Fjala e Kryeministrit, Edi Rama, në Shijak gjatë dorëzimit të lejeve të legalizimit:
Faleminderit dhe respekt për këtë pritje.
Është kënaqësi që sot, këtu në Shijak i japim një shtytje të madhe përpara, një procesi të filluar para shumë vitesh, por siç e dini të gjithë ju, edhe këtu në Shijak të mbetur rrugëve, procesi i legalizimit të shtëpive të ndërtuara në zonat informate, të cilat prej shumë vitesh presin të kthehen në pasuri e patundshme dhe e regjistruar nga ju dhe nga të gjithë ata që i kanë ndërtuar me shumë mund e me shumë sakrifica.
Përpara sesa të them dy fjalë për këtë proces, dua t’ju bëj me dije se përpara pak ditësh, Qeveria ka miratuar projektin e paraqitur nga Bashkia e Shijakut për sheshin e qendror të Shijakut që është edhe sheshi i bashkisë së re, që do të përmbledhë jo vetëm Shijakun, që njohim si bashki deri tani, por edhe një sërë komunash dhe një sërë territoresh rreth e rrotull. Është një projekt mjaft i mirë që do t’i japë jo vetëm një tjetër pamje krejt të re sheshit kryesor, por edhe një energji të re të gjithë kësaj zone. Do të jetë një shesh i parametrave europianë dhe me një mbështetje prej afro 1 milionë dollarësh nga Qeveria. Mbështetje që Shijaku nuk e ka parë as kur ka pasur në Qeveri, e keni pasur parasysh vetë, se vetë e keni mbajtur për burrë të zotin shumë dhe për kryeministër për gjithë ato vite.
Ajo që dua të shtoj është se besoj nuk e bëmë pa qëllim këtë takim këtu, të kaloja edhe unë tek kjo rruga e tmerrshme e 4 shkollave dhe ta shikoja edhe vetë se në çfarë gjendjeje është. Ndërkohë që projektin, Kryetari i Bashkisë na e ka dhënë në tavolinë. Këtë projekt, njësoj si dhe sheshin e Shijakut, ne do ta financojmë brenda këtij viti, në mënyrë që të gjithë fëmijët tuaj dhe nxënësit që shkojnë nëpër këto shkolla të mund të kalojnë në një rrugë normale dhe jo në këto shtigjet me gropa edhe me të papritura, që ju ka lënë Saliu në 20 vjet.
Tani dy fjalë për legalizimin, faktikisht, ne kemi hapur një zyrë të posaçme për Shijakun, duke pasur parasysh se në të gjithë këtë territor ka një numër të konsiderueshëm banorësh të Sukthit, të Manzës, të komunës Rrashbull, Katund i Ri, Maminasit, Qafëzotajt dhe Gjepalajt, plus edhe vetë Bashkisë së Shijakut, të cilët e kishin shumë vështirë të mund të shërbeheshin ashtu siç duhej nga drejtoria rajonale në qendër, në qytetin e Durrësit. Faktikisht, zyra e Shijakut e ka filluar punën në 21 nëntor të vitit të shkuar dhe sot duhet të trajtojë rreth 13 200 vetëdeklarime.
Por çfarë ka ndodhur në gjithë këto vite?
Në gjithë këto vite, nga mijëra e mijëra kërkesa, qeveria e kaluar ka legalizuar vetëm 143 legalizime. 143 legalizime nga të cilat 95% janë hotele ose restorante. Pra, ndërtesa që normalisht as nuk duhet të legalizoheshin fare. Janë legalizuar sepse janë ndërtesa biznesi dhe aty ka pasur edhe interes, me sa duket, për të bërë legalizimin. Ndërkohë që, mijëra familje që kanë ndërtuar thjesht shtëpitë e tyre janë lënë rrugëve, pa marrë përgjigje, megjithëse kanë paguar paratë për legalizimin, nganjëherë jo një herë, por dy e tre herë. E thënë ndryshe, qeveria e kaluar për Shijakun, në këtë aspekt, për gjithë zonën ka legalizuar 1% të kërkesave. 1%!
Ndërkohë sot, me punën e bërë nga 21 nëntori kur është hapur zyra dhe deri dje, ne do të dorëzojmë për ju 1001 leje legalizimi. 1001 leje legalizimi që në tre muaj faktikisht janë 10 herë më shumë, sesa ka bërë PD në gjithë karrierën e vet në qeverisje.
Ne sigurisht jemi të vetëdijshëm se kjo është vetëm njëra pjesë e problemit, por padyshim është pjesa që ka pjesën më të madhe tek qetësia dhe siguria e drejtpërdrejtë e çdo familjeje. Prandaj do të vazhdojmë intensivisht me legalizimet falas. Ju siç e keni parë vetë, nuk ka qenë më nevoja që të shkoni ju tek ALUIZNi, por ka ardhur ALUIZNI në derën tuaj. Nuk ka qenë më nevoja të shkoni ju në derën e ALUZINI-it dhe të ktheheni aq sa herë sa shkoni, me gjithfarë lloj justifikimesh apo kërkesa mbas kërkesash, por kanë qenë punonjësit e ALUIZNI-it që kanë ardhur në shtëpitë tuaja, kanë ndihmuar në plotësimin e formularit, kanë bërë edhe matjet përkatëse, kanë përgatitur edhe gjithë dokumentacionin dhe sot na kanë sjellë këtu, gjithë këtë mal me dosje ku janë 1001 legalizime falas për ju.
Pjesa tjetër e problemit është pikërisht ajo që ka të bëjë me cilësinë e jetës përtej derës së shtëpisë, që ka të bëjë me ujin, që ka të bëjë me rrugët, me kopshtet, me çerdhet, shkollat e me radhë. Dritat nuk po i përmend, se dritat keni filluar t’i paguani rregullisht dhe kjo është një arritje e madhe e përbashkët. Sepse falë pagesës së rregullt të dritave, juve praktikisht e çlironi qeverinë nga detyrimi që t’i çojë paratë për të mbushur gropën e hapur nga vjedhja e dritave çdo vit dhe nga ato para që çlirohen nga ky detyrim, sigurisht që qeveria e ka pastaj më të mundur që të investojë për të gjitha këto nevoja të tjera. Le ta fillojmë me sheshin qendror të bashkisë së rrethit të Shijakut, me rrugën e katër shkollave, që i shërben fëmijëve dhe nxënësve të gjithë kësaj zone dhe të vazhdojmë pastaj, hap pas hapi, për të bërë për Shijakun në vetëm në katër vite, atë që ata të tjerët nuk e bënë në 20 vjet të mbledhura sëbashku.
Pjesë nga bashkëbisedimi i Kryeministrit me banorët, gjatë dorëzimit të lejes së legalizimit:
Halit Hoxha, banor i Shijakut, rrëfeu rastin e tij për të marrë lejen e legalizimit. Për të, pavarësisht se i përket një force të ndryshme politike, puna e bërë me legalizimet duhet vlerësuar. Gjithçka, sipas tij, u krye në derë të shtëpisë dhe falas. “Punës së mirë duhet t’i thuhet gjithmonë e mirë. Dhe me legalizimet është bërë vërtet një punë e mrekullueshme dhe ju përgëzoj për punën e mirë që keni bërë. Faktikisht, aplikimin e kam bërë në shtator dhe ditën që dorëzova letrat mu duk e pabesueshme, sepse nuk më dhanë asnjë letër mbrapsht. Ndaj nuk e prisja të më binte telefoni, por që me të vërtetë më ra. Mendova kur dorëzon diçka, duhet të të japin diçka që e ke dorëzuar. Një djalë i ri më tha se nuk ka nevojë. Ndaj them se punës së mirë duhet i thënë e mirë. Dy djemtë që më erdhën në shtëpi, si traditë që ka shqiptari kur u vjen një mik në shtëpi, doja t’u jepja një kafe, por as kafen nuk e pranuan.”
Prej 8 vitesh kishte pritur legalizimin, por edhe pse kishte paguar disa herë, nuk e kishte marrë. Kjo është dëshmia e një tjetër banoreje: “Falënderoj qeverinë dhe kryeministrin që na mundësoi legalizimin. Se për 8 vjet me radhë sa herë që vinin zgjedhjet, vinin na merrnin nga 100 mijë lekë, na matshin shtëpitë dhe legalizimin asnjëherë nuk e morëm.”
Një banor i komunës Rrashbull e konsideron lejen e legalizimit që ka duar, një premtim elektoral plotësisht të mbajtur. “Ju përgëzoj për punën që po bëni dhe për fjalën që po mbani nga premtimet e zgjedhjeve. Gjithashtu dua të përshëndes edhe drejtorin e ALUIZNI-t këtu që bashkë me stafin tij po punon me përkushtim.”
Në mbyllje të takimit, Kryeministri nënvizoi se janë qytetarët ata që kanë në duar zgjidhjen e problemeve të tyre, që është vota e tyre.
“Fare sinqerisht dua t’ju them se gjithçka që ndodh për mirë nga ana e qeverisë duhet të falënderoni veten dhe të gjithë ata që me votën e tyre kanë zgjedhur këtë qeveri, sepse ne nuk po bëjmë asgjë tjetër, përveçse po zbatojmë programin tonë dhe po u bindemi vullnetit të atyre që na kanë zgjedhur. Edhe kjo e legalizimeve është një rast shumë i mirë për të kuptuar sa gabim e kanë njerëzit që thonë nuk ia vlen të votoj, nuk ia vlen të marr pjesë në zgjedhje, të gjithë janë njësoj etj.. Kjo tregon që me një votë dhe me bashkimin pastaj të votës së vet me votat e shumë të tjerëve, njeriu mund të bëjë jo vetëm për vendin, por edhe për vete, gjëra që i vetëm nuk i bën dot. Faktikisht, ju këtu keni qenë, shtëpitë tuaja kanë vite e vite që presin për këtë copë letër dhe nuk e keni marrë dhe nëse po e merrni sot, kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i asaj vote.”