Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 Xhamia e Et’hem Beut, një xhevahir i trashëgimisë sonë kulturore, në zemër të Tiranës rikthehet plotësisht e restauruar, falë kontributit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim(TIKA).

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk Erdogan ishin të pranishëm sot në inaugurimin e Xhamisë së Et’hem Beut, e cila shërben jo vetëm për besimtarët myslimanë, por edhe si një atraksion turistik për kryeqytetin.

Kjo xhami, e cila është monument kulture i kategorisë së parë, është pjesë e ndërtesave që përbëjnë qendrën historike të Tiranës dhe së bashku me Kullën e Sahatit përbën një kompleks arkitektonik. Është një nga xhamitë e vetme në vend që i ka rezistuar periudhave të ndryshme, përfshirë atë të komunizmit.

Xhamia e Et’hem Beut e restauruar tashmë në mënyrë spektakolare, përbëhet nga salla e lutjeve, portiku që e rrethon atë nga lindja dhe veriu, si dhe minarja.  Nga ky restaurim dolën në pah elementë që me kohën ishin dëmtuar dhe mbuluar.

 

* * *

 

Fjala përshëndetëse e kryeministrit Edi Rama në  ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Et’hem Beut:

Mirëmbrëma dhe faleminderit!

Është kënaqësi, por dhe nder i veçantë që unë të jem këtu sot, së bashku me një mik të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Presidentin e nderuar të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Në emër të presidentit ju kërkoj ndjesë për vonesën, e cila ishte si pasojë e një agjende pune shumë të ngjeshur të presidentit, por nga ana tjetër, besoj se pritja juaj këtu, për të, përtej orës së lajmëruar, është një dëshmi prekëse e një dashurie vëllazërore, e një dashurie të sinqertë dhe me thënë të drejtën, një dashurie shumë të merituar tuajën për të.

Ju e dini historinë e dhimbshme, tragjike të fesë në Shqipëri.  Njëkohësisht, e dini dhe historinë e rëndë, përmes të cilës kaluan objektet e kultit, pavarësisht se cilës feje i përkisnin, përgjatë gjithë periudhës së barbarisë komuniste. Sigurisht që në Shqipërinë e pas rrëzimit të diktaturës, plagët ishin të panumërta, nevojat ishin të panumërta, hallet ishin të panumërta dhe adresimi i  kësaj plage, i shërimit të objekteve të kultit mbeti, për një kohë të gjatë, pas dore.

Mirëpo, nga ana tjetër, unë besoj se këto objekte, besoj se xhamitë, kishat, teqetë dhe të gjitha objektet, të cilat në shekuj u ngritën brez pas brezi në emër të Zotit, nuk u përkasin vetëm atyre që i vizitojnë për të kryer ritet e tyre por i përkasin thesarit të kulturës sonë, i përkasin kujtesës sonë historike, i përkasin shpirtit tonë dhe si të tilla, ato duhen me patjetër pasur kujdes, duhen me patjetër rilindur, duhen me patjetër t’i vihen në dispozicion brezave që vijnë.

Për Shqipërinë, ato, po ashtu, janë dëshmia e jashtëzakonshme dhe e prekshme e një bashkëjetese fetare që na ka karakterizuar vijimësisht si një shembull i mrekullueshëm që e kemi trashëguar nga të parët tanë dhe kemi detyrën tua trashëgojmë fëmijëve tanë. Në përpjekjen tonë për ta rilindur këtë aspekt të trashëgimisë sonë kulturore, ne kemi gjetur tek presidenti Erdogan një partner të pazëvendësueshëm.

Falë kujdesit të tij, me historianët, me inxhinierët, me restauratorët turq dhe ato shqiptarë, ne sot kemi disa nga xhevahiret më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore që i përkasin fesë islame, të cilat janë rilindur plot shkëlqim sicc ka rilindur plot shkëlqim edhe kjo xhami e Et’hem Beut, që është një nga simbolet më domethënëse të historisë sonë, por edhe një nga pasqyrat ku mund të shihet lidhja jonë  e vjetër tradicionale me popullin vëlla turk.

Xhamitë e qendrës mesjetare të Beratit, xhamia e mrekullueshme e Gjirokastrës, të cilat janë po ashtu restauruar dhe rilindur falë kësaj përkujdesjeje, nuk janë sot vetëm objekte kulti, të cilat u shërbejnë më së miri besimtarëve myslimanë, por janë edhe pika referimi për të gjithë ne, për të gjithë komunitetet dhe gjithë ata që e vizitojnë Shqipërinë në të gjithë diversitetin e saj.

Kjo është një përpjekje që vazhdon dhe unë po e mbyll fjalën time me kënaqësinë që, së shpejti, falë marrëveshjes së nënshkruar dhe punës që po bëhet aktualisht për projektin, do të fillojë edhe puna për rilindjen e xhamisë së Plumbit në Shkodër, një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore.

Ndërkohë që, me mbështetjen e presidentit dhe në bashkëpunim me Agjencinë “Tika”, do vijojmë punën edhe me ndihmën e vyer të ministrit të Turizmit dhe Kulturës së Turqisë dhe gjithë strukturës së asaj ministrie për të vazhduar përpjekjen e bukur për rilindjen e Beratit, Gjirokastrës dhe vetë Shkodrës.

Shumë faleminderit për vëmendjen tuaj dhe durimin tuaj!

Unë e di që ju këtu nuk keni ardhur për mua, keni ardhur për atë që vjen pas meje. Kështu që, unë po hap krahun, kur i thonë fjalës, dhe paçi shëndet, mirësi dhe mbarësi dhe Zoti qoftë me ju dhe familjet tuaja.

Faleminderit.

 

* * *

 

Fjala përshëndetëse e Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan: Në emrin e Allahut Xheleshanuhu, mëshirues, mëshirëbërës,

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, miku im i dashur,

Të nderuar motra e vëllezërit e me shqiptarë,

Të nderuar të ftuar e miq,

Më lejoni t’ju përshëndes me përshëndetjen më të bukur e me ndjenjat më të përzemërta, me konsideratën me të lartë, “Es-selamu alejkum ue rahmetullahi”.

Falenderoj Allahun fuqiplotë që na bashkoi sot këtu, zemrat tona në këtë shesh.

Ju falenderoj gjithsecilin nga ju, për durimin, për besën, pritjen që na keni bërë deri më tani.

E di që keni ardhur nga Shkupi, e di që keni ardhur nga Shkodra. Keni pritur me orë të tëra dhe sot këtu në Shqipëri jemi duke përjetuar një ditë shumë speciale dhe të veçantë, plot emocione.

Janë vëllezërit e mi që kanë ardhur edhe nga Kosova, dua t’i falenderoj e t’i përcjell përshëndetjet e mia më të përzemërta.

Po ndajmë në të njëjtën kohë lumturinë, kënaqësinë e inaugurimit e të hapjes së këtyre veprave të restauruara nga TIKA. Sot në mëngjes ishim në Laç dhe bëmë dorëzimin e banesave të tërmetit, që ishte investim i Turqisë. Ndjemë kënaqësi kur pamë se ishin shëruar plagët e shkaktuara nga tërmeti i 21 shtatorit dhe 26 nëntorit të 2019 dhe me këtë rast, shpreh ngushëllimet e mia dhe lus zotin e gjithësisë që të mëshirojë shpirtrat e atyre që ranë në tërmet. Realisht, jam ndjerë shumë i lumtur sot kur pash që po dorëzoheshin familjeve të prekura nga tërmeti, 522 banesa dhe gjatë asaj periudhe kam qenë vazhdimisht në kontakt me zotin kryeministër mikun tim dhe në fund arritëm që të finalizojmë këto vepra.

Pak më parë isha në Kuvendin e Shqipërisë ku mbajta dhe fjalimin e radhës përpara deputetëve të Kuvendit e njëkohësisht përfaqësuesve tuaj dhe përsëri jemi këtu, për të ndarë këtë kënaqësi të veçantë, mbase dhe shumë speciale, sepse po hapim një nga veprat më madhështore mu në qendër të Tiranës, me donacion nga Turqia e kryesisht me restaurim nga kontributet e TIKA. Kjo vepër xhevahire në mes të Tiranës, reflekton kulturën, vlerat e përbashkëta kulturore të Shqipërisë dhe Turqisë.

Lavdi Zotit të gjithësisë që sot kjo vepër unike, e cila na paraqet një kuptim shumë të imët e të hollë të artit që është përdorur në të, në stilin më të përhapur në Ballkan, me stoli shumëngjyrëshe të pikturuara me dorë, është ndër strukturat më të dalluara që mbartin metodat e periudhës osmane e deri në ditët e sotme. Është një vepër kryesisht që na pasqyron, na reflekton nga brezat traditën e arkitekturës e të metodave që janë përdorur gjatë ndërtimit të kësaj xhamie deri në ditët e sotme e shpresoj që kjo të pasohet dhe për brezat e ardhshëm. Besoj se xhamia jonë, e Et’hem Beut, përveç se gjatë ditës, reflekton një bukuri tjetër në mes të Tiranës, por tashmë dhe me ndriçimin e jashtëm të saj që është instaluar, do të japi një pamje fantastike e shumë magjepsëse për këdo që e sheh këtë xhami, kështu që ne si Turqi, i japim përparësi përmes TIKA-s, mirëmbajtjes së këtyre monumenteve kulturore dhe njëkohësisht kontribuojmë në zhvillimin e Shqipërisë. Nëpërmjet kanalit financues të TIKA-s nga vitit 1996 e deri më tani, janë realizuar 546 vepra konkrete dhe shpresoj, dëshiroj me zemër që tani e tutje të vijojmë t’u qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë. Uroj dhe dëshiroj që shumë shpejt, mbase deri në muajin e Ramazanit, ta kemi zgjidhur dhe problemin e xhamisë së Namazgjasë.

Duke e ditur se Shqipëria është një aleate, një mike e ngushtë dhe e sinqertë e Turqisë në krahasim e në raport me vendet e Ballkanit, për sa kohë ky bashkëpunim kaq i ngushtë do vazhdojë mes nesh, nuk ka asnjë lloj problemi, asnjë lloj sikleti që nuk mund ta zgjidhim. Sëbashku me mikun tim, me kryeministrin e Shqipërisë, për sa kohë do vijojmë kështu krah më krah e me këtë lloj bashkëpunimi kaq të ngushtë, do keni akoma vepra të tilla që do realizohen, do finalizohen e do vihen në shërbimin tuaj.

I ndodhur brenda këtyre ndjenjave e këtyre mendimeve, në përfundim të fjalës sime, me rastin e kësaj ceremonie për inaugurimin dhe hapjen e xhamisë së Et’hem Beut, uroj, dëshiroj nga zemra që të jetë e dobishme, t’ju sjelli dobi, qoftë e hajrit për ju dhe e gëzofshi!

Me këtë rast, të nderuar vëllezër, të më lejoni që në personalitetin e mikut tim, të mikut të Shqipërisë të falenderoj të gjithë autoritetet shqiptare, të cilat përgjatë këtij procesi na kanë qëndruar pranë me suportin dhe mbështetjen e tyre. Me këtë rast, në të njëjtën kohë, lutem Allahut Xheleshanuhu që pasi të hapet xhamia, duatë, lutjet, adhurimet që do bëhen në xhami, të pranohen tek i madhi Zot.

E lus Zotin tim, mos na lër pa atdhe, pa fe, pa xhami, pa minare, pa lutje, pa dashuri, pa ujë e pa ajër!

Respekte! Me respekt e me dashuri për të gjithë ju që na dëgjuat deri tani!

 

*Përkthim simultan

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.