IPARD III është programi i BE për mbështetjen e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroturizmit, i cili u prezantua sot dhe që do të financojë 146 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale shqiptare. I pranishwm nw ceremoninw e prezantimit tw kwtij programi, Kryeministri Rama, vlerësoi financimin si një rrugë të hapur drejt suksesit për të gjithë sipërmarrësit në fushën e bujqësisë.
‘’Me këtë financim të tretë masiv të BE hapet një rrugë dhe më e gjerë për gjithë ata që do të ndjekin shembullin tuaj fantastik dhe natyrisht për të gjithë ju që do të doni të zhvilloni më tutje sipërmarrjen tuaj. Sot realiteti i agroturizmit, i cili është ende në një fazë të parë flet vetë, flet vet realiteti i një numri të konsiderueshëm në raport me numrin zero që kishim kur nisëm këtë punë familjesh të cilat bëjnë sukses.
Sot Shqipëria punon dyfishin e tokës bujqësore që punonte para 7-8 vjetësh.
E punon sot, prej disa vitesh tanimë, sepse përveçse është krijuar një tjetër sistem, përveçse është stimuluar grumbullimi me këto masa, përveçse është stimuluar agro-përpunimi më këto masa, është punuar për të hapur rrugët për ujin në arë dhe sot Shqipëria me gjithë krizën e përbotshme, me gjithë pasojat e luftës mbi kostot, ka përsëri rritje të eksportit në këtë periudhë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar që s’kishte luftë.
Këto janë fakte, fakte kokëforta.
Sot Shqipëria nga raporti 1 me 7 që e kishte eksportin me importin e prodhimeve ushqimore, e ka 1 me 3 që do të thotë importon më pak, eksporton më shumë.
Fakti që këtu nga ky program përfitues janë të gjithë, ata që flasin me punën e tyre dhe nga ky program nuk përfitohet më përmes partisë, nuk përfitohet më përmes parasë apo korrupsionit, nuk përfitohet më përmes tarafit, kuptohet nga një gjë shumë e thjeshte. Nga fakti që Bashkimi Europian e akreditoi agjencinë, në vitin 2018.
Ata që vazhdojnë sot bërtasin “bujqësia, bujqësia”? Jepini më shumë para bujqësisë ndërkohë që po t’i bashkojmë fondet e dhëna nga buxheti dhe fondet e BE-së, është financimi me i madh me herë që i është bërë bujqësisë ndonjëherë dhe kur BE certifikon dhe financon do të thotë që koha kur AZHBR ishte degë partie dhe bujqësia ishte e ndarë në parcela partie dhe ato pak para që jepeshin, jepeshin me parti, ka vdekur. Koha kur jepeshin paratë për të bërë punë në bujqësi dhe gjysma e parave shkonte tek partia, ka vdekur.
Kjo është një kohë kur të gjithë duhet të vrapojnë dhe ne duhet të jemi në krahë dhe do t’i jemi në krah kujtdo që vjen me projekte bindëse, sepse Bashkimi Europian aq sa është i mirë, aq është edhe i keq. Nuk do të dije fare se ke apo s’ke, po nuk ishe në gjendje t’i vësh përpara projektin bindës që paratë që po të jep, do shkojnë për atë punë që po kërkon, nuk t’i jep paratë, shumë e thjeshtë.
437 projekte kemi bërë, mund të bëjmë dhe 1000 të tjera, kështu që jepini forca, rroftë Bashkimi Europian.