Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Sot u firmos marrëveshja për forcimin e sigurisë së sistemeve digjitale në vend me kompaninë e mirënjohur amerikane, “Jones International”, të drejtuar nga personaliteti i madh i ushtrisë dhe i politikës amerikane, James Logan Jones Jr, Gjeneral me katër yje i Korpusit të Marinës së Shteteve të Bashkuara, ish-Këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Komandant i Trupave të Marinsave, Komandant i Komandës Europiane të SHBA-ve dhe Komandant Suprem i Aleatëve në Europë.

Kryeministri Rama tha në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, se sfida e radhës në këtë aspekt është ngritja e një Qendre Kombëtare të Mbrojtjes Kibernetike, që do të jetë një vlerë e shtuar edhe për vetë NATO-n, duke dhënë shërbime edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

 

* * *

I nderuari gjenerali Jones,

Është vërtet një privilegj i veçantë që sot ne na jepet mundësia të finalizojmë një bashkëbisedim të nisur prej disa kohësh mes qeverisë shqiptare dhe grupit të drejtuar prej jush, duke faktikisht firmosur një marrëveshje, e cila hap rrugën e një bashkëpunimi intensiv, për të ngritur në një nivel tjetër të gjithë kapacitetet dixhitale dhe sistemin e mbrojtjes kibernetike të Republikës së Shqipërisë.

Sigurisht që ne jemi shumë të nderuar që këtë gjë ta bëjmë me grupin tuaj, i cili është i mirënjohur për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në rritjen e sistemit të sigurisë qoftë të SHBA-ve, qoftë të vendeve të tjera, por dua t’ju them se është po ashtu  dhe një kënaqësi shumë e veçantë që ne të kemi mundësinë të bashkëpunojmë me ju personalisht, duke shfrytëzuar me këtë rast, të gjithë eksperiencën dhe dashamirësinë tuaj ndaj vendit tonë dhe duke pasur parasysh se projekti ynë është shumë ambicioz, gjë që prania juaj na e lehtëson dhe na rrit besimin që mund t’ia dalim.

Siç biseduam edhe bashkë, këtu nuk është thjeshtë çështja për të ndërtuar një sërë sistemesh sigurie, por për të ndërtuar një sistem tërësor sigurie, i cili nga ana tjetër të ketë mundësi të ofrojë një vlerë të shtuar edhe për NATO-n.

Ne e dimë shumë mirë që në kohën që jetojmë, avantazhi apo shansi i vendeve më pak të zhvilluara është i panjohur në histori, i paparë dhe i padëgjuar në histori, falë teknologjisë dhe si për paradoks, moszhvillimi i mjaftueshëm kthehet në një avantazh dhe teknologjia kthehet në një shans për të bërë kapërcime të jashtëzakonshme, si kapërcimi që ne kemi realizuar besoj unë me transformimin tërësor të të gjitha shërbimeve me dokumente të shtetit shqiptar me shërbime online, duke mundësuar që këtë vit ne të bëjmë një ndërhyrje radikale në sistem, duke i mbyllur të gjitha sportelet fizike, për t’ju ofruar qytetarëve tanë të gjithë shërbimet pa lëvizur nga vendi, pa dalë nga shtëpia ose pa qenë të detyruar të bëjnë asnjë metër rrugë, të mbajnë asnjë radhë për të marrë shërbimet e tyre e sigurisht falë dhe ndihmës suaj për të pasur një bazë të dhënash të këtyre shërbimeve tërësisht të garantuar.

Po ashtu, ne sot jemi në një fazë të re të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara posaçërisht e me NATO-n në përgjithësi. Kemi disa investime të rëndësishme në infrastrukturën kritike dhe në aspektin strategjik, ku hyjnë dhe investimet në fushën e mbrojtjes dhe në këtë aspekt, ne vlerësojmë shumë këtë mundësi bashkëpunimi me ju për të adresuar edhe sfidën e madhe të ngritjes së një Qendre Kombëtare të Mbrojtjes kibernetike, e cila të jetë në shërbim të ushtrisë sonë e të jetë në shërbim edhe të të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me pjesën civile të shoqërisë. Është një sfidë e jashtëzakonshme, por ne jemi të bindur që duke pasur dhe ndihmën, mbështetjen eksperiencën, edhe kurajën tuaj për të mos pasur kurrë frikë për të parë larg, ne do t’ia dalim të kemi një qendër ndërkombëtare sigurie kibernetike që të jetë, siç thashë, edhe një vlerë e shtuar edhe për vetë NATO-n, duke dhënë shërbime edhe përtej kufijve të Republikës së Shqipërisë.

Para pak kohe, ne patëm një ngjarje të rëndë, rrjedhjen e disa të dhënave personale që lidhet me pagat e punonjësve në Republikën e Shqipërisë, një ngjarje nga ato që kanë ndodhur edhe në gjithë vendet edhe më të zhvilluara, por që na jep dhe mësimin se nuk janë vetëm sulmet anonime kibernetike prej të cilave duhet të jemi të mbrojtur, por edhe sulmet nga brenda, prej personash te infiltruar, të paguar, qoftë dhe të papërgjegjshëm, ndaj unë e vlerësoj shumë aspektin e marrëveshjes sonë, që ka të bëjë dhe me garancinë se kapaciteti dëmprurës i individëve do jetë shumë më i reduktuar dhe se një sistem i tërë i rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore në të gjithë rrjetin e njerëzve që merren me shërbimet digjitale dhe mbrojtjen kibernetike do vihet në funksion, ashtu sikundër do vihen në funksion programe të posaçme që eksperienca juaj i disponon për të siguruar se aftësia e cilido individi për të penetruar sistemin të jetë shumë e kufizuar pasi vetë sistemi do jetë i tillë që do ketë shumë mure mbrojtëse edhe nga ndërhyrja e individëve.

Është një lajm shumë i mirë, besoj unë, sot edhe për ata që u lënduan padrejtësisht nga dalja e të dhënave personale dhe në një farë mënyre, unë besoj që dalja e të dhënave personale për pagat ishte një e keqe që nuk erdhi vetëm për keq, siç thoshte gjyshja ime, pasi të gjithë shqiptarët panë me sytë e tyre një problem, të cilin sot e kemi më të lehtë se dje që ta adresojmë, në aspektin e marrëdhënies ligjore dhe morale të shumë punëdhënësve me shtetin dhe punonjësit.

Ashtu sikundër, gjithë qytetarët përjetuan dhe efektet negative të një sulmi mbi sistemin, çka e bën marrëveshjen e sotme edhe më të mirëseardhur për ta pasi vijnë nga një eksperiencë e freskët dëmtuese dhe sot jam i bindur, kush na ndjek, e shikon me lehtësim përfshirjen tuaj personale dhe të grupit “Jones International” në këtë përpjekje të qeverisë shqiptare.

Unë ju falenderoj shumë, gjeneral, për ardhjen tuaj personalisht këtu dhe për besimin, si dhe për kurajën që na jepni me praninë tuaj. Falënderoj të gjithë ekipin tuaj, i cili ka dëshmuar vlerën dhe dobinë e tij në asistencën që na ka dhënë për të qenë më të mbrojtur në sistemet tona kritike të energjisë dhe tanimë do të na japë, për të pasur një qasje gjithëpërfshirëse mbi sistemin dhe për të bërë së bashku që në një kohë, jo shumë të largët, por pak vite, ne të jemi krenarë për sistemin e mbrojtjes kibernetike që kemi, si një vend i cili po zhvillohet me shumë shpejtësi në aspektin e teknologjisë, por edhe si një vend i vogël por krenar dhe gjithmonë dinjitoz i NATO-s.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.