Kryeministri Rama mori pjesë sot në aktivitetin informues mbi zgjerimin e shërbimeve online dhe mbylljen e sporteleve ndërsa theksoi në fjalën e tij se aktualisht “jemi në një fazë ku përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit digjital dhe i japim një goditje, një shkelm, një shtytje larg, jo fare larg akoma, korrupsionit në shërbime, bakshishit dhe ryshfetit.”
‘’Do ta nis këtë fjalë sot, në këtë ditë që është për hir të vërtetës një ditë e shënuar për historinë e administratës sonë, me dy shembuj. Njëri është shembulli i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit, që përbën një burim shumë domethënës informacioni dhe patjetër eksperience për këtë proces tërësisht transformues. Deri përpara këtij procesi, ishte e paimagjinueshme që Republika Federale e Gjermanisë, shteti më strikt në Europë por ndoshta edhe në botë, të njihte lejet e drejtimit të Republikës së Shqipërisë, të cilat buronin nga një proces absolutisht i pagjurmueshëm.
Një shembull tjetër që është i kundërti i këtij. Dëgjova këtu Drejtorin e Gjendjes Civile. Është drejtor i ri, kështu që nuk e kam me të. Tha që vjet, në 2021 janë lëshuar 1.5 milionë certifikata, me letër. Dhe pyetja ime është, po pse? Për cilën arsye në botë Ministria e Brendshme dhe gjendja civile kanë shpenzuar për bojë, për letër, për 1.5 milionë certifikata? Për çfarë arsye? Ndërkohë që jo vjet, por të paktën prej 4 vitesh, të paktën, në mos edhe më shumë, nuk ka pasur më nevojë të harxhohet asnjë fije letër dhe asnjë pikë bojë për të printuar certifikata.
Këto janë dy ekstreme të një procesi, i cili kërkon vendosmëri të madhe dhe mbi të gjitha kërkon kalim të besimit tek teknologjia duke ndërprerë të gjitha fijet me inercinë e traditës.
Vendimi është i prerë, në datën 30 prill nuk ka më sportele në Republikën e Shqipërisë e të jeni të sigurt që kjo do funksionojë, edhe pse në fillim mund të ketë disa ngërçe.
Janë 7 milionë euro që janë kursyer vetëm nga pagesat, ato pagesat e vogla të sporteleve për të marrë letra, vetëm për letra u janë kursyer njerëzve 7 milionë euro me këto procese.
Nuk është një zhvillim linear, por është një zhvillim eksponencial dhe mund të kapërcesh vite të tëra në një vit të vetëm dhe mund të jesh Shqipëria shumë e prapambetur deri disa vite më parë, që sot ka shkuar në vendin e 17-të për shërbimet digjitale dhe mbrapa nesh janë vende shumë më të zhvilluara se ne.
Kështu që, në këtë aspekt, ne jemi në një fazë ku përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit digjital dhe i japim një goditje, një shkelm, një shtytje larg, jo fare larg akoma korrupsionit në shërbime, bakshishit dhe ryshfetit.
Pjesa tjetër, që është shumë e rëndësishme të thuhet, është se nuk do ikë njeri nga puna. Të gjithë do vazhdojnë punën, por do bëjnë një punë tjetër. Në vend të marrjes në pyetje, të hetimit dhe torturës të qytetarëve që vijnë në sportele, do merren me plotësimin e dosjeve online të qytetarëve.
Ndërkohë, ne kemi filluar projektin tjetër për të pasur brenda vitit të ardhshëm asistentin me zë, po këtu (në telefon), siç është Siri, për shembull.
Nuk do ketë më zyra ADISA në 1 maj, do të mbyllen për të hyrë njerëz nga jashtë brenda, por nga brenda do të vazhdojë puna për të bërë pikërisht këtë, për të vazhduar shërbimin ndaj qytetarëve në mënyrë që gjithë procesi i aplikimeve të jetë një proces i suksesshëm dhe që askush në asnjë hallkë të tij të mos e pengojë këtë proces.
Dua të them në fund se me këtë sistem sot kemi mundësinë ta çojmë në një nivel krejt tjetër marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit dhe kemi mundësi që ta bëjmë Shqipërinë, vendin ku fjala shërbim për qytetarët dhe fjala shërbim nga shteti të marrë kuptimin e vetë më të plotë dhe më kuptimplotë.