Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama u rikthye sot, në fermën Resulaj në fshatin Ferras të Fierit. Familja Resulaj regjistroi mbi 400 krerë bagëtish të humbura si pasojë e përmbytjes së një jave më parë. Kryeministri, bashkë me Ministrin e Bujqësisë dhe Prefektin i Fierit dhe deputetin Ruçi, ishin në fermën e Nebi Resulajt, të cilit iu dorëzuan mbi 400 krerë dele, për zëvendësimin e të gjithë krerëve të humbur. Falë kësaj mbështetjeje, kjo familje fermerësh tashmë ka mundësinë t’i rikthehet aktivitetit të së saj. Kjo, theksoi Kryeministri, është jo vetëm një përmbushje e angazhimit të marrë publikisht ndaj kësaj familjeje, por edhe një detyrim i qeverisë ndaj njerëzve të punës.

“Jam shumë i kënaqur sot, t’i shikoj i buzëqeshur prapë, djemtë dhe babain që atë ditë nuk e takuam dot se ishte në spital nga mbistresi emocional. Nga ana tjetër erdhëm këtu, sot, edhe për një arsye, jo thjesht për të zëvendësuar të gjithë krerët, një nga një, siç i kemi premtuar publikisht, siç i jam zotuar kësaj familjeje, siç do t’i marrin të gjitha familjet që kanë humbur, një më një, çdo krerë të humbur, por edhe për ta përçuar këtë shembull fantastik të kësaj familjeje të thjeshtë, të kësaj familjeje që gjithçka e ka ndërtuar vetë, të këtyre djemve që nuk rrinë në kafene, shajnë e mallkojnë errësirën, por kanë ndezur, siç thoshte nënë Tereza, qiriun e tyre dhe kanë ndriçuar atë copë hapësirë ku është jeta e tyre. Këta djem janë një shembull i shkëlqyer për të gjithë djemtë që janë në hapësirën rurale, që jo vetëm kush kërkon të jetojë me punë të ndershme, kush kërkon të jetojë me tokën, me bujqësinë, me blegtorinë e ka një mundësi, por më shumë se kaq, mund të nxjerrë fitime që nuk nxirren as me një rrogë shteti, nuk nxirren as duke punuar si skllav në emigracion. I jam mirënjohës këtyre djemve dhe të gjithë atyre si këta, që janë për mua dhe për ne, shembull frymëzimi, inkurajimi dhe mbi të gjitha janë burim detyrimi. Ky është një detyrim i yni ndaj këtyre njerëzve. Nga ana tjetër, kjo është dita për të thënë që të gjithë ta kuptojnë se sa e rëndësishme është ajo votë, se ajo votë mund t’i ndryshojë gjërat për mirë apo për keq, se me atë votë ti mund të vendosësh se çfarë drejtimi merr vendi yt dhe se kë ke në krye të vendit tënd, apo se kë ke në krye të punëve që janë punët e mëdha të përfaqësimit,” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri garantoi edhe një herë se si familja Resulaj, edhe çdo familje, që ka pësuar dëme në gjënë e gjallë të saj, do të dëmshpërblehet për çdo krerë të humbur, sikundër edhe për dëmet në prodhim.

“Siç e thamë kur binte shiu i madh, ne nuk do të ikim bashkë me shiun, ne do të jemi këtu edhe kur të dalë dielli, se kemi detyrim të riparojmë të gjithë dëmet në krerë dhe në prodhim. Jemi pranë njerëzve që me duart e tyre duan të ndërtojnë jetën e tyre dhe me punën e ndershme duan të ndërtojnë mirëqenien e tyre. Këta janë njerëzit e Shqipërisë që po rilind dhe vetëm kështu mund të rilindë Shqipëria, me këta njerëz dhe me njerëz si këta.”

Kryeministri, ndërsa iu përgjigj interesimit lidhur me zhvillimin e bisedimeve me bankat e nivelit të dytë për kreditë e fermerëve, njoftoi edhe një tjetër nismë të qeverisë për të mbështetur rimëkëmbjen e fermerëve të prekura.

“Bankat kanë marrë angazhimet e tyre siç ia kemi kërkuar që në fillim. Ndërkohë me Unionin e Kursim Kreditit dhe me Fondacionin Besa, që janë dy burime shumë të rëndësishme të mbështetjes për fermerët, ne po mbyllim një marrëveshje shumë të rëndësishme, që do të jetë edhe ajo e tëra në funksion të rimëkëmbjes të këtyre njerëzve fantastikë; të këtyre njerëzve që ngrihen dhe ngrysen kokë ulur përpara punës dhe këtyre njerëzve që janë për ne, fuqia reale e transformimit dhe zhvillimit të vendit; të këtyre njerëzve që nuk i bëjnë naze ligjit; të këtyre njerëzve që nuk i bëjnë bisht detyrimeve; të këtyre njerëzve që ashtu siç i përgjigjen çdo detyrimi, ashtu duhet të marrin për çdo detyrim që ka shteti përgjigjen e duhur, përgjigjen vëllazërore, përgjigjen solidare. Kështu që, çdo fermer i këtij vendi duhet ta dijë se kjo është Qeveria e tij.”

Nebi Resulaj, i cili bashkë me dy djemtë e tij kishte ngritur me mund fermën e tij, nuk ndjehet i humbur nga kjo fatkeqësi e motit. “Nga fshati që jam unë, kur dikush pëson një fatkeqësi në kapital, thonë e mori lumi. Dhe mua vërtet më mori lumi, por nuk më mori fatin. Fat m’u gjende ti,” – iu drejtua Nebiu Kryeministrit.

Ndërsa i biri, Mentori, një fermer i ri gjithashtu, nuk e fsheh se ndjehet i habitur. “Nuk e prisja që kaq shpejt të zëvendësohej ajo tufë, siç jemi tani, që është një gjallëri. Siç po shohim kanë ardhur 4 kamionë me 480 dele që po zëvendësohen. Sot po çohet matrikullimi dhe regjistrimi. Ju falënderoj për këtë të mirë që na keni bërë,” – u shpreh ai.

Por batutën Kryeministri ia rezervoi djalit të vogël, i cili gjatë vizitës së parë ishte shprehur mosbesues se do ta kishte sërish tufën e tij dhe tani duke falenderuar thotë se e pranon humbjen. “Rëndësi ka ta pranosh humbjen me dinjitet,” – tha Kryeministri.

Solidaritet, rimëkëmbje e fermave dhe aktivitetit prodhues, mbështetje modeleve të suksesit në fshat, ishte mesazhi i theksuar nga Kryeministri në këtë vizitë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.