Konferenca tradicionale në fundvit e kryeministrit Edi Rama me gazetarët:
Mirëdita! Kjo është konferenca tradicionale e fundvitit dhe në radhë të parë gëzuar, shëndet familjarisht për të gjithë ju!
Një falënderim për ndjekjen nga afër që i keni bërë aktivitetit të kësaj godine. Mendova se do të ishte e udhës që të ndalesha në disa pika kyçe për të mos bërë një paraqitje tejet të zgjatur të shumë e shumë gjërave që kanë ndodhur, që janë bërë gjatë këtij viti, duke iu lënë juve më shumë hapësirë për pyetjet tuaja dhe përmes pyetjeve për të adresuar dhe komponentë të tjerë të një paraqitje që përndryshe do të ishte e gjatë dhe ndoshta e mërzitshme në pritje që unë të mbarojë dhe ju të merrni fjalën.
Mbase është e udhës të niset nga një fakt botërisht tanimë i njohur i një krize energjetike globale që po sfidon të gjithë shtetet dhe i një dallge të tërbuar të çmimeve që së fundmi kanë arritur në 450 euro për megavat, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm apo viteve të mëparshme kemi lëvizur në një mesatare prej 100 euro për megavat nga 85, 92, 100 deri në 120, por 450 euro për megavat është një çmim marramendës. Po të kemi parasysh totalin vjetor kemi lëvizur zakonisht në një mesatare prej 50 eurosh për megavat.
Kjo krizë, të cilën unë e kam paralajmëruar disa kohë më parë dhe paralajmërimi u komentua si një alarm fals, nuk duket se ka fund të qartë.
Është folur për qershorin, por askush sot nuk mund ta konfirmoj këtë fakt apo hipotezë ndërkohë që kompleksiteti i krizës shkon nga gjeopolitika te efektet e ndryshimeve klimaterike.
Ndërkohë që vendet rreth e rrotull kanë rritur çmimet për konsumatorin apo janë duke përgatitur rritje çmimesh, ne i kemi qëndruar një ideje fikse se do t’i bëhemi mbrojë konsumatorëve familjarë dhe biznesit të vogël.
Po në ndërkohë, tani që ne flasim po zhvillohet një dëgjese e Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës me disa përfaqësues të kompanive që janë të lidhura me tensionin e mesëm dhe për të cilat liberalizmi i plotë në këto kushte do të thotë një rritje eksponenciale e çmimit. E prandaj ne jemi duke përgatitur për këta një skemë lehtësuese. Pse ne po ia dalim të qëndrojmë në këto parametra? Sepse ne e kemi adresuar krizën me një reformim të skemës së furnizimit. Deri tani jemi besimplotë se së paku për periudhën deri në qershor, ndërkohë që parashikojmë dhe një efekt lehtësues pa qenë sot në mundësinë për të qenë të saktë, në sa do të jetë efekti lehtësues mbi rajonin rreth muajve mars, prill.
Nuk po zgjatem në arsyet sa dhe pse, por po theksoj që do të vazhdojmë t’i mbrojmë konsumatorët familjarë.
Qeveritë gjykohen për atë që ndodh, por në afatmesëm dhe të gjatë vlerësohen edhe për atë që nuk lejojnë të ndodhë. Për mua moslejimi i rënies së dallgës së kësaj krize mbi konsumatorët familjarë, mbi bizneset e vogla, edhe mbi kompanitë që funksionojnë me tensionin e mesëm është një nga punët fantastike të kësaj qeverie shumë të re që ka edhe katër vjet përpara.
Mjafton të shikoni Kosovën. Kosova sot është në kthetrat e një krize që për arsye objektive sipas meje padashur të hyj në arsye të tjera që mund të jenë të lidhura dhe me politikat e caktuara, në vite është e mbërthyer nga kthetrat e krizës. Është në kushtet ku duhet të zgjedhë mes kufizimeve drastike dhe rritjes të konsiderueshme të çmimit.
Kjo për të gjithë ata që thonin “është alarm fals, është përpjeke për të devijuar vëmendje” e ku di unë se çfarë.
Më vjen shumë mirë që jemi sot në gjendje që, jo vetëm të garantojmë furnizimin me energji, jo vetëm për vendin tonë, qytetarët e kompanitë, por ta bëjmë këtë jo vetëm pa kufizime të energjisë, por dhe pa rritje të çmimit dhe t’i japim Kosovës mundësinë që dy ditët që ndajnë vitet dhe që janë një festë popullore të kenë furnizim të pandërprere me energji.
Nuk është diçka fare e lehtë, por mendoj dhe besoj që në sëkëlldira të mëdha dhe gëzime duhet të ndajmë me Kosovën atë që kemi.
Dy fjalë për adresimin e problemit të energjisë në afat të gjatë.
Ambicia jonë e shpallur është që brenda kësaj dekade, pra në kuadrin e vizionit të “Shqipërisë 2030” Shqipëria të kalojë në eksportues neto të energjisë që do të thotë në një vend që garanton veten dhe shet energjinë tek të tjerët duke bërë një kapërcim epokal.
Si do ta bëjmë këtë? Do ta bëjmë duke rritur kapacitetet
– Duke zgjidhur problemin e trashëguar dramatik të hedhjes së parave bashkë me ujin kur nuk kemi mundësi të rezervojmë ujë për ditët e thata gjë që do të na e mundësojë ndërtimi i Skavicës, proces që është në proces.
– Duke vënë në punë në fund me një skemë të re me një kompani të madhe amerikane TEC e Vlorës.
– Duke diversifikuar burime të prodhimit të energjisë me parqe fotovoltaike dhe me burime të erës, gjëra që janë në proces.
– Duke rritur edhe kapacitetin e prodhimit nga uji ku jemi duke vlerësuar një projekt të madh që do të shtojë ndjeshëm kapacitetet.
Të gjitha këto do të bëjnë që ne të futemi në rrugën e një transformimi epokal përsa i përket sektorit elektro-energjitik dhe energjia të kthehet nga një problem dhe burim shqetësimi në një sektor që pompon zemrën e ekonomisë shqiptare.
Kalojmë te kriza tjetër që është një krizë në vazhdim, ajo e pandemisë.
Besoj që deri tani ia kemi dalë arsyeshëm duke garantuar një jetë goxha të çliruar nga shtrëngesat dhe duke i dhënë mundësi ekonomisë që të fluturojë për t’u ringritur nga humnera ku u gjendëm të gjithë botërisht vitin e shkuar.
Dua të theksoj se sot jemi në kushtet kur duhet të përgatitemi për një vale të re për shkak të një versioni t ri të virusit që po mbyll vendet e tjera. Ju e keni parë, Holanda është mbyllur deri në 14 mars. E paimagjinueshme! E kështu vendimet për mbylljen po merren radhazi vend pas vendi. Ne nuk do të ngutemi, vetëm se duhet ta dimë që nuk mundet dot ta kalojmë sikur nuk po ndodh asgjë dhe mbase disa masa duhen rimarrë pa e shtrënguar zinxhirin e jetës dhe të ekonomisë. Siç e keni parë kemi garantuar gjithë dozat e vaksinave. Vaksinimi ecën, por jo ashtu siç duhet te ecte.
Po bëjmë një vlerësim sepse na rezulton që një numër i konsiderueshëm njerëzish janë vaksinuar jashtë sidomos ata që kanë lëvizje të vazhdueshme dhe që kanë lidhje të qëndrueshme me Italinë dhe Greqinë.
Jemi i gati për spitalin e ri infektiv që do të thotë rindërtim nga themelet i spitalit ekzistues, modernizim total i tij. Kemi sot 57 autoambulanca të eja në funksion të shërbimin shëndetësor gjë që e ka çuar flotën praktikisht në një numër optimal dhe garanton një shërbim urgjence që është sot në standarde europiane pa as më të voglin dyshim.
Përballja tjetër është rindërtimi. Po ecën. Jemi në kushtet kur po rikthejmë, me kënaqësi dhe krenari, në shtëpitë e reja shumë familje, në të gjitha zonat e prekura, por procesi vazhdon. Kemi kantiere të hapura në Tiranë, 5 Maji dhe Kombinatin. Kombinati ka marrë një kohë më të gjatë për shkak të gjithë problemeve të pronësisë, ndërkohë që tek 5 Maji, procesi është tanimë i çliruar nga gjithë pengesat burokratike.
Kemi lagjen e re në Durrës dhe një sërë pallatesh individuale që kanë filluar apo do fillojnë vitin e ardhshëm.
Kemi lagjen e re në Krujë, që më në fund ka nisur, pas një situate të koklavitur me pronësinë. Kemi Laçin 2, ku edhe aty kemi pasur, ndër të tjera, një problem, që është një nga shëmbëlltyrat më të shëmtuara të situatës së përballjes me maskarenjtë e sistemit të drejtësisë që ende nuk kanë kaluar në procesin e vettingut dhe po e shfrytëzojnë këtë kohë për të bërë çudira.
Nuk po zgjatem më shumë me episodin, sepse është një episod i shëmtuar, deri në neveri, që të dalin njerëz me çekiçin e drejtësisë dhe të pengojnë ndërtimin e banesave për hallexhinjtë.
Kemi dhe Vorën, e cila ka pasur dhe ajo vonesat e veta por, është në proces dhe kemi besimin që 2022 do të fshijë në tërësi të gjitha plagët e hapura nga tërmeti, pavarësisht se mund të ketë ende tek-tuk ndonjë gjë për të vazhduar më tutje.
Për ekonominë, pasqyra është optimiste sepse të gjitha shifrat dhe të dhënat flasin për një rikthim të fuqishëm të ekonomisë pas rënies së madhe të vitit të shkuar. Mjafton t’iu them se shifra e 11 mujorit për të ardhurat është 750 milionë dollarë të ardhura për arkën e shtetit nga puna e njerëzve dhe nga puna e kompanive, se nuk vijnë nga qielli, 750 milionë dollarë më shumë se vjet, gjë që tregon vetë që Shqipëria punon, ndryshe nga çfarë mund të perceptohet apo ushqehet në perceptimin e përgjithshëm dhe 178 milionë dollarë për 11 mujorin se plani i rimëkëmbjes.
Sigurisht që është një vit ekonomik ku jo vetëm për ne, por për të gjitha vendet që rritja është shumë më e lartë se ajo që konsiderohet natyrale, për shkak të rënies së mëparshme. Ama, në ndërkohë, na është dhënë mundësia të bëjmë një buxhet për vitin e ardhshëm me një rritje 7,8% të të ardhurave, gjë që nuk ka ndodhur më parë.
Jemi sot në kushtet kur shohim rritje domethënëse të eksporteve.
Mjafton të marrim eksportet ushqimore, që nga produktet e detit e tek agro-industria, tek fruta-perimet, që jemi në një shifër historikisht domethënëse, prej thuajse 15% rritje. Kjo është pjesa që prodhon toka dhe deti i Shqipërisë. Kjo është pjesa që prodhon ajo bujqësia që “ka vdekur ose që po vdes”.
Kjo është pjesa që tregon se në sektorin e prodhimit ushqimor, po e them kështu, nga toka dhe deti kemi tanimë dy korsi të qarta; korsia e asaj bujqësie, blegtorie dhe peshkimi që është orientuar si një punë sipërmarrëse dhe ka stimuluar bashkimin e njerëzve dhe korsia e atyre që duan të vazhdojnë të bëjnë bujqësi me një ngastër, duke parë nga qielli që shteti të vijë e t’u japë dorën, por kjo nuk ka të ardhme.
Ndaj, përgjigja është bashkimi, si dhe krijimi i sinergjive, për të cilat ne do bëjmë punë të veçantë për t’i stimuluar më tutje.
Vijmë tek pagat. Me pagat ka ndodhur së fundmi një ngjarje shumë e shëmtuar dhe shqetësuese, por pjesa kriminale e ngjarjes është një pjesë që i takon Prokurorisë. Prokuroria po heton në mënyrë intensive. Unë uroj, shpresoj dhe kam arsye të besoj që së shpejti do kemi rezultate dhe kush e ka bërë, do përgjigjet para ligjit.
Ndërkohë, më lejoni ta them që, në këndvështrimin më afatmesëm, kjo ngjarje mund të quhet edhe, siç thuhet në anglisht “Blessing in disguise”, që do ta përktheja shqip “Jo çdo e keqe vjen vetëm për keq”.
Natyrisht, ekspozimi i të dhënave personale që lidhet me pagat është i papranueshëm, por nga ana tjetër, sot ka një pasqyrë domethënëse në sytë të të gjithë shqiptarëve, ose të paktën të atyre që kanë pasur mundësi ta shohin atë pasqyrë, dhe askush nuk do mund të ma thotë që po sulmojmë askënd, duke filluar nga mediat, duke filluar nga pagat tuaja.
Nuk është një situatë që ne na u desh të dilnin të dhënat që ta merrnim vesh, kemi kohë që e dimë. Nuk është një situatë, kjo, e ngjashme me atë që ka qenë, në aspektin e pagave, por është e papranueshme.
Askush nuk mund të thotë që po sulmojmë mediat, duke kërkuar prej tyre dhe jo vetëm prej tyre, por prej të gjithë atyre kompanive që japin paga fiktive, të vetërregullojnë deklarimet.
Drejtoria e Tatimeve, në dijeni time, ka përgatitur dhe ka nisur apo do nisë një letër për të gjithë tatimpaguesit me deklarime shqetësuese, të cilat rezultojnë në mospërputhje, deri edhe flagrante, me kapacitetet e tyre, duke iu kërkuar të vetë rregullohen me deklarimet e reja deri në 20 janar, sepse 20 janar është data e deklarimeve të reja. Në rast mosvetërregullimi, do ketë hetim të thelluar për evazion dhe në rast se deklarimi i pasaktë dënohet me gjobë, evazioni dënohet me burg dhe në këtë aspekt, ne kemi përgatitur një plan përpara se të ndodhte kjo dhe, jo rastësisht në formularin e Këshillimit Kombëtar një nga pikat është kjo.
Ne nuk mund të vazhdojmë të presim gradualitet sepse kemi zgjedhur gradualitetin vit pas viti, për rregullimin e sistemit dhe për të mos krijuar situata mbytëse për biznesin, por nuk mund të vazhdojmë të presim gradualitet për njerëzit që punojnë dhe nuk marrin në të bardhë atë që u takon, duke shitur, pa vullnetin e tyre, të ardhmen sepse tek pagat minimale të deklaruara, që shoqërohen me para cash goditet e ardhmja e individit, pasi sigurimet për pensionin janë shumë më të ulëta, goditen të ardhurat e skemës së pensioneve dhe bllokohet mundësia për të rritur realisht pensionet.
Si mund të rrisë pensionet një vend ku pjesa ku fasha që jep pagat më të larta, deklaron paga më të ulëta? Është e pamundur.
Procesi do ndërtohet me hetim pasuror të gjithë atyre kompanive dhe biznesmenëve, të cilët deklarojnë për punonjësit paga minimale ose paga nën atë që realisht paguhen.
Natyrisht që kjo do shoqërohet me një reformë të re dhe të shpejtë, e cila dhe kjo na gjeti, si ngjarje, në procesin e përgatitjes për të ndarë në mënyrë teknike biznesin e vogël nga hapësirat që iu japin atyre që fitojnë shumë që të sillen si biznes i vogël, që të bëjnë cirk.
Në ndërkohë, nga ana tjetër, kjo do na ndihmojë të garantojmë punonjësit me pagë reale minimale. Sepse ndodh, fatkeqësisht, dhe inversi që iu jepen pagat minimale dhe pastaj iu merren mbrapsht një pjesë e tyre, që kjo është skllavëri, është abuzim prej skllavopronarësh.
Kjo qeveri do jetë e tëra në krahun e punonjësve dhe do stimulojmë punonjësit që të mos heshtin, por temë tjetër.
Më vjen shumë mirë që nga 1 janari fillon një sistem tjetër taksimi, për ata që marrin deri në 400 mijë lekë të vjetra, që nuk do paguajnë taksë mbi pagën. Për ata që marrin deri në 500 mijë lekë të vjetra, që do paguajnë vetëm gjysmën e taksës mbi pagën që kishin deri më sot dhe për ata të fashës së mësipërme, mbi 1,5 që do kenë ulje.
Të gjitha këto shkojnë në drejtim të njerëzve të punës, por është koha të ngremë një mur mbrojtës për njerëzit e punës dhe jo në mënyrë graduale, siç kemi bërë në këto 8 vjet, por në mënyrë intensive, tamam si muret e rindërtimit pas tërmetit.
Dy fjalë për projektet e mëdha. Kemi kantierin e Aeroportit të Vlorës, që ka nisur. Jemi afër finalizimit të marrëveshjeve të rëndësishme të fluturimeve për aeroportin e Kukësit. Informacionet e fundit janë shumë inkurajuese, nuk dua të jap data, por besoj që, le të themi, maksimumi në pranverë, aeroporti i Kukësit do jetë aeroport plotësisht funksional, me fluturime me kosto të ulët, ashtu siç është ndërtuar.
Kemi uljet drastike të çmimeve në aeroportin e Tiranës. Besoj se të gjithë e keni vënë re që nuk jemi në atë situatën e tmerrshme të çmimeve më të shtrenjta në Europë, por kemi çmime deri tek fare të ulëta nga aeroporti i Tiranës.
Kjo si rezultat i kalimit të administrimit të aeroportit në duar shqiptarësh. Kemi planin e ndërtimit gati të terminalit të dytë dhe të zgjatjes së pistës, në atë vlerën e deklaruar për rreth 100 milionë eurosh që është një investim i madh më vete. Janë hapur dy lobe të tjera në Unazë të Tiranës. Aty kemi çështje të tjera të rëndësishme sociale me një numër jo të vogël banesash, të cilat duhen prishur për t’i hapur rrugë ndërtimit të Unazës dhe këtu do t’i kthehem një moment asaj që ka të bëjë me një mësim dhe një frymëzim që kemi marrë nga gjithë Programi i Rindërtimit. Sot kemi kapacitetet, kemi dijen dhe kemi besimin lidhur me këto të dyja për një Program të ri Kombëtar Strehimi.
Pra këto vepra që flasin vetë, s’po i komentoj unë, me standarde krejt të reja urbanistike dhe sigurie në aspektin e mbështetjes sociale për njerëzit në nevojë për shtëpi, na japin mundësinë që sot të angazhohemi me një Program të ri Kombëtar për strehimin dhe të vazhdojmë pavarësisht tërmeteve. Pra, nuk do presim të bjerë tërmet tjetër për të ndihmuar familjet që kanë nevojë për strehim. Kuptohet, me skema financiare shumë të lehta për familjet dhe për çiftet e reja.
Janë dy kategori dhe të gjitha banesat që do të jenë për prishje për ndërtimin e Unazës, por edhe në zona të tjera të vendit ku nuk është çështje prishjesh, por çështje njerëzish të pastrehë, kush ka nevojë për një strehë të re, do trajtohen me këtë program.
Për familjet e atyre banesave, do t’u japim direkt bonusin e qerasë, siç kemi bërë edhe me familjet që u prekën nga tërmeti dhe pika e dytë do të jetë kontrata apo angazhimi, dhe angazhimi zyrtar për t’i pajisur me banesa të reja sociale, natyrisht sipas kushteve të numrit të familjes etj.
Rruga e Arbërit është hapur dhe ka lehtësuar në mënyrë të jashtëzakonshme qarkullimin e njerëzve nga Dibra në Tiranë, por është kthyer edhe në një rrugë me shumë trafik në fundjavë sepse shumë njerëz nga Tirana shkojnë shohin Dibrën për herë të parë, por me gjithë shkurtimin e madh të kohës, në fund të pranverës me fillim të verës, me hapjen e tunelit të Murrizit, i cili siç e dini shfaqi probleme të papritura të natyrës gjeologjike, do të kemi një lidhje Tiranë-Dibër që faktikisht e bën Dibrën jastëkun e gjelbër të kryeqytetit.
Jemi në një proces shumë pozitiv, se e kundërta ka ndodhur me tunelin e Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë ku janë hapur pjesë të tjera. Aty formacioni gjeologjik ka qenë shumë i favorshëm dhe besojmë që sezonin e ardhshëm veror do ta sjelli Sarandën shumë afër Tiranës.
Me portet fillojmë në janar besoj, me kantieret pasi janë bërë të gjithë procedurat për portin e ri turistik të Vlorës dhe për portin e ri tregëtar të Vlorës. Nesër faktikisht dorëzojmë fillimin e përgatitjeve të punës për fazën e parë të ndërtimit të portit turistik të Durrësit. Porti i ri tregtar i Durrësit është në procesin e projektit të detajuar në një prej projekteve të një prej kompanive më të mëdha të botës, Royal Haskoning që ka fituar dhe garën.
Në Sarandë po punohet për portin e ri turistik. Në Shëngjin, me portin turistik të Shëngjinit jemi në proces.
Aeroporti i Sarandës do të futet përsëri në garë sepse kemi pasur gara të pasuksesshme ndërkombëtare, por jam besimplotë që do të kemi dhe aty një mundësi për të nisur së shpejti nga puna.
Fillojmë vitin që vjen me autostradën e madhe, me Korridorin Blu. Pjesë-pjesë, nga Murriqani, Milot, Thumanë, Kashar, Rrogozhinë dhe Fier. Një rrugë e re dhe natyrisht me gjithë infrastrukturën e nevojshme të rrugëve dytësore. Nuk po zgjatem më tutje me këtë pjesë se ka ende plot për të thënë.
Në procesin e integrimit europian gjërat janë të qarta.
Jemi në një fazë absurde të bllokimit për shkak të vetos së vënë nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut dhe në Këshillimin Kombëtar kemi kërkuar një opinion nga qytetarët nëse ata do ta mbështesnin një qasje të re të politikës sonë të jashtme, që do të thotë, po qe se në fund të presidencës franceze, d.m.th. në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm, Bullgaria do të vazhdojë të vërë veton, të fillojmë hapur të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut në drejtimin dhe vlerësimin tonë.
Është vendim me peshë të rëndësishme të natyrës strategjike. Ndërkohë ajo që është e rëndësishme, është që pikët tona në vlerësime përsa i përket këtij procesi rriten dhe dy komponentë të rëndësishëm në rritjen e pikëve janë hapat që ka filluar të hedhë sistemi i ri i drejtësisë, posaçërisht Prokuroria Speciale, e cila ka dhënë shenja të qarta se nuk është një prokurori e politikës, as e partive, as e të majtës, as e të djathtës, por është një Prokurori Speciale antikorrupsion e Republikës së Shqipërisë.
Dhe e dyta, operacionet antikrim dhe sidomos ngjitja e një niveli të ri e operacioneve të përbashkëta ku një rol të posaçëm ka edhe SPAK-u. Unë dua të përshëndes prokurorët e SPAK-ut, dua t’i inkurajoj që të mos shohin as majtas, as djathtas, por të shohin vetëm drejt.
Dua t’i siguroj për mbështetjen e plotë morale nga ana jonë, dhe dua t’i konfirmoj edhe një herë, që kur e kemi nisur reformën në drejtësi as shumë njerëz brenda nesh nuk besonim se do ja dilnim se kërkonte një ndryshim kushtetues. Bindja ime ka qenë se një gjëje që i ka ardhur koha, asgjë nuk i del përpara dhe po ashtu bindja ime ka qenë dhe mbetet që, nëse ka diçka, një vlerë të rëndësishme historike që mund të bëjë kjo shumicë, dhe unë përsa kohë që unë kam këtë detyrë kaq të lartë dhe këtë nder kaq të madh që të jem në krye të vendit, është hedhja e bazave të një drejtësie të drejtë. Një drejtësi e drejtë është pa kthesa majtas e djathtas dhe cilido qoftë në këtë pjesë të kampit ku unë jam në krye, ka llogari të hapura për t’i trajtuar me drejtësi, është shumë e qartë që për aq kohë sa llogaritë nuk janë mbyllur me drejtësi, nuk ka punë fare me ne.
Shumë e qartë dhe shumëkush e trajton këtë pjesë si diçka që duhet të shqetësohemi, është e kundërta komplet. Inkurajohem dhe inkurajoj deri në fund prokurorët që ta bëjnë punën e tyre pa rezerva. Pa asnjë rezervë. Askush nuk mund të fshihet pas logos së Partisë Socialiste. Askënd nuk mund ta mbulojmë me flamurin e Partisë Socialiste dhe në asnjë mënyrë Partia Socialiste nuk mund të bëhet zyrë avokatie për asnjë. Kush i ka krijuar vetes komoditetin që të përfitojë personalisht nga qëllimet, nga planet, nga punët tona personalisht do të përballet me drejtësinë. S’kam asnjë dyshim për këtë.
E mbyll me situatën politike, është situatë politike që për mua ka vetëm një këshillë: Mos u merr me ta! Mos u merr me këtë punë. Dhe për këtë arsye, trajektorja jonë do të jetë komplet tjetër, duke filluar nga tani e deri në fund të mandatit. Do të bëj çmos që të shkojmë më afër njerëzve, do të bëj çmos që politika të bëhet sa më shumë një mjet në funksion të njerëzve, totalisht përtej të majtës e të djathtës, totalisht përtej të majtës e të djathtës në raportin e qeverisë me njerëzit, siç po bëjmë dhe po i shohim frytet në aspektin moral, shpirtëror e energjive të rindërtimit, ku nuk ka të majtë e të djathë, por ku ka shqiptarë që duhen mbrojtur, duhen strehuar.
Kështu do ta forcojmë sa të mundemi këtë marrëdhënie, duke braktisur totalisht llogoren e përplasjeve absurde dhe konfrontimin me palë që nuk dinë ku kanë kokën e tyre dhe jo më të kenë kokë mbi supe për të dhënë për vendin në këtë fazë. Situata është sa e rëndë, aq edhe qesharake me thënë të drejtën. Një situatë tamam groteske ku marrëzia dhe egërsia bashkohen bashkë dhe janë fatkeqësi e madhe, por ne nuk kemi asnjë mundësi që ta ndryshojmë atë trajektore marrëzie dhe e vetmja gjë që na takon të bëjmë është të shkojmë te njerëzit.
Këshillimi Kombëtar do të jetë një instrument më shumë dhe viti 2022 me të gjitha punët në të gjitha anët, do të jetë në radhë të parë në qëllimin tonë, viti i fëmijëve dhe shërbimeve.
Nga njëra anë do të bëjmë një hop të rëndësishëm në qasjen ndaj jetës së përditshme të fëmijëve dhe të më të rinjve, duke financuar dhe duke motivuar që në atë hapësirë mes shkollës dhe shtëpisë, të ketë art, të ketë zeje, të ketë sport dhe teknologji. Më shumë teknologji për të pasur më shumë të rinj që hyjnë në tregun e pagave të larta të punës, duke shfrytëzuar dijen teknologjike dhe pa pasur nevojë të lëvizin nga Shqipëria të mund të punësohen jashtë vendit përmes teknologjisë. Kemi këta të rinj, por duhet t’i shtojmë dhe do t’i shtojmë, e do t’i shtojmë dhe patjetër shërbimet në 2022 do të ndryshojnë rrënjësisht sepse do të mbyllen sportelet dhe shteti do të jetë në xhepin e njerëzve.
Këto janë pak a shumë, kjo quhet e shkurtër për mua kështu që jam i hapur për pyetjet tuaja.
* * *
– Zoti kryeministër, dua ta nis pyetjen time pikërisht nga çështja që donit të merrnit më pak vëmendje vitin e ardhshëm, por duke qenë se jemi akoma në 2021, po e bëj si pyetje. Kundërshtarët sigurisht që nuk zgjidhen, por a keni pasur ju ndikim zoti Rama për ta mbajtur Lulzim Bashën në krye të opozitës? Ka pasur shpesh akuza për këtë çështje dhe më shumë ka ndikuar marrëveshja e 17 majit, por sigurisht i kanë dhënë zë këtyre akuzave dhe deklarata tuaja në parlament që e keni dashur, e doni dhe do ta doni Lulzim Bashën në krye të opozitës shqiptare. A ka pasur realisht një bashkëpunim jashtë syrit të publikut ,një bashkëpunim mes jush dhe Lulzim Bashës dhe nëse pas 6 janarit opozita shqiptare do të drejtohet nga Sali Berisha, ju do të vazhdoni t’i qëndroni deklaratave tuaja se do të bashkoni votat, do të bashkëpunoni me opozitën shqiptare për çështjet me interes kombëtar? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për një aspekt, në mënyrë të veçantë, akuzat. Ne jemi në një kohë kur sipas meje, nuk kam bërë një statistikë të saktë, por sipas meje, dita prodhon më shumë gënjeshtra se sa të vërteta. Akuzohet kryetari i bashkisë për shembull se ka blerë një super makinë luksi. Akuza merr dhenë. Gjithë dynjaja fillon shan ndërkohë makina është një makinë e dikujt tjetër e parkuar para bashkisë.
Akuzohem unë se paguaj 730 mijë euro për avion, në vit. Akuza merr dhenë. Fillojnë sharjet, gënjeshtër fund e krye. Gënjeshtër pa bravë fare. E kështu ka plot e plot, por solla dy flagrante fare, që janë spektakolare. Me çfarë ushqehet opinioni publik, nga burimet e informacionit në kërkim të lajmit me çdo kusht, në kërkim të klikimeve, në kërkim të audiencës, natyrisht që e keqja bën më shumë bujë, gënjeshtra gjen më shumë vesh, se populli nuk e ka thënë kot fjalën që kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta akoma nuk ka veshur pantallonat.
Për t’u kthyer tani tek Lulzim Basha.
Lulzim Basha është një nga dy anët e një marrëzie që po e çon Partinë Demokratike drejt një fundi të merituar për shkak se është një fund i përgatitur me vite, jo nga unë, as nga ne, as nga ju, as nga ata shqiptarë që e besojnë, e votojnë, e mbështesin Partinë Demokratikë e nga e cila nuk kanë përfituar asgjë fare, por si tifozët e një skuadre futbolli, nuk i ndahen skuadrës së tyre dhe kur skuadra nuk fiton kampionatin, por pikërisht nga këto dy figura që janë në fakt shëmbëlltyra e gjithë asaj që është përgatitur me këmbënguljen e verbër, në përsëritjen e të njëjtës gjë, në kërkim të kotë të rezultateve të tjera. Një forcë politike që nuk ka prodhuar prej vitesh asgjë tjetër, përveçse mite fitoresh të vjedhura e sherre që kanë afektuar vendin, rrëmujave, të cilat kanë dëmtuar vendin, në një përpjekje për t’u rikthyer në pushtet, faktikisht pa pasur asnjë kapacitet real për të qeverisur.
Thënë të gjitha këto, për mua është shumë e qartë. Nuk kam asnjë punë as me njërin e as me tjetrin. Janë dy burra në një hall të madh e askush nuk ua zgjidh dot dhe hallin e tyre e kanë kthye në hallin e partisë së tyre e duan ta kthejnë dhe në hallin e Shqipërisë, por nuk është e mundur kjo gjë. Kështu që për sa më takon, nuk mund të bëj parashikime, nuk mund të parathem se çfarë do të sjellë e ardhmja, por siç janë gjërat, nuk kam asnjë arsye përpos dëshirës që jo e jo për t’u marrë me njërin apo tjetrin dhe edhe kohën që ma kanë marrë, nuk kanë për të ma marrë më, sepse do t’jua jap njerëzve të zakonshëm. Nuk kam asnjë preferencë, është një marrëzi e ndarë përgjysmë, për ta thënë në mënyrë etike. Faleminderit!
– Gjatë këtij viti kanë ndodhur disa gjëra për të cilat një parti në pushtet në nivel qendror dhe lokal nuk do të ishte shumë krenare. Për shembull një kryebashkiak është në burg për korrupsion. Një ish ministër i juaji është sërish në qeli për korrupsion, ndoshta nga më madhorët i akuzuar nga prokuroria. Dolën në fillim të dhënat e patronazhistëve, më pas shteti nuk ia doli dot të mbrojë të dhënat sensitive me pagat e as me targat. Në çdo rast ju keni thënë që përgjegjësia nuk është tek ju, por keni drejtuar gishtin tek dikush tjetër. A ka ndonjë rast që kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i PS që ka çdo pushtet qendror dhe lokal të thotë që po, ky është faji im sepse unë këtë ekip nuk po e drejtoj në çdo drejtim siç duhet? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: E para e punës, njëherë ato që ju i konsideroni arsye për t’ju thënë unë që po ky është faji im, për mua janë arsye për t’ju thënë juve që po, përpjekjet e mia dhe tonat po funksionojnë sepse përndryshe për çfarë e kemi bërë ne reformën në drejtësi?
Unë nuk hyj në rastet individuale, rastet individuale janë raste individuale deri kur fajësia të vërtetohet nga gjykata, çdokush është i pafajshëm, por kjo është një çështje e individëve, nuk është çështja ime. Çështja ime është t’ju them juve që nëse drejtësia sot dhe nëse prokuroria speciale po jep shenja të qarta që nuk sheh majtas e djathtas, unë jam krenar për këtë. e nga ana tjetër, t’ju them juve që po, përgjegjësia është individuale, shumë individuale madje. Çdokush që merr një detyrë zgjidhet për 1001 arsye, të cilat nuk bien si arsye, në momentin kur ai ose ajo gjenden në faj. Nuk bien këto arsye, por ama, në atë moment ai është vetëm, cilido qoftë. Kaq!
Ju vazhdoni thoni “patronazhistët”, nga e nxirrni ju këtë? Me çfarë të drejte e përsërisni këtë kur jo vetëm unë që e kam thënë atëherë, por dhe të gjitha hetimet e bëra kanë nxjerrë që nuk është baza e të dhënave të Partisë Socialiste, por është një bazë të dhënash e miksuar me të dhëna të vjedhura nga Partia Socialiste. Nuk kemi ne numra kartash identiteti në regjistrin e patronazhistëve. Nuk kemi. Pikë! Tani nga del kjo? Del pra se përsëritet e përsëritet. Tani duhet të them unë që është faji im? Për çfarë?
Ndërkohë dalja e të dhënave mbi pagat është shumë e shëmtuar, është kriminale dhe thashë, prokuroria do ta ndjekë, por nga ana tjetër, më ndihmoni ju nëse ma gjeni një rast. Unë nuk di ndonjë vend demokratike me standarde, meqë flasim për standarde e meqë shpesh herë pyetjet bëhen “në çdo vend”. Ok, ma tregoni vendin ku nxjerrja e të dhënave, unë ju them vendin ku kanë dalë, ju më tregoni vendin ku ka ndodhur që për këtë, t’i drejtohet gishti i akuzës kryetarit të shtetit, kryetarit të qeverisë, po të doni ju dhe ministrave. Amerikës, i dolën rrugëve të gjitha të dhënat më sensitive të departamentit të shtetit, të gjitha muhabetet e bëra nëpër ambasada me palët e tjera, morën dhenë. Dini ju gjë që të ketë marrë përgjegjësi apo t’i jetë ngarkuar përgjegjësia ndonjë sekretari shteti? Kjo nuk është shmangie nga përgjegjësia. Kjo është luftë, e në këtë luftë që e bën e gjithë bota, e bën edhe Franca sot, tani që flasim, presidenti francez ka propozuar një reformë të re për të dhënat. Franca, ka pasur rrjedhje të të dhënave. Anglia, policia metropolitane e Londrës, një nga policitë më të sofistikuara të planetit, i dolën shenjat e gishtave të 1.9 milionë njerëzve rrugëve. Janë gjëra që në botën që jetojmë, me teknologjinë, me akseset në sisteme, përbëjnë gjithmonë një rrezik. Çfarë duhet të bëjmë ne tani? Ne duhet të vazhdojmë përsosjen e sistemeve dhe pikërisht për të krijuar kapacitete mbrojtëse më të larta kemi vendosur buxhetin dhe nuk e kemi vendosur tani, por e kemi vendosur prej disa kohësh dhe prej disa kohësh e kemi shpallur, për të ndërtuar qendrën shqiptare të mbrojtje kibernetike.
E dyta, kemi nisur bashkëbisedimin në bazë të marrëveshjes së bërë me qeverinë amerikane, e 2 tetorit, për falë të cilës kemi sot dy kompani të mëdha amerikane që janë angazhuar për të investuar në ekonominë tonë, qoftë për Skavicën, qoftë për TEC-in e Vlorës, me një prej grupeve më të mëdha të mbrojtës së sistemeve, por jo vetëm nga ana kibernetike, por nga ana e protokolleve sepse për sa kohë do ketë njerëz që merren me kompjutera, për aq kohë do ketë gjithmonë dhe risk nga pikëpamja e ndërhyrjes njerëzore kriminale. Tjetri mori sekretet ushtarake të Amerikës dhe është i strehuar në një vend jo dhe aq mik të Amerikës e faktikisht çfarë do të thonë këto gjëra? Që duhet të vazhdojmë të rrisim kapacitetet mbrojtëse.
Në 9 janar në mos gabohem vjen këtu grupi amerikan që ka bërë çudira në këtë punë dhe shpresojmë që të kemi një marrëveshje me të e do ta forcojmë sistemin, por jemi gjithmonë dhe të ekspozuar. Tani çfarë kërkoni ju? Unë kur dola fola për këtë gjë u kërkova ndjesë qytetarëve që kjo ka ndodhur. Ndjesa është ajo që mund të kërkoj unë dhe ajo që mund të bëj e që bëj gjithmonë është reagimi për të nxjerrë mësime e për t’i përmirësuar gjërat. Kurse për pjesën e drejtësisë po ju them, sa herë do dëgjoni goditje nga drejtësia, aq herë duhet të mendoni që unë ndihem mirë sepse do të thotë që reforma e drejtësisë nuk është një muhabet pazari, nuk është as një reformë politike, nuk është as një përpjekje partie kundër partie, por është një vizion dhe një vullnet e një ambicie e një qëllim i madh i imi për t’i lënë Shqipërisë këtë vepër që natyrisht nuk do të mbarojë me mbarimin e punës sime sepse do të kërkojë kohë, se kollaj flasim për vendet e tjera, por vendet e tjera kishin gjykata të drejta, vendet e tjera kishin administratë publike, vendet e tjera kishin shërbime sociale, vendet e tjera kishin shtet kur ne ishim një provincë me pluhur e një perandorie e nuk dinim ku kishim kokën. Nuk bëhen kaq kollaj proceset që ngrenë shtete.
-Zoti kryeministër, çështjen e pagave e quajtët një ngjarje kriminale, por ekspertë të çështjeve të sigurisë në vend e kanë komentuar si një cenim të rëndë të sigurisë kombëtare. Vendet jo mike me Shqipërinë dhe me NATO, këtë fundvit, kanë marrë një dhuratë të paprecedentë sepse në ato lista janë të gjithë emrat e punonjësve të Shërbimit Sekret të ushtrisë shqiptare, një vend anëtar i NATO. Në të tilla kushte, zoti kryeministër, meqenëse, ju jeni punëdhënësi i drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, a keni kërkuar shpjegime nga SHISH se përse e patën të pamundur ta evitojnë këtë cenim të sigurisë kombëtare të Shqipërisë?
Kryeministri Edi Rama: Po ju jap një shembull, jo për të relativizuar peshën e problemit. Norvegjia, të dhënat e pagave të të gjithë njerëzve i ka pasur publike dhe çdokush mund të futej, madje dhe anonim, dhe ka bërë një ndryshim që për të parë pagat e të tjerëve, ti futesh vetëm me ID dhe nuk besoj se është nën kërcënim, të ndonjë force malinje. Pse e them këtë? Kjo është një ngjarje kriminale dhe për këtë Prokuroria uroj, shpresoj dhe kam arsye të besoj, falë investigimeve intensive që po zhvillohen, të dalë në rezultate konkrete dhe njerëzit të marrin mësimin e duhur që kush fut duart në të dhënat e të tjerëve mund të përfundojë shumë keq. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është që për t’iu përgjigjur pyetjes për shërbimin, nuk është aq transparente sa duket aty. Kështu që, mos kini asnjë merak që ata elementë, që kanë të bëjnë realisht me sigurinë, janë ekspozuar aty.
E thashë, shqetësimi që i është krijuar njerëzve është arsye për t’ju kërkuar ndjesë, nuk diskutohet por, duke pasur parasysh kohën ku jetojnë, duke patur parasysh çfarë i ndodh vendeve të tjera, duke patur parasysh si reagojnë vende të tjera, duke patur edhe çfarë, e e thashë dhe më parë, që në këtë të keqe ka edhe një të mirë, sipas meje, që njerëzit panë shumë gjëra.
Unë shpresoj, por kam besim që do t’iu vlejë, edhe shumë të ekspozuarve aty, që të marrin masa dhe do na vlejë edhe ne për të pasur mbështetje nga njerëzit, sepse tanimë nuk është me të dëgjuar, por me të parë. Nuk besoj se do na thotë më njeri që po sulmojmë njërin apo tjetrin, sepse nuk kemi ndërmend të sulmojmë asnjëri.
Përfitoj nga rasti t’u them të gjithë atyre që janë ekspozuar si abuzues, të marrin masa sepse, përsa kohë vetërregullohen, janë subjekt i një shkeljeje administrative. Në rast se do hetohen për evazion, janë subjekt i ndjekjes penale dhe ata që kanë pasuri, të cilat nuk mund të bëhen me 300 mijë lekë të vjetra, të rregullojnë pagën e ndërkohë, të mendojnë që pasuritë e tyre t’i gëzojnë, por jo duke iu grabitur punonjësve të tyre pensionin, jo duke iu pamundësuar pensionistëve rritjen e pensionit sepse që të rrisim pensionet duhet të rrisim kontributet. Nëse kontributet vidhen, sepse kjo është vjedhje, është grabitje, atëherë, dikush duhet të mendohet. Nëse nuk mendohet, duhet të ndëshkohet. Kështu që shikojeni dhe nga kjo anë.
-Zoti kryeministër, ndërkohë që një ish ministri juaj është në burg për aferën e inceneratorëve, janë shpallur në kërkim edhe dy pronarë të dy kompanive që po ndërtonin inceneratorin e Elbasanit. Këto kompani po ndërtojnë edhe inceneratorët e Fierit dhe Tiranës. Ndërkohë që ata janë shpallur në kërkim qeveria vazhdon të paguajë fatura për këto kompani. Ministrja Balluku tha dje që do vazhdojmë të paguajmë këto fatura kompanive koncesionare. A mendoni se është politikë e mirë që të marrim paratë nga xhepat e varfër të shqiptarëve dhe t’i çojmë tek këto kompani ndërkohë që pronarët e tyre akuzohen për pastrim parash?
Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që nuk është politikë e mirë për shqiptarët e varfër që gazetaria të bëjë propagandë, mendoj unë, me gjysmë të vërteta dhe mbi të gjitha pa ju referuar atyre normave ligjore, të cilave një qeveri e ka detyrimin t’i referohet. Edhe një herë, për mua, ministra, ish-ministra, e çfarëdo qofshin janë bashkëpunëtorë për të cilët hidhem në zjarr deri ditën kur zjarri është zjarri i një lufte të përbashkët për t’i bërë punët e këtij vendi sa më mirë. Në momentin kur dikush, teksa unë hidhem në zjarr çdo ditë për t’i bërë punët më mirë kërkon t’i nxjerrë gështenjat për vete nga zjarri, nuk është çështja ime, nuk është më çështja jonë, është çështje individuale me drejtësinë. Sa më shumë të ma përsërisni këtë aq më shumë do t’ju përsëris këtë tjetrën dhe aq më shumë do t’ju them që për mua këto janë lajme për drejtësinë që ka filluar të funksionojë.
Për sa i përket atyre veprave, asgjë që ka të bëjë me aktet individuale dhe thashë, s’jam unë për të bërë as prokurorin as gjykatësin, por me gjasën e shkeljeve e abuzimeve individuale nuk cenon rëndësinë e atyre veprave, të cilat janë shpëtimtare për njerëzit, për ata njerëzit të cilëve juve u qani hallin dhe në fakt, të cilët duhet t’i informoni sa më saktë se kjo është detyra juaj. Janë vepra që kanë një benefit shumë të madh dhe të mos harrojmë janë vepra që janë të destinuara t’i kthehen shtetit dhe të jenë pronë e popullit shqiptar.
Sot impianti i Elbasanit është pronë e popullit shqiptar, është pronë e komunitetit të Elbasanit, është pronë e bashkisë së Elbasanit, e një bashkie, e cila jetonte nën renë e tymit të plehrave të bëra mal që digjeshin në mes të qytetit. Ka një shprehje që thotë “të mos hedhim fëmijën, beben, bashkë me ujin e ndotur”. Uji i ndotur është një gjë, bebja është një gjë tjetër.
Për sa i përket pyetjes konkrete përgjigja e ministres është përgjigja e duhur sepse janë marrëdhënie kontraktuale, të cilat imponohen nga ligji për të vazhduar deri kur të ketë vendime të formës së prerë të gjykatave. Pati një vendim të marrë lidhur me Elbasanin, sot Elbasani është në administrim dhe procesi është i kalimit nga administrimi shtetëror i një aseti të sekuestruar në administrimin bashkiak. Gjërat janë siç na i thotë ligji, jo siç na lënë të kuptohen pyetjet tuaja që janë legjitime për linjat tuaja editoriale, por nuk janë linja jonë e punës.
-Në pak kohë do të nisë edhe procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, si në rastin kur Gjykata Kushtetuese vendos të legalizojë vendimin e Parlamentit për shkarkimin e Ilir Metës apo dhe në një procedurë normale që do të duhet të nisë pak më vonë. Ju para nisjes së kësaj legjislature keni deklaruar se për zgjedhjen e Presidentit të ri do të konsultoheni me opozitën, do ta mbani këtë premtim? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Këtë e kam deklaruar kur opozita kishte kryetar. Sot natyrisht në parim po, por duhet të shikojmë se me kë mund të flasim. Për momentin nuk kemi me kë flasim.
-Duke referuar dhe shifrave aktuale të variantit të ri Omicron, ndoshta dhe Francës që aktualisht ka rekordin e tyre, por edhe në Shqipëri që janë prezente rastet, ndoshta në vijim mund të bëhet situata edhe më alarmante. Duke kaluar një periudhë shumë të vështirë për shkak të pandemisë dhe sigurisht një barrë në kurriz të shqiptarëve, por edhe të bizneseve, a rrezikon Shqipëria që të mbyllet sërish dhe nëse jo, çfarë plani konkret apo strategji keni që ta kaloni apo ta shmangni një kolaps të dytë ekonomik?
Kryeministri Edi Rama: Bëre një lapsus shumë të bukur për të gjithë ata që duan të bëjnë festa, dasma, schiuma party dhe e kërkojnë nga qeveria që ta mbajë virusin larg. “Çfarë plani keni që ta kaloni”. Lapsusi është në rregull. Pa dashje the një të vërtetë shumë të madhe që shumë njerëz këtë e konsiderojnë barrën tonë. Njerëz që punonjësve të tyre iu grabisin pensionin, duke ua dhënë një pjesë të pagës cash dhe bëjnë teori në televizion pse nuk rriten pensionet ose në kafene. Nuk e kam këtë me median, e kam me gjithë këtë “elitë ekonomike”. Njerëz që ecin me shpejtësi skëterre dhe ankohen pse nuk ka rregull në trafik.
Njerëz që shikojnë dhe e kërkojnë virusin si të gjithë ju dhe ne kur ishim adoleshentë, që kërkonim të dashurën ose të dashurin dhe thonë “pse na kapi, pse do mbyllemi”. Domethënë, duam shtet, duam drejtësi, duam ligj, duam barazi, por jo për vete. Të gjitha këto të jenë, por kur vjen puna tek unë, jo. Ky është problemi me virusin dhe shtrëngimet.
Megjithatë, për t’i dhënë përgjigje pyetjes, unë shpresoj jo. Do bëjmë çmos që jo. Pra, jo mbyllje të mëdha. Por, duhet të keni parasysh që e gjitha kjo varet nga spitalet sepse mbylljet që po ndodhin jashtë janë të lidhura me spitalet që po mbushen ose po shkojnë në pikën që po saturohet sistemi. Disa masa do i marrim me siguri se nuk kemi rrugë tjetër. Nuk është dita sot për të folur për masa. Është dita për të folur për fundin e vitit dhe për ta parë vitin e ardhshëm me të gjithë ato aspekte që janë arsye për optimizëm.
-Zoti kryeministër, pak ditë më parë, zonja Monika Kryemadhi la të hapur mundësinë e rikthimit të zotit Ilir Meta tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Ju jeni të gatshëm për një fillim të ri me këtë parti?
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk hyj në marrëdhëniet familjare të të tjerëve.
-Zoti kryeministër, deklaruat më herët, në pyetjen e koleges së BIRN, se qeveria duhet të zbatojë kuadrin ligjor për inceneratorët. A mendoni se duhet të ishte zbatuar i njëjti standard edhe për biznesmenin Francesco Becchetti dhe a duhet të mbani ju përgjegjësi personale për 110 milionë eurot që biznesmeni ka fituar në arbitrazh?
Kryeministri Edi Rama: Nuk e kuptoj ku ngjajnë këto të dyja. Punë e madhe fort. Sipas nesh, jo. Dhe po të them dhe njëherë tjetër atë që të kam thënë. Kur ai njeri, i cili është person në kërkim dhe është, me kërkesë nga Prokuroria, për krime ndaj këtij vendi, do t’i marrë ato lekë, atëherë hajdeni dhe do flasim prapë.
Zotëri, flasim për dy gjëra të ndryshme, se nuk po merremi vesh prapë. Flasim për një shërbim që vazhdon. Dhe që duhet të vazhdojë. Ato vepra janë vepra në shërbim të komuniteteve. Ju mund t’i shihni si vetura të personave që nuk duhet t’i përdorin më. Ato janë vepra në shërbim të komuniteteve dhe ato vepra duhet të vazhdojnë deri në fund t’i shërbejnë komuniteteve. Çfarë lidhje ka kjo me vendimin për atë tjetrin? Këto janë vepra në shërbim të komuniteteve, që duhet të vazhdojnë dhe ajo përgjigje, që është përgjigja e duhur nga pikëpamja ligjore, është vetëm nga pikëpamja ligjore ngushtësisht, por nga ana tjetër, nuk kemi ne asnjë tagër dhe mundësi që të bëjmë ndërprerjen e këtij procesi sepse do të thotë të hedhim në humnerë vepra publike, të cilat janë strategjike për vendin tonë, për mjedisin e vendit tonë. Duan, nuk duan, ata që nuk duan, janë strategjike për mjedisin e vendit tonë. I kam qëndruar dhe i qëndroj kësaj me lehtësinë më të madhe të njeriut që këta njerëz as nuk i njeh, as nuk ka komunikuar ndonjëherë, as nuk e di po t’i shoh se kush janë, as nuk më interesojnë fare. Mua më interesojnë veprat.
Pjesa tjetër është pjesë e drejtësisë. Nuk është pjesë e imja. Nuk jemi në vitin 1945 sepse po të ishim në vitit 1945, atëherë do ishte përgjegjësia ime që të merresha dhe me arrestime, me investigime e me burgosje e me pushkatime. Lavdi Zotit, nuk jemi në vitin 1945, jemi në vitin 2021 në mbyllje po vjen 2022. Janë të ndara përgjegjësitë.
Ka një pushtet të katërt, ku liria e fjalës i jep mundësinë që një gazetar/e të bëjë dhe prokurorin, gjykatësin, por gjithsesi në rolin e dikujt që jep opinion, por që nuk merr, lavdi Zotit, vendime. Ne kemi përgjegjësinë të marrim vendime dhe vendimet tona merren mbi bazën e ligjit dhe të qëllimeve.
-Ju vazhdimisht e konsideroni Reformën në Drejtësi si historike për vendin. Vetëm dy ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë konstatuan se efektet e Reformës në Drejtësi kanë krijuar vakanca, të cilat do duhet të plotësohen brenda 5 viteve. Mendoni se është e nevojshme një ndërhyrje ligjore për të reduktuar këtë kohë. Një koment tjetër, nëse mundet, në lidhje me hartën e re gjyqësore të propozuar, e cila parashikon shkurtimin e numrit të Gjykatave të Apelit, por që gjatë këtyre dy ditëve ka patur qëndrime kundër nga një pjesë e avokatëve, por edhe nga qytetarët?
Kryeministri Edi Rama: Për këtë të dytën, nuk kam asgjë për të shtuar. Është një hartë e mirëmenduar. Shqipëria nuk është Kina, është një vend i vogël dhe faktikisht, për mua është gjëja e duhur dhe do bëhet ashtu siç është paraqitur. Përsa i përket pjesës së parë, unë kam një gjë tjetër që do ta përsëris. SPAK-u duhet t’u japë qytetarëve një mesazh kuptimplotë lidhur me një nga principet dhe qëllimet e Reformës në Drejtësi; vënia përpara drejtësisë e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar që nuk justifikojnë pasuritë e tyre, nuk kalojnë vettingun dhe kanë mospërputhje flagrante mes të ardhurave dhe pasurisë.
Pa u bërë kjo, kredibiliteti i reformës në sytë e popullit do jetë ende i ulët dhe nga ana tjetër, garancia që sistemi i takon përfundimisht popullit, do jetë shumë e ulët. Shumë mirë adresimi i problemeve që lidhen me korrupsionin e përfaqësuesve politikë, pa dallim. Shumë mirë! Të vazhdojnë, por janë dhe ky komponentë të tjerë. Komponenti që është e shkruar e zeza mbi të bardhë, edhe në rekomandimet e Komisionit Europian, por unë nuk i referohem atyre rekomandimeve për shkak se nuk dua që të kuptohet “Meqë thonë ata”. Ata shumë mirë që e thonë, por kjo na duhet ne. Kjo i duhet sistemit dhe popullit.
Një gjykatës, si gjykatës, që merr përsipër të bllokojë një vepër publike për fëmijët, pasi ne angazhohemi me forca krijuese, me forca financiare, me program pune për ndërtimin e një Qendre Kombëtare të Fëmijëve, me teatër të ri kukullash, me skena artistike për fëmijët, me të gjithë ato komponentë që prindërit duan për fëmijët e tyre kudo dhe që fëmijët e Shqipërisë dhe Tiranës, si kryeqytet i Shqipërisë meritojnë, në një pronë publike, nga ku lëvizin Gardën e Republikës për t’i hapur rrugë ndërtimit të kësaj Qendre Kombëtare të Fëmijëve dhe Bibliotekës së re Kombëtare dhe del gjykatësi, as një javë para se të ikë nga fshesa e vettingut, jep siguri padije për pronën, pasi po ai gjykatës e ka rrëzuar kërkesën për sigurim padije një vit më parë dhe të endet akoma lirisht rrugëve dhe të mos merret e të gozhdohet përpara drejtësisë, këto janë gjëra alarmante.
Gjykatës që na kanë marrë fytyrën, sepse detyrimisht, për 1001 arsye vjen drejt e tek unë se “Pse u lirua ky e pse u lirua ai”, a thua se po i lirojmë ne dhe këta njerëz të enden të lirë sot, me pasuri marramendëse, pasi vettingu i ka klasifikuar si në mospërputhje me normat morale dhe ligjore për të qenë gjykatës apo prokuror, ky është problem.
Komponenti tjetër janë ata që abuzojnë me lirinë e sipërmarrjes. Tre janë komponentët. Në një komponent, shenjat janë pozitive. Shpresoj të kemi të tjera shenja pozitive dhe nuk më intereson fare, përkundrazi, nga çdo anë të jetë, por këto dy komponentë të tjerë mungojnë.
Komponenti i pandëshkueshmërisë, ende, të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar, të provuar si të tillë, që i ka pastruar vettingu dhe që enden të lirë, është problem i madh moral, problem i madh besimi i qytetarëve sepse shumëkush mund të mendojë që vettingu do kryejë gjithë procesin.
Vettingu nuk është për të marrë gjykatësin dhe për ta çuar përpara drejtësisë. Vettingu është për ta hequr nga sistemi. Pastaj, çuarja përpara drejtësisë i takon pikërisht sistemit dhe sfida e plotësimit të vendeve vakante, që janë shumë për shkak se pastrimi është i thellë, është i vërtetë, është radikal, është një sfidë më vete.
-Ju përmendët çështjen e pagave por publikimi i tyre tregoi se në vend ka pabarazi sociale. Çfarë do bëni që në 2022 ky hendek të ndryshojë, duke qenë se jeni dhe kryeministër i një qeverie të majtë?
Kryeministri Edi Rama: Nuk kemi pritur këtë për të parë pabarazinë sociale. Pabarazia sociale është sfidë e gjithë dynjasë sot, nuk është vetëm sfida jonë. Ne jemi një qeveri që kemi bërë, nga pikëpamja sociale, masivisht, por që nuk është e mjaftueshme. Ndërkohë, ajo që lidhet me pagat është që abuzimi i papranueshëm me punonjësit, të cilëve iu regjistrohen paga minimale dhe marrin më shumë dhe iu jepen lekë në dorë. Ju këtu jeni dëshmitarë që kjo ndodh.
Nga ana tjetër, abuzimi me të ardhurat, fshehja e tyre dhe ajo që fshihet është më e madhe se ajo çfarë duhet. Pagat e larta taksohen 23%, që do të thotë që për ato paga, që janë aty të deklaruara, shteti i ka marrë taksat. Problemi është lojërat që bëhen duke u futur si persona fizik dhe duke shmangur tatimin e të tjera. E thashë, është një ngjarje e shëmtuar, kriminale, pra pasojat janë kriminale, por është një “Blessing in disguise”, në një aspekt, jam i bindur për këtë”.
-Ish-kryeministri Berisha, në datën 8 janar ka paralajmëruar një protestë për të marrë selinë e Partisë Demokratike. A do ta vendosni në dispozicion Policinë e Shtetit për ta mbrojtur këtë seli?
Kryeministri Edi Rama: Nuk kam lënë datë, por e kam në plan të merrem me leximin e “Mujit dhe Halilit” dhe jo temën e kullës së Partisë Demokratike, se kjo u bë si legjendë kreshnikësh që do përballen filan datë dhe hajde tani të gjithë ne do merremi me përballjen e tyre. Ky është një qamet i madh, është një shëmti e madhe, është një mizerabilitet i madh, qesharak, marrëzi, por është edhe pak si ajo shprehja “Ca të kërkosh, do gjesh”. I shkoi jeta duke kërcënuar e duke luftuar për të marrë kryeministrinë. Tani po luftojnë për të marrë Partinë Demokratike. Keqardhje e madhe, por edhe shumë qesharake, me thënë të drejtën. Probabilitetet e marrjeve dhe dorëzimeve të asaj kalaje janë shumë më të larta se këtu. Me një fjalë, përgatituni për estradë.
-Meqë në fillim folët për krizë energjetike, në këto kushte ku ndodhemi në krizë, jo vetëm vendi ynë, por sa kapacitete kemi dhe deri kur i ka kapacitetet Shqipëria për të furnizuar familjet shqiptare me energji elektrike pa ndërprerje dhe në rast se Kosova serish do kërkojë ndihmë nga Shqipëria, a ka mundësi vendi ynë?
Kryeministri Edi Rama: Ne e kemi ndihmuar Kosovën edhe deri pak ditë më parë, nuk është se është hera e parë. I kemi ndihmuar dhe i kemi dhënë energji deri pak ditë më parë me formulën jo të shitjes sepse për shkak që çmimeve që janë, me gjendjen që është Kosova, realisht është në hall. Patjetër që sa herë do jetë e mundur do ta ndihmojmë. Nga ana jonë, ne nuk do bëjmë kufizime. Është diçka për t’u parë pastaj në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm si do zhvillohen ngjarjet, në kuptimin global sepse varemi shumë nga tregu ndërkombëtar.
-Duke qenë se jemi në prag të Viti të Ri, çfarë do t’i uroni ju Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe Ilir Metës, por jo që të hanë gjelin gëzuar, por si politikanë dhe në fund çfarë i uron Edi Rama, Edi Ramës?
Kryeministri Edi Rama: Çfarë iu uroj si politikan atyre politikisht? Politikisht do i uroja që të shkojnë në shtëpi të gjithë. Do të ishte shumë mirë për ta politikisht, por e di që urimi do të bjerë në vesh të shurdhët kështu që s’më mbetet veçse t’i uroj njerëzisht që të kenë shëndet në familje dhe që ta gjejnë nga njëri – tjetri, mos ta gjejnë nga shëndeti, në kuptimin që shëndetin ta kenë gjithmonë me vete, për vete për familjet e tyre dhe pastaj ça bëjnë me njeri-tjetrin është jashtë mundësive të mia për t’i ndihmuar. Po të me jepej mundësia mua për t’i ndihmuar do t’i çoja në shtëpi të tre. Çfarë i uron Edi Rama, Edi Ramës? Shiko, janë bërë shumë këta që flasin në vetën e tretë për veten e vet. Unë nuk e kam arritur akoma këtë stad. Ditën që do ta arrij iu kërkoj juve që të çoheni të gjithë në këmbë dhe të thoni “ik në shtëpi se nuk je mirë” dhe shpresoj të mos arrijmë në ditën, e keni dëgjuar, njëri thotë “Presidenti i Republikës ka vendosur”. Napolon Bonaparti e përdorte këtë. Napolon Bonaparti thoshte, “Perandori ka vendosur” por ishte Napolon Bonaparti. Njëri thotë “Presidenti i Republikës ka vendosur” tjetri thotë “Sali Berisha e ka thënë”, i treti thotë, “kur e thotë Lulzim Basha ndajeni mendjen që kjo është vetëm e vërteta”, kurse unë nuk flas në vetë të tretë për veten time. Akoma nuk ka ardhur në ditën që t’i çoj kartolina vetes.
-Zoti Kryeministër do të doja pak të ndalesha te Ballkani i Hapur. Në Beograd ju kemi pyetur në lidhje me procedurat, lehtësimin e procedurave doganore, por edhe lehtësimet tarifore dhe ju thatë që nuk po shkojmë drejtë një unioni doganor. Ndërkohë në Tiranë, në samitin e fundit ju thatë që do të punoni në samitin që do të jetë i radhës në lidhje me lehtësimet tarifore. A mund të themi se po shkojmë drejtë një unioni doganor tre vendet e Ballkanit të Hapur? Nëse shqiptarët te Këshilli Kombëtar, te nisma juaj e re do t’i thonë “jo” Ballkanit të Hapur, a do të merret parasysh opinioni i tyre?
Kryeministri Edi Rama: Do të kërkoj një ndjesë shumë të sinqertë personalisht sepse je e dërguar e medias këtu, por një media që nxjerr këtë titull direkt tani live që “Edi Rama kërcënon me burg drejtuesit e medias”, nuk merr përgjigje nga unë. Gëzuar vitin e ri për ju, për familjen tuaj posaçërisht dhe shpresoj që viti tjetër të vijë mbarë për pagën tuaj, të të gjithëve ju sepse realisht nuk mund t’iu vë faj ju, por kjo është liria e shtypit. Po ky është mesazhi im për pagat që do të futen në burg drejtuesit e mediave?! Ok.
-Zoti kryeministër, në rast se do të thirreni nga prokuroria përsa i përket çështjes së inceneratorëve pasi ka një padi në fakt nga Lëvizja Socialiste për Integrim ndaj jush dhe zotit Veliaj, a do të paraqiteni?
Kryeministri Edi Rama: Nuk e diskutoj fare që çfarëdolloj nevoje të ketë për mua prokuroria, unë jam në dispozicion, nuk kam asnjë hezitim, asnjë problem. Nuk jam nga ata që i flasin vetes në vetë të tretë e bëjnë monologje se sa të pastër janë dhe që kur ka ardhur puna për të shkuar në prokurori, i janë shmangur prokurorisë ose me forcë, ose me kartela mjekësore. Fjalë shumë e vërtetë se ishte një teshtimë domethënëse për fundin e vitit.
Atëherë dhe njëherë faleminderit juve, shumë për të gjithë durimin. Juve jua qaj hallin realisht se s’keni mundësinë të bëni gjë tjetër kur unë mbaj fjalime të gjata. As nuk dilni nga dhoma tjetër kur jam në televizor, as nuk keni mundësi të fikni figurën. Rrini këtu dhe duhet të dëgjoni. S’keni as celular këtu. Ata na ndjekin nga penxherja e tyre dhe direkt bëjnë titujt sipas qejfit. Jeni viktimat më si të thuash për t’u admiruar për vuajtjen që dëgjoni fjalimet e mia të gjata dhe prandaj për këtë ju falenderoj shumë dhe ju kërkoj edhe ndjesë. Ndërkohë që sot e kisha pak më të shkurtër fjalimin hyrës dhe qëllimisht thashë më mirë po e bëj pak më të shkurtër. Nuk e keni për borxh edhe ditën e fundit të dëgjoni fjalim të gjatë, këtu ulur.
Shumë faleminderit!
Me shëndet të gjithëve juve familjarisht, miqtë, të afërmit, shokët, të dashurit, të dashurat, burrat, gratë, fëmijët, gjyshet, gjyshërit, vjehrrat, vjehrrit, të gjithë!