Fjala e Kryeministrit Rama në ceremoninë e dorëzimit të 2002 lejeve të legalizimit për banoret e zonës së Kamzës dhe Paskuqanit:
Jemi sot këtu në prag të Vitit të Ri për t’ju dhënë ato që i keni pritur 20 vite dhe për t’ju bërë që ta kaloni Vitin e Ri në shtëpitë tuaja, por edhe me lejen e legalizimit dhe falas në dorë.
Nga një anë, për shkak të nxitjes së vazhdueshme të Pjerin Ndreut, nga ana tjetër edhe për një, – t’ja u them hapur, – inat personal timin që ju shkepën në rrena dhe i mbushët në vota në 20 vjet, arritëm të mbledhim 2002 leje për t’ua dhënë sot, sa 2002 rrena që ju ka bërë PD në 22 vjet. Se e kam pasur me inat të madh këtë punë. Se vinin dhe u thoshin mos ia jepni votat Edi Ramës, se jo vetëm që do t’ju prishi shtëpitë, por do ju kthejë nga keni ardhur. Edhe që nga viti 2005 deri në vitin 2013 ju kanë dhënë vetëm 505 leje legalizimi. Ndërsa sot, 2002 leje legalizimi, që në vitin e parë.
Edhe ata që kanë marrë ato 505 lejet, e dinë se ç’kanë hequr, “nga Xhelali tek Shaboni, nga Shaboni tek Saliu , nga Saliu tek Xhelali, nga Xhelani tek Shaboni”, derisa iu ka dalë kat për kat shtëpia për hundësh dhe kanë marrë legalizimin, jo me pagesë, por me kapar, me pagesë, me kapak sipër e me “bisht pas filxhonit” e dini mirë juve.
Ndërsa sot, 2002 legalizime bëhen falas.
Edhe për vitin 2013 mezi bënë për Paskuqanin 99 leje, nuk i bënë dot as 100. Ishte dhe fushatë. E dini pse, sepse kishin në mendje të bënin në fillim dyqanet, bizneset se megjithëse thoshin “përpara, përpara se do fitojmë”, e ndjenin që kishin ngelë mbrapa dhe u turrën që të kapin çfarë të kapin. Kështu që, sot në këtë zonë që historikisht votoi në radhë të parë për legalizimet, po bëhet realitet ëndrra e atyre burrave që janë bërë gjyshë e stërgjyshë dhe që morën familjet nga zonat e varfra dhe erdhën këtu afër Tiranës që të ndërtojnë një shtëpi dhe një jetë më të mirë për familjet e tyre dhe i janë bërë, jo kalamajtë, por dhe nipat për t’u martuar dhe më në fund po marrin në dorë dokumentin që i bën pronarë të një pasurie të patundshme në jetë të jetëve, këtu, ku me gjak dhe sakrifica ndërtuan strehën e tyre të re.
Tani, meqë Kamza është kryeqyteti i legalizimeve dhe kryeqyteti i ndërtimeve pa leje, këtu në Kamëz ia vlen të bësh dhe një bilanc në rang Republike. Pasi Vlora është kryeqyteti i Pavarësisë, Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, Kamza është kryeqyteti i ndërtimeve pa leje. Kështu që, në kryeqytetin e ndërtimeve pa leje, – t’i themi gjerat hapur se me mire hapur se sa çel e mbyll, – të bëjmë edhe një bilanc.
E dini se sa legalizime bëri PD në 8 vjet qeverisje në të gjithë Shqipërinë? 21.750, me shifrat e Artan Lames që mund t’i marrësh edhe shpirtin dhe një rrenë nuk e thotë dot. 21.750!
E dini se sa legalizime plotësojmë ne edhe me këto të Kamzës, jo brenda një viti, por brenda 9 muajve që ka filluar të punojë edhe ALUIZNI? Se 7 muajt e parë na kaluan duke mbledhur dokumentet sa në banjë, sa në korridore, sa poshtë dollapëve që i kishin lënë zotërinjtë më përpara.
Pra, kemi bërë sot bashkë me 2002 lejet e sotme, 21.000. Pra, ne në 9 muaj kemi bërë po aq legalizime dhe i kemi bërë falas, jo me lekë, sa çka bërë PD në 8 vjet.
Sot legalizimet përfshijnë Kamzën dhe Paskuqanin, pra praktikisht përfshijnë territorin e Bashkisë së re që në bazë të Reformës Territoriale kthehet në një bashki më të madhe me sigurisht, me shumë potencial zhvillimi, por edhe me problemet e veta.
Por Kamza nuk behet dot Europë duke i vënë emrat e rrugëve, jo Hollivudi, jo Parisi, jo Moska, jo ku e di unë. As duke i vënë sheshit kryesor emrin Sali Berisha. Nuk bëhet dot. Ka qenë një gjetje origjinale, bile kam parë dhe një rrugë “Coca-Cola”, këtu në Kamzë. Kam parë dhe një rrugë “Sarkozi”, Sarkozia akoma gjallë?! Se mirë Saliut edhe gjallë, hallall, po i vëmë edhe një emër rruge, po Sarkozisë së shkretë si iu vika një emër rruge për së gjalli?!
Për ta bërë Europë edhe Kamzën, si gjithë Shqipërinë, duhen legalizimet. Siç e kam thënë dhe herë të tjera, legalizimet nuk janë thjesht dokumenti që provon se shtëpia është e jotja, apo që e bën shtëpinë, pasuri të patundshme, por legalizimet janë hapja e rrugës, që duke pasur shtëpinë tënde me hipotekë, mund të marrësh kredi, mund të shkosh në bankë dhe të thuash unë kam këtë pasuri dhe unë dua një kredi për të hapur një biznes të vogël, për të mbështetur studimet e fëmijës, apo qoftë për të blerë dhe një makinë, pasi e di që rinia këtu i ka qejf makinat. Kështu ato mure që janë ndërtuar duke investuar një pasuri kthehen në një burim për të bërë pasuri përmes punës, sepse bankat nuk japin kredi që të vësh baste, as të japin kredi që të luash bixhoz. Mund t’i thuash bankës jam me Realin e Madridit, do fitoj patjetër se Cristiano do ta bëjë golin, se statistikat thonë se nuk lë ndeshje pa bërë gol, por banka nuk ta jep kredinë për këtë punë. Banka kredinë ta jep kur ti shkon dhe i thua, dua të hap një biznes, kam këtë pasuri, kam këtë dyqan e kështu dua ta shtoj, e kështu me radhë.
Këto 2002 legalizime ashtu si 21 mijë legalizimet e këtij viti- që siç e keni parë dhe ju nuk janë më legalizime që bëhen duke i gjëmuar mbrapa, as Shabanit dhe as Xhelalit, por vjen ALUIZNI tek dera, bën gjithë matjet, gjithë dokumentat,- do të bëhen tituj pronësie në hipotekë sepse deri tek Hipoteka, ku në asnjë mënyrë nuk duhet t’i nënshtroheni asnjë presioni korruptiv, do t’ju shoqërojë ALUIZNI. Ju do të keni titullin e plotë të pronësisë. Titullin e pronësisë, që i jep fund gjithë vuajtjeve të atyre që vunë themelet e shtëpisë, edhe që siç e thashë janë bërë gjyshër e stërgjyshër. I dolën flokët e bardha nga tre herë dhe në çdo fushatë “do t’ju legalizojmë shtëpitë, do t’ju legalizojmë shtëpitë” edhe si erdhi kjo punë, – e kam me ata të PD-së, – ai që do t’ua prishte, vjen tani dhe jua legalizon, jetë e çuditshme shumë?! Ai që do t’ju legalizonte ju la rrugëve në mëshirë të fatit.
Duke shtuar dhe një fakt tjetër që për shkak të afatit që është vendosur në 31 dhjetor, ka dhe një fluks shumë të madh të vetë deklarimeve. Praktikisht, ne e dinim që në periudhën e zgjedhjeve plasi keqndërtimi pa leje, për shkak të papërgjegjshmërisë, por dhe për shkak të korrupsionit dhe vetëm në këto 4 muaj janë bërë praktikisht 72 mijë vetëdeklarime të reja që iu shtohen atyre 270 mijë të tjerave, – se kanë pasur 270 mijë vetëdeklarime nëpër sirtarë në 8 vjet. Vetëm 21 mijë kanë bërë dhe nga këto mbi 70 % nuk janë shtëpi, janë biznese, biznese edhe në mes të rrugës. E dalin tani dhe thonë pse po i prishni. Në fakt ato që po i prishim që janë dhe me hipotekë për shkak se kanë bllokuar rrugët, po shpronësohen, që i kanë bërë siç kishin bërë ato legalizimet në krah të Universitetit. Në vend që të vinin e t’i bënin këtu në Kamzë dhe t’i jepnin letrat atyre që duan të legalizojnë shtëpinë, gjithë shumën e mundit dhe të sakrificave, – ata tek Universiteti, tek toka e parkut, me vrap për të bërë legalizime dhe e dini kur apo jo? Në fund të gushtit, pasi e kishin humbur pushtetin dhe për pak ditë do të dilnin nga zyrat, shkuan dhe i bënë atje legalizimet. Na detyruan që të paguanim dhe nga buxheti i shtetit dhe t’i shpronësojmë, ata zotërinjtë atje që kishin ndërtuar në krah të universitetit.
Por duke qenë se fluksi është ende i madh për shkak se dhe shumë emigrantë, ju e dini dhe vetë më mirë, janë shumë të interesuar, ka shumë radhë në sportelet e ALUIZNIT, ne kemi vendosur që të mos e kaloni vitin e ri tek sporteli, ta shtyjmë deri në fund të janarit afatin e vetëdeklarimeve, në mënyrë që të mos mbetet askush pa bërë vetëdeklarime.
E këtu flasim për shtëpitë, në zonat informale. Nuk flasim për lokalet e ndërtuara në mes të rrugës, as për lokale të ndërtuara në rrugët kombëtare, që janë të rrezikshme për jetët e njerëzve dhe që nuk kanë lidhje fare me asnjë standard. Po flasim për shtëpi, për dhjetëra mijëra, dhjetëra mijëra shtëpi, që ne duam të futen në ekonomi, pasi siç e thamë ju do të bëheni përfundimisht pronarë të shtëpisë suaj, por shtëpia juaj do të kthehet edhe në një aset të rëndësishëm që ju mund ta përdorni me bankat për të kredituar familjen për çështje të ndryshme që i dini vet.
Të mos harrojmë që ne kemi në të gjithë paketën e legalizimit një sërë lehtësish të tjera. Pra, jo vetëm që legalizimi është falas, por një sërë lehtësish të tjera. Kur vjen fjala për ata që e kanë shtëpinë, jo në tokën e shtetit, sepse ata që e kanë në tokën e shtetit, nuk kanë nevojë të nxjerrin asnjë qindarkë nga xhepi, por kur e kanë në tokën e një pronari, paguajnë një çmim, – dhe ata që e marrin sot këtu e kanë paguar, ka 20 vjet apo 10 vjet, – për të shlyer përfundimisht një detyrim, për të mos ia lënë litarin jashtë kalamajve dhe nipave që të mos ju vijë pas 20 vjetësh apo 30 vjetësh, nipi apo stërnipi i pronarit dhe t’i thotë “ik ti se kjo është toka e stërgjyshit tim”. Kjo është një gjë e bërë ashtu siç duhet, është një gjë e bërë me drejtësi, është një gjë e bërë me zemër, jo për vota, por për një drejtësi në raport me të gjithë ata burra apo të gjithë ato gra që kanë ardhur nga zonat më të varfra dhe janë ushqyer me bukë e me ujë për të ndërtuar një shtëpi për familjet e tyre, për nipërit e për mbesat e tyre.
Ajo që mua më bën edhe më habi, është se si vazhdojnë dhe ju bëjnë akoma për budallenj, duke ju thënë, jo nuk janë falas, jo nuk janë të vërteta, jo i kemi bërë ne. Po kur thonë i kishim bërë ne? Por, po i kishit bërë ju, pse i mbanit aty? Se këta bien dhe me këmbët e veta. Thonë që po u japin legalizimet që i kishim bërë ne gati. Po pse nuk jua dhatë? Se nuk i kishin bërë gati, ose i mbanin se prisnin që t’i shkonit tek shtëpia, jo tek zyra, siç i keni shkuar. E dinë shumë mirë ata që kanë arritur të jenë tek ato 500 legalizimet gjithsej që janë bërë këtu apo si ato 99 legalizime që janë bërë në Paskuqan, si me pas i thënë Paskuqanit se “ju jeni të gjithë 99-sha dhe nuk meritoni më shumë”.
Mirë atëherë, i sigurt se të gjithë ju i keni paguar dritat se ju shoh që jeni shumë të gëzuar, se është gëzim të paguash dritat, unë kam nderin që të nis dhënien e lejeve të legalizimit.
Pas shpërndarjes së lejeve të legalizimit për banorët, kryeministri Rama shtoi:
Edhe diçka në fund lidhur me dritat.
Së pari, të gjithë pensionistët kryefamiljarë, të gjitha familjet me ndihmë ekonomike dhe të gjithë personat me aftësi të kufizuar, që janë tre kategoritë për të cilat u vendos fasha mbrojtëse 300 KË/h, do të marrin nga janari dhe në vazhdim në pensionin e tyre dhe në pagën e ndihmës ekonomike ose në pagën e aftësisë së kufizuar, 650 lekë plus për të paguar faturën e energjisë dhe për të mos ta ndjerë diferencën nga heqja e fashës.
Kurse atyre llogaritarëve të PD-së, që thonë se çmimi ishte 7.7 u bë 9.5 lekë, duhet t’ja bëjmë të qartë që çmimi energjisë nuk ka qenë kurrë 7.7, ai ka qenë çmimi i fashës 300 KË/h. Fasha u vendos për këta që ju përmenda. E këta që ju përmenda, që janë afro 200.000 familje, i merr përsipër qeveria. Të gjithë të tjerët do paguajnë çmimin me 9.5 lekë.
Ndërkohë që çmimi mesatar, tani që pa flasim është 9.9 deri në 10.3 lekë. Kjo është e vërteta. Pra, çmimi mesatar ulet nga 9.9 deri në 10.3, në 9.5 lekë. Të gjithë të tjerat janë rrena si puna e atyre rrenave të legalizimit, përralla të cilat u tregohen vetëm atyre që duan t’i arrin për të vërteta.
Kështu që besoj, shpresoj dhe uroj, duke ju uruar të gjithëve ‘Gëzuar Vitin e Ri!’, që kush e ka ngrënë me sy mbyllur barin e SHQUP-it mos ta hajë më por t’i shohë gjërat vetë, t’i preki gjërat vetë, dhe kur ka për të na kritikuar të na kritikojë mbi bazën e atyre që provon vetë, jo mbi bazën e atyre që dëgjon nga SHQUP-i. Se ata flasin shqup ne flasim shqip. Kjo është shqip!
Unë ju siguroj se siç bëmë realitet këtë zotim, dhe do ta bëjmë realitet jo vetëm për këta 2002, por për të gjithë ata që kanë bërë deklarime dhe që kanë shtëpi në këtë zonë. Ju siguroj që në fund të katër viteve, që atë kontratën që kemi firmos tek sheshi bashkë me Pjerin Ndreun e të tjerë, do ta ndjekim e do të themi: “Le të dali tani kush ka mbetur pa i bërë legalizimin”.
Po ashtu po ju them që me Reformën Territoriale, me bashkimin e Kamzës me Paskuqanin, me rritjen e kësaj njësie territoriale, dhe me mbështetjen e qeverisë për të shtuar shërbimet, për të rritur cilësinë e jetës, për të përmirësuar shërbimin në shkolla, në kopshte, në qendra shëndetësore e të gjitha me radhë, ne do të bëjmë për Kamzën e Paskuqanin sa nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku.
Pastaj nuk diskutohet që votat i dini vetë, dhe nuk diskutohet që lejet ashtu si jau dhashë me gëzim të madh, me dorën time ca demokratëve këtu ashtu do vazhdojmë t’i respektojmë po njësoj, se ne nuk i ndajmë shqiptarët në “në tanët” dhe “të atyre”.
Njësoj respektojmë edhe veteranët e luftës edhe të përndjekurit politikë. Për dijeni sot kemi kaluar ligjin e dosjeve. Ai ligji i famshëm që 20 vjet e përmendi: “Do hapim dosjet, do hapim dosjet”, sikur çfarë do hapnin, kushedi çfarë halli kanë pasur që nuk i kanë hapur dosjet. Ashtu siç i respektojmë ata, ashtu respektojmë edhe gjithë shqiptarët nga veriu në jug. Sepse për të folur fjalë të bukura se kush e do Shqipërinë më shumë, garën e fitojnë gjithmonë tradhtarët dhe maskarenjtë. Por, për të bërë më shumë për Shqipërinë, atëherë garën e fitojnë ata që janë më punëtorë dhe më të ndershëm me shqiptarët.
Ju u bëtë kaq vite që merreni me politikë, – se jeni marrë me politikë shumë këtu në Kamëz, – dhe besoj që keni mjaft eksperiencë, që barin e SHQUP-it ta hani se keni qejf ta hani dhe jo sepse ju thonë hajeni se nuk është bar, se është sallatë. Keni qejf ta hani, hajeni, t’ju bëjë mirë, ne do vazhdojmë t’ju mbështesim me sa kemi mundësi, por vetëm mos e hani për sallatë se ashtu do t’ju marrin për budallenj ashtu siç ju kanë marrë këto 20 vjet.
Do t’jau them sot, nuk ja u thosha edhe më përpara se s’kisha gjë në dorë, tani që kam lejet e legalizimit në dorë jua them pa merak fare se e di që nuk ju ngelet hatri. Pastaj jeta vazhdon, keni kohë ta rregulloni biografinë.
Mirupafshim!