Më shumë se 423 mijë qytetarë shqiptarë i janë përgjigjur pyetësorit të Këshillimit Kombëtar, në të cilin Qeveria Shqiptare kërkon opinionin e shqiptarëve për 12 çështje që lidhen me sfidat e zhvillimit të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama njoftoi se “423,717 qytetarë janë përfshirë deri tani në Këshillimin Kombëtar ku kanë dhënë opinionet e tyre përmes platformës www.keshillimikombetar.al dhe kanë kthyer me postë pyetësorët e plotësuar”.
Kreu i Qeverisë falenderon të gjithë shqiptarët për pjesëmarrjen dhe fton ata që ende nuk kanë marrë pjesë në këtë kuvendim popullor, të japin opinionin e tyre për të mësuar, bashkëpunuar dhe mbështetur njëri-tjetrin si qytetarë.
Më herët, Rama theksoi se “Këshillimi Kombëtar është një investim politik strategjik në funksion të fuqizimit të lidhjes së punës tonë me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”.