Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Bruksel në takimin mes liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor. Në përfundim të takimit, Kryeministri Rama, Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Deklarata e kryeministrit Edi Rama: Faleminderit të gjithëve që jeni këtu me ne dhe më lejoni të shpreh keqardhjen e thellë për Bashkimin Europian. Më vjen keq për ta dhe shpresoj që të mund t’i ndihmojmë.

U përpoqa që të them disa gjëra në takim dhe do të ndaj me ju disa prej tyre sepse nuk dua të marr aq kohë sa u mor në takim. Charles Michel na tha se kishim 3 minuta dhe i thashë “Mund të kishte qenë dhe 30 sekonda nëse do të mbanin fjalën”, por ata nuk mbajtën fjalën, kështu që 3 minuta nuk ishin mjaftueshëm.

U thashë që ndjehesha mirë dhe keq që isha me ta. Ndjehesha mirë sepse jemi europianë dhe duam të gjendemi mes europianëve, kjo është diçka mjaft e mirë, por ndjehesh keq sepse ende ne nuk mund të jemi këtu si europianë, por si miq në një shtëpi të ndarë. Është vërtetë diçka shumë shqetësuese që edhe sulmi i një pandemie në shkallë globale, një sulm tragjik dhe as një luftë kaq kërcënuese që mund të shndërrohet në një luftë tragjiko-globale nuk kanë mundur t’i bëjnë bashkë. Ç’të bëjmë?

Sigurisht, ne kemi shumë për të bërë dhe nga njëra anë, unë mendoj që ne kemi bërë dhe bëmë tashmë, për të mbështetur idenë e presidentit francez Emanuel Macron, për objektiv, që është politik dhe strategjik i dëshiruar moralisht, që është komuniteti i ri politik europian dhe në ndërkohë që ne do vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit, me shpresën që shekullin tjetër do jemi anëtarë dhe sigurisht, duke u përballur me një “Bullgari” këtu, një “Bullgari” atje e një “Bullgari” të tretë gjatë rrugës. Ne do ta vlerësonim shumë nëse ky komunitet i ri politik i Europës ngrihet për të qenë bashkë në një shtëpi të përbashkët, si një familje e vetme, pavarësisht se jemi në kate të ndryshme, por së paku në dhomën e ndenjes qëndrojmë së bashku, jo kështu.

Së dyti, sigurisht tema kryesore ishte Maqedonia e Veriut, ishte Maqedonia njëherë e një kohë dhe më pas 17 vite më pas është ende në pritje si kandidate për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, ndryshoi madje dhe emrin, por nuk bëri dallim. Imagjinoje Francën të ndryshojë emrin për t’u bërë anëtare e BE apo Italinë! Ata ndryshuan edhe emrin, ndërkohë që Shqipëria është në pritje qysh prej 8 vitesh tashmë. Mu desh të fitoja një mandat të tretë, që të vazhdoja të prisja për çeljen e bisedimeve për anëtarësim. Ishte shumë e rëndësishme të thoja të vërtetën, që arsyeja nuk është thjesht Bullgaria, le të themi të vërtetën. Bullgaria është një fatkeqësi, por nuk është vetëm Bullgaria, por është fryma e deformuar e zgjerimit, një frymë tërësisht e deformuar dhe Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj. Fryma e zgjerimit ka kaluar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti tek marrja peng nga shtetet individuale dhe ne e kemi parë. Sa herë që ka diçka që ndodh në një shtet anëtar, menjëherë ky mjet bllokimi vihet në lëvizje.

Kjo çështja e Bullgarisë është një turp, një vend i NATO-s që merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë dhe nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku. Më pas thonë dhe po iu them atë që ju thashë, që Vladimir Putin është shumë sëmurë. Ai mund të jetë sëmurë, mund të jetë shumë mirë, por ky vendi këtu nuk duket shumë i shëndetshëm.

Agresioni rus kundër Ukrainës po merr kështu një ndihmë mjaft bujare dhe të pa kërkuar nga një vend i NATO-s, Bullgaria, për të destabilizuar një vend tjetër të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe për të fryrë më tej mllefin, pakënaqësinë në një fqinjësi si e jona, që është një hallkë e dobët në gjithë këtë situatë.

Ne nuk do të presim Godon, unë e kam thënë më parë. Më vinte shumë keq për disa njerëz optimistë dje që nisën të shkruanin në Tëitter, “po ia dalim”, jo. Nuk erdha këtu me idenë që do ndodhte diçka. Tek Godoja është shumë e qartë, Vladimiri dhe Estragoni, pra Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë së bashku, dhe Vladimiri i thotë Estragonit “Do të lëvizim?” dhe Estragoni thotë, “Po, le të lëvizim’, por është Samuel Beccheti, Bashkimi Europian që thotë “Askush të mos lëvizë”. Kështu që, vazhdon kështu.

Ndërkohë që ne kemi lëvizur dhe do vazhdojmë të lëvizim për të ringjallur këtë frymë të Europës në pjesën tonë, që është Berlini i Procesit, kështu e quajmë, Berlini i Procesit për të ringjallur këtë frymë dhe nisma e Ballkanit të Hapur është nisma që kemi ndërmarrë për ta bërë Berlinin konkret në terren.

Kam kërkuar mbështetje të plotë dhe pa ekuivok për Ballkanin e Hapur, sepse edhe për këtë janë të ndarë, a thua se do jetojnë në Ballkan e janë të ndarë edhe në raport me Ballkanin për çfarë bëjmë ne në hapësirën tonë.

Megjithatë, natyrisht dashamirës janë, mos më keqkuptoni. Është një vend i mirë, janë njerëz shumë të mirë, fotot janë shumë të bukura këtu, fjalët janë të bukura, do ishte edhe më bukur nëse do realizonit fjalët, por ne nuk jemi kaq të mirë në Ballkan dhe nuk do heqim dorë, do vazhdojmë dhe një ditë do bëhemi dhe ne anëtarë të mirë të BE-s, sigurisht.

Përtej kësaj, nuk dua të marr më shumë kohë, por thjesht u shpreha dhe thashë edhe dy gjëra të tjera shumë të rëndësishme. Ka një tjetër pengmarrje në proces, që është pengmarrja e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk lejohen të lëvizin lirisht në Europë. Është popullata e vetme në tokën e Europës që nuk mund të lëvizë lirisht. Ua thashë atyre “a mund ta përfytyroni që nën diktaturën jugosllave, në thelb dy, dhe mund të udhëtonin, mund të shkonin në Gjermani, në Zvicër e mund të shkonin kudo dhe punonin me radhë, por qysh kur u liruan, çliruesit, çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng, ata nuk mund të lëvizin”. Kjo është çmenduri, kjo është e turpshme, kjo duhet të marrë fund dhe njerëzit duhet të lejohen të lëvizin lirisht.

Së dyti, mu desh të shprehja diçka dhe ndihem disi i keqardhur që ishte e nevojshme që të thuhej, se normalisht gjithkush duhet ta dijë që Serbia është në një pozicion mjaft ndryshe. Serbia është një realitet tërësisht ndryshe dhe u përpoqa t’ju shpjegoj se flasim për një vend ku popullariteti i Vladimir Putin është 80% dhe një vend ku opinioni publik nuk është kaq i prirur të vrapojë pas Brukselit. Është krejt e kundërta, por është një vend, i cili jashtë çdo pritshmërie edhe pritshmërisë sime, se sinqerisht nuk e prisja dhe as nuk e telefonova Aleksandrin sepse kisha frikë se do të më thoshte: “Ndjesë, por na duhet të kalojmë në anën tjetër” dhe kjo do të kishte qenë fundi i çdo marrëdhënieje dhe mendova që do të ishte problem. Tre herë janë harmonizuar me BE dhe Perëndimin kundër Rusisë duke votuar edhe për përjashtimin e Rusisë nga komiteti për të drejtat e njeriut. E kuptoj kërkesën për të ecur më përpara, por nuk e kuptoj çuarjen e gjërave në kufij në raport me kërkesën për sanksione. E kam thënë në Tiranë, e kam thënë në Prishtinë, e kam thënë dhe këtu, sepse Serbia thjeshtë nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt dhe çuarja deri në kufij do t’i japë efektin e kundërt dhe pastaj ajo çfarë do të ketë kosto është agjenda europiane e Serbisë për çka do të jetë tepër do të jetë kosto për popullin e rajonit, që është shumë, shumë e qartë.

Le ta lëmë pavarësisht Ballkanit të Hapur, Procesit të Berlinit dhe kështu me radhë. Ne nuk duam një luftë, ne nuk kemi nevojë për konflikt, për gjakderdhje dhe tensione në rajonin tonë, ndaj duam të ecim më përpara në drejtimin që kemi zgjedhur. Ndaj ua thashë, le ta mbajmë kështu. Ka shumë goditje me të cilat ata duhet të merren kështu që nuk duhet të nxisin një goditje tjetër. Kjo është ajo çfarë besoj unë.

Kështu që për ta përmbyllur, thirrja ime e fundit për ta ishte: Mos lini që besimi që shqiptarët kanë, që kanë një besim shumë të madh te Europa pavarësisht BE, pavarësisht farsave sepse ne për herë të parë në historinë tonë kemi mundësi të jemi aty ku duam, jo nën regjime, jo nën perandori që zgjedhin për ne. Për ne Europa është fe, për ne Europa nuk është Brukseli. Kështu që shqiptarët do të vazhdojnë, por edhe në Ballkanin Perëndimor ka shumë pro europianë, Maqedonia e Veriut e kështu me radhë. Lutja ime për ta ishte: Ju lutemi, mos e lini BE-në të bëhet si një kongregacion priftërinjsh që diskutonin aso kohe seksin e engjëjve ndërkohë që muret e Kostandinopojës shembeshin. E dimë sesi shkoi historia. Faleminderit shumë! 

* * *

– Thatë që ju vjen keq për BE-në, po a jeni të zhgënjyer apo e keni tejkaluar tashmë situatën e zhgënjimit?

Kryeministri Edi Rama: Më duhet të korrigjoj Presidentin tuaj, (Aleksandar Vuçiç)  siç bëra edhe me kryeministrin e Kroacisë sepse ai tha të njëjtën gjë, që unë isha i frustruar. E i thashë nuk jam, thjesht më vjen keq për BE-në dhe sigurisht në këtë drejtim jam i frustruar. 

I frustruar për Bashkimin Europian. Nuk është sekret që unë në fakt e kam më përzemër Bashkimin Europian sesa Aleksandrin. Në Shqipëri, shqiptarët janë të atashuar në mënyrë religjioze me Bashkimin Europian. Pra, të shohësh te Bashkimi Europian që është i paaftë të çlirojë dy pengje si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nga Bullgaria, natyrisht nuk lë në njw mbresë të mirë dhe në këtë drejtim, po ishte një ditë historike, por historike në sensin negativ, për aq sa ka të bëjë më Ballkanin Perëndimor.

Natyrisht, patëm fjalët më të mrekullueshme për ne, përgëzime dhe të gjithë për të qenë shumë të sinqertë dhe për të qenë mjaft të respektueshëm të gjithë thanë që ndiheshin shumë keq që nuk po realizonin, e thanë. Disa e theksuan më shumë, disa të tjerë më pak megjithatë asnjë prej tyre nuk mbeti pa thënë se ndiheshin keq për Bashkimin Europian, jo për ne.

Kështu që, nga ana tjetër ne do të vazhdojmë. Nuk ka asnjë dyshim. Mendoj që në Ohër ju thashë që në fillim disa vjet më parë, datat e takimeve të Këshillit Europian ishin më të rëndësishme edhe se dita ime e lindjes, sepse ishte gjithmonë fundi i qershorit, ndërsa ditëlindja ime është dita e pavarësisë. Unë e gjeta më në fund pavarësinë time për të mos menduar më se kur takohen këta njerëz. Janë njerëz shumë të mirë dhe ne jemi shumë të lumtur që gjendemi këtu me ta sigurisht. Socializohemi me ta, por në fund të fundit, ata kanë një problem të madh. Ata kanë një problem shumë më të madh sesa ne, meqë ra fjala, sepse i duhet të kenë përgjegjësi shumë më të mëdha. Kështu që, jo, thjesht mendoj që do të arrijmë aty. Kjo është e sigurt. Me shpresë përpara shekullit tjetër, po shekullin tjetër kjo është e sigurt.

Çështja është të bëjmë punën tonë. Të vazhdojmë të kryejmë reformat tona, të vazhdojmë të jemi në pozitën ku të thonë ata që është faji i tyre, jo faji jonë. Kaq mund të bëjmë dhe t’i bëjmë vendet tona, flas për Shqipërinë tashmë, një vend ku njerëzit të ndihen mirë dhe të ndihen si një vend me standarde të BE-së. Kjo është pikëpamja ime për këtë. Nuk prisja asgjë tjetër. Më besoni! Asgjë tjetër nga ajo që mora këtu! Asgjë tjetër! 100%! Asnjë surprizë! Asnjë gjë!

 

-Kishte pak shpresë dje, po e paralajmërova se ishte shumë.

Kryeministri Edi Rama: Në fakt, e kam të shkruar. Lexoni twitter-in tim dhe mos e lexoni te propaganda serbe, po lexojeni në gjuhën angleze.

Kjo është ajo çfarë u them kur flasim bashkë. Është një gjuhë kaq e çuditshme që kanë prandaj edhe luftojnë për gjuhët. Për ne është një gjuhë që askush nuk pretendon se e njeh dhe natyrisht, ne nuk mund të pretendojmë që kemi ndonjë lidhje me gjuhë të tjera. Këto kanë kaq gjuhë të çuditshme dhe janë kaq shumë vende dhe “kush është kush”, “kush është i vjetër”, kush është më i mençur, kush është më I mirë do të kërkojë shumë kohë. Pres me padurim kur Kroacia të fillojë e të ketë ndonjë gjë të thotë për Serbinë.

 

-Mund të bëhet Bullgaria jonë.

Megjithatë kjo është shaka. Shpresoj që nuk do të ndodhë siç ndodhi me opozitën e Maqedonisë Veriore që mori atë çfarë thashë për Bullgarinë perëndimore si fyerje dhe videoja ndërkohë ishte prerë sepse unë thashë “kryeministri i Bullgarisë së ardhshme perëndimore dhe i Shqipërisë së ardhshme lindore” sepse natyrisht kanë kërkuar që të gjitha këto vende të bëjnë kaq përpjekje, të ndryshojnë emrin.

Megjithatë kjo ishte diçka e pakëndshme për t’u thënë për Bullgarinë dhe për Bashkimin Europian, jo për Maqedoninë e Veriut. Por, kur je një opozitë jo e mençur, atwherw  je i destinuar të rrish në opozitë. Kështu që le të rrinë e le të gjejnë ndonjë mençuri gjatë rrugës.

 

– Do të doja të dija për bashkëpunimin rajonal. A ka ardhur koha tashmë që ta merrni në mënyrë më proaktive, më serioze, më të përkushtuar që të tre dhe të bëni më shumë përpjekje për të përfshirë Kosovën sigurisht, por edhe Malin e Zi në Ballkanin e Hapur për ta bërë një bashkëpunim të mirëfilltë rajonal?

Së fundi, si gazetar jemi poshtëruar sot nga liderët e BE. Duhet të kishim një konferencë shtypi nga zoti Macron, zoti Michel, zonja Von Der Leyen, ndërkohë që u anulua në moment të fundit. Pse mendoni që e bënë, nuk kishin asgjë për të thënë?

Kryeministri Edi Rama: Mendoj që ata ishin shumë inteligjentë që nuk mbajtën një konferencë për shtyp se tregon atë çka janë dhe e kam me të vërtetw. Janë njerëz që vërtet ndihen keq, shumë keq për atë çfarë po ndodh dhe këta njerëz që përmendet kanë bërë të gjitha përpjekjet, por ka diçka të deformuar në mekanizmin e Bashkimit Europian.

Për pyetjen lidhur me bashkëpunimin rajonal. Përmendët apo përdorët fjalën, a do të bëhet një bashkëpunim vërtetë rajonal? Më duhet t’ju them që Ballkani i Hapur është mekanizmi i parë vërtet rajonal i bashkëpunimit. Pse e them këtë? Sepse po prodhon rezultate për njerëzit, për fermerët, për tregtarët, po prodhon rezultate në të gjitha fushat, diku janë më të dukshme, diku janë më pak të dukshme, por po prodhon rezultate dhe nëqoftëse doni të kontrolloni, duke qenë se Ballkani nuk është vendi i Jezu Krishtit, është i Shën Thomait. Ne nuk besojmë po nuk vumë dorën në plagë. Pra shkoni vet në kufij dhe shihni ndryshimin. Në qoftë se kaloni nëpër kufijtë e Ballkanit të Hapur ka një korridor të gjelbër dhe nuk ka asnjë sekondë pritje për kamionët, për mallrat, për prodhimet bujqësore, për qumështin. Ndërkohë që, nëse e çon qumështin në vende që nuk janë në Ballkanin e Hapur, kur mbërrin është bërë kos. Ky është ndryshimi! Unë nuk shoh se cila është arsyeja që të bëhet kaq zhurmë për këtë.

Nga ana tjetër, e kemi përsëritur qindra herë, është një tryezë e hapur për këdo. Për të gjashta vendet. Aleksandri e quajti e “ashtuquajtura Kosovë”, unë e quaj Kosovë dhe pikë, por kjo nuk na ndalon të punojmë së bashku. Imagjinoni sikur ne të luftonim, të ziheshim me njeri-tjetrin. Çfarë vendi do të kishte qenë Ballkani sot? Ky është një projekt siç Ali Ahmeti e ka thënë më mirë sesa unë, sepse provoi armët, provoi edhe mençurinë e fjalëve dhe është në një pozitë mjaft të mirë për të folur për të dyja këto anë. Ali Ahmeti e thotë shumë thjeshtë: Ne nuk duam një gjakderdhje tjetër dhe një luftë tjetër dhe duam të mbajmë sa më larg të jetë e mundur çdo fantazmë që mund të vijë në këtë rajon nga e shkuara apo nga e tashmja, është kaq e thjeshtë. E kam thënë dhe e përmbyll këtu: Nuk duhet të jetë problemi i qeverisë së Kosovës për të ardhur. Duhet të kishte qenë problemi i presidentit të Serbisë për të pranuar, kaq. Unë ndihem i privilegjuar të kem mundësinë të punoj për vendin tim përmes këtij mekanizmi dhe për të nxitur këtë bashkëpunim, i cili do të sjellë edhe paqen. Kjo paqe përfundimtare që kërkojmë do të vijë përmes Ballkanit të Hapur, mos i harroni fjalët e mia. Nuk do të vijë përmes tensioneve apo përmes helikopterëve që vijnë vërdallë apo përmes të bërtiturave në facebook. Kjo është kaq e thjeshtë!

 

– Po flas në shqip për dy arsye. E para mos të keqinterpretohem nga propaganda serbe dhe e dyta, sot ndihem më e sigurt në shqip pas refuzimit që morëm në anglisht.

Zoti Rama ju e prekët pak, por desha të ishit më specifik. Po thoni që është një justifikim vetoja bullgare për Bashkimin Europian. Ka një nxitje për tu vendosur kjo veto nga Bullgaria për Maqedoninë e veriut dhe për ne rrjedhimisht dhe hapi tjetër kush do të jetë? Keni deklaruar se do të vazhdoni të kërkoni ndarjen dhe do ta lini bashkëvuajtësin tonë, Maqedoninë e Veriut vetëm në këtë rrugë.

Dhe pyetja e fundit, pse zoti Vučić është sot këtu me ju. Vendimi sot pritej vetëm për Maqedoninë e veriut dhe për ne. Pse u unifikua vendimi edhe për të ardhur këtu edhe për konferencën e përbashkët për shtyp?

Presidenti Aleksandar Vučić: Jam i sigurt që po thoje diçka të mirë për mua.

Kryeministri Edi Rama: Ajo dëshiron të dijë pse je këtu? Ç‘dreqin do këtu? Pse po negocion me Bashkimin Europian dhe ne dhe me fjalët e saj, jemi, dy bashkëvuajtës, ne të dy, unë dhe ai, po dy jemi. Unë dhe ai.

Megjithatë për pyetjen e parë sepse pyetjes së dytë mund t’i përgjigjet Aleksandri por pyetjes së parë mund të them jo, nuk mendoj e nuk kam nënkuptuar në asnjë mënyrë që është dikush apo ka disa të tjerë pas çmendurisë bullgare, jo. Është vendim i Bullgarisë dhe më duhet të jem shumë i qartë për audiencën bullgare, që unë nuk është se nuk e respektoj. Respektoj, në të kundërt, çdo shqetësim që ata kanë por jam tërësisht jo dakord dhe në fakt nuk jam absolutisht dakord me mënyrën sesi ata po e bëjnë këtë gjë, duke marrë peng një vend anëtare të NATO-s, në fakt dy. Ky është argumenti im. Maqedonia e Veriut nuk po hyn ne BE, nuk po bëhet anëtare nesër, javës tjetër. Kështu që ka shumë kohë për ta zgjidhur këtë çështje dhe procesi sesi këta njerëz në këtë ndërtesë e kanë formësuar, është kaq shumë me kthesa, me labirinte, me kurthe. Në çdo cep mund të gjesh një kurth që të ndal. Kështu Bullgaria mund të përdorë këtë për dekada të tëra. Pse kjo? Çfarë është kjo? Pse? Në mes të një lufte dhe e përsëris, në mes të një lufte, të vazhdosh e të luftosh për diçka që e ka transformuar BE-në një realitet qesharak. 26 vende, vendet më të fuqishme të botës, që rrinë të paralizuara dhe që nuk mund të bëjnë dot asgjë sepse ky është mekanizmi. Një vend mund të vërë veton dhe kaq është. Kjo është ajo çfarë realisht unë nuk jam dakord e nuk e duroj. Jo çfarë po diskutohen e çfarë shqetësimesh kam dhe pastaj i kthehem Serbisë e Shqipërisë apo Shqipërisë e Serbisë e si të doni. Shqipëria fillon me A dhe ne vijmë gjithmonë të parët. Duke iu kthyer kësaj, ne kemi një çështje, kemi një çështje te madhe. Po si mund ta zgjidhim këtë çështje të madhe? Kjo është pyetja. Duke u përpjekur që të sulmojmë njëri tjetrin çdo kohë pas kurrizit apo të sulmojmë njëri-tjetrin përballë njerëzve dhe opinionit botëror apo të bëjmë atë që shumë vendet e tjera dhe ka shumë shembuj të asaj çfarë vendet kanë bërë pas konflikteve të tmerrshme, dhe praktikisht pas kësaj kanë gëzuar prosperitet për breza të tërë. Pra, ia dolën me sukses të kuptonin që çështjet janë të zgjidhshme. Pra, kjo është mënyra sesi e mendoj unë dhe serish, jo. Me duhet të them se të gjithë personat që përmendi Aleksandar, nga Charles Michel tek Emmanuel Macron, tek Ursula, tek komisionieri, tek Borrell, Olaf Scholz, Mario Draghi, mund t’i përmend të gjithë. Nuk gjej dot një prej tyre që sot nuk u ndje shumë keq.  Nuk mund të gjej askënd dhe Mark Rutte, ju e njihni Mark Rutte. Mark Rutte shkoi ne Sofje dhe sot mbajti një nga fjalët e tij më brilante. Pra, nuk mund të them që dikush po fshihet. Mund të thonim në të shkuarën që dikush ka një problem, pastaj ka një vend tjetër, por jo. Ndoshta është Bullgaria më pas dhe nuk ka thënë asgjë, se nga na doli gjithë kjo çështje e madhe, krejt papritur? Më duhet të kujtoj që pati një kohë kur problem ishte Shqipëria për disa, për këta, të zakonshmit pra, jo Maqedonia e Veriut, ishte Shqipëria. Pra nga doli kjo ?

Unë jam vërtete shumë i trishtë për ta. Më vjen vërtetë keq për ata, por nuk mund të them që po vepronin me hile, janë mirëfilli të dëshpëruar dhe ndihen mirëfilli keq dhe kjo është arsyeja se përse nuk ka patur një konference për shtyp dhe natyrisht do të kenë mundësinë të kenë një tjetër konferencë për shtyp, për Ukrainën dhe Moldavinë pas dhënies së të statusit kandidat, por shpresoj që qytetarët e Ukrainës të mos jenë më entuziastë seç duhet sepse do tu duhet t ë presin shumë, kështu funksionon, por është gjë e mirë që ne shkuam atje. Dimitari nuk ishte dot atje, por shkuam bashkë me Dritan Abazović për të ofruar mbështetjen tonë. Sepse ne e mbështesim këtë për gjithkënd. Faleminderit shumë!

Do doja të shtoja diçka tjetër. Të tre ne gjendemi këtu sepse kështu do të jetë mënyra e natyrshme. Ata flasin për Ballkanin Perëndimor gjatë gjithë kohës dhe ndonjëherë as nuk e kuptojnë se çfarë është Ballkani Perëndimor, kështu që duhet të jemi sëbashku dhe të flasim sa më shumë të jetë e mundur në një zë. Shpresojmë fort që të jemi të gjithë ne.

Presidenti Aleksandar Vučić: Vetëm një fjali Edi, mund ta përmbyllësh pasi kur the që A-ja është gjithmonë në fillim, gjithmonë është e fundit që ka rëndësi. Diçka e rëndësishme. Kur kemi bërë konferenca për shtyp këtu, kur zhvillonim konferenca shtypi këtu në këtë sallë kishim dy, tre gazetare, pa shihni sot. Shumë prej jush donit të na dëgjonit, po të ishim të vetëm kush do të vinte këtu? Thuajse askush përveç 2-3 mediave nga shtetet tona. Pra kjo është nga pikëpamja praktike, racionale, pragmatike që të shihemi si përfaqësues të Ballkanit Perëndimor dhe sot kemi diskutuar çështje të Ballkanit Perëndimor, jo çështje të tjera. Kjo është arsyeja pse ndihemi mirë kur jemi këtu sëbashku.

Kryeministri Edi Rama: Gjithashtu vlerësuam edhe vendimin e mundshëm për të mos ardhur aspak sepse e dinim. E dinim çfarë do të na priste si rezultat dhe arsyeja pse erdhëm ishte thjesht për të respektuar të gjithë këta njerëz dhe të gjitha këto vende që janë në situatë të vështirë dhe për t’i mbështetur ata. Doja të isha këtu për t’i mbështetur këto vende sepse individualisht ata s’kanë nevojë për mbështetjen tonë, por si Bashkim Europian janë lëmsh. Kjo është dhe në fakt është shumë e rëndësishme që të themi gjërat e vërteta siç janë, është shumë e rëndësishme. 

 

– Lufta ruse në Ukrainë, a e ka bërë më të komplikuar për ju të tre situatën për shkak të rritjes së nacionalizmit dhe për shkak të kësaj lufte? Duket se po hyjnë shumë parti politike.

Kryeministri Edi Rama: Përgjigja është shumë e shkurtër, jo! Kjo luftë, po flas për vete, ka sjellë më shumë energji dhe më shumë bindje, tashmë që ajo çfarë po bënim është gjëja e duhur për t’u bërë. Më ka bërë mua shumë më të vetëdijshëm madje se ajo për të cilën flisja më parë si një kërcënim teorik, nuk është më një kërcënim teorik dhe shpresoj që edhe ata që takuam sot ta shohin në të njëjtën mënyrë.

Kemi folur për këtë e atë, por ishte më teorike ndërsa tani është reale, është e vërtetë dhe na duhet të jemi sa më afër e sa më afër dhe të udhëheqim përmes shembullit e t’u tregojmë të tjerëve që kjo është rruga ku duhet ecur dhe për të mirëpritur dhe përqafuar të gjithë ata që duan të bëhen pjesë. Kaq.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.