Revolucioni digjital do të shtrihet edhe në sistemin bankar të vendit, për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat dhe vonesat e shërbimeve të epokës së vjetër, njësoj siç u bë me shërbimet publike me dokumente.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me drejtues të sektorit bankar, të cilët i ftoi në këtë përpjekje të përbashkët për të shënuar transformimin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve në bankat e nivelit të dytë. Kryeministri bëri të ditur se është ngritur një grup pune mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, i cili do të drejtojë punën në këtë aspekt.
“Raporti i fundit i Bankës europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e renditi Shqipërinë të parën në rajon dhe të 17 – ën në listën e vendeve që mbulon me aktivitetin e saj BERZH-i , një pozicion për hir të së vërtetës shumë domethënës, si rezultat i një pune jashtëzakonisht voluminoze dhe intensive që kemi zhvilluar për vite të tëra për ta transformuar të gjithë sistemin tonë të qeverisjes, përmes digjitalizimit dhe për të transformuar vet shërbimet publike falë digjitalizimit.
Siç duhet ta dini, prej 1 Majit nuk ka më sportele fizike të administratës për shërbimet me dokumente dhe të gjitha shërbimet ofrohen online, konkretisht 1225 shërbime për të cilat aplikohet dhe merret përgjigja po online me nënshkrim apo me vulë elektronike.
Mbeten fizikisht vetëm 5 % e shërbimeve, për të cilat është e domosdoshme prania e personit.
apo kur bëhet fjalë për mjetet sepse teknologjia akoma nuk na ka dhënë ndonjë zgjidhje sesi mund të martohemi online për shembull, por me siguri do vijë dhe kjo. Ndërkohë për fat të keq në të njëjtin raport Shqipëria merr një vlerësim tejet të ulët për IComers dhe faktikisht kur vjen puna tek bankat ne jemi të fundit në rajon se në pjesën tjetër po se po.
Ndërkohë që, nga ana tjetër jemi ku thërret qameti në shërbimet online të bankave.
Duke qenë se qytetarët sot kanë gjithë këtë akses të lehtë dhe gjithë këtë shpejtësi të madhe në marrjen e shërbimit nga e-albania është normale që të ankohen gjithmonë e më shumë për bankat. Qoftë qytetarët, qoftë dhe sipërmarrjet.
Dhe nuk ka pse një qytetar që ka një kartë krediti, qoftë debiti, qoftë online banking dhe të ikë të nisët për te dera e bankës për të paguar për një shërbim publik, po njësoj siç bën me e-albanian mund të kryejë dhe pagesën mu aty në e-albania dhe kjo mund t’i konfirmohet në kohë reale, është plotësisht e realizueshme teknikisht dhe ky është një transformim që nuk është më koha ta diskutojmë, është koha ta bëjmë.
Është shokuese për mua që panorama e sotme e nivelit të teknologjisë së bankave, është kjo që është. Është shokuese.
Ne e kemi kursyer me llogari, me laps në dorë, qytetarëve, nga këto transformime 7.1 milionë euro lekë, 50 lekë këtu, 100 lek atje, nxirr nga xhepi, për të marrë një copë letër, për të marrë një certifikatë, për të marrë një autorizim e për të marrë një vërtetim.
Është koha që dhe ju të shikoni shkurtimin e shumë dokumenteve, procedurave e historive që kanë të bëjnë me shërbimet e thjeshta, flas. Kohën e torturës për të dhënë kredi pastaj është diskrecioni juaj, nuk e kemi ne këtë pjesë.
Këto ishin pak a shumë fjalët e mia. Më vjen keq që nuk kam sot asnjë fjalë të mirë për të thënë për bankat, përkundrazi, kam vetëm fjalë të këqija për këtë pjesë, që ka të bëjë me teknologjinë, sepse pjesa tjetër është e qartë që sistemi ynë bankar meriton respekt dhe garanton stabilitet, garanton të gjitha kursimet e njerëzve, garanton shërbime të nivelit të lartë, me thënë të drejtën.
Ju garantoj që AKSHI-n, jo vetëm e keni në dispozicion, por duhet ta përdorni për këtë qëllim pa asnjë ngurrim. Për më tepër, përsëri do fitoni ju se do merrni nga AKSHI një konsulencë dhe nuk do paguani, se këtu është prapë me fitim do dilni në këtë aspekt.
Ne na duhet të vazhdojmë me shpejtësi transformimin sistemik dhe ta shfrytëzojmë maksimalisht teknologjinë sepse teknologjia është bekimi i vendeve si vendi ynë, të cilat në kushte të tjera, do ishte dashur nuk e di se sa dekada, për të bërë atë që në këto kushte mund ta bëjmë për 2, 3, 4 vjet falë teknologjisë.”