Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për krijimin e 100 laboratorëve të parë SMART

Revolucioni digjital, si një proces transformues edhe në arsim, shënoi një hap të rëndësishëm me firmosjen e marrëveshjes së  bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), për krijimin e 100 laboratorëve të parë SMART në shkollat 9-vjeçare dhe për programin e ri të kodimit në arsimin parauniversitar.

Kryeministri Edi Rama i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes tha se ky angazhim i rëndësishëm i qeverisë u nxit në mënyrë të posaçme edhe nga nxënësit gjatë takimeve dhe bashkëbisedimeve me ta, të koordinuara nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, ku në mënyrë të përsëritur ata theksuan dosmosdoshmërinë e ngritjes në një nivel tjetër të laboratorëve të informatikës.

* * *

Sot këtu jemi për të filluar një proces transformues, rrënjësisht transformues që është pjesë e revolucionit tonë digjital që u nxit në mënyrë të posaçme nga nxënësit me të cilët ne patëm një komunikim intensiv të koordinuar nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, lidhur me domosdoshmërinë e çuarjes në një nivel tjetër të laboratorëve të Informatikës, laboratorë që faktikisht figurojnë fizikisht në shkolla, por në të vërtetë kryejnë një pjesë shumë të vogël për të mos thënë asgjë të misionit të tyre sepse janë realisht të dalë kohe në kushtet kur sot fëmijët e vegjël janë shumë më të avancuar dhe jashtëzakonisht më të shpejtë sesa shpejtësia e ndryshimit të logjistikës të bërë në gjithë këto vite që kur se kanë filluar të vendosen laboratorët e Informatikës.
E fillojmë me 100 laboratoret e para smart që janë laboratorë të gjeneratës më të fundit në 100 shkolla të vendit tonë, ndërkohë ky është vetëm fillimi.

Ne do të vazhdojmë më tutje sepse ambicia jonë është që me shpejtësi të shkojmë drejt plotësimit të të gjithë shkollave me laboratorë smart, por sigurisht kjo kërkon financë dhe përveç financës kjo kërkon edhe një njohje të mirë të procesit.

Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit përsëri, po punojmw për Piramidën, e cila së shpejti do të hapw dyert duke u transformuar në qendrën më të madhe të inovacionit në rajonin tonë dhe duke u bërë streha për të reja dhe të rinj që do të shkojnë më tutje në fushën e teknologjisë, ashtu siç ndodh aktualisht me qendrën Tumo në një nga hapësirat e stadiumit tonë kombëtar “Air Albania” dhe siç do të ndodhë edhe me të tjera pika që ne do të hapim në pjesë të tjera të vendit.

Ne po përgatitemi që duke filluar nga viti i ri shkollor të kemi një sistem të ri të të mësuarit të lëndës së Informatikës, i cili do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, jo vetëm në këto laboratore smart, por edhe në laboratoret ekzistuese për të rritur cilësinë e mësimdhënies përmes një skuadre mësuesish të përzgjedhur.

Michael e tha që Fondi është një partner dhe qëllimi është që ne të kemi dhe partnerw të tjerë, jo vetëm partnerë institucionalë si Banka Botërore, të cilët janë angazhuar për të financuar në këtë drejtim, por edhe partnerë të tjerë që ne po përpiqemi që t’i afrojmë drejt kësaj iniciative në mënyrë që Shqipëria e vitit 2030 të jetë tërësisht ndryshe.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.