Prej 1 Majit të këtij viti nis një epokë e re e shërbimeve publike në vendin tonë me mbylljen e sporteleve fizike dhe hapjen e atyre digjitale.
Lajmi u njoftua gjatë një konference të organizuar nga Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, me fokus te revolucioni digjital në fushën e shërbimeve publike.
Kështu, shërbimet do të merren vetëm në platformën online të shërbimeve publike “E Albania” dhe jo më në sportelet fizike. Sportelet do të qëndrojnë hapur për të ofruar vetëm ato shërbime, për të cilat është e domosdoshme prezenca fizike e qytetarit apo mjetit.
Ministrja për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi tha se “që në fillim të mandatit qeveria socialiste e ka pasur shumë të rëndësishme që të ofrojë shërbime të shpejta, të lehta dhe pa burokraci”.
“Këtë qasje qeveria e ka pasur për ta arritur në 30 prill me mbylljen e sporteleve fizike dhe ofrimin e shërbimeve publike përmes platformës digjitale e-albania, të mbështetur në një objektiv shumë të rëndësishëm që është barazia e qytetarëve para ligjit, pavarësisht se kush e kërkon shërbimin, ku jeton ai dhe nëse ka nevojë për një shërbim të shpejtë, të gjithë e marrin njësoj këtë shërbim dhe në të njëjtën mënyrë”, tha Ekonomi.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj tha se “brenda 2 viteve, ambicia jonë është që të kemi një sistem të qendërzuar për punën e administratës publike, me zero letra e dokumenta fizikë për administratën”.