shoqërues të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, depozitohet pranë strukturës përgjegjëse në ministri, e cila e shqyrton brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e dorëzimit.
4. Në rast se gjatë shqyrtimit të kërkesës struktura përgjegjëse pranë ministrisë konstaton se dokumentacioni i depozituar sipas pikës 2, të këtij vendimi, nuk është i plotë, njofton me shkrim palën kërkuese për plotësimin e të metave brenda 10 (dhjetë) ditëve.
5. Pas vlerësimit pozitiv nga struktura përgjegjëse, ministri miraton me urdhër deklaratën e kontrollit të detajuar ndaj kërkimit shkencor për burimet gjenetike brenda 10 (dhjetë) ditëve.
6. Pajisja me deklaratën për arritjen e fazës përfundimtare të kërkimit shkencor kryhet pas plotësimit nga kërkuesi të formularit dhe dokumentacionit shoqërues, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 49/2, të ligjit nr.9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, të ndryshuar, dhe depozitimit pranë ministrisë, e cila e shqyrton atë brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e dorëzimit të formularit të kërkesës.
7. Në rast se gjatë shqyrtimit të kërkesës struktura përgjegjëse pranë ministrisë konstaton se dokumentacioni i depozituar nuk është i plotë, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 6, të këtij vendimi, njofton me shkrim palën kërkuese për plotësimin e të metave brenda 10 (dhjetë) ditëve.
8. Pas vlerësimit pozitiv nga struktura përgjegjëse, ministri miraton me urdhër deklaratën për arritjen e fazës së zhvillimit përfundimtar të kërkimit shkencor të burimeve gjenetike brenda 10 (dhjetë) ditëve.
9. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe strukturat përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Olta Manjani emërohet zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KODIT TË CILËSISË SË ARSIMIT TË LARTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 105, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Kodit të Cilësisë së Arsimit të Lartë, si përmbledhje e standardeve shtetërore për sigurimin e cilësisë për institucionet e arsimit të lartë, për programet e studimit me karakter profesional, programet e ciklit të parë të studimeve “Bachelor”, programet e studimit të ciklit të dytë, programet e studimit të ciklit të tretë “Master ekzekutiv”, programet e studimit të ciklit të tretë “Doktoratë”, si dhe programet e studimit të ciklit të tretë “Specializime afatgjata”, përkatësisht sipas shtojcave nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Procesi i sigurimit të jashtëm të cilësisë, akreditimit institucional dhe programeve të studimit vijon sipas kuadrit ligjor ekzistues deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
3. Vendimi nr.531, datë 11.9.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Kodit të Cilësisë së Arsimit të Lartë”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Elbasan, Zonat e Stimuluara, Vlorë, Gjirokastër, Durrës, Lushnjë, Fier dhe Sarandë.
2. Masa e kompensimit është 43 287,27 (dyzet e tre mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë presje njëzet e shtatë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 436 983 853,04 (katërqind e tridhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e tre mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tre presje zero katër) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës 14, të shtojcës 1, përkatësisht, nr.1, nr.7, nr.9, nr.14, nr.19, nr.24, nr.25, nr.26, nr.37, nr.56, nr.60, nr.78, nr.145, nr.167, nr.172, nr.174 dhe nr.186, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Elbasan, Zonat e Stimuluara, Vlorë, Gjirokastër, Durrës, Lushnjë, Fier dhe Sarandë, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KRITEREVE TË USHTRIMIT DHE TË MONITORIMIT TË VEPRIMTARIVE KËRKIMORE-SHKENCORE NË FONDIN PYJOR KOMBËTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 20, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e kritereve për ushtrimin, miratimin dhe monitorimin e veprimtarive kërkimore-shkencore në Fondin Pyjor Kombëtar, sipas këtij vendimi.
2. Veprimtaritë kërkimore-shkencore në fushën e pyjeve kryhen nga institucione arsimore e shkencore, subjekte fizike e juridike, që përmbushin kushtet dhe kriteret, sipas legjislacionit të posaçëm në fushën kërkimore-shkencore, duke konsideruar edhe respektimin e barazisë gjinore.
3. Kriteret që duhet të përmbushë subjekti, sipas përcaktimit të pikës 2, të këtij vendimi, janë, si më poshtë vijon:
a) Të ketë gradë shkencore në fushën e pyjeve dhe përvojë mbi 10-vjeçare në fushën e pyjeve;
b) Të ketë të paktën 3 specialistë pyjesh me kualifikim jo më të ulët se “Master Shkencor” dhe drejtuesin me gradë shkencore dhe përvojë mbi 10-vjeçare në fushën e pyjeve;
c) Për institucionet arsimore e shkencore dhe subjektet fizike e juridike që kërkojnë të ngrenë baza eksperimentale dhe didaktike në fondin pyjor publik, drejtuesi i grupit studimor të ketë mbi 10 vjet eksperiencë në fushën e pyjeve;
ç) Të marrë përsipër përgjegjësinë për mbrojtjen e fondit pyjor në dispozicion gjatë ushtrimit të aktivitetit, nëpërmjet dorëzimit të formularit të plotësuar të vetëdeklarimit.
4. Për miratimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në fondin pyjor bashkiak, si pjesë e Fondit Pyjor Kombëtar, institucionet arsimore e shkencore dhe/ose subjektet fizike e juridike paraqesin kërkesën me shkrim për miratim pranë bashkisë përkatëse, që ka në pronësi këtë fond.
5. Kërkesa me shkrim shoqërohet me dokumentacionin që vërteton plotësimin e kritereve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, si dhe me dokumentacionin sipas përcaktimeve në tri shtojcat që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij:
a) Shtojca nr.1 pasqyron detaje mbi kërkuesin;
b) Shtojca nr.2 pasqyron detajet mbi veprimtarinë kërkimore-shkencore;
c) Shtojca nr.3, vetëdeklarimi.
6. Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune nga data e regjistrimit të kërkesës, shqyrton kërkesën.
7. Në rast se strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki konstatojnë se kërkesa e paraqitur nga institucionet arsimore e shkencore dhe/ose subjektet fizike e juridike nuk ë shtë në pë rputhje me pë rcaktimin e pikës 5, të këtij vendimi, atyre u kërkohet plotësimi i dokumentacionit brenda 7 (shtatë) ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës. Në rast se subjekti nuk paraqet dokumentacionin plotësues brenda afatit të caktuar, kërkesa quhet se nuk është regjistruar dhe i kthehet kërkuesit me të gjitha aktet e tjera të depozituara.
8. Struktura përgjegjëse për pyjet në bashki mbështetet në planet e mbarështimit për shqyrtimin e kërkesës së subjektit, për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe, në rast se kërkesa është në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për pyjet, si dhe parashikimet e këtij vendimi, miraton të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore. Çdo kërkesë e miratuar regjistrohet dhe i përcillet informacioni, në fund të çdo viti apo kur i kërkohet, Agjencisë Kombëtare të Pyjeve dhe ministrisë përgjegjëse për pyjet.
9. Monitorimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve realizohet në bazë të kritereve të mëposhtme:
a) Pasojat në ekosistemin pyjor nga realizimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore;
b) Ndikimi në grumbullin pyjor apo popullatën e faunës;
c) Dëmtimi i individëve apo popullatave të florës dhe faunës;
ç) Përdorimi i burimeve natyrore, i cili të jetë në përputhje me kushtet e miratimit të kërkimit shkencor të miratuar;
d) Dorëzimi i raportit përmbledhës në fund të aktivitetit.
10. Në rastet e studimeve, marrjes dhe programeve të tjera lidhur me përdorimin e bazës gjenetike të florës/faunës, bashkia për dhënien e miratimit për ushtrimin e veprimtarisë së kërkimit shkencor në Fondin Pyjor Kombëtar dhe subjekti që ushtron këtë veprimtari duhet të bazohen në kërkesat e ligjit nr.9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, të ndryshuar.
11. Në rast se kërkesa për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore bëhet për pyjet në pronësi private, institucionet arsimore e shkencore, subjektet fizike e juridike i paraqesin kërkesën pronarit si edhe bashkisë brenda territorit të së cilës gjendet sipërfaqja pyjore. Kërkesa miratohet nga bashkia përkatëse, bazuar në parashikimet e këtij vendimi, pas marrjes së dakordësisë nga pronari.
12. Kur veprimtaria kërkimore-shkencore kërkohet në Fondin Pyjor të Zonave të Mbrojtura Mjedisore, zbatohen përcaktimet e bëra në vendimin nr.302, datë 10.5.2019, të Kë shillit të Ministrave, “Për kriteret e ushtrimit, të miratimit e monitorimit të veprimtarive kërkimore-shkencore në zonat e mbrojtura mjedisore”.
13. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Dajna Sorensen, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TЁ MARRЁVESHJES SË FINANCIMIT, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE ARTIGIANCASSA S.P.A, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT TË NDIHMËS SË INTEGRUAR PËR ZHVILLIMIN E NDËRMARRJEVE TË VOGLA DHE TË MESME SHQIPTARE, RATFIKUAR ME LIGJIN NR.147/2013
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, tё marrёveshjes së financimit, ndёrmjet Këshillit të Ministrave të Republikёs sё Shqipёrisё, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Artigiancassa S.P.A, për financimin e programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare, ratifikuar me ligjin nr.147/2013, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË BULLGARISË, PËR MBROJTJEN SHOQËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë, për mbrojtjen shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MASAT LIDHUR ME SIGURIMIN E INFORMACIONIT PËR KONSUMIN E LËNDËS DJEGËSE DHE SHKARKIMET E CO2 GJATË MARKETINGUT TË AUTOMJETEVE TË REJA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 13, të ligjit nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike”, dhe të shkronjës “c”, të nenit 14, të ligjit nr.162/2014, “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e masave për sigurimin e informacionit për konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 nga autoveturat e reja, të cilat ofrohen për shitje ose për dhënie me qira në Republikën e Shqipërisë. Ky informacion u vihet në dispozicion konsumatorëve me qëllim:
a) që t’u mundësojë atyre të bëjnë një zgjedhje të bazuar në informacion;
b) promovimin e blerjes ose të dhënies me qira të autoveturave, që përdorin më pak lëndë djegëse dhe, në këtë mënyrë, shkarkojnë më pak CO2 në mjedis.
2. Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Autoveturë për pasagjerë”, i njëjti kuptim sipas përcaktimit në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 54, të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) “Autoveturat e reja për pasagjerë”, çdo autoveturë, e cila nuk i është shitur më parë, përveçse për qëllim shitjeje në pakicë apo shpërndarjeje për shitje;
c) “Certifikata e përputhshmërisë”, certifikata e përputhshmërisë të lëshuar nga prodhuesi;
ç) “Etiketa për konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 / Fuel economy label” (në vijim, etiketa), etiketa, që përmban informacionin për konsumatorin për konsumin zyrtar të lëndës djegëse dhe shkarkimet specifike zyrtare të CO2, për autoveturën ku është bashkëngjitur etiketa;
d) “Konsum zyrtar i lëndës djegëse”, konsumi i lëndës djegëse, siç përcaktohet në udhërrëfyesin për konsumin e lëndës djegëse të autoveturave të reja për pasagjerë, në certifikatën e përputhshmërisë të lëshuar nga prodhuesi ose në certifikatën e miratimit të tipit të autoveturës. Kur disa variante dhe/ose versione grupohen nën një model, vlera që duhet dhënë për konsumin e lëndës djegëse të atij modeli bazohet në variantin dhe/ose versionin me konsumin më të lartë zyrtar të lëndës djegëse brenda atij grupi;
dh) “Literaturë promovuese”, i gjithë materiali i shtypur që përdoret në marketing për reklamimin e promovimin e autoveturave për publikun e gjerë. Këtu përfshihen, të paktën, udhërrëfyes teknikë, broshura, reklama në gazeta, revista dhe shtypi i specializuar dhe postera;
e) “Udhërrëfyes për konsumin e lëndës djegëse”, përmbledhja e të dhënave zyrtare të konsumit të lëndës djegëse dhe të shkarkimeve zyrtare specifike të CO2, për secilin model të autoveturave të reja, që është i disponueshëm në tregun vendas, sipas certifikatës së përputhshmërisë të lëshuar nga prodhuesi ose certifikatës për miratimin e tipit të autoveturës;
ë) “Marka”, emri tregtar i prodhuesit që paraqitet në certifikatën e përputhshmërisë dhe në dokumentacionin e miratimit të tipit;
f) “Media e ruajtjes elektronike, magnetike ose optike”, çdo material fizik, për të cilin informacioni mund të regjistrohet në mënyrë elektronike dhe që mund të shërbejë si mjet informacioni për publikun e gjerë;
g) “Model”, përshkrimi tregtar i markës, tipit dhe, nëse është i disponueshëm e i përshtatshëm, varianti dhe versioni i një autoveture pasagjerësh;
gj) “Pikë shitjeje”, vendndodhja, që mund të jetë një sallë ekspozite/showroom autoveturash ose ambient i hapur, ku autoveturat e reja të pasagjerëve shfaqen, ofrohen për shitje, me qira për klientët e mundshëm apo edhe panairet tregtare, ku autoveturat e reja të pasagjerëve paraqiten për publikun;
h) “Shkarkimet specifike zyrtare të CO2”, për një autoveturë të caktuar pasagjerësh, informacioni, që jepet në udhërrëfyesin për konsumin e lëndës djegëse të autoveturave të reja për pasagjerë apo në certifikatën e përputhshmërisë së lëshuar nga prodhuesi ose në certifikatën e miratimit të tipit të autoveturës. Kur disa variante dhe/ose versione janë grupuar nën një model, vlerat që do të jepen për CO2 të atij modeli do të bazohen në variantin dhe/ose versionin me shkarkimet më të larta zyrtare të CO2 brenda atij grupi;
i) “Shitës i autoveturave të reja të pasagjerëve” (në vijim, shitësi), personi që shet ose jep me qira autoveturat e reja të pasagjerëve te përdoruesi përfundimtar;
j) “Shpërndarje me mjete elektronike”, dërgimi i informacionit dhe marrja në destinacionin e tij me anë të pajisjeve elektronike për përpunim (përfshirë kompresimin digjital) dhe ruajtjen e të dhënave dhe transmetimin e plotë, të transmetuara e të marra me tel, me radio, me anë të mënyrave optike ose mjeteve të tjera elektromagnetike;
k) “Tip”, “variant” dhe “version”, autoveturat e diferencuara të një marke të caktuar, që deklarohen nga prodhuesi, sipas përcaktimit në certifikatën e përputhshmërisë, të lëshuar nga prodhuesi e të identifikuara në mënyrë unike, sipas tipit, variantit e karaktereve të versionit alfanumerik;
l) “Tregtar i autoveturave të reja të pasagjerëve” (në vijim, tregtari), prodhuesi, përfaqësuesi i tij i autorizuar, i vendosur në Republikën e Shqipërisë ose person tjetër fizik ose juridik, që importon dhe/ose vendos në treg autoveturat e pasagjerëve në Republikën e Shqipërisë.
3. Çdo tregtar/shitës, që shet ose jep me qira autovetura të reja për pasagjerë, është i detyruar të marrë masat për informimin e konsumatorëve lidhur me:
a) konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2, për modelet e autoveturave që janë në shitje;
b) përmbajtjen e udhërrëfyesit, i cili përgatitet në përputhje me pikën 7, të këtij vendimi.
4. Tregtari siguron që:
a) të dhënat sipas pikës 3 t’u prezantohen konsumatorëve në mënyrë të qartë e të dukshme në çdo vend, ku autoveturat e reja janë të ekspozuara për qëllime promovuese. Të dhënat të jenë të vërteta, të sakta dhe të qarta, sipas informacionit të pasqyruar në etiketën, udhërrëfyesin, posterat, literaturën dhe materialet promovuese, reklama, që shoqërojnë autoveturën e re;
b) të dhënat e prezantuara të mos kenë shenja, simbole ose mbishkrime, në lidhje me konsumin e lëndës djegëse ose shkarkimet e CO2, që nuk janë në përputhje me kërkesat e këtij vendimi, si dhe të mos shkaktojnë konfuzion për konsumatorin e mundshëm të autoveturave të reja;
c) dokumentacioni promovues për shitjen e autoveturave të reja të orientojë konsumatorët në vendimmarrjen e tyre të blerjes në pikën e shitjes, për modelin e autoveturave të reja, i cili gjendet në atë pikë shitjeje e që përdor më pak lëndë djegëse dhe, për pasojë, shkarkon më pak CO2 në mjedis.
5. Dokumentacioni promovues për konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2, për çdo model të ri autoveture në shitje, përfshin:
a) etiketën për konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2;
b) udhërrëfyesin për konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2;
c) afishimin/posterin për shitjen e autoveturave të reja;
d) literatura promovuese.
6. Etiketa të jetë në gjuhën shqipe e në përputhje me kërkesat e përcaktuara në shtojcën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Etiketa vendoset ose shfaqet në mënyrë të qartë e të dukshme, pranë çdo modeli të ri autoveture në pikën e shitjes.
7. Udhërrëfyesi pë konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 përgatitet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në konsultim me tregtarin në çdo vit, në përputhje me kërkesat e shtojcës II, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Udhërrëfyesi të jetë në version hard copy, si edhe në versionin elektronik. Versioni hard copy i shtypur në letër të jetë i transportueshëm, i mbledhur dhe falas për konsumatorët.
8. Afishimi/posteri për shitjen e autoveturave përmban të dhënat zyrtare lidhur me konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 për të gjitha modelet e reja të autoveturave të reja, që prezantohen ose ofrohen për shitje apo qira në ose nëpërmjet asaj pike shitjeje. Të dhënat shfaqen në një pozicion të dukshëm dhe në përputhje me formatin e kërkesave të shtojcës III, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9. Tregtari siguron që literaturat promovuese për secilin model të autoveturave të reja, të cilat ofrohen për shitje, përmbajnë të dhëna për konsumin zyrtar të lëndës djegëse e për shkarkimet specifike zyrtare të CO2, në përputhje me kërkesat e shtojcës IV, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10. Tregtari siguron që literatura promovuese të ndryshme nga ato në pikën 9, të këtij vendimi, për secilin model të autoveturave të reja që ofrohen për shitje, të përmbajë të dhëna për konsumin zyrtar të lëndës djegëse dhe për shkarkimet specifike zyrtare të CO2.
11. Shitësi siguron që:
a) të marrë etiketën e çdo modeli të ri autoveture nga tregtari, në përputhje me pikën 6, të këtij vendimi;
b) të vërë në dispozicion etiketën falas për konsumatorët në pikën e shitjes;
c) të disponojë të paktën 50 (pesëdhjetë) kopje të literaturave promovuese dhe 50 copë udhërrëfyesish nga tregtari;
ç) të vërë në dispozicion botimin e fundit të udhërrëfyesit falas për konsumatorët në pikën e shitjes;
d) udhërrëfyesi për konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 për modelet e autoveturave të reja vihet në dispozicion të konsumatorëve jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e botimit të tij.
12. Autoritetet përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e kërkesave të këtij vendimi janë:
a) struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë dhe mbrojtjen e konsumatorit;
b) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) pranë ministrisë përgjegjëse për fushën e transportit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1.1.2023.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.465, DATË 26.7.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR PËRMIRËSIMIN E NIVELIT TË KONTROLLIT TË MJETEVE MOTORIKE E RIMORKIOVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 88, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 7, e vendimit nr.465, datë 26.7.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Periudha e veprimit të Task-Forcës do të jetë deri më 31 dhjetor 2022.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
AKT NORMATIV
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.90/2019, “PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në ligjin nr.90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 1 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në pikën 1, fjalët “… deri në datën 31 dhjetor 2021 …” zëvendësohen me “… deri në datën 30 prill 2022 …”;
2. Pas pikës 1 shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1. Parashikimi i pikës 1, të këtij neni, zbatohet edhe për kërkesat e dorëzuara pranë ASHK-së, të cilat nuk kanë përfunduar brenda datës 30 prill 2022, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet para datës 31 korrik 2022.”.
Neni 2
Në nenin 5, fjalët “… dhe i shtrin efektet deri në datën 31 dhjetor 2021 …” zëvendësohen me “… dhe i shtrin efektet deri në datën 30 prill 2022 …”.
Neni 3
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.26, DATË 20.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT/ RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE NË BASHKITË KAMZË DHE KAVAJË DHE CAKTIMIN E TYRE SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.26, datë 20.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 2, shifra “… 914 561 348 (nëntëqind e katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e treqind e dyzet e tetë) lekë pa TVSH …” zëvendësohet me “… 1 114 561 348 (një miliard e njëqind e katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e treqind e dyzet e tetë) lekë pa TVSH …”.
b) Në shkronjën “a”, të pikës 2, shifra “… 445 562 231 (katërqind e dyzet e pesë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e dyqind e tridhjetë e një) lekë pa TVSH …” zëvendësohet me “… 645 562 231 (gjashtëqind e dyzet e pesë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e dyqind e tridhjetë e një) lekë pa TVSH …”.
2. Efektet financiare, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohen nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021.
3. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.171, DATË 27.3.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 64, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, që i bashkëlidhet vendimit nr.171, datë 27.3.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në shkronjën “d”, të nenit 2, emërtimi “Qendra e Formimit Profesional” zëvendësohet me fjalët “… qendrat e formimit profesional …”.
2. Në pikën 7, të nenit 5, fjalët “… nuk mund të jenë më të vogla se 200 (dyqind) m² dhe më të mëdha se 5 000 (pesë mijë) m².” zëvendësohen me “… nuk mund të jenë më të vogla se 50 (pesëdhjetë) m² dhe më të mëdha se 6 000 (gjashtë mijë) m².”.
3. Në shkronjën “dh”, të nenit 8, fjalët “… qendra e formimit profesional përkatës.” zëvendësohen me “… qendrat e formimit profesional përkatëse.”.
4. Në nenin 14 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
a) Në pikën 1, fjalët “… për vitin 2021 …” zëvendësohen me “… për vitin 2022 …”.
b) Në shkronjën “c”, të pikës 10, bëhen këto shtesa:
i. Në fund të nënndarjes “ii” shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Përjashtimisht, subjektet, që paraqesin kërkesën për lidhjen e kontratave për ushtrimin e veprimtarisë së stacioneve të plazheve, sipas shkronjës “ç”, të pikës 7, të këtij neni, paraqesin gjenerimin e mandatpagesës të përcaktuar më lart, nëpërmjet portalit e-Albania, para nënshkrimit të kontratës.”.
ii. Pas nënndarjes “ii” shtohet nënndarja “ii/1”, me këtë përmbajtje:
“ii/1. vërtetimin nga autoritetet tatimore se subjekti ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore;”.
iii. Në fund të nënndarjes “iii” shtohen fjalët “… si dhe vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e stacioneve të plazhit, vetëm për subjektet që kanë kërkuar lidhjen e kontratave për ushtrimin e veprimtarisë së stacioneve të plazheve, sipas shkronjës “ç”, të pikës 7, të këtij neni.”.
5. Kudo në përmbajtje të tekstit të rregullores, fjala “aplikim” zëvendësohet me “kërkesë”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE “QENDËR HISTORIKE” TË FSHATIT BËNJË, PËRCAKTIMIN E ZONËS MBROJTËSE TË SAJ DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN E ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, pika 3, shkronjat “a” e “ç”, dhe 96, pika 1, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore “qendër historike” të fshatit Bënjë, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Përcaktimin e zonës mbrojtëse të “qendrës historike” të fshatit Bënjë, sipas koordinatave dhe hartës së zonimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Vendimi nr.776, datë 2.11.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e qendrës historike të fshatit Bënjë dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e “qendrës historike” të fshatit Bënjë dhe të zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.
6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Përmet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E KULTURËS DHE PËR QENDRËN KOMBËTARE TË KINEMATOGRAFISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 44, të ligjit nr.9936/2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, t’i shtohet fondi prej 13 600 000 (trembëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë) lekësh, në formën e grantit për Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, për mbështetjen e veprimtarive krijuese.
2. Efekti financiar sipas pikës 1, të këtij vendimi, në masën 13 600 000 (trembëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, i miratuar për vitin 2021, në artikullin 604 “Transferta të brendshme”, të programit “Arti dhe kultura”.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.109, DATË 15.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË E TË BORDIT TË AKREDITIMIT DHE PËR PËRCAKTIMIN E TARIFAVE PËR PROCESET E SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 14, 15 e 106, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.109, datë 15.2.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në fund të shkronjës “c”, të pikës 4, shtohen fjalët “…, në funksion të rritjes së cilësisë dhe formatimit, sipas modeleve të aprovuara të tyre.”;
b) Pas shkronjës “c”, të pikës 4, të shtohen shkronjat “ç” dhe “d”, me këtë përmbajtje:
“ç) ndjekjen e proceseve të vlerësimit të jashtëm në kuadër të akreditimit periodik e të monitorimit të vazhduar të cilësisë të institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të tyre të studimit.
d) organizimin dhe nxjerrjen e rezultateve përfundimtare në kuadër të Sondazhit Kombëtar të Studentëve.”.
c) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë emërohet, lirohet/shkarkohet nga detyra me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin, me urdhër të Kryeministrit. Drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të zotërojë të paktën gradën shkencore “Doktor”;
b) Të ketë eksperiencë pune mbi 5 (pesë) vjet në institucione që ushtrojnë veprimtari në fushën e arsimit të lartë, duke përfshirë edhe eksperiencë në nivele të larta drejtuese.”.
ç) Në fund të shkronjës “a”, të pikës 12, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Bëhen pjesë e komisioneve të vlerësimit të jashtëm partnerë nga tregu i punës dhe studentë (anëtar i organeve kolegjiale të IAL-ve), pa të drejtë vote, dhe kanë vetëm rol monitorues.”.
d) Në fund të shkronjës “b”, të pikës 12, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Përjashtim bëjnë rastet kur në një fushë mungojnë ekspertët dhe duhen angazhuar ekspertë të rinj, që shtojnë listën, por gjithmonë sipas kritereve dhe në bashkëpunim me Bordin e Akreditimit.”.
dh) Tabela 2/b, e shtojcës 2, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me tabelën me të njëjtën numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.5, DATË 4.1.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË BULQIZË, TË QARKUT TË DIBRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 5 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të nenit 41, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit, bashkëlidhur vendimit nr.5, datë 4.1.2013, të Këshillit të Ministrave, shtohen pronat me nr.378 – 479 (treqind e shtatëdhjetë e tetë – katërqind e shtatëdhjetë e nëntë), sipas formularëve, gjithsej, 14 (katërmbëdhjetë) fletë, dhe transferohen pronat sipas lidhjes 1, planrilevimeve dhe planimetrive, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Bashkia Bulqizë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.717, DATË 23.6.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS TË INSTITUCIONEVE BUXHETORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 18/2, të vendimit nr.717, datë 23.6.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 18/3, me këtë përmbajtje:
“18/3. Paga mujore për punonjësit, që punojnë në pozicionin “prozektor” në Institutin e Mjekësisë Ligjore, të jetë e njëjtë me pagën mujore për të njëjtin pozicion pune në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e përcaktuar në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e personelit mjekësor dhe punonjësve të personelit teknik të shkencave mjekësore në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë. ”.
2. Efektet financiare për paga e sigurime shoqërore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, fillojnë nga momenti i emërimit të punonjësve në pozicionet e punës “prozektor” në strukturën dhe organikën e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe përballohen nga buxheti i miratuar për këtë institucion.
3. Ngarkohet Instituti i Mjekësisë Ligjore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
A K T N O R M A T I V
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.9920, DATË 19.5.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhet shtesa, me këtë përmbajtje:
Neni 1
Në kreun XV “Dispozita tranzitore dhe të fundit”, pas pikës 7, të nenit “Dispozita kalimtare”, shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:
“8. Përjashtimisht parashikimeve në këtë ligj, zbatimi i sanksioneve për kundërvajtjet administrative që lidhen me zbatimin efektiv të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar, do të fillojë të aplikohet pas datës 30.6.2022, për tatimpaguesit, si më poshtë:
a) Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe që nuk janë të regjistruar për TVSH-në, të cilët kryejnë vetëm shitje me para në dorë kundrejt konsumatorëve finalë, persona të patatueshëm;
b) Tatimpaguesit që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike;
c) Bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpagues.”.
Neni 2
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE BAZË PËR RUAJTJEN E AVIACIONIT CIVIL NGA AKTET E NDËRHYRJES SË PALIGJSHME, QË RREZIKOJNË SIGURINË E AVIACIONIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 113, të ligjit nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi dhe objekti
1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i standardeve bazë për mbrojtjen e aviacionit civil nga ndërhyrjet e paligjshme që rrezikojnë sigurinë e aviacionit civil.
2. Ky vendim ka si objekt zbatimin e standardeve të sigurisë së aviacionit për një interpretim të përbashkët të aneksit 17 të Konventës së Çikagos për Aviacionin Civil Ndërkombëtar.
Neni 2
Fusha e zbatimit
Ky vendim zbatohet për:
a) të gjitha aeroportet apo pjesë të aeroporteve që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që nuk përdoren ekskluzivisht për qëllime ushtarake;
b) të gjithë operatorët, duke përfshirë operatorët ajrorë, që ofrojnë shërbime nga aeroportet e referuara në shkronjën “a”, të këtij neni;
c) të gjitha entitetet që zbatojnë standarde të sigurisë në aviacion që operojnë brenda apo jashtë aeroporteve dhe që ofrojnë shërbime/mallra tek apo nëpërmjet aeroporteve të referuara në shkronjën “a”, të këtij neni.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
1. “Agjent i rregullt”, një operator ajror, agjent, agjenci transporti apo çdo entitet tjetër që garanton kontrollet e sigurisë për kargon dhe postën.
2. “Artikuj të ndaluar”, armë, eksplozivë apo pajisje të tjera të rrezikshme, artikuj apo substanca që mund të përdoren për të kryer një akt të ndërhyrjes së paligjshme që cenon sigurinë e aviacionit civil.
3. “Aviacion civil”, çdo operim nga ajri, i kryer nga avionë civilë, duke përjashtuar operimet e kryera nga avionë shtetërorë, të referuar në nenin 3 të Konventës së Çikagos për Aviacionin Civil Ndërkombëtar.
4. “Bagazh kabine”, një bagazh i cili do të transportohet në kabinën e avionit.
5. “Bagazh hambari”, një bagazh i cili do të transportohet në hambarin e avionit.
6. “Bagazh hambari i shoqëruar”, një bagazh, që do të transportohet në hambarin e avionit, i cili është regjistruar për në fluturim së bashku me pasagjerin që do të udhëtojë në të njëjtin avion.
7. “Dërgues i njohur”, një dërgues nga i cili ka origjinën kargo dhe posta dhe procedurat e të cilit përmbushin standardet e rregullat e përbashkëta të sigurisë, të mjaftueshme për të lejuar transportin e kargos dhe postës në çdolloj avioni.
8. “Dërgues përgjegjës”, një dërgues nga i cili ka origjinën kargo dhe posta dhe procedurat e të cilit përmbushin standardet e rregullat e përbashkëta të sigurisë, të mjaftueshme për të lejuar transportin e kargos dhe postës në avionë vetëm për kargo ose avionë vetëm për postë.
9. “Entitet”, një person, organizatë apo biznes, të ndryshëm nga operatori.
10. “Kargo”, çdo gjë që ka për qëllim të transportohet në avion, përveç pasagjerëve, bagazheve, postës, postës së operatorit ajror, materialeve të operatorit ajror dhe furnizimeve të fluturimit.
11. “Komisioni”, institucioni i Bashkimit Evropian, përgjegjës për propozimin e legjislacionit, zbatimin e vendimeve, që mbështesin traktatet e Bashkimit Evropian.
12. “Komiteti i përbashkët”, komiteti, i cili është përgjegjës për administrimin e marrëveshjes shumëpalëshe për krijimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit, ZPEA (ratifikuar me ligjin nr.9658, datë 18.12.2006).
13. “Kontrolli i pastërtisë së figurës (background check)”, kontrolli i identitetit të një personi, duke përfshirë çdo histori kriminale, si pjesë e vlerësimit të përshtatshmërisë së atij personi për akses të pashoqëruar në zonat e kufizuara të sigurisë.
14. “Kontrolli i sigurisë”, aplikimi i mjeteve me të cilat mund të parandalohet futja e artikujve të ndaluar.
15. “Kontrolli i sigurisë së avionit (aircraft security search)”, një kontroll i pjesëve të brendshme të avionit dhe të pjesëve të jashtme të aksesueshme në mënyrë që të detektohen artikujt e rrezikshëm dhe ndërhyrjet e paligjshme që mund të rrezikojnë sigurinë e avionit.
16. “Kontrolli i hyrjes”, aplikimi i mjeteve me anë të të cilave hyrja e paautorizuar e personave ose automjeteve mund të parandalohet.
17. “Operator”, një person, organizatë apo biznes i përfshirë ose që ka qëllim të përfshihet në operimet e transportit ajror.
18. “Operator ajror”, një transportues ajror që ka një licencë të vlefshme operimi ose ekuivalente me të.
19. “Operator ajror i komunitetit (BE)”, një transportues ajror që ka një licencë të vlefshme operimi të lëshuar nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Bashkimit Evropian për licencimin e operatorëve ajrorë.
20. “Materialet e operatorit ajror”, ato materiale, origjina dhe destinacioni i të cilave është operatori ajror apo që përdoren nga operatori ajror.
21. “Pasagjerë, bagazhe, kargo dhe posta transfertë”, pasagjerët, bagazhet, kargoja dhe posta, që nisen me një avion tjetër nga ai me të cilin mbërritën.
22. “Pasagjerë, bagazhe, kargo dhe posta tranzit”, pasagjerët, bagazhet, kargoja dhe posta, që nisen me të njëjtin avion me atë me të cilin mbërritën.
23. “Pasagjer i mundshëm problematik”, një pasagjer, i cili është i deportuar ose është i papranueshëm për arsye emigracioni apo një person nën kujdestari ligjore.
24. “Posta”, pjesë të korrespondencës apo materialeve të tjera që nuk janë materiale të operatorit ajror, që administrohen dhe shpërndahen nga shërbimi postar në përputhje me rregullat e Unionit Universal Postar.
25. “Posta e operatorit ajror”, posta, origjina dhe destinacioni i së cilës është operatori ajror.
26. “Skriningu”, aplikimi i mjeteve teknike ose mjeteve të tjera me anë të të cilave mund të identifikohen dhe/ose zbulohen artikuj të ndaluar.
27. “Siguria e aviacionit (aviation security)”, kombinimi i masave dhe burimeve njerëzore e materiale me qëllim ruajtjen e aviacionit civil nga aktet e ndërhyrjeve të paligjshme që rrezikojnë sigurinë e aviacionit.
28. “Verifikimi i sigurisë së avionit (aircraft security check)”, një inspektim i atyre pjesëve të brendshme të avionit te të cilat pasagjerët mund të kenë pasur akses, së bashku me një inspektim të pjesës së hambarit të avionit në mënyrë që të detektohen artikujt e ndaluar dhe ndërhyrjet e paligjshme në avion.
29. “Zonë ajrore (airside)”, zona e manovrimit në një aeroport, terreni ngjitur me të, ndërtesat apo pjesë të tyre, hyrja te të cilat është e kufizuar.
30. “Zonë tokësore (landside)”, ajo pjesë e një aeroporti, terrenet ngjitur me to, ndërtesat apo pjesë të tyre, të cilat nuk janë pjesë e zonës ajrore.
31. “Zonë të kufizuar të sigurisë (security restricted area)”, ajo pjesë e zonës ajrore, ku, përveç aksesit të kufizuar, aplikohen edhe standarde të tjera të sigurisë në aviacion.
32. “Zonë e demarkuar (demarcated area)”, një zonë që është e ndarë me anë të kontrollit të hyrjes nga zonat e kufizuara të sigurisë ose, nëse zona e demarkuar është edhe zonë e kufizuar sigurie, nga zonat e tjera të kufizuara të sigurisë.
Neni 4
Standardet bazë
1. Standardet bazë për mbrojtjen e aviacionit civil nga aktet e ndërhyrjes së paligjshme, të cilat cenojnë sigurinë e aviacionit, sipas fushave përkatëse përcaktohen në aneksin që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Standarde bazë, të cilat në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi nuk janë pjesë e tij, i bashkëlidhen aneksit përkatës pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të një vendimi ndryshues, me propozim të ministrit përgjegjës për transportin ajror.
Neni 5
Masat më shtrënguese të aplikuara në Republikën e Shqipërisë
1. Ministri përgjegjës për transportin ajror, në bazë të një vlerësimi rreziku dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, mund të propozojë aplikimin e masave më shtrënguese se standardet bazë të referuara në nenin 4 të këtij vendimi. Këto masa janë relevante, objektive, jodiskriminuese dhe në përpjesëtim me rrezikun të cilit i adresohen.
2. Sipas përcaktimeve të marrëveshjes shumëpalëshe, Autoriteti i Aviacionit Civil merr masa të njoftojë Komitetin e Përbashkët për të tilla masa sa më shpejt të jetë e mundur. Pas marrjes së këtij informacioni, Komisioni do ta transmetojë këtë informacion te shtetet e tjera, anëtare të kësaj marrëveshjeje.
3. Kur masat e përmendura janë të aplikueshme vetëm për një fluturim specifik ose për një datë specifike, nuk nevojitet informimi i Komitetit të Përbashkët dhe i Komisionit.
Neni 6
Masat e sigurisë të kërkuara për vendet e treta të Bashkimit Evropian
Kur masat e kërkuara të sigurisë në Shqipëri ndryshojnë nga ato të një vendi të ZPEA-së sipas përcaktimeve të marrëveshjes shumëpalëshe, ministria përgjegjëse për transportin mund të hyjë në komunikim me Komisionin Evropian në funksion të zbatimit të përcaktimeve të marrëveshjes së ZPEA-së.
Neni 7
Autoriteti përkatës
Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) është autoriteti përgjegjës për koordinimin dhe monitorimin e zbatimit të standardeve bazë të sigurisë së aviacionit, të referuara në nenin 4, të këtij vendimi.
Neni 8
Shpërndarja e informacionit
Si një rregull i përgjithshëm, AAC-ja publikon masat të cilat kanë një ndikim direkt te pasagjerët. Megjithatë, dokumentet e mëposhtme do të konsiderohen si të kufizuara dhe do të shpërndahen vetëm te personat që duhet të kenë informacion:
a) Masat e detajuara për zbatimin e standardeve bazë, të referuara në nenet 4, pika 1, 5, pika 1, dhe 6, të këtij vendimi, nëse përmbajnë informacion sensitiv sigurie;
b) Raportet e inspektimit të organizmave ndërkombëtarë për sigurinë e aviacionit dhe përgjigjet e autoriteteve përkatëse për sigurinë e aviacionit.
Neni 9
Marrëveshjet midis Komunitetit dhe vendeve të treta të Bashkimit Evropian
Kur konstatohet se standardet e sigurisë të aplikuara në Shqipëri janë ekuivalente me standardet sipas përcaktimeve të marrëveshjes shumëpalëshe, Shqipëria mund të përfshihet në marrëveshjet e aviacionit me Bashkimin Evropian për të avancuar objektivin “one-stop security” për të gjitha fluturimet midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.
Neni 10
Penalitetet
Në rast të shkeljes së dispozitave të këtij vendimi do të zbatohen sanksionet dhe masat e përcaktuara në Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin përkatës në fuqi për kundërvajtjet administrative.
Neni 11
Dispozita të fundit
Ministria përgjegjëse për transportin ajror, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe të gjitha entitetet e lidhura me veprimtaritë në fushën e transportit ajror civil në Republikën e Shqipërisë të marrin masa për zbatimin e kërkesave të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE TË DREJTËSISË 2021 – 2025 DHE TË PLANIT TË SAJ TË VEPRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021 – 2025, të planit të saj të veprimit, si dhe pasaportës së indikatorëve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse të përcaktuara në strategjinë dhe në planin e veprimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË GJIROKASTËR, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE GJIROKASTËR, TË PASURIVE 15/179 DHE 15/180, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8543, DHE TË NJË PJESE TË PASURISË 8/137, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8542
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Gjirokastër, për njësinë administrative Gjirokastër, të pasurive 15/179 dhe 15/180, me vendndodhje në zonën kadastrale 8543, dhe të një pjese të pasurisë 8/137, me vendndodhje në zonën kadastrale 8542, sipas formularëve dhe planeve të rilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e strehimit social, infrastrukturës vendore dhe kulturës.
2. Bashkisë Gjirokastër i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit ose t’i tjetërsojë pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Bashkia Gjirokastër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA