Kryeministri Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Përsa kohë ju do keni njerëz, të cilët besojnë çdo gjë dhe të kundërtën e çdo gjëje, jeni në të drejtën tuaj të ushqeni dhe iluzionin që mund të talleni me të gjithë këtë popull, por siç nuk iu ka ecur asnjëherë, përsëri nuk do t’ju ecë kjo tallje e madhe me të gjithë sepse do të bënte sens gjithë kjo vijë logjike, nëse nuk do të kishit qenë po ju që në atë kohë, kur kjo çështje u bë publike, nuk do të kishit bërë betime dhe përbetime për virgjërinë e Lulit dhe nëse nuk do të kishte qenë nongrata juaj që nuk do të kishte dalë me çarçafin e bardhë pa asnjë njollë për të predikuar pastërtinë e virgjëreshës që mbanit në krye, nëse nuk do të kishit qenë ju që nuk do të kishte akuzuar Sorros-in për fakte, të cilat sot, me demek, po kërkoni t’i nxirrni nga kthetrat e një errësire ku i paskam kyçur unë për llogari të atij që e hodhët përtokë në momentin që nuk ju duhej më.
Kjo është shumë e thjeshtë.
Që Partia Demokratike është financuar me para ruse, kjo dihet, është botërisht e njohur, fakt botërisht i njohur, i dalë në atë kohë, i mohuar kategorikisht nga ju, se unë nuk e kam dëgjuar këtë fjalim atëherë që “Nuk kanë hyrë para në Partinë Demokratike, kjo është një cështje”…
Atëherë fjalimi juaj ishte komplet tjetër dhe garancia absolute vinte gjithmonë andej nga vinte garancia për gjithë ato vite rresht “Mos ma prekni Lulin”. Kush e thoshte, unë e thosha “Mos ma prekni Lulin”, apo e thoshte ai që sot ka rrëmbyer nga e para flamurin e Haxhi Qamilit dhe është nisur për luftë me Amerikën e me gjithë ca sjell kjo për vendin dhe për njerëzit?
Kështu që, unë do thosha vetëm kaq; jo vetëm që ato para, financim i paligjshëm i partisë politike, kanë hyrë me dijeni të plotë të një grushti njerëzish, jo të të gjithëve ju, por të një grushti njerëzish, dhe që tani ai grusht është ndarë me dy gishta nga një anë dhe me dy gishta nga ana tjetër dhe me gishtin e pestë që përpiqet të gjejë se tek cili nga dy gishtat të futet, por ka më shumë se aq, ka më shumë se aq.
Unë do t’ju sugjeroja të mos hezitoni me proklamatat dhe deklaratat, të cilat mund t’ju bien prap ndesh dhe detyroheni prapë të ktheheni dhe të merrni një pozicion të tretë e një pozicion të katërt.
Ju nuk e keni problem fare se nuk keni fare lidhje me të vërtetën, nuk keni lidhje fare me asgjë nga ato që duhet të thoni sot dhe nuk e keni fare problem që nesër t’i mohoni të gjitha dhe të ndërtoni nga e para një gjë tjetër sepse e thashë, për sa kohë keni akoma njerëz që vijnë nga mbrapa qorrazi dhe janë gati t’i shpallin luftë botës edhe me idenë që ky është një vend Sovran, i cili nuk pyet dhe nuk do t’ia dijë për asnjë.
Sidoqoftë, unë këtë kam për borxh t’jua them.
Mos u ngusni se ka akoma, ka akoma.
***
Dëgjova një fjalim të gjerë e të gjatë që i paskam mbuluar unë financimet ruse, e kupton tani?
Po ç’lidhje kam unë? Këtë mos ma thuaj mua, ç’lidhje kam unë? Problemi është që kur ishit të lidhur bashkë, të dy mendonit se lidhjen e kisha unë me Sorrosin. Tani ju u ndatë edhe njëri është me kurriz nga tjetri po puna është që unë jam përballë të dyve. Kështu që ç’lidhje kam unë?
Lidhje kam sepse më lidh ai përpara dhe ndërkohë e mora fjalën për të thënë që kujdes më këtë pjesë sepse ka akoma.
E dyta, e vërteta është që jo , dhe këtë prapë nuk e them unë, meqë iu referove amerikanëve, se ju keni dhe një hall të madh; ju kur flisni për amerikanët i përdorni kundër njëri-tjetrit. I keni bërë si Guri tek filmi “Mëngjese lufte”, “hajde Guri, hajde Guri”.
Tani po të them, meqë i përdore amerikanët se i dinë ato punë, tani amerikanët që i dinë ato punë, kanë nxjerrë një raport për sulmin. Amerikanët që i dinë ato punë thonë që sulmi nuk e ka realizuar objektivin. Objektivi i sulmit që ka qenë një sulm jashtëzakonisht i organizuar me 4 grupe, – ndër të cilat njëri prej tyre në 10 të parët e listës së grupit të terrorit kibernetik, – nuk e ka realizuar qëllimin për ta shkatërruar infrastrukturën tonë digjitale dhe për t’i fshirë të gjitha të dhënat dhe faktikisht, sistemi është ringritur në një kohë shumë të shpejtë.
E dyta, faktikisht asgjë realisht sensitive nuk është marrë dhe nuk ka asnjë lloj vlere në sensin e sensitivitetit sepse ne kemi ende proces për dixhitalizimin e një pjese të madhe të arkivave që do të thotë që nuk kemi gjëra me sensitivitet të lartë në infrastrukturën digjitale.
E treta, arsyeja pse nuk e ka arritur qëllimin sulmi,është piëkrisht se ne kemi një nivel të caktuar mbrojtjeje dhe natyrisht që plani për të ngritur gjithë infrastrukturën e mbrojtjes kibernetike, është parashikuar të bëhet në disa faza sepse nuk jemi një vend i pasur dhe nuk i kemi mundësitë t’i çojmë të gjitha ato që duhen në të njëjtën kohë, në të gjitha drejtimet dhe kjo që ka ndodhur thjesht do të përshpejtojë fuqizimin e mbrojtjes kibernetike.
Mos ki merak për ujësjellësin e Durrësit se nuk ka haker që shkon në ujësjellësin e Durrësit për të bllokuar ujin që vjen në çezmën tuaj, sepse nuk janë ende infrastrukturat e duhura ende në atë nivel.
Dhe nga ana tjetër, ne kemi një infrastrukturë të tërë kritike që është një infrastrukturë realisht kritike, që është OST-ja,që është OSHEE-ja, që është KESH-i dhe aty sulmi nuk ka pasur asnjë sukses, pse? Sepse aty mbrojtja është ngritur prej kohësh, duke patur pikërisht parasysh se aty është një zonë e funksionimit të infrastrukturës shtetërore që është realisht me problem nëse ka një sulm kibernetik të këtij niveli.
Dhe e fundit që kam, mos bëhemi qesharakë që për çdo gjë që ndodh, çdo gjëje që ndodh, i japim një unikalitet sikur kjo ndodh këtu. Sot që flasim, prej disa kohësh në shtetin fqinj, në Maqedoninë e Veriut , ka një agjensi të tërë pagesash të ministrisë së Bujqësisë që nuk punon për shkak se është marrë peng nga hakerat.
Sulmet kibernetike janë një e përditshme. Ne jemi marrë me sulmet kibernetike të vazhdueshme dhe s’kemi aptur asnjëherë asnjë problem. Ky është një sulm i një niveli shumë të lartë, i një agresiviteti shumë të lartë dhe nuk e ka realizuar qëllimin e tij. Tani, mbase ju do donit ta realizonte qëllimin, po nuk e ka realizuar. Mbase ju do donit realisht të kishte sjellë një hata’po nuk e ka sjellë një, mbase ju do donit të na kishte gjetur tërësisht të papërgatitur, po nuk na ka gjetur. Kështu që mos u kuturisni në konkluzione që janë qesharake dhe po ju them prapë, që ai sulm nuk e ka realizuar qëllimin, është shumë e thjeshtë.
Ne sot e kemi të gjithë infrastrukturën digjitale të ngritur dhe ato historitë me lista, si ajo lista sot, del një listë sot që nuk flet për hakerim të sistemeve sensitive po flet për diçka tjetër.
Flet se për çfarë terreni gjen në kanale dhe portalet tona, plus edhe në politikën tonë, një grup i cili ka qëllime dashakeqe ndaj vendit dhe që me një listë të fotomontuar ku përzihen kriminelë me politikanë, me gazetarë, fut në vorbull një dynja të tërë që fillon dhe hedh dyshime, që fillon edhe hedh teza edhe hipoteza.
Nuk ka terren më pjellor për çdo lloj veprimi dashakeq ndaj vendit tonë sesa kanalet, sesa portalet dhe sesa ju. Falë gjithë kësaj fuqie në këtë llloj tubacioni llumi, mund të bëjë hajgare çdo lloj gallataxhiu e çdo lloj hakeri se menjëherë ngriheni në këmbë; jo po cilat janë lidhjet e krimit me këtë e me atë, duke parë fotomontazhe.
Ajo që ka dalë nuk është sistemi Memex i Ministrisë së Brendshme. Kaq e thjeshtë është. Edhe duhet të kalojë e gjithë dita duke u torrollis gjithë opinioni publik që ndjek këto lloj burimesh, duke dëgjuar gënjeshtra dhe konspiracione nga më absurdet, por faktikisht është një e pavërtetë nga fillimi deri në fund.