Kryeministri Edi Rama, përpara se t’i drejtohej Parlamentit, takoi sot banorët e lagjes 5 Maji, të cilët kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre që i hap rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe. Kryeministri zgjodhi një përfaqësi të tyre dhe i ftoi ata për bisedime në zyrën e Kuvendit të Shqipërisë.
Banorët shprehën shqetësimin lidhur me situatën në të cilën ndodhen dhe parashtruan kërkesat e tyre për kompensim. “Nuk jemi kundra shtetit, nuk jemi kundra qeverisë. E dua shtëpinë siç e kam pasur. Nuk e kemi ditur që shteti do na e prishte.” – u shpreh nënë Liza, një prej banoreve protestuese.
Pasi i dëgjoi kërkesat e tyre, Kryeministri siguroi se pavarësisht se shtëpitë e tyre janë pa leje dhe nuk mund të legalizohen, pasi pengojnë zhvillimin e një projekti të rëndësishëm, familjet nuk do të mbeten jashtë dhe pa përkrahje. “Të jemi të qartë. E para e punës, ju keni ndërtuar pa leje. Domethënë, keni zënë tokën e tjetër kujt. Por nuk jeni vetëm ju, janë shumë njerëz që e kanë bërë këtë punë. Ashtu ishte koha dhe unë kur isha kryetar bashkie kam qenë i pari që kam thënë që kjo punë nuk mund të zgjidhet me prishje sepse janë shumë njerëz që kanë ndërtuar e duhet të zgjidhet me legalizim. U bë procesi i legalizimit, vazhdoi, u ndryshua. Po ashtu është thënë qartësisht në ligj që legalizohet çdo gjë që nuk pengon zhvillimin, – se nuk duam të legalizojmë çdo gjë edhe aty ku do hapet rruga, edhe aty ku do kalojë kanali, edhe aty ku do bëhet ujësjellësi. Ju jeni pa leje. Shtëpia juaj dhe e atyre që janë aty të pa legalizuar, nuk legalizohet, se është e palegalizueshme, por ne nuk ju kemi thënë për asnjë moment që ju do dilni jashtë e shkoni ku të doni. Ne kemi thënë, pavarësish e jeni të palegalizuar, nuk ju takon as toka, asnjë gjë, ju sidoqoftë keni bërë një investim tuajin, gjithë ato vite dhe ne në rrugë nuk ju lëmë. Këtë kemi thënë, që ditën e parë.” – shpjegoi kryeministri.
Gjatë takimit, Kryeministri i informoi banorët lidhur me projektin e ri që do të zhvillohet në zonë, me perspektivën për t’u bërë një nga lagjet më të bukura në Tiranë. “Ne aty do bëjmë një lagje të re që njerëzit të jetojnë si njerëz, jo si kafshë në mes të plehrave sepse për ne, gjëja më e rëndësishme janë fëmijët dhe fëmijët nuk mund të rriten në ato xhungla, por duhet të rriten në lagje që kanë shkollën afër, që ka çerdhen afër, që ka parkun, që ka shërbime si duhen. Të moshuarit duhet të kenë ambulancën afër. Ne aty do ndërtojmë një lagje ku do strehojmë të gjithë ata që janë goditur nga tërmeti dhe kanë ngelur në rrugë pa shtëpi dhe do strehojmë të gjithë ju, edhe ti që je pa leje. Ne do bëjmë atje një lagje të re, që do jetë një nga lagjet më të bukura të Tiranës, bashkë me Kombinatin, për mendimin tim. Kur të mbarojë do jetë lagje model që nuk ka Tirana se do bëhet e gjitha nga e para. Ne nuk po bëjmë atje një prishje që të favorizojmë ndonjë njeri. Ne po bëjmë atje një hapje të gjithë hapësirës për të bërë një lagje për njerëzit që janë rrugëve se kanë humbur shtëpitë nga tërmeti dhe për njerëzit që janë atje, përfshirë dhe ju që jeni atje. Kjo po bëhet për njerëzi si ju, se njësoj si ju është dhe ai tjetër që nuk ka pushtuar asnjë tokë, nuk ka ndërtuar asnjë vilë, ka qenë në shtëpinë e vetë me pronë të trashëguar ose të blerë dhe i është prishur shtëpia. Atë do ta lëmë në rrugë ne apo do t’i japim shtëpi? Do t’i japim shtëpi dhe si ai janë shumë, janë shumë të moshuara, gjyshe, gjyshër, janë shumë familje në nevojë. Do t’i japim shtëpi ne atyre, nuk ka shans t’i lëmë rrugëve. Se te ajo toka juaj, e asaj dhe e asaj, janë 5 shtëpi. Prishen ato shtëpi aty dhe ndërtohen 50 shtëpi aty sepse bëhet një pallat.”
Kryeministri i siguroi banorët se me kompensimin e tyre do të veprohet njëlloj si me banorët që humbën shtëpitë nga tërmeti dhe deri në ditën e marrjes së shtëpisë së re paguhet nga shteti një bonus qiraje për familjen. “Tani, vijmë tek ty. Herë tjetër, në kohëra të tjera do kishte dalë jashtë e nuk do merrje asgjë. Do të thonin, “të tha njeri ndërto? Jo. Ik tani”. Sot, nuk është më kështu, dakord? Kështu që ti dhe djemtë e tu, ti ke aty shtëpi 3 kate. Ti do marrësh nga ne shtëpi edhe për vete, edhe për djemtë. Këtë kemi ne për ty, nuk kemi gjë tjetër. Nëse të pëlqen merre. Nëse nuk të pëlqen mos e merr. Nëse do të rrish në rrugë e të bërtasësh, bërtit. Nëse do të marrësh shtëpi, unë po them do ta marrësh shtëpinë ti, do ta marri ajo, e do ta marrin të gjithë, e do ta merrni njësoj si ata që janë prekur nga tërmeti, falas.
Do të merrni shtëpi me kontratë, njësoj si ata të tërmetit. Asnjë ndryshim. Sepse nuk kemi asnjë meritë të veçantë ju që duhet të trajtoheni në mënyrë të veçantë. Ju jeni qytetarë të barabartë të Republikës së Shqipërisë në këndvështrimin tim. Ne të njohim, sepse duam të të njohim, pjesën e mundit e të djersës. Përgjigja ime është kjo: Ju do të merrni bonusin. Ju, jo vetëm do merrni shtëpi, por me taksat e shqiptarëve ju do të merrni bonusin e qerasë.
Ju do të merrni një kontratë, sipas të cilës, ju do të merrni një shtëpi, tek 5 Maji, kur të ndërtohet, kur të mbarojnë ndërtimet. Deri kur të mbarojë, ju do jeni me qera të paguar nga qeveria.” – u shpreh Kryeministri për banorët në takim.
* * *
Në përfundim të bisedimeve, Kryeministri Rama u shpreh për mediat e pranishme:
“Kemi patur një bisedë intensive dhe faktikisht unë kam sqaruar atë që ka qenë e vërteta qysh ditën e parë, por që sigurisht e vërteta këtu i ka të vështira rrugët, sepse gjatë rrugës ka shumë pengesa, kthesa dhe devijime të qëllimshme që bëhen dhe me ndihmën e kanaleve mediatike që kanë interesat e tyre.
Fakti është që për të gjithë banorët, qoftë të zonës së “5 Majit”, qoftë të zonës së Unazës, të cilët janë të ndarë faktikisht në dy kategori, do të këtë një trajtim të dinjitetshëm njerëzor, solidar, njësoj siç u bë me të gjithë ata që humbën shtëpitë nga tërmeti. Që do të thotë për ata që janë me çertifikatë pronësie nuk kemi çfarë të diskutojmë sepse ata janë me dokumente të rregullt ligjorë dhe për ata zgjidhja është e qartë, ose dëmshpërblim ose kompensim me këmbim, që ata të marrin më shumë seç kanë si pronë, duke qenë pronarë.
Për ata që janë pa letra fare siç është rasti i nënës këtu, përsëri qasja është solidare, nuk është hedhje në rrugë, nuk është nxjerrje në qiell të hapur.
Unë ia shpjegova të gjitha procedurat, ju tregova që qysh në qershor të vitit të kaluar kanë marrë njoftimin etj, që do të thotë se shtëpia që është pa leje prishet dhe familja merr kompensimin me shtëpi, njësoj si ata që u prekën nga tërmeti e deri në ditën e marrjes së shtëpisë paguhet nga shteti një bonus qiraje për familjen.
Ky është qëndrimi ynë. Nëse kërkoni dhe gjeni në të gjitha vendet me raste të ngjashme, një rast tjetër, shikoni rastet e Turqisë se Turqia ka raste të ngjashme sepse ka patur dhe ka problematika ku zhvillimi ndeshet me ndërtime pa leje dhe hajdeni na e tregoni nëse ka diçka të ngjashme.
Asnjëherë, në asnjë rast nuk jepet asgjë pa kredi, me kredi të buta etj. Ne kemi ndjekur këtë politikë, kjo është politika jonë dhe këtë do vazhdojmë të ndjekim.
Ka qenë e qartë qysh në qershor, ka vazhduar të jetë e qartë në vijim, por kuptohet kur futen “xhagajdurët” në mes dhe kur futet politika në mes gjërat bëhen çorap. Megjithatë unë i sqarova. Sigurisht këto janë fjalë, sigurisht ato që unë lexova janë letra të pa firmosura.
Do të ulen banorët, do t’i shikojnë letrat, do t’i firmosin. Janë një pjesë e konsiderueshme e tyre që kanë firmosur, ndërkohë, në mos gabohem janë 51 familje që kanë firmosur dhe tani janë të qeta dhe vazhdojnë me bonuset e qerasë etj. Do t’i marrin dhe kanë në dorë dokumentin dhe këto marrëveshje do të shkojnë të regjistrohen në kadastër, nuk janë marrëveshje që do firmosen dhe do rrinë në rrugë. Regjistrohen në kadastër si detyrim i shtetit ndaj këtyre banorëve dhe në momentin kur mbaron ndërtimi dhe shtëpia është gati, siç ka ndodhur dhe me ata të tërmetit dhe siç po ndodh çdo ditë do të shkojnë të futën në shtëpi.
Kërkesa që “e duam shtëpinë këtu ku e kemi, kështu siç e kemi”, këto nuk mundemi t’i plotësojmë dot.
Ajo që do të plotësojmë është kjo: që këta njerëz që për shkak se kanë derdhur mund dhe djersë për të ndërtuar këtë shtëpi, pa leje dhe në kundërshtim me çdo lloj rregulli, por sidoqoftë janë të barabartë në raport me mundin. Këto ishin fjalët e mia. Të mos ngatërrojmë një gjë sepse akoma në këtë vend pagesat për ujin dhe dritat quhen taksa. Ato nuk janë taksa. Dritat dhe uji janë mall që merren dhe blihen, nuk janë taksa.
-Z. Rama kur thoni se kjo procedurë që ju keni ndjekur është më e mira ne Europë. Atëherë pse është krijuar kjo situatë, pse protestojnë qytetarët e 5 Majit dhe të Unazës?
Kryeministri Edi Rama: Në Europë nuk bëhet fjalë fare për gjëra të tilla.