Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me përfaqësues të dhomave të tregtisë shqiptare dhe të huaja për të diskutuar mbi përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri dhe forcimin e dialogut për të rritur reciprokisht kontributin në funksion të zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Kryeministri theksoi se është shumë e nevojshme që ndërveprimi me biznesin, i cili përgjithësisht kanalizohet nëpërmjet  dhomave të tregtisë, të jetë dinamik në vazhdimësi. 

“Për këtë arsye,  – u shpreh kryeministri – ne duam të diskutojmë me ju dhe të ndërtojmë një format të një dialogu sistematik, por edhe në funksion edhe të transparencës, me gjithë komunitetin e biznesit, me publikun, me partnerët ndërkombëtare dhe me ato organizata që merren me anketime dhe me raporte të rezultateve reale, në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit.”

Kryeministri bashkëbisedoi me përfaqësuesit e biznesit, të cilët paraqitën rekomandimet e tyre në këtë drejtim, ndërsa nënvizoi ndër të tjera nevojën e përmirësimit të legjislacionit të dhomave të tregtisë dhe përafrimin e tij me standardet më të mira të vendeve më të zhvilluara.

* * *

Për t’iu dhënë mundësinë të gjithë përfaqësuesve këtu të dhomave të tregtisë dhe të biznesit të japin opinionet e tyre nëse dëshirojnë, dua të përqendrohem në pak pika, së pari në nevojën për një riformim të legjislacionit të dhomave të tregtisë. Besoj që ka ardhur koha që ne ta përmirësojmë legjislacionin dhe ta përafrojmë atë me standardet më të mira të vendeve më të zhvilluara ose të vendeve në zhvillim si ne që janë shumë më të avancuara në këtë pikë. Kemi një legjislacion shumë të prapambetur për funksionimin e dhomave të tregtisë. 

Se dyti, dëshiroj të them që është shumë e nevojshme sipas meje që ndërveprimi ynë me biznesin që përgjithësisht analizohet nëpërmjet dhomave të tregtisë të jetë dinamik në vazhdimësi dhe për këtë arsye pas një takimit të parë që kemi bërë me disa prej dhomave, ne duam që të diskutojmë me ju dhe të ndërtojmë një format të një dialogu sistematik, por edhe ne funksion të transparencës me gjithë komunitetin e biznesit, me publikun, me partnerët ndërkombëtarë, dhe me ato organizata që merren me anketime dhe me raporte të rezultateve reale në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit, që klima e biznesit ka problematika te veta kjo as nuk diskutohet por mjafton t’i hedhësh një sy gjithë hapave që janë bërë për të përshpejtuar procese, për të lehtësuar procese, për të transformuar procese, nga procesi deri dje të lodhshme, zvarritëse më radha, me pritje me sportele  me histori, në procese që sot janë elektronike, janë pa kontakt fizik, është e pamundur që kjo të mos reflektohet. Që kjo të mos reflektohet në raportet që bëjnë vetë dhomat e tregtisë, është e pamundur që ne të vazhdojmë të jemi pre’ e anketave joprofesionale, që ta themi troç, jo profesionale që faktikisht cenojnë punën tonë të përbashkët, cenojnë imazhin  e këtij vendi dhe cenojnë vetë klimën e biznesit vetvetiu, është e pamundur kjo. 

Nuk mund të jemi pre e opinioneve të mbledhura rrugëve, nuk mund të jemi pre e opinioneve të marra dhe të përpunuara krejtësisht kaotike dhe nuk mund të jemi pre e kanaleve që përçojnë në mënyrë të vazhdueshme e opinioneve që nuk përputhen me realitetin. 

Nuk ka asgjë për të ngjyrosur me rozë në realitet, por ama që sot janë dita me natën shumë nga ndërveprimet me biznesit dhe institucioneve që sot, është dita me natën jeta e një importuesi, jeta e një eksportuesi, jeta e një sipërmarrësi që i ka shumë më të pakta hallet që kishte dje.

Për shkak të këtyre ndërveprimeve është e pakuptueshme dhe është e pajustifikueshme që kjo të mos pasqyrohet.

Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet, do vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë përpjekje se kjo punë është mësim i përditshëm, për të krijuar një ndërveprim sa më dinamik dhe sa më transparent me biznesin,  por ama unë besoj që na takon të kërkojmë nga të gjitha dhomat e biznesit që përgatisin raportet e klimës, që te jenë më të përgjegjshme ne mënyrën si i përgatisin ato raporte.

Jo sepse dua unë, po sepse është e pamundur që Shqipëria nëpër raporte  të dalë njësoj, siç kur kishte radha kilometrike nëpër sportel, siç kur kishte kontrolle arbitrare ditë, natë tek dyert e bizneseve, siç kur kishte prita të njëpasnjëshme edhe nëpër dogana e nëpër porte e nëpër pika kufitare, siç kur kishte rimbursim TVSH-je që ishin komplet arbitrare dhe sot që të gjitha këto nuk ekzistojnë. Janë të gjitha këto të kthyer në ndërveprime tërësisht pa prani fizike të askujt nga shteti, janë elektronike nga shteti, si qenkan tani këto njësoj? Si dalkan tani këto ? Këto dalin njësoj vetëm nga arbitrariteti dhe brutaliteti i atyre që flasin pa lidhje se s’ka asnjë arsye tjetër dhe nga anketime që bëhen në mënyrë joprofesionale, shumë e thjeshtë. Kjo kërkese e imja nuk ka të bëjë me qeverinë, nuk ka të bëjë me ndonjë nevojë të qeverisë në vetvete. Kjo kërkesë e imja ka të bëjë me një raport përgjegjshmërie me vendin të të dy palëve dhe një raport përgjegjshmërie, në raport me gjithë bashkësinë e biznesit dhe me gjithë nevojën e përbashkët që ne kemi për të forcuar komunitetin e biznesit. Tjetra, që dua të nënvizoj është situata me energjinë dhe dëshiroj që të theksoj nevojën qe të nxisim sa më shumë kalimin e një pjese të konsumit energjetik dhe sigurisht biznesi mund ta paraprijë këtë gjë, me burim energjinë diellore dhe është koha për t’i rënë lapsit të gjithë dhe për të mos kërkuar që investimet për të prodhuar energji në fabrikë të pranohen nga shteti si investime të cilat duhet të përkthehen në një shkëmbim energjie ne rrjet.

Kjo nuk mund të ndodhë për një arsye shumë të thjeshtë, për të njëjtën arsye që nuk ndodh në asnjë vend të botës sot sepse nuk e ka shpikur akoma bota formulën se si mund të futen në rrjet të gjithë megavatet e kilovatët që prodhohen nga energjia diellore e një subjekti privat.

Është e  pamundur, por ama, nga ana tjetër, llogaria është shumë e thjeshtë, çdo investim që bëhet në një vend si Shqipëria për të prodhuar një pjesë të konsumit të energjisë vetë nga dielli është padyshim një investim që në afatmesëm është tërësisht fitimprurës dhe që ul ndjeshëm koston e energjisë për biznesin, ashtu sikundër nga ana tjetër, ne jemi krejtësisht të hapur të konsiderojmë instrumente incentivues për t’i bërë këto investime. Nuk dëshiroj të hedhim këtu ide, të cilat janë ta pakolauduara, por ne i mirëpresim të gjitha idetë nga ju dhe nga cilido tjetër që i përket këtij komuniteti dhe që jeton me këtë hall të madh për se si ne mund të lehtësojmë investimet, pa, duke e harruar plotësisht shkëmbimin e energjisë, kjo nuk mund të ndodhë, është teknikisht e pamundur, nuk e ka zgjidhur askush deri më sot dhe deri kur ta zgjidhi bota këtë punë, në kuptimin kur ta gjithë shkenca, ne nuk mund do të bëjmë aventura të tilla.

Por ama, çdo gjë tjetër që ka të bëjë më lehtësimin në aspektin fiskal mbase, në aspektin e mbështetjes financiare në një formë apo në një tjetër, nëse mund të gjendet, ne jemi të gatshëm ta bëjmë. Dhe e fundit që kam është që ne do të ndërmarrim një proces intensiv kontaktesh me kompanitë për t’i informuar lidhur me kushtet sot në Shqipëri për të zhvilluar me një kohe relativisht të shpejtë përmes kurseve të super specializuara dhe të certifikuara ndërkombëtarisht  që sot në Shqipëri ekzistojnë mbas një përpjekje shumë të madhe që kemi bërë për t’i krijuar në mënyrë që biznesi të ketë shumë më tepër burime njerëzore të kualifikuara në informatikë, në digjitalizimi, në IT.

Është e domosdoshme të ndërveprojnë, është e domosdoshme që kompanitë të informohen dhe është e domosdoshme që kompanitë të marrin pjesë në këtë proces duke financuar asgjë më shumë sesa ato burime njerëzore që i duan për vete, pra duke iu dhënë mundësi vajzave dhe djemve të talentuar që nuk e kanë mundësinë financiare për të paguar këto kurse që të mund t’i zhvillojnë këto kurse dhe  pastaj të punojnë në kompanitë e tyre përkatëse.

Nuk bëhet fjalë për të kërkuar para, për të sponsorizuar një aktivitet që nuk është drejtpërdrejtë i lidhur me interesin e kompanive. Kërkesat e kompanive për më shumë burime njerëzore te kualifikuara në IT, në informatikë, në digjitalizim, po e them me një fjalë duke thënë të njëjtën gjë janë të shumta, janë në rritje. Të gjitha kompanive, kujt më shpejtë e kujt më vonë i lind kjo nevojë apo i shtohet kjo nevojë, dhe për këtë arsye ne besojmë që duket krijuar një ndërveprim në funksion të zhvillimin e këtyre kurseve të super specializuara që brenda 6 muajsh kthejnë një person që është krejtësisht fillestar në një profesionist të kodimit të mund të realizojmë një kërcim në aspektin e kapaciteteve të kompanive.

Dhe natyrisht t’u japim mundësi shumë më tepër vajzave dhe djemve që të punësohen në një punë të mirëpaguar, se këto janë punë, ju e dini vetë, të mirë paguara dhe kështu rrisim reciprokisht edhe kapacitetin e biznesin, por edhe numrin e vendeve të punës te mirë paguar. Këto janë pikat që unë doja të ndaja me ju. Natyrisht që në vijim, të dyja ministret, Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Ministrja për Rininë dhe Fëmijët që faktikisht mbulon edhe gjithë programin e kodimit dhe i ka të gjitha informacionet mund të ndërhyjnë në rast nevoje, kështu që fjala është për këdo qoftë prej jush që dëshiron të flasë.  

***

– Nga bashkëbisedimi i Kryeministrit me përfaqësuesit e Dhomave të Tregtisë: 

Shqipëria nuk është e pavarur në aspektin e burimeve të veta energjetike dhe ky nuk është opinion, është fakt i bazuar në shifra dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet të dalë në treg. Kjo është arsyeja pse Shqipëria në momentin që del në treg duhet t’i nënshtrohet logjikës se çmimeve të rritura në mënyrë katastrofike në tregun ndërkombëtar.

Ajo që ne po bëjmë e që nuk është bërë kurrë në të kaluarën është pikërisht zbatimi hap pas hapi i një programi për ta pavarësuar Shqipërinë në aspektin energjitik e për ta kthyer Shqipërinë brenda vitit 2030 në një eksportues neto të energjisë, pra në një vend që nuk do paguaj më asnjë euro për të blerë energji, por do fitojë nga shitja e energjisë përtej nevojave te veta, ky është objektivi dhe për këtë arsye po ecim me ndërtimin e Skavicës. Mungesa e Skavicës është një nga arsyet që ne nuk jemi të pavarur, nuk është e vetmja, që ne nuk jemi te pavarur në aspektin energjetik. Këtë nuk e kisha dëgjuar kurrë, që ne paskemi 20 % më shumë kapacitete të instaluara sesa nevoja sepse kjo nuk ekziston. Ne kemi shumë më pak, goxha më pak sesa nevoja. Ne do të arrijmë të optimizojmë kaskadën tonë kryesore dhe do të garantojmë që nuk do të derdhim ujë nëpër fusha kur diga vihet në rrezik për shkak të mbushjes dhe kalon në nivelin teknik të lejuar dhe nuk do dalim aq sa dalim në tregun ndërkombëtar në periudhën e  thatë sepse do të përdorim ujin e mbledhur gjatë dimrit me shpresën që do të kemi vite të lagështa.

Sivjet, prapë ky është fakt nuk është opinion, është viti i katërt radhazi me efekt negativ në aspektin e reshjeve, gjë që ndikon në balancën tonë energjetike dhe nga ana tjetër ne jemi të vetëdijshëm që vetëm me hidron ne nuk ja dalim dot, edhe vetëm me Skavicën nuk ja dalim dot dhe për këtë arsye po investojmë në energji diellore. Për këtë arsye kemi hapur dhe ankandin e parë te erës ku kemi pasur dje edhe rezultatin e pare inkurajues me pjesëmarrjen e disa kompanive te mëdha ndërkombëtare, në mënyrë që të diversifikojmë. Për këtë arsye po nxisim edhe investimet private në fushën e energjisë diellore. Jemi duke ecur shumë mirë për një marrëveshje të madhe me kompaninë Total, pasi kemi bërë marrëveshjen me Voltala për dy parqet fotovoltaike, për këtë arsye kemi sjell dhe sot janë në brigjet e Vlorës barxhet për prodhimin e energjisë me këto anijet që do qëndrojnë atje në mënyrë që të rrisin volumin dhe në mënyrë që të ulim sasinë importit dhe për këtë arsyes edhe po ecim me projektin e gazit të lëngshëm ku kemi të angazhuar ExxonMobil, kemi të angazhuar Accelerate Power nga SHBA, kemi po ashtu angazhimin e kompanisë së madhe publike spanjolle dhe kështu me radhë.

Të gjitha këto përfshirë edhe gazsjellësin jonianoadriatik për të cilin po punojmë me Azerbajxhanin dhe me BE, do të na çojnë aty ku disa çuditërisht mendojnë që jemi, nuk jemi ne aty, për këtë arsye ne na kushton energjia sa frëngu pulën dhe falë angazhimit shumë të mirë ne kemi arritur të balancojmë deri diku goditjen e jashtëzakonshme financiare, sepse jemi akoma një vend dhe jemi i vetmi ne dijeninë time, që as nuk ka rritur çmimin dhe as nuk ka program kufizimesh. As nuk e ka rritur çmimin për familjarët dhe për bizneset e vogla dhe as nuk do ta rrisë. Shpresojmë të mund ta mbajmë këtë deri në fund pavarësisht se fundin nuk ja dimë kësaj krize dhe as kemi program kufizimesh.

Në fund do kuptojmë nëse kjo është ambicie dhe kurajë apo kjo është një çmenduri, por kjo mbetet për tu parë, por ne nuk mund dot, për sa kohë mund ta mbajmë, s’mund që t’ja ngarkojmë këtë barrë konsumatorëve familjare dhe pensionistëve dhe bizneseve te vogla. Kjo është logjika dhe për këtë arsye sot që flasim po i afrohemi 400 milionë eurove mbështetje, që janë një shifër shumë e rënde për këllqet e Shqipërisë.

Përsa i përket tregut të karburanteve, edhe këtu jemi në kushtet e folklorit, nuk ka kapacitet Shqipëria prodhimi të naftës në vend për të kompensuar çfarëdo qoftë, nuk i ka, shumë e thjeshtë. Nafta që prodhon Shqipëria është naftë e rënde, është naftë e cila tregtohet kryesisht për lënde bituminoze dhe nga ana tjetër rafineria e cila tanimë është çmontuar ishte jashtë çdolloj mundësie për tu rikuperuar, s’kemi lënë gjë pa provuar, s’kemi lënë kompani pa sjellë dhe ne fund të gjithë kompanitë iknin dhe s’kemi pasur asnjë ofertë nga asnjë kompanie serioze sepse thonin, “është investim shumë i madh dhe nuk ja vlen barra qiranë për ta bërë këtë investim sepse nuk e kthen me naftën që keni ju”.  Zgjidhja që ne po kërkojmë është ndërtimi i një rafinerie të re, por një rafineri të re mund ta ndërtosh, nuk është problemi tek ndërtimi, problemi është tek nafta. Ku e gjen naftën që do përpunojë rafineria dhe të gjesh është gjeopolitikë, nuk është as tregti, është gjeopolitikë. Shpresoj që ne do t’ia dalim, akoma jemi në proces, nuk mund të them që e kemi realizuar, por jam optimist që mund t’ia dalim.

Në rast se ne do të realizojmë rafinerinë dhe ne rast se ne do të garantojmë kontratat e duhura, me naftën e duhur për përdorim atëherë do të kalojmë në një nivel tjetër edhe në këtë aspekt, atëherë do të flasim për çmim, atëherë do të flasim për konkurrencë, atëherë do të flasim edhe për shumë gjëra të tjera, por sot të thuash që ul barrën mbi çmimin e naftës dhe mjafton të luftohet kontrabanda, të flasësh për kontrabandë masive, është opinion edhe ky. Faktet nuk e tregojnë, por opinion si ata që thonin do investojnë 2 miliardë se do t’i marrin nga duart e hajdutëve, d.m.th. këto janë populizma që nuk kanë asnjë bazë shkencore, asnjë bazë reale.

Natyrisht që ka akoma punë për të bërë dhe jemi duke punuar për kontrollin, nuk diskutohet që ka evazion në fushën e karburanteve, për këtë arsye ne po marrim masa që të forcojmë shumë kontrollin e karburanteve në mënyrë teknologjike, jo me inspektorë, sa më pak inspektorë, aq më pak halle edhe për të biznesin edhe për financat, edhe për moralin e shtetit, edhe për shtetin e kështu me radhë dhe kjo është rruga jonë.

Unë jam shumë besimplotë që ne do ia dalim, por na duhet durim, na duhet edhe kohë që t’i realizojmë këto pjesë të këtij mozaiku dhe që të dalim në një komplet nivel tjetër, të jemi të pavarur pastaj dhe të ketë pastaj kriza energjetike sa të dojë bota, ne të kemi brenda nesh mundësinë që të prodhojmë vetë energjinë dhe duke pasur energji të gjelbër e të rinovueshme, aq më mirë akoma.

Nëse pastaj viti i ardhshëm do na sjellë edhe lajmin se nafta dhe gazi të zbuluar në Shpirag janë komerciale, atëherë pastaj do flasim për një tjetër Shqipëri, për një tjetër fuqi ekonomike në këtë rajon, por kjo është ende e pasigurtë sepse kompania SHELL po bën të gjitha testet, sasia e naftës dhe e gazit e konsiderueshme është gjetur, cilësia e naftës është cilësia më e lartë botërisht, është naftë super e lehtë, problem është tek komercializimi i saj sepse është thellë edhe pikërisht këtë po bën SHELL-i tani, testet, për të parë nëse mund të ketë sasinë e mjaftueshme për të arsyetuar investimin masiv që do të bëhet.

Bëhet fjalë për disa miliarda euro investim dhe bëhet fjalë për pastaj për të ardhura që me kontratat e reja që kemi bërë dhe me atë që do t’i takojë shtetit, do të ndryshojë komplet bilancin pagesave, do të ndryshojë komplet fuqinë ekonomike të Shqipërisë, por kjo është thjesht një ëndërr e bukur për momentin dhe nuk mund të varemi prej saj sepse s’kemi përgjigjen zyrtare finale që,  “po, ne do të fillojmë të komercializojmë naftën dhe gazin shqiptar”. Nëse kjo do të ndodhë, të gjitha të tjerat pastaj janë dytësore.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.