Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me Komitetin Olimpik Shqiptar, kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e arsimit për programin e ri kombëtar të sportit në shkolla e universitete.
Duke vlerësuar rëndësinë e një qasje krejt të re në këtë drejtim, kryeministri kërkoi angazhimin e institucioneve pjesëmarrëse për të bërë me këtë program një ndryshim rrënjësor, në aspektin e krijimit të një hapësire të re kulturore dhe sociale për mijëra e mijëra e mijëra fëmijë, të reja dhe të rinj.
* * *
Përshëndetje!
Është një takim disi i veçantë nga formati, por është i domosdoshëm për të adresuar nevojën e një angazhimi të plotë të të gjithë juve që jeni këtu dhe natyrisht edhe të të gjithë pjesës që është në panel, për të nisur me këmbë të mbarë programin e sportit duke u përpjekur sëbashku ta çojmë në një nivel tjetër, atë që nisëm me rikthimin e orëve të edukimit fizik në shkollë, pas një periudhe asgjësimi të plotë të çdo ushtrimi fizik nga shkolla, një absurd i panjohur në asnjë vend të botës sot, por që ishte realiteti ku ne e gjetëm sportin në shkollë dhe që duhet tani ta çojmë më tutje, me një organizim shumë profesional, shumë efikas, shumë më masiv dhe me shumë më tepër impakt në jetën e komunitetit.
Janë tre programe, ose më saktë dy programe, por me tre komponentë.
Programi Kombëtar i Sportit në Shkollë dhe Programi i Arteve dhe Zejeve në Shkollë, ku përfshihet edhe Teknologjia natyrisht, të cilat synojnë të adresojnë problemin e madh shoqëror dhe familjar të boshllëkut midis orës së fundit të mësimit dhe orës së parë në shtëpi. Është një boshllëk i madh shumë, sidomos në periferi, sidomos në bashkitë e vogla, ku për fëmijët e për të rinjtë nuk ka pothuajse fare aktivitet të organizuar në vijimësi që t’u japë mundësinë që në këtë boshllëk të kenë një hapësirë edukimi, një hapësirë që ndihmon për mirë zhvillimin e tyre, që ndihmon për aftësimin e shqisave të tyre, që ndihmon për rritjen dhe zhvillimin e talenteve të tyre, qoftë nëpërmjet sportit, qoftë nëpërmjet aktivitetit krijues, qoftë nëpërmjet zejeve që janë një komponent jashtëzakonisht shumë i munguar në një kohë kur siç e shohim të gjithë dhe në shtëpitë tona e siç e sheh çdo mësues në mjedisin e shkollës, përqendrimi i fëmijëve është gjithmonë e më i madhe tek elektronika e gjithmonë e më i munguar në pjesë të tjera shumë të rëndësishme e të pazëvendësueshme të jetës së njeriut pavarësisht se sa lart e sa larg do shkojë teknologjia, që kanë të bëjnë me punën e duarve, që kanë të bëjnë me kontaktin me tokën, kontaktin me materialet natyrore, me gjithë jetën emocionale dhe shoqërore.
Programi i sportit, sigurisht që do të na ndihmojë edhe për të filluar një spostim të rëndësishëm të aktivitetit, nga pjesa e aktivitetit që sot zhvillohet në qytete të ndryshme e që është komplet informale, me klube sportive, me rrethe fëmijësh që janë në informalitet të plotë, rrethe e klube për të cilat prindërit shpenzojnë jashtëzakonisht shumë para, në një hapësirë të organizuar, të formalizuar, e cila prodhon edhe aktivitet social.
Synimi është që të ndërtojmë skuadrat në çdo shkollë 9-vjecare, gjimnaz, universitet dhe të krijojmë edhe kompeticione sportive në nivel qarku e në nivel kombëtar.
E gjitha kjo është e pamundur të bëhet nëse drejtoritë e zyrat arsimore nga njëra anë dhe bashkitë nga ana tjetër nuk marrin përsipër të bëjnë pjesën e tyre dhe është e paimagjinueshme për mua sinqerisht, që pas një periudhe më shumë se sa një mujore, pjesa më e madhe e bashkive nuk japin përgjigje për disa kërkesa shumë elementare të bëra nga ministrja e shtetit për rininë dhe fëmijët e pastaj edhe nga Komiteti Olimpik për të pasur dijeni mbi terrenet që janë në dispozicion.
Inventarin e palestrave të shkollave, ne nuk e kemi të vështirë ta shqyrtojmë sepse është inventari i drejtorive dhe i zyra arsimore, por flasim këtu për terrenet sportive në dispozicion, jo vetëm për palestrat, por dhe për terrene sportive të hapura dhe për terrene potencialisht të transformueshme në terrene sportive, në mënyrë që mbi bazën e këtij inventari tërësor, ne pastaj të shkojmë dhe si do adresojmë financimin në bashkëpunim me bashkitë, për të shtuar kapacitetet.
Kemi sot si asnjëherë më parë në Shqipëri palestra me standarde optimale. Kur unë me Fidelin e me ndonjë tjetër këtu, zhvillonim aktivitet sportiv gjysmë profesionist në atë kohë, palestrat në dispozicion në Tiranë numëroheshin me gishtat e dorës dhe skuadrat edhe të kategorisë së parë atëherë, stërviteshin kur duhet të linin pallatin e sportit, në palestrën e Qytetit Studenti, që ishte jashtë standardeve. Palestër si ajo ku luante ekipi i Studentit kur ishte në kategori të parë, nuk kanë sot shkollat, i kanë shumë më optimale kushtet dhe parametrat dhe plus dhe gjithë sistemin e dhomave të zhveshjes, e kështu me radhë dhe gjithë këtë infrastrukturë, sigurisht që ne duhet ta shtojmë sepse nuk është kudo, por duhet ta vëmë në dispozicion pikërisht të këtyre aktiviteteve midis shkollave, në nivel bashkie, në nivel qarku, në nivel kombëtar, ama duhet njëkohësisht të rrisim dhe sipërfaqen e terreneve sportive të hapura. Terrenet sportive komunitare nëpër lagje e deri edhe nëpër njësitë administrative në zona rurale. Por si ta bëjmë këtë ne, kur nuk arrijmë dot të marrim në dispozicion sipërfaqen e mundshme nga ana e bashkive? Mbase ju është dukur si një ushtrim burokratik dhe nuk e keni kuptuar deri në fund rëndësinë e saj, përderisa edhe bashkia e Tiranës nuk e ka sjellë, imagjinoni si mund t’i jetë dukur, por besoj që ky takim na jep të gjithëve një ide të qartë të ambicies për këtë program, që është një program jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, për kulturën sociale të fëmijëve dhe të rinjve, për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, është jashtëzakonisht i rëndësishëm kundër atyre hijeve që vijnë vërdallë shkollave dhe kërcënojnë jetën dhe shëndetin e të ardhmen e tyre, përmes ofertës së veseve të këqija e me radhë. Të mira e sportit janë të panumërta dhe të mirat e këtij programi po ashtu, por varet nga ne sa cilësorë, sa tërheqës, sa me impakt, të shtrirë në të gjithë territorin, do arrijë të jetë ky program.
Një gjë është e sigurt, e tha dhe Bora. Unë kam qenë me Borën në disa nga takimet me nxënësit shkollave të mesme. Kudo, tek të gjithë komunitetet e nxënësve, kërkesa për të qenë të ndihmuar, të mbështetur, të shoqëruar nga strukturat e pushtetit vendor dhe nga qeveria në aktivitetin e tyre sportiv është një kërkesë insistuese.
Na takon neve t’iu japim vajzave dhe djemve të këtij vendi, që janë nëpër shkolla, mundësinë. Fondi që kemi vënë në dispozicion është një fond i konsiderueshëm sepse siç e tha dhe Fideli, kryetari i KOKSH-it, duam që organizimi të jetë një organizim domethënës e jo mblidh njerëz, jepu një top dhe u krye.
Të ndërtojmë rrjetin e skuadrave, të vendosim në dispozicion rrjetin e trajnerëve, te kemi rrjetin e kujdestarëve shëndetësorë. Të kemi, po ashtu, rrjetin e personave nëpër bashki dhe drejtori arsimore që do merren me këtë program. Të kemi në dispozicion të këtij programi edhe strukturat e qeverisë dhe të bëjmë me këtë program një bum, në aspektin e krijimit të një hapësire të re kulturore dhe sociale për mijëra e mijëra e mijëra fëmijë, të reja dhe të rinj.
Është shumë fisnik si qëllim, është shumë fisnik si objektiv dhe do t’iu lutesha të gjithëve të viheshit në dispozicion, nuk kërkon ndonjë sforco të jashtëzakonshme, përkundrazi, është mundësia për çdo bashki që të marrë mbështetje edhe nga qeveria për të rritur sipërfaqen e vet në dispozicion të aktivitetit sportiv, qoftë në mjedise të mbyllura e qoftë në mjedise të hapura.
Në ndërkohë, do i sugjeroja kryetarëve të bashkive që të mendojnë për të projektuar një qendër sportive në territorin e tyre, që do të thotë, një qendër me më shumë se një apo dy fusha, me më shumë sesa thjeshtë një palestër apo një fushë afër. Një qendër olimpike në modelin e Qendrës Olimpike të Korçës, kuptohet secili sipas karakteristikave të caktuara që mund t’i japë qendrës, për të ofruar hapësirë për stërvitje dhe për ekipe të ndryshme që mund të vijnë në qytetet tuaja, por mbi të gjitha, për të pasur një qendër ku të mund të materializohen këto momentet kulmore të aktivitetit sportiv dhe ku patjetër, të mund të stërviten ekipet sportive të bashkisë.
Do të thotë që na duhet të fillojmë me vizionin, pastaj me projektet dhe pastaj hap pas hapi, edhe me financimet. Hap pas hapi. Nuk po them që do bëjmë menjëherë të gjithë bashkitë me qendra olimpike, por hap pas hapi. Na duhet me patjetër të ndërtojmë një qendër olimpike në Tiranë, e cila të mund tu japë mundësinë të gjitha federatave dhe gjithë aktivitetit jashtë futbollit, që të mund të përfshihet dhe na duhet, miqtë e mi, një rishikim nga ana juaj, si bashki, i qasjes me fondet e sportit.
Janë bërë disa hapa, disi detyrues, ndaj bashkive, por bashkitë, përgjithësisht, vazhdojnë të hedhin kot lekë për futbollin. Kot fare. Harxhojnë lekët e taksapaguesve për futboll për ekipe private pa asnjë arsye në botë. nuk e bën asnjë bashki e planetit këtë. Lekë me humbje që nuk kanë asnjë vlerë.
Duhet ndërtuar një qasje tjetër, e kemi thënë shumë herë, me të ardhurat nga taksat. Jeni të gjithë në të drejtën e Zotit dhe në detyrimin ndaj qytetarëve të financoni sportin për të gjithë, sportin jo profesionist, të financoni sportin për fëmijët, të financoni sportin për të rejat dhe të rinjtë, të financoni sportin në shkollë, sportin në komunitet jo të financoni skuadra futbolli pronarësh privatë, ku ju vetëm hidhni lekë dhe nuk merrni mbrapa asgjë, përveç në të shumtën e rasteve, shpërfytyrimit, turpit të sportit dhe të bashkisë, me imazhe që marrin dhe rrugën e botës, siç ndodh rëndomë, për shkak se nuk funksionon kështu.
Nuk mundet dot me paratë e taksapaguesve të stimulohet huliganizmi, të stimulohet rrugaçëria, të stimulohet shëmtia, pisllëku. Nuk mundet.
Sigurisht që bashkitë mund të hyjnë, patjetër, në bashkëpunim me klube futbolli, por mund të hyjnë për të marrë mbrapsht investimin. Çfarë domethënë kjo? Jep para për futboll dhe ikin lekët e taksave për të gjëmuar topit ca njerëz që sjellin nga mbrapa vetëm rrugaçe? Pse? Për çfarë? Kujt i duhet kjo? Askujt.
Është një gjynah i madh që duhet të mbarojë dhe nëse bashkitë do të investohen seriozisht për t’u bërë pjesë e rritjes së futbollit, të investohen seriozisht. Të vënë asetet në dispozicion, t’i rikthejnë asetet në asete fitimprurëse për veten e tyre, në mënyrë që të mund të financojnë fëmijët, të rinjtë. Jo jep lekë për evazion fiskal të klubeve të futbollit, një gjë komplet e pakuptueshme dhe për kampionate që nuk i duhen askujt, në atë gjendje që janë.
Patjetër që të hyjnë partnere në klube, por në relata sipërmarrjeje. Nuk i ka borxh asnjë qytetar asnjë klubi futbolli lekë. Asnjë taksapagues nuk ia ka. Jo këto klube që janë, por edhe Juventusi të ishte, nuk ia ka borxh asnjë taksapagues t’i japë lekë, t’i marrin e të bëjnë ca të duan me ato leke! Pse? Për çfarë arsye? Nuk ka asnjë arsye në botë.
Kështu që, ju lutem shumë, sporti për fëmijët, sporti për nxënësit është detyrim. Pjesa e sportit profesional dhe profesionist është një pjesë tjetër që u takon të tjera strukturave dhe aty, natyrisht, i takon qeverisë të mbështesë, siç ka mbështetur dhe siç do vazhdojë të mbështesë. Po jo bashkive.
Ç‘punë kanë bashkitë të sakrifikojnë buxhetet e tyre për futboll, pa asnjë fitim vetëm humbje në të gjithë drejtimet. Humbje në lek, humbje në imazh, humbje në rezultate, humbje në çdo gjë.
Dhe për ta mbyllur përsëri me një notë pozitive, unë dua tju siguroj që ne do t’i vëmë shumë shumë, rëndësi këtij programi në bashkëpunim me ju dhe natyrisht do të jemi shumë të gatshëm të përgjigjemi, sigurisht brenda mundësive, por për çdo hap që ju do të hidhni në drejtimin tonë për programin.
Dhe natyrisht çdo bashki që do të mbetet prapa do të jetë e gjykuar nga prindërit, do të jetë e gjykuar nga komuniteti sepse do ta shikoni vetë që kjo që po bëjmë do të jetë 1000 herë më e ndjekur, mbani mend fjalën time, më e ndjekur sesa ato ndeshjet e futbollit ku nuk dallohet topi nga këmba, dhe ku për t’i rënë topit kalohet përmes këmbës, së tjetrit kuptohet.
Faleminderit!
Meqë janë kaq shumë njerëz që kanë ardhur, kanë bërë gjith këtë mundim, çfarëdo qoftë që të ketë për tu sqaruar a për ndonjë detaj që doni të dini ose ndonjë gjë që doni të ndani, çfarëdo qoftë, ndonjë pyetje si do funksionojë, jeni të mirëpritur.