Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Mars 2022:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, NË FSHATIN GRYKË, NJËSIA ADMINISTRATIVE TOPOJË, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “NATYRAL ENERGY SYSTEM”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, në fshatin Grykë, njësia administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “NATYRAL ENERGY SYSTEM”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: “NATYRAL ENERGY SYSTEM”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: L93401402O;
c) Tipi i centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 (tre) MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 48 (dyzet e tetë) muajve nga marrja e lejes së ndërtimit;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në fshatin Grykë, njësia administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i miratimit të ndërtimit: 48 (dyzet e tetë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi;
ë) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate tremujore, gjatë realizimit dhe vënies në punë, me synim që të verifikojë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “NATYRAL ENERGY SYSTEM”, sh.p.k., ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht çdo 3 (tre) muaj pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ose institucioneve të tjera të autorizuara prej saj informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e përmendura në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5 (pesë) % të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “NATYRAL ENERGY SYSTEM”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shoqëria “NATYRAL ENERGY SYSTEM”, sh.p.k., duhet t’i derdhë tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

INDEKSIMIN E PENSIONEVE DHE BAZËS SË VLERËSUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 59, 61 e 88, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 17, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, të nenit 24, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të nenit 6/1, të ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, të nenit 1, të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare në pension”, të nenit 8, të ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Indeksimin, në masën 3,3 për qind, të:

a) pensioneve të caktuara sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) pensioneve sociale, të caktuara në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr.326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të Luftës kundër Pushtuesve Nazifashistë të Popullit Shqiptar”;
ç) pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”;
d) shtesës mbi pension, të dhënë sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
dh) shtesave mbi pension, të dhëna sipas neneve 38, 39 dhe 48, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nenit 24, të ligjit nr.4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
e) pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji;
ë) trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas ligjeve nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar;
f) trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare në pension”;
g) trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të minierave, të caktuara sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar;
gj) pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave, të caktuara me ligjin nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”;
h) trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
i) pensioneve suplementare, të caktuara sipas ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”;
j) pensioneve suplementare, të caktuara sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
k) shpërblimit të caktuar sipas ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës kundër Pushtuesve Nazifashistë të Popullit Shqiptar”, të ndryshuar;
l) pensioneve shtetërore të posaçme, të caktuara në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
ll) përfitimeve të caktuara sipas ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”;
m)trajtimeve të veçanta financiare sipas neneve 5/1/a dhe 5/1/b, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

2. Indeksimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përfshirë edhe këtë datë.
3. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet familjare, të caktuara sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, që kanë datë fillimi të së drejtës deri më 31.12.2014, pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi nuk do të jenë më pak se 14 926 (katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e njëzet e gjashtë) lekë në muaj dhe më shumë se 29 852 (njëzet e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e dy) lekë në muaj.
4. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi nuk do të jenë më pak se 10 221 (dhjetë mijë e dyqind e njëzet e një) lekë në muaj, por jo më shumë se 14 926 (katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e njëzet e gjashtë) lekë në muaj.
5. Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 14 926 (katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e njëzet e gjashtë) lekë në muaj.
6. Përfituesit e pensioneve, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.150/2014, të caktuara me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshi edhe këtë datë, përveç pensionit të indeksuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.17, datë 20.1.2007, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, në atë masë që i kanë përfituar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; dhe nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 17 076 (shtatëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj.
8. Përfituesit e pensioneve, sipas shkronjave “a”, “e” e “gj”, të pikës 1, të këtij vendimi, me datë fillimi të pensionit deri më 31.12.2014 dhe përfituesit e pensioneve të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, krahas pensionit dhe kompensimeve, sipas përcaktimeve në pikat 6 e 7, të këtij vendimi, do të marrin edhe kompensimet sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”; nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”.

9. Përfituesit e pensionit familjar, përveç pensionit të caktuar sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të marrin edhe kompensimet për të ardhurat dhe për ndryshimin e çmimeve, sipas kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave; nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”; nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”, dhe udhëzimeve në zbatim të tij, me kusht që pensioni që kishte apo i takonte mbajtësit të familjes të jetë llogaritur sipas dispozitave ligjore në fuqi deri më 31.12.2014.
10. Shuma bazë e pensionit, e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim të jetë 8 102 (tetë mijë e njëqind e dy) lekë.
11. Indeksimi i bazës së vlerësuar të vitit 2020 të jetë 3.7 %, i llogaritur sipas kritereve të përcaktuara në nenin 59, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

12. Indeksi, sipas pikës 11, të këtij vendimi, të aplikohet për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur nëpërmjet kontributeve të derdhura dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2020 dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohet me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim.

13. Pas zbatimit të indeksit të bazës së vlerësuar të vitit 2020, indekset akumulative të bazës së vlerësuar, të arritur nëpërmjet pagave të periudhës 1994-2020, referuar kontributeve të derdhura sipas muajve në këtë periudhë dhe pagave referuese sipas punëve dhe profesioneve, e përcaktuar me vendimin nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, gjendet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

14. Pas aplikimit të indeksit të vitit 2020, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohen me datë fillimi pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk mund të jetë më e lartë se:

a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001;
b) paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit, të nenit 10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.

15. Efekti financiar për zbatimin e këtij vendimi përllogaritet në shumën 3 300 milionë (tre miliardë e treqind milionë) lekë, i cili përballohet nga fondi për indeksimin e pensioneve dhe ndahet:

a) 3 267 milionë (tre miliardë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë) lekë, për mbulimin e pagesave të përfitimeve;
b) 33 milionë (tridhjetë e tre milionë) lekë, për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë.

16. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.4.2022.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË VENDIMIN NR. 360, DATË 16.6.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË DY OBJEKTEVE ARSIMORE NË BASHKINË RROGOZHINË DHE CAKTIMIN E BASHKISË RROGOZHINË SI NJËSI ZBATUESE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.360, datë 16.6.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhet shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:

a) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, për financimin e rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “Qamil Gjuzi”, Bashkia Rrogozhinë, në masën 108 173 177 (njëqind e tetë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e njëqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022.”.

b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Caktimin e Bashkisë Rrogozhinë si njësi zbatuese për financimin e rindërtimit të këtyre objekteve arsimore.”.

2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Rrogozhinë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.555, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT MJEKËSOR, TË PUNONJËSVE TË TJERË ME ARSIM TË LARTË DHE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT TEKNIK TË SHKENCAVE MJEKËSORE, NË SISTEMIN E MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR SHËNDETËSINË, NË NJËSINË MJEKËSORE USHTARAKE PRANË SPITALIT UNIVERSITAR TË TRAUMËS, NË STRUKTURAT E TJERA TË FORCAVE TË ARMATOSURA DHE NË INSTITUCIONET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE DHE SPITALIN PËRKATËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Shkronja “g”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“g) punonjësit me arsim të lartë në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor e Shoqëror janë sipas lidhjes nr.1, kreu 1.9, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”;

b) Në kreun 1.6, të lidhjes nr.1, që përmendet në shkronjën “e”, të pikës 2, shtesa e pozicionit për pozicionin “Drejtor” bëhet 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë në muaj;

c) Kreu 1.9, i lidhjes nr.1, që përmendet në shkronjën “g”, të pikës 2, zëvendësohet me kreun me të njëjtin numër dhe me titull “Struktura e pagave për punonjësit me arsim të lartë në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor e Shoqëror”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;

ç) Në rreshtin me numër rendor 1, të kolonës “Emërtimi”, të lidhjes nr.7, që përmendet në pikën 2.3, shtohet emërtesa “teknik imazherie”;

d) Kreu 2.2, i lidhjes nr.2, zëvendësohet me kreun me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;

dh) Lidhja nr.10, që përmendet në pikën 20, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2022, përballohen nga fondet e miratuara për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për këtë vit dhe fillojnë nga data 1 janar 2022.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.587, DATË 22.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), TË DËMTUARA, NË ZONAT E REJA PËR ZHVILLIM DHE RINDËRTIM NË TË NJËJTIN TRUALL”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, dhe 36, shkronja “a”, pika 1, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.587, datë 22.7.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

a) Numërtimi i pikës “4” ndryshohet dhe bëhet pika “5”.

b) Numërtimi i pikës “5” ndryshohet dhe bëhet pika “6”.

c) Pas pikës 3.1 shtohen pikat 4 dhe 4.1, me këtë përmbajtje:

“4. Përdorimin e fondit, miratuar në buxhetin e vitit 2022, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në masën 3 671 841 924 (tre miliardë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e një milionë e tetëqind e dyzet e një mijë e nëntëqind e njëzet e katër) lekë pa TVSH, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.

4.1. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i shtohet fondi prej 3 671 841 924 (tre miliardë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e një milionë e tetëqind e dyzet e një mijë e nëntëqind e njëzet e katër) lekësh pa TVSH.”.

2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË TIRANË, DURRËS, SHIJAK, LEZHË DHE KRUJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 4 254 481 452 (katër miliardë e dyqind e pesëdhjetë e katër milionë e katërqind e tetëdhjetë e një mijë e katërqind e pesëdhjetë e dy) lekë pa TVSH, nga bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) dhe njësive individuale të banimit, të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Për bashkinë Tiranë, në masën 1 166 365 230 (një miliard e njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e dyqind e tridhjetë) lekë pa TVSH;
b) Për bashkinë Durrës, në masën 2 419 555 918 (dy miliardë e katërqind e nëntëmbëdhjetë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e tetëmbëdhjetë) lekë pa TVSH;
c) Për bashkinë Shijak, në masën 30 628 807 (tridhjetë milionë e gjashtëqind e njëzet e tetë mijë e tetëqind e shtatë) lekë pa TVSH;
ç) Për bashkinë Lezhë, në masën 136 176 130 (njëqind e tridhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë) lekë pa TVSH;
d) Për bashkinë Krujë, në masën 501 755 367 (pesëqind e një milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH.

2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, në masën 850 896 290 (tetëqind e pesëdhjetë milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e nëntëdhjetë) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022, dhe i transferohet bashkive Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë, në formën e transfertës së pakushtëzuar, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi, në masën 233 273 046 (dyqind e tridhjetë e tre milionë e dyqind e shtatëdhjetë e tre mijë e dyzet e gjashtë) lekë pa TVSH;
b) Bashkisë Durrës i transferohet fondi, në masën 483 911 184 (katërqind e tetëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e njëmbëdhjetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e katër) lekë pa TVSH;
c) Bashkisë Shijak i transferohet fondi, në masën 6 125 761 (gjashtë milionë e njëqind e njëzet e pesë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e një) lekë pa TVSH;
ç) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi, në masën 27 235 226 (njëzet e shtatë milionë e dyqind e tridhjetë e pesë mijë e dyqind e njëzet e gjashtë) lekë pa TVSH;
d) Bashkisë Krujë i transferohet fondi, në masën 100 351 073 (njëqind milionë e treqind e pesëdhjetë e një mijë e shtatëdhjetë e tre) lekë pa TVSH.

3. Bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë caktohen si njësi zbatuese, sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR INFRASTRUKTURËN E BRENDSHME PËR RRJETET E KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE ME SHPEJTËSI TË LARTË DHE ADMINISTRIMIN E PIKËS SË AKSESIT NË GODINA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 20, të ligjit nr.120/2016, “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e rregullave për infrastrukturën e brendshme për rrjetet e komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë dhe administrimin e pikës së aksesit në godina, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, autoritetet planifikuese dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR SHPËRNDARJEN E KOSTOVE TË LIDHURA ME KOORDINIMIN E PUNIMEVE CIVILE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 15, të ligjit nr.120/2016, “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullave për shpërndarjen e kostove të lidhura me koordinimin e punimeve civile, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohen autoritetet përgjegjëse për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, sipas përcaktimeve në nenin 7, të ligjit nr.120/2016, “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit”, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË SHESHEVE TË NDËRTIMIT NË BASHKINË KRUJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 115 965 523 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e njëzet e tre) lekësh pa TVSH, për financimin e shembjeve të njësive individuale të banimit të pabanueshme, të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019, dhe transportimin e materialeve të dala nga shembja e tyre në Bashkinë Krujë.

2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, për financimin e shembjeve të njësive individuale të banimit të pabanueshme, të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019, dhe transportimin e materialeve të dala nga shembja e tyre në Bashkinë Krujë, në masën 23 193 104 (njëzet e tre milionë e njëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e njëqind e katër) lekë pa TVSH, që përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022, dhe i transferohet Bashkisë Krujë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.202, DATË 5.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NDËRTIMIN DHE RIKONSTRUKSIONIN E INFRASTRUKTURËS PUBLIKE, SI DHE ÇDO NDËRHYRJE TJETËR NË FUNKSION TË RINDËRTIMIT TË KËTYRE BANESAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 2.2, të vendimit nr.202, datë 5.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2.3, me këtë përmbajtje:

“2.3. Fondi që do të përdoret, i miratuar në buxhetin e vitit 2022, do të jetë në masën 476 247 021 (katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e dyqind e dyzet e shtatë mijë e njëzet e një) lekë pa TVSH, i cili do t’i shtohet Fondit Shqiptar të Zhvillimit në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike, si dhe çdo ndërhyrje tjetër, në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim.”.

2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.212, DATË 11.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 2.1, të vendimit nr.212, datë 11.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2.2, me këtë përmbajtje:

“2.2. Përdorimi i fondit, i miratuar në buxhetin e vitit 2022, të jetë në masën 90 391 541 (nëntëdhjetë milionë e treqind e nëntëdhjetë e një mijë e pesëqind e dyzet e një) lekë pa TVSH, i cili i shtohet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”.

2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.307, DATË 16.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E NDËRTIMIT DHE TË RIKONSTRUKSIONIT TË INFRASTRUKTURËS PUBLIKE NË ZONAT E REJA TË SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 3.1, të vendimit nr.307, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 3.2, me këtë përmbajtje:

“3.2. Përdorimi i fondit, miratuar në buxhetin e vitit 2022, të jetë në masën 605 498 838 (gjashtëqind e pesë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e tridhjetë e tetë) lekë pa TVSH, i cili i shtohet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Durrës, Kamzë, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak e Vorë”.

2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.