Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Sot, në një ceremoni të posaçme, Kryeministri Edi Rama iu akordoi statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” 11 fëmijëve të parë, prindërit e të cilëve dhanë jetën në krye të detyrës në mbrojtje të jetëve të tjera.

Duke shprehur mirënjohjen e thellë për aktin vetëmohues të prindërve heronj, Kryeministri Rama tha se tashmë “Statusi i veçantë “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, sot nuk është më një zotim, por një risi e veçantë e jetës sonë, të cilës aktet e vetëmohimit  i japin dhe kuptimin e saj dhe më të madh.”

* * *

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Rama u shpreh:

Janë pikërisht njerëzit e zakonshëm edhe autorët e akteve më të jashtëzakonshme të vetëmohimit për t’ju bërë mbrojtje të tjerëve, për t’ju u bërë mburojë shoqërisë, për t’i dalë zot vetë atdheut.

Të tillë ishin edhe vet njerëzit tuaj më të shtrenjtë, prindërit tuaj, të cilët jetojnë në kujtimet tuaja dhe në kujtesën e kësaj shoqërie si mishërim i sakrificës ekstreme për të mirën e të tjerëve. Ata lanë pas, jo vetëm shembullin e tyre të admirueshëm, por edhe amanetin e heshtur për ne, që të mos ju lëmë juve për asnjë çast vetëm.

Ky takim i sotëm është për ta shpallur dhe publikisht të përmbushur atë amanet, i cili u kthye në zotimin tonë dhe u bë ligji i parë i këtij mandati të tretë.

Sot jemi këtu për të kujtuar së bashku prindërit tuaj me fjalët e amanetit të përmbushur dhe për t’i thënë, jo vetëm Arianit, Drinit, Dorianit, Petritit, Fetiut, Kujtimit dhe Bledit, se kujtimi i tyre i paharrueshëm u bë shtysa jonë e madhe, por edhe gjithë Shqipërisë, se Republika jonë nuk i lë vetëm fëmijët e heronjve dhe dëshmorëve të saj.

Për fëmijët e përkujdesjes së Republikës statusi i veçantë parashikon dhe marrjen e kujdesit shëndetësor dhe spitalor falas, në institucionet publike dhe në ato private dhe kur është nevoja, shpresoj të mos jetë asnjëherë për asnjërin, edhe në strukturat më të specializuara jashtë vendit.

Ky status iu takon të gjithë fëmijëve të dëshmorëve, si dhe fëmijëve të mjekëve dhe infermierëve  që humbën jetën në vijën e parë të luftës me armikun e padukshëm, natyrisht bëhet fjalë për fëmijët që ende nuk kanë dalë në rrugën e jetës si zotër të vetes së tyre.

Sot, këtu janë 11 fëmijët e parë nën përkujdesjen e Republikës dhe ndërkohë komisioni i posaçëm, i cili drejtohet nga Ministrja e shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, i ngritur sipas ligjit të miratuar enkas për këtë qëllim vijon me trajtimin e rasteve të tjera.

Ndërkohë që sot që flasim nga politikat tona sociale përfitojnë afro 140 mijë fëmijë. Janë fëmijë që marrin ndihmë ekonomike, për fëmijët jetimë, për fëmijët e nenave që janë viktima të dhunës pagesa është trefishuar dhe për familjet me shumë fëmijë kjo mbështetje financiare është dyfishuar.

Para pak ditësh, Këshilli i Ministrave miratoi edhe një tjetër paketë të programit kombëtar të parashikuar në buxhetin e shtetit të këtij viti për kujdesin për shikimin e fëmijëve, një paketë që mundëson kontrollin periodik për 270 mijë fëmijë që nga të porsalindurit deri tek fëmijët në moshën 14 vjeç.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.