Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Materniteti i ri i Beratit hapi dyert për nënat e reja që do të sjellin në jetë foshnjat e tyre në kushte optimale, duke garantuar standarde të larta shërbimi në gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji.

Infrastruktura e re me një kapacitet prej 50 shtretërish, dhe 3 salla operacioni, e pajisur me aparatura të teknologjisë bashkëkohore,  përmbyll rilindjen e kompleksit spitalor të këtij qyteti. Nga një ngrehinë e degraduar, ndërtim i vitit 1976 jashtë çdo funksioni dhe simbol i harresës në dekada të tëra, materniteti, i cili është rikonstruktuar për herë të fundit 18 vite më parë,  është transformuar sot në shëmbëlltyrë të standardeve europiane.

Ndalesa e radhës e Kryeministrit Rama, ishte pikërisht në ndërtesën e Maternitetit, ku së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizituan kabinetet moderne, të shoqëruar nga stafi i mjekëve dhe infermierëve, të cilët nga sot e tutje kanë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre në kushte tepër cilësore.

Ministrja Manastirliu tha se materniteti është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 2.5 milionë euro. “ Është investim financuar nga buxheti i shtetit në vlerën 2.5 mln euro. Ka një kapacitet 50 shtretërish. Organizimi i katit të parë është i orientuar në konsulta. Ky investim, ndër gjithë të tjerat është bërë në një kohë të vështirë, gjatë pandemisë. Investimet nuk kanë ndalur. Është materniteti i katërt në krye te 4 viteve që është ndërtuar në kuadër te programit të nenës dhe fëmijës.Përpos gjithë investimit në infrastrukture, pajisjet janë të gjitha të reja, të sallave të operacionit, por edhe të mobilimit spitalor dhe pajisjeve mjekesore.” – u shpreh ministrja Manastirliu.

Në bisedën me mjekët, Kryeministri Edi Rama, theksoi se zotimi i radhës mbetet rritja e pagave në muajin qershor, për të cilën, Kryeministri siguroi se do të realizohet, me gjithë vështirësitë aktuale të shkaktuara nga kriza ndërkombëtare. “Tani hapi i radhës është rritja e mëtejshme e pagave në qershor, siç e kemi zotuar, me gjithë vështirësitë që na janë krijuar me këtë situate, por do ta bëjmë rritjen e pagave për mjekët, infermierët, mësuesit dhe ushtarakët.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.