Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në bashkëpunim me qeverinë gjermane merr jetë një Program Doktorature në Bujqësi, Mjedis, Bioteknologj, Agrobiznes dhe Mjekësi Veterinare, i cili synon kualifikimin e mëtejshëm të studentëve ekselentë dhe profesionistëve të rinj, duke shfrytëzuar ekselencën e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e çeljes së thirrjes për aplikime për studime doktoratë në fushat e mësipërme, të zhvilluar në mjediset e UBT.

Ambicia e Universitetit  Bujqësor është që të gjithë asistent-lektorët e rinj të UBT, individë me vlerë të spikatur në rrugën e tyre, të zhvillojnë një doktoraturë, e cila të ketë vulën e universiteteve më të mira të fushës, në Gjermani apo vende të tjera të BE.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se duke u mbështetur në modele të tilla bashkëpunimi, qeveria do të vijojë të investojë në mënyrë të posaçme për kapacitetet akademike të UBT.

* * *

Është e vërtetë që nuk i kam qejf komplimentet, por nga dikush që s’më ka dhënë votën asnjëherë, i pranoj.

Më vjen shumë mirë që me rektorin dhe me stafin drejtues të këtij Universiteti kemi një bashkëpunim të ngushtë, një bashkëpunim shumë intensiv dhe ma ha mendja me dobi të madhe, e cila duket hap pas hapi, natyrisht në favor të Universitetit, por patjetër edhe në mbështetje të një sektori jetik, i cili është në një fazë delikate të jetës së vet, për shkak të domosdoshmërisë për sa më shumë dije dhe sa më shumë inovacion dhe të përplasjes dhe përpëlitjes së vazhdueshme me mendësinë e të shkuarës, si dhe me inercinë që vijon të jetë një forcë në të kundërt të sensit të natyrshëm të bashkimit dhe të bashkëpunimit për të nxjerrë më të mirën nga toka dhe nga rruga e zhvillimit rural.

Sot për mua është një ditë e shënuar e marrëdhënies me rektorin, për shkak se në të drejtën e tij dhe me të gjitha arsyet legjitime, rektori ishte shumë i shqetësuar disa kohë më parë, qoftë për faktin se ka pasur një rënie të interesit për regjistrime në Universitetin Bujqësor në vitet e fundit, qoftë për faktin e mos hapjes së doktoraturave.

Për të dyja kemi patur diskutime se si t’ia dalim më mirë dhe si të bëjmë gjënë e duhur sepse në këndvështrimin tim, nuk ka si të jetë gjëja e duhur ulja e kritereve të futjes në Universitet apo çelja e doktoraturave, për të vazhduar një histori, e cila e ka karakterizuar për shumë vite arsimin tonë të lartë në përgjithësi, si një histori mediokre banaliteti të madh që faktikisht e ka përmbysur komplet raportin mes doktorëve dhe jo doktorëve në këtë vend.

Besoj që në këtë sallë, unë duhet të jem i vetmi pa asnjë titull shkencor dhe pa as kurrfarë statusi akademik. Një “bachelor” i thjeshtë jam unë nga e kaluara ime, megjithëse Evisi thotë “jo, se po të konvertohet me të sotmen i bie të jetë master”, por kjo fjala master më është bërë tmerr kur mendoj se të gjithë shqiptarët janë me master.

Sot është një ditë shumë e bukur për Universitetin edhe falë bashkëpunimit me qeverinë gjermane dhe falë kontributit të Agjencisë Gjermane të Ndihmës, sepse sot hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar dhe i jepet mundësia 30 individëve me vlerë të spikatur në rrugën e tyre, që të zhvillojnë një doktoraturë, e cila të ketë vulën e universiteteve më të mira të fushës në Gjermani apo në vende të tjera të Bashkimit Europian.

Kjo është rruga jonë!

Kjo është rruga ku duhet të ecim dhe ky është modeli që ne duhet të shtrijmë në gjithë sistemin për doktoraturat. Ne nuk duhet të japim, në këndvështrimin tim, doktoratura lokale dhe ne nuk duhet të kemi, në të ardhmen tonë jo shumë të largët, universitete lokale.

Ne duhet të kemi një sistem të lartë arsimor të ndërkombëtarizuar dhe duhet të kemi një botë universitare të integruar plotësisht në sistemin universitar europian dhe të ndërthurur tërësisht në programet e veta, në të gjithë rrugën e vet me universitete europiane.

Më vjen shumë mirë që ndodh kjo pikërisht në këtë universitet dhe më vjen shumë mirë që ky universitet bëhet si të thuash një shembull, që ne do të bëjmë çmos që të rrezatojë në të gjithë sistemin tonë universitar, sepse ky Universitet është jashtëzakonisht i rëndësishëm për këtë vend dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e këtij vendi.

Ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm në këtë Universitet, nuk diskutohet, në krahasim me ditën e parë dhe vizitën e parë që unë kam bërë ku duhet të gjeje derën e Universitetit, duke pyetur, sepse ishte realisht një kaos i paparë, një rrëmujë e paparë, një turp i paparë, por çfarë ka ndryshuar në aspektin fizik është vetëm pjesa më e lehtë. Ndërkohë që, ajo që duhet të ndryshojë në aspektin e mënyrës së të menduarit dhe e zhvillimit të mendimit brendapërbrenda kësaj hapësire që po transformohet në vazhdimësi, – pashë dhe godinën e re që tanimë po merr formë paralelisht edhe me godinat e tjera të reja, që do të jenë një nga kampuset më të bukura të rajonit, jo të Shqipërisë dhe ku do të ndërthuren dhe aktivitete të tjera, por mbetet përsëri një pjesë që ka të bëjë me kushtet fizike. Ndërkohë që pjesa më e rëndësishme dhe pjesa më e vështirë që kërkonte kohën më të madhe, durimin më të madh, është pjesa që ka të bëjë me zhvillimin e mendimit akademik këtu dhe me rritjen e cilësisë të mësimdhënies këtu.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që ne sot jemi në një fazë të avancuar të një marrëdhënieje që po strukturohet me një prej Universiteteve më të vjetër dhe më të mirë të botës në fushën e zhvillimin rural, me Universitetin Boku të Vjenës, me të cilin synimi ynë i përbashkët me rektorin është që të ndërtojmë një marrëdhënie, e cila hap pas hapi të kthehet në një sinergji të plotë. Faktikisht Universiteti Bujqësor i Tiranës, të jetë një derë tjetër e Universitetit të Boku të Vjenës dhe gjithë studentët që do të vijnë këtu, të përfundojnë studimet këtu, me një diplomë të universitetit të Vjenës dhe ky universitet të bëhet një hapësirë ndërkombëtare edhe në rrafshin e përbërjes së studentëve të vet, jo vetëm me studentë shqiptarë, por edhe me studentë të huaj nga rajoni dhe nga Europa. Nuk është absolutisht e pamundur dhe nuk është as një plan që do nisë nesër. Është një plan që ka nisur dhe që do zhvillohet hap pas hapi, sipas dinamikës së vet.

Ndërkohë, edhe përsa i përket rritjes së interesit për t’u regjistruar në këtë universitet, kjo është rruga. Ky sektor është sektori i të ardhmes. Teknologjia mund të bëjë gjithçka, por teknologjia nuk prodhon dot ushqim! Kompjuterët nuk prodhojnë dot bukë! Kompjuterët nuk prodhojnë dot perime, fruta, mish e me radhë! Ushqimi do të jetë gjithmonë e më shumë sfida e popujve dhe vendeve sepse bota është po ajo në përmasën e vet, ndërkohë që nevoja për ushqim rritet, nevoja për të pasur të mira materiale rritet, bashkë me popullsinë e botës që rritet.

Sigurisht që në këtë dimensionin tonë shumë të vogël, ne nuk jemi të ndarë nga pjesa tjetër e botës dhe edhe në Shqipërinë tonë të vogël, nevoja për ekspertët e bujqësisë, ekspertët e zhvillimit rural, nevoja për ekspertët e mbrojtjes së burimeve natyrore do jetë një nevojë gjithmonë e më e madhe dhe kush do të dijë më shumë, do të arrijë të bëjë më shumë, si gjithmonë, se natyrisht në fund të ditës, dija i ndan vendet dhe nuk i ndan ajo që kanë nëntokë por ajo që kanë këtu [në kokë]. Shpeshherë unë përballem me pyetjen “Shqipëria i ka të gjitha, pse nuk është ndër vendet më të përparuara?” Sepse pasuria e një vendi është këtu [në kokë], nuk është nëntokë. Ne jemi një vend me burimet më të mëdha të ujit në rajon, jemi të dytët në Europë. Izraeli nuk ka ujë dhe ne vazhdojmë të kemi probleme të lidhura me ujin, Izraeli është kampioni i botës për sistemin e furnizimit me ujë dhe për sistemin e ujitjes që ju e dini shumë mirë. Si ka mundësi? Sepse ka investuar vite të tëra në dije. Nërkohë që tek ne, është investimi në dije që ka munguar për vite të tëra dhe që hap pas hapi po mundohemi ta vëmë në funksion të zhvillimit.

Për të mos u zgjatur më tutje, dua t’ju them që unë kam bindjen absolute që nëse e ardhmja e sistemit tonë të lartë arsimor në tërësi, ka nevojë për një kohë të konsiderueshme për të qenë një realitet i standardeve të mira ndërkombëtare, e ardhmja e këtij universiteti nuk ka nevojë për një kohë po aq të konsiderueshme për të qenë një realitet tërësisht ndryshe dhe për tu bërë një shembull kuptimplotë i transformimit në funksion të rritjes së kapacitetit të dijes së këtij vendi për fushën që mbulon me dije këtë universitet.

Po krijojmë sinergjitë e duhura, do investojnë në mënyrë të posaçme për Universitetin Bujqësor të Tiranës, do investojmë në mënyrë të posaçme për kapacitetet akademike të këtij universiteti. Ky është një program i financuar nga qeveria gjermane, por përtej vlerës financiare, është një model dhe mbi këtë model ne do vazhdojmë të investojmë edhe nga të ardhurat tona.

Sot para se të vinim këtu, ishim në një diskutim me ministren e Arsimit dhe me ekipin e Ministrisë së Arsimit dhe faktikisht po përgatisim spostimin e një fondi të konsiderueshëm të ekselencës, nga pagesat për ata që ikin jashtë dhe nuk kthehen më në Shqipëri, pavarësisht se nënshkruajnë kontratë me shtetin shqiptar dhe pavarësisht se i detyrohen taksapaguesve shqiptarë dhjetëra mijëra euro, të cilat paguhen për ta, tek burimet e brendshme dhe po strukturojmë një politikë të re, që do mbështesë këtu studentët me “xixa” dhe pedagogët e rinj, për gjithë ciklin. Për studimet, për masterat, për doktoraturat e kështu me radhë, me kushtin që të qëndrojnë në Shqipëri, një periudhë kohe të paktën dhe të kthejnë detyrimin sepse fondi i ekselencës, i cili deri më sot ka mundësuar diplomimin në universitetet më ekselente të botës të rreth 300 të rinjve shqiptarë, është shumë i konsiderueshëm dhe është krijuar, atëherë kur u krijua, me dëshirën e mirë dhe me vizionin që këta të rinj të ktheheshin dhe të kontribuonin në vend. Këta të rinj që kanë marrë diploma në universitetet më të njohura të botës duhet të kenë turp për faktin që kanë marrë një angazhim me vendin e tyre, kanë marrë para nga vendi i tyre, kanë marrë përsipër detyrimin që të kthehen për një periudhë të caktuar, jo për gjithë jetën dhe ta sjellin këtu një pjesë të asaj dije që kanë marrë, ta vënë në funksion të kësaj shoqërie dhe ndërkohë kjo nuk ka ndodhur.

Atëherë, ne nuk do vazhdojmë më të financojmë ata që ikin për të mos u kthyer, pavarësisht se firmosin kontratë me shtetin shqiptar, por do ndryshojmë kahjen e këtij fondi dhe modelin që kemi sot këtu para syve, do ta financojmë me të ardhurat tona, që do të thotë, siç kemi sot 30 doktorantë të Universitetit Bujqësor, nesër do kemi më shumë. Siç kemi sot vajza dhe djem që shkojnë për tu bërë doktorë shkencash dhe nesër kthehen këtu për të kontribuar në këtë universitet, atëherë të kemi nesër studentë ekselentë të cilët qëndrojnë këtu sepse kanë pedagogë të mbështetur dhe pedagogë të një niveli të lartë.

Në këtë universitet ka pedagogë të një niveli të lartë, në universitetet tona ka pedagogë të niveli të lartë, por ngaqë janë bërë të gjithë si këmbët e dhisë, ngaqë nuk e merr vesh më i pari të dytin, atëherë edhe mbi këta njerëz, që janë kaq të çmuar për vendin, bie një hije dyshimi dhe bie një hije refuzimi i autoritetit të tyre. Ky është procesi që po ndërtojmë hap pas hapi dhe në këtë proces duhet të jeni të bindur të gjithë që ne do jemi shumë pranë universiteteve.

Rektori tha që nuk kuptohet se nga kush varet universiteti, në sensin e mirë të fjalës, që nuk është vetëm Ministria e Arsimit, por është edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Po, sepse ne kemi bërë një Pakt për Universitetin dhe sot, shumë nga pjesët e sistemit tonë universitar, që lidhen drejtpërdrejtë me interesa strategjikë të vendit, siç është sektori i bujqësisë dhe zhvillimit rural, mbulohen jo vetëm nga Ministria e Arsimit, por mbulohet me mbështetje edhe nga ministria e linjës. Kështu që, Ministria e Bujqësisë do investojë në këtë universitet. Fondi Shqiptar i Zhvillimit do investojë në këtë universitet dhe hapësirat ku do investohet, ne synojmë t’i kthejmë në hapësira të një standardi absolutisht të lartë europian, që të jenë hapësira që të ndihmojnë për fuqizimin e marrëdhënieve të universitetit me universitetet e tjera, që Universiteti i Vjenës këtu të ketë në dispozicion një infrastrukturë që nuk e ka as atje. Pse nuk e ka atje? Sepse nuk i kanë atje ata 100 hektarë, siç i ka në dispozicion universiteti, për të bërë një investim, për të cilin po punojmë bashkë me ta, që të identifikojmë se çfarë do jetë atje apo për të bërë ato fermat model të gjeneratës tjetër apo për të bërë sistemet e kontrollit të cilësisë së farërave apo sistemet e dikurshme që ka pasur ky universitet.

Njëherë e një kohë, ky universitet ishte pika e referimit, ishte truri i zhvillimit të bujqësisë së vendit, në atë sistem. Sigurisht, në këtë sistem nuk është sot, sepse u la në mëshirë të fatit, u la në mëshirën e sulmeve të barbarëve nga te katër anët që i hëngrën territore pafund dhe që ia ngritën kioskat me qebap përpara syve të pedagogëve dhe te penxherja e auditorëve.

Tani nuk kemi pse të qahemi për të shkuarën. Të shikojmë së bashku nga e ardhmja. Kjo është parulla edhe e partisë së Rektorit, megjithëse nuk e di tani se nga cila anë e partisë është rektori, por sa kohë sa të zgjidhen ato punët e partisë, fokusohemi këtu rektor, bashkë dhe këtu është dhe modeli i asaj që them unë. Ç’rendësi ka se nga vijmë? Rëndësi ka se për të shkuar aty ku duam të shkojmë, jemi të gjithë shqiptarë, jemi të gjithë qytetarë, jemi të gjithë njerëz të këtij vendi dhe secili në atë pozicionin e vet mund të përpiqet të bëjë më shumë, prandaj ne të dy kemi zgjedhur të ardhmen.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.