Prej dy ditësh vazhdon zëvendësimi i dëmeve në blegtori nga përmbytja e fundit për çdo fermer të prekur. Janë 2007 krerë dele dhe 32 krerë lopë që kanë nisur t’u shpërndahen fermerëve për të zëvendësuar po të njëjtin numër krerësh që rezultojnë të humbur. Edhe kjo fazë e dytë e mbështetjes për rimëkëmbjen e fermave pas përmbytjes po ndiqet nga Kryeministri Edi Rama, i cili sot ishte në fshatin Hoxharë të Komunës Darëzezë të qarkut të Fierit. Tre blegtorëve aty iu zëvendësua gjithçka e humbur në gjënë e gjallë nga përmbytja. Blegtorit Ylli Troka iu zëvendësua lopa e humbur, ndërsa blegtorëve Ruzhdi dhe Patriot Hoxha iu dorëzuan 80 dele.
Fermeri Ylli Troka falënderoi për ndihmën që do t’i mundësonte vazhdimin normal të punës. “ Unë jam mbytur edhe në 2005, kam votuar për PD, jam i PD, ta dish. Këtë herë ja kam dhënë tjetrës, për arsye se nuk mu dha asnjë gjë në 2005. Nuk më sollën asnjë ndihmë. Sivjet kam marrë lopën, mbi një kuintal ushqime, barë, jonxhë, misër. Vetëm për shtëpinë kam marrë sheqer dhe oriz mbi një kuintal, po nuk besova hajde shikoji tek shtëpia ime. Hallall ta bëftë zoti ty dhe gjithë stafit që të mbështet ty. Falenderoj Kryeministrin që na ndihmoi në mënyrë korrekte dhe në kushte shumë të vështira që ne u ndodhëm nga përmbytja”.
Kryeministri siguroi se do të bëhet zëvendësimi në kohë i çdo bagëtie të humbur, në mënyrë që cikli i prodhimit të vijojë normalisht. “Unë mësova që Ylli është i PD, Ruzhdiu i PS, por për ne, ata që janë dëmtuar nga përmbytjet janë shqiptarë dhe janë shqiptarë punëtorë, të cilëve ju qëndrojmë dhe do t’i qëndrojmë pranë deri në fund, pa asnjë dallim. 2007 krerë dele dhe 32 krerë lopë të rezultuara të humbura nga përmbytja do të zëvendësohen një më një dhe do të kthehen në shtëpitë ku kjo përmbytje ra si një mallkim. Por me daljen e diellit, puna do të rifillojë normalisht dhe për të përfituar edhe marsin që është muaji i qumështit për delet. Ne do të bëjmë gjithçka dhe besoj do t’ia arrijmë që të gjithë krerët t’i kthejmë në familjet fermere të dëmtuara.”
Këto familje punëtore, – theksoi Kryeministri – meritojnë dhe do ta kenë të gjithë mbështetjen e qeverisë, edhe si model i krijimit të mirëqenies përmes punës. “Këto familje meritojnë respektin më të madh, meritojnë mbështetjen më të madhe, meritojnë solidaritetin më të madh, sepse janë familje që janë një shembull i madh për të gjithë Shqipërinë. Në radhë të parë, të rinjtë si djemtë e Nebiut dje dhe si djemtë e Ruzhdiut sot, janë shembull për të gjithë të rinjtë e fshatit që të mos rrinë nëpër bilardo dhe nëpër bingo, të mos presin nga Cristiano Rondaldo t’ju sigurojë të ardhurat me ndonjë gol, por të ulin kokën dhe të punojnë si të gjithë këta, sepse kështu bëhen edhe burra, por bëhen edhe të pasur. Pasi kështu ndërtohet edhe mirëqenia, edhe pasuria, edhe e ardhmja.”
Blegtori Ruzhdi Hoxha rrëfen për dëshpërimin e ditës së përmbytjes, por edhe rikthimin e shpresës. “Nuk kisha mundësi që të nxirrja bagëtinë, sepse dhe po ta nxirrja do mi merrte lumi që erdhi na rrëmbeu. Shpëtova fëmijët nga rryma. Më është gjendur pranë pushteti vendor, deputetët e zonave. Më janë gjendur në kohën më të shkurtër dhe korrekte, për atë urën e vogël që unë kaloj nipërit që i çoj në kopsht në Darëzezë. Sot, Qeveria më zëvendëson kokë më kokë bagëtinë që më mori lumi. Ja di për nder. Qeveri me këmbë në tokë unë quaj këtë, në këtë situatë të tillë,” – tha Ruzhdiu.
Kryeministri ritheksoi se jo vetëm solidariteti, por edhe inkurajimi i njerëzve të punës është detyrim i Qeverisë. “Ylli të tërë këta që përmende, nga unë i pari kemi bërë vetëm detyrën. Ju falenderojmë juve që jeni një shembull i shkëlqyer sesi jetohet me punë të ndershme dhe na inkurajoni që të inkurajojmë edhe ata të cilët ankohen dhe në vend se të shikojnë mundësitë që ofron toka, i rrinë tokës me kurriz,” – u shpreh Kryeministri, duke bërë edhe një bisedë me nota humori me Yllin. “Ta sollëm edhe lopën që t’u mbyt, që të jesh i qetë nga kjo anë dhe të ndihmosh që PD të ngrihet, të thahet dhe PD se është përmbytur”.
***
Faza e dytë e mbështetjes po vazhdon edhe me zëvendësimin e pajisjeve elektroshtëpiake të dëmtuara për familjet e prekura nga përmbytjet. Kryeministri Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj vizituan sërish sot, pikën qendrore të pritjes dhe shpërndarjes së ndihmave në Novoselë.
Ministri Veliaj tha se pas përfundimit të emergjencës së ushqimore, ndihma është përqendruar në zëvendësimin e pajisjeve elektroshtëpiake dhe pajisje të tjera për familjet e dëmtuara. “Kemi për 128 familje, të gjitha kompletet me soba dhe frigoriferë, të dhuruar nga kompania AMC, kemi gjithashtu të gjithë shtretërit për të gjitha familjet që i kanë humbur ato dhe që duan komplete të reja të dhomave të gjumit. Po ashtu kemi edhe një sasi të mjaftueshme të ushqimit që besoj deri në fund të marsit do t’i mjaftojë çdo familjeje. Parashikimet tona, me kamionët që po vijnë dhe solidaritetin që kanë treguar nga komunitetet fetare tek biznesi dhe qytetarët, është që çdo familje të ketë deri në 150 kilogram ushqime, për të mos u shqetësuar për gjërat bazë, ndërsa rimëkëmbet shtëpia dhe jeta në fshat”.
Ministri Veliaj informoi se me kontributin e bizneseve po bëhet edhe rindërtimi i shtëpive më të dëmtuara. “Disa sipërmarrës kanë filluar edhe me ndërtimin e shtëpive, sidomos ato shtëpi që ishin të rrënuara edhe përpara përmbytjes. Besoj që deri në fund të javës do të shikojmë që shumë prej shtëpive janë totalisht të banueshme”.
Kryetari i Shoqatës “BiznesAlbania”, Luan Bregasi Biznesi tha se biznesi ka pasur solidaritet të jashtëzakonshëm dhe vazhdon të përmbushë angazhimet që ka marrë në takimin me Kryeministrin. Sipas tij, kontributi i biznesit po zgjerohet edhe në rindërtimin e shtëpive. “Siç e shikoni janë karakteristika të reja të ndihmave që tashmë bën biznesi, jo vetëm ushqime e veshmbathje, por edhe pajisje elektroshtëpiake. Jemi përqendruar tek rritja e cilësisë së jetës së këtyre njerëzve”.
Përfaqësuesja e AMC-së u shpreh se kompania vendosi të përfshihet në këtë fazë të ripërtëritjes së pajisjeve të shtëpisë, pasi e konsideron atë, fazën më të rëndësishme, duke ia adresuar ndihmën e saj kryesisht familjeve me persona me aftësi të kufizuar dhe atyre në ndihmë ekonomike.
Kryeministri Rama vlerësoi se organizimi i strukturuar dhe koordinimi shembullor me sipërmarrjen përcaktoi suksesin e fazës së parë dhe të shkohet drejt mbylljes me sukses të fazës së dytë. Kjo përvojë, sipas Kryeministrit, përbën një bazë për të përmirësuar të gjithë sistemin e emergjencës civile. “Ashtu siç e thamë kur ishim nën shi, me daljen e diellit, ne nuk do të ikim bashkë me shiun, por do të vazhdojmë të jemi këtu, për të plotësuar çdo nevojë. Padyshim përmes këtyre elektroshtëpiakeve plotësohet një nevojë e domosdoshme për një numër të konsiderueshëm familjesh të përmbytura, tek të cilat është identifikuar ky problem. Besoj se sot, me shumë krenari mund të themi se jo vetëm kemi arritur të përballojmë me sukses të plotë fazën e parë, por po shkojmë drejt përmbylljes me sukses të fazës së dytë, duke realizuar një koordinim absolutisht shembullor me sipërmarrjen, që gjej rastin ta falenderoj përsëri, dhe duke bërë të mundur që gjithë vullneti i sipërmarrjes dhe gatishmëria për të qenë pranë familjeve të përmbytura të kanalizohet në mënyrë të strukturuar, me lista dhe regjistra shumë të saktë dhe të shkojë aty ku duhet. Është shumë e rëndësishme dhe për ne përbën një bazë për të përmirësuar të gjithë sistemin e emergjencave civile, pasi për herë të parë kemi një strukturim dhe një kanalizim model, në mënyrë që ndihma të shkojë aty ku ato nevojiten dhe në mënyrë që familjet e përmbytura të marrin ndihmën dhe jo të tjerë”.
Faza e dytë të mbështetjes, krahas zëvendësimit të pajisjeve dhe dëmeve në blegtori, përfshin edhe rimëkëmbjen e pjesës së infrastrukturës prodhuese që është asgjësuar nga përmbytja. Ndërkohë Kryeministri njoftoi se faza e tretë do të jetë ajo e riparimit të dëmeve në argjinatura dhe kanale kulluese. “Faza e tretë do të jetë faza e riparimit të argjinaturave, e çeljes së zhbllokimit të kanaleve, pra, e gjithë infrastrukturës. Por në këtë fazë të dytë, zëvendësimi i të gjithë krerëve, plus shpezët dhe nga ana tjetër, mbështetja e atyre që kanë humbur prodhimin, bashkë me rimëkëmbjen e një pjesë të infrastrukturës së prodhimit që është asgjësuar, është pjesë e kësaj faze. Javën e ardhshme jam i bindur se do të jemi pranë fermerëve që kanë humbur një pjesë të madhe të infrastrukturës së serave dhe do t’i zëvendësojmë duke i mbështetur jo vetëm financiarisht, por edhe teknikisht, në mënyrë që ashtu sikundër orenditë që po vijnë pas përmbytjes janë më të mira se ato që ishin para përmbytjes, edhe serat që do të ndërtohen pas përmbytjes, do të jenë më të mirë e më cilësore, sesa serat që ishin para përmbytjes. Këta jemi ne”.
Kryeministri vizitoi shtëpinë e një familje me persona me atësi të kufizuar, së cilës sapo i ishin dorëzuar pajisjet e reja elektroshtëpiake, frigorifer, lavatrice, krevatë, si dhe ushqime. Mbërritja e ndihmave në familje përbën edhe pikën fundore në zinxhirin e shpërndarjes.
Kryeministri Rama u ndal edhe në shtëpinë e të moshuarës Dhora Gjoni, e cila po ndërtohet thuajse nga e para. Banesa para përmbytjes ishte në një gjendje krejt të mjeruar, thjesht një ngrehinë prej katramaje. Por së shpejti, e moshuara do të ketë shtëpinë e saj të re. Ndërtimi i saj dhe pajisja me materialet elektroshtëpiake dhe të tjera është marrë përsipër nga biznesi. “Kemi organizuar një grup ndërtuesish në Vlorë, për të bërë një shtëpi komplet të re, të një nënë që ishte shumë e mjeruar dhe jemi angazhuar që për 10 ditë ta mbarojmë dhe do të kompletohet me pajisje dhe gjithçka,” – tha Kryetari i “Biznes Albania”. Kryeministri falenderoi sipërmarrësit për këtë solidaritet njerëzor të dëshmuar.