Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikim i Kryeministrit Rama me gazetarët pas seancës së posaçme parlamentare për votimin e kandidaturës së zotit Bajram Begaj, si President i Republikës: 

 

Kryeministri Edi Rama: Besoj se kemi arritur qartësisht objektivin që kemi pasur qysh në krye të herës dhe të gjitha reagimet flasin për këtë. Natyrisht përjashtuar ndonjë reagim pa lidhje të hapësirës politike, flas përtej kësaj, që do të thotë që i kemi dhënë Shqipërisë një president normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit të humanizmit dhe patjetër edhe të përkushtimit për vendin dhe për njerëzit.

-Morët vetëm një votë nga opozita për kandidaturën tuaj.

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjë rëndësi se cili ka qenë përfundimi aritmetik i këtij procesi. Rëndësi ka që ky proces është kurorëzuar në një provë të prekshme për të gjithë, që Partia Socialiste e Shqipërisë është këtu për Shqipërinë dhe jo për veten. Është këtu për të bërë më të mirën, që zgjedhjet vendimet, aktiviteti ynë si shumicë qeverisëse të shkojnë në interes të vendit dhe të të gjithë shqiptarëve, jo thjeshtë të njërës palë.

-Jeni i lumtur z. Rama për këtë fitore të PS, nga pikëpamja politike gjithmonë.

Kryeministri Edi Rama: Lumturia është një fjalë shumë e madhe, por ajo që mund të them me plot gojën është që më vjen vërtet shumë mirë që në një proces aspak të lehtë, me një sallatë palësh në anën tjetër të gjysmësferës së parlamentit, ne kemi arritur t’i japim jetë një procesi, i cili ka qenë një proces ku të gjithë kanë patur mundësinë të kontribuojnë pa përjashtim dhe prej ku ka dalë një figurë që është qartësisht e paidentifikueshme thjeshtë me ne që e kemi propozuar, por e identifikueshme me qytetarin shqiptar, dinjitoz dhe të respektueshëm, me njeriun besnik ndaj vendit dhe detyrës, me shembullin e një burri të qetë, të arsyeshëm, normal.

-Duket se patët dhe një ndihmë nga Ilir Meta i cili dekretoi lirimin nga detyra të Bajram Begës edhe pse ndodhej jashtë Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama: Këto janë muhabete që s’kanë lidhje fare me çfarë ka ndodhur sot. Ajo që ka ndodhur sot dhe që ka rëndësi për të sotmen dhe të nesërmen është që Shqipëria pas një periudhe dramatike në zyrën e kreut të shtetit do të ketë një president normal për një vend normal dhe për funksionimin normal të institucionit të kreut të shtetit.

-Z.Rama ka një padi në SPAK për z.Begaj

Kryeministri Edi Rama: Këto janë muhabete pa lidhje fare, po ua them prapë sepse padira në këtë vend ka shumë dhe padirat në këtë vend janë një nga sportet kombëtare që janë zhvilluar shumë me proceset demokratike se më parë zhvillohej në formën e letrave anonime. Kështu që as më bën asnjë përshtypje ky fakt. Mua ajo që më vjen mirë dhe për të cilën jam këtu sot për herë të fundit për të folur për këtë temë që sot u mbyll me sukses të plotë, është që kemi mundur t’i japim shqiptarëve një shembull kuptimplotë të faktit që ne nuk jemi këtu për veten, por jemi këtu me ta dhe për ta. Kjo është gjëja më e rëndësishme, të tjerat do i tregojë koha. Çdokush vlerësohet në veprim çdo ditë në punë, me rezultate që marrin çdo ditë. Ajo që sot është përmbyllur sot është puna e një periudhe jo të shkurtër për hir të së vërtetës dhe aspak të lehtë për të thënë të drejtën e gjithë lidershipit të Partisë Socialiste, grupit parlamentar, kryesia për të arritur në këtë rezultat.

-Z.Rama në fund të këtij procesi ju vjen keq që nuk zgjodhët një figurë konsensuale duke patur dhe votat e opozitës? 

Kryeministri Edi Rama: Se kemi kërkuar kurrë dhe as e kemi pritur asesi që të kemi konsensus me të vdekurit. Ne kemi qenë këtu për të patur konsensus me të gjallët dhe besoj se konsensusi me të gjallët dhe me të gjallë këtu kuptoj njerëzit që besojnë te ky vend, njerëzit që punojnë në këtë vend, njerëzit që duan të rrisin fëmijët në këtë vend, njerëzit që e duan këtë vend më të mirë, e kemi arritur plotësisht me këtë figurë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.