Njësia Speciale Antiinformalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet është ngritur në mbështetje të Urdhrit të Kryeministrit me qëllim rritjen e vetëdeklarimit të pagave reale nëpërmjet realizimit të analizave të duhura dhe kryqëzimit të informacioneve, si dhe bazuar në kritere risku evidentimin e planit sektorial të lidhur me evazionin në paga. Në muajin Janar 2022 njësia u fokusua në analizën e reagimit të tatimpaguesve, ku në bazë të kritereve të riskut dhe kryqëzimit të informacioneve nga palë të treta, u përzgjodhën tatimpaguesit dhe individët për kontroll.
Për të diskutuar mbi ecurinë e punës së kësaj njësie, si dhe për të bërë një bilanc të bizneseve që deri tani kanë reaguar pozitivisht, duke reflektuar ndryshimet në lidhje me pagat e punonjësve, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim të zgjeruar me biznese dhe individë të përfshirë në këtë proces.
Kryeministri theksoi se kërkesa e përsëritur që të gjithë bizneset të rishikojnë situatën me pjesën informale të pagave ka dhënë rezultate shumë domethënëse.
* * *
Ju të gjithë e keni parasysh siç besoj nuk e ka harruar askush se çfarë efekti pati dalja e pagave në publik, që përveç anës së vet negative kishte dhe një anë jo të vogël pozitive sepse i gjithë opinion publik u ballafaqua me një realitet, i cili pavarësisht rregullimeve në vite, ishte pasqyrë e një deformimi të madh për të cilën ne kemi qenë dhe jemi të vetëdijshëm. E sikundër e bëmë dhe me dije, ne ngritëm Njësinë Speciale të Antiinformalitetit për të zhvilluar një proces kontrolli të detajuar dhe për të na dhënë një analizë të gjithë situatës.
Kemi mbi 25 % të të punësuarve në Republikën e Shqipërisë që kanë kapërcyer nga niveli i pagës minimale në një nivel më të lartë, që do të thotë se ata nuk merrnin në fakt pagën minimale të deklaruar, por merrnin më shumë, të gjithë!
* * *
Së pari, këto kontrolle të bëra nga njësia janë kontrolle që kanë synuar dhe faktikisht kanë nxjerrë në pah jo thjesht problematika të një kompanie apo dy kompanish të kontrolluara për çdo sektor, por të krejt sektorit sepse metodologjia është e tille që të jep informacion mbi sektorin jo thjesht mbi kompanitë. Kjo është një kohë kur ata që kanë më shumë, duhet me patjetër të kontribuojnë më shumë në mënyrë që barra e kësaj ngarkese të posaçme të ndahet në sa më të drejtë.
Për më tepër, është një kohë kur patjetër të gjithë bizneset duhet të hedhin një hap më tutje për të formalizuar marrëdhëniet me punëmarrësit e tyre, për të formalizuar pagat e tyre dhe për të mos ngrënë pensionin e tyre.
Ne do të bëjmë një punë shumë intensive lidhur me kontratat, punë që ministrja e ka nisur me disa raste specifike dhe për të cilën ne po punojmë për të mbështetur punëmarrësit por edhe për të ndihmuar punëdhënësit që të ketë kontrata që garantojnë të dyja palët. Eshtë shumë domethënëse që janë 20 e kusur përqind e të punësuarve totalë që janë rritur në pagë si pasojë e këtij korrektimi dhe që sot me marsin kemi një pagë mesatare të rritur me mbi 100 mijë lekë të vjetra.
Elementi tjetër është që së shpejti do të avancojmë në një politikë tjetër përsa i përket punësimit të personave që janë me ndihmë ekonomike dhe që gëzojnë të gjitha kapacitetet fizike për punë dhe edhe këtu një politikë, e cila do të jetë shumë e lidhur me komunitetin e biznesit dhe do të bazohet shumë në partneritetin me biznesit.
Nuk ka asnjë vend në Europë, nuk diskutohet, s’bëhet fjalë, por as në rajon me një taksë zero për biznesin e vogël. Nuk ka! Ashtu sikundër me TVSH zero për biznesin e vogël siç e kemi ne, nuk ka!
Nga ana tjetër, taksa për biznesin e madh është më e larta në rajon. E kemi rritur ne dhe kemi qenë shumë të vetëdijshëm që është gjëja e duhur që duhet bërë, por nuk është një taksë e lartë 15%, është një taksë e arsyeshme dhe ne e kemi thënë në krye të erës dhe po e mbajmë që nuk do të rrisim asnjë taksë, por kjo prezumon që të gjithë të marrin përsipër pjesën e tyre sepse ndryshe nuk funksionon.