‘’Javët e Kulturës Ndërkombëtare 2022’’ u çel sot në Sheshin Skënderbej, në kuadrin e nismës më të re të qeverisë shqiptare “Shqipëria mikpret botën”, ku Franca është e para që sjell në tokën shqiptare mozaikun e pasur të kulturës plot elegancë, shije dhe unike të këtij vendi.
Ceremoninë e përshëndeti online Clément Beaune, Sekretari francez i Shtetit, i cili falenderoi kryeministrin Rama për idenë dhe angazhimin e tij personal në këtë nismë.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, në fjalën e mbajtur në hapje të ceremonisë u shpreh se “Kjo është një nga nismat më të bukura të qeverisë shqiptare që starton sot e do të përsëritet vit pas viti për të treguar më të bukurën e çdo kombi dhe më të bukurën e shqiptarisë”.
Ndërsa kryeministri Rama, i cili ndoqi mbrëmjen së bashku me bashkëshorten e tij Linda Rama tha se “sonte është fillimi i një aventure të re kulturore, i një hapësire të re kulture ndërveprimi, dialogu, njohjeje, afrimi dhe patjetër edhe i një numri gjithnjë e më të madh urash ndërveprimi, të cilat në do të bëjmë çmos të krijojmë sa më shumë shanse për bashkëpunime të qëndrueshme në të ardhmen.”
Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri Rama tha se sot starton një program i cili synon të sjellë në hapësirat e vendit tonë, në hapësirat publike, në hapësirat kulturore, në hapësirat artistike kultura, aktivitete, artistë, njerëz të fushave të ndryshme por edhe tradita të të festuarit, tradita të gatimit në Tiranë dhe jo vetëm në Tiranë por dhe në qytete e deri në fshatra të Shqipërisë. Sa më shumë ura të njohjes- tha ai- sa më shumë ura bashkëpunimi dhe A-ja e këtij bashkëpunimi është natyrisht bashkëpunimi mes nesh, qeverisë, Ministrisë së Kulturës dhe përfaqësive diplomatike këtu në Shqipëri të cilat janë pararoja e gjithë kësaj pune të madhe sepse është vërtet një volum i madh pune organizative për t’i bërë të mundura këto javë’’- shtoi Rama.
‘’Sot dua t’i falenderoj sinqerisht të gjithë miqtë tanë që janë këtu të pranishëm, ambasadorët e vendeve të përfshira tanimë në program dhe dua t’i nxit të tjerët që të përfshihen pa humbur kohë.
Franca është ajo që e hap këtë program, një koincidencë e bukur bën që sot ne të gjithë të jemi këtu pas një dit ë shënuar në historinë bashkëkohore të Francës me rikonfirmimin e presidentit Emmanuel Macron i cili është në të njëjtën kohë jo vetëm presidenti i Francës por dhe një prej shtyllave mbajtëse të gjithë arkitekturës së bashkimit Europian e për këtë arsye sot ne jemi të gëzuar e të lehtësuar nga rezultati i djeshëm në Francë i cili natyrisht është një garanci dhe për perspektivën europiane të të gjithë rajonit tonë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë’’- tha kryeministri Rama.