Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklarata për shtyp e Kryeministrit Edi Rama për mekanizmat e reja nxitëse për shlyerjen e pagesave të energjisë elektrike:

Duke falenderuar përulësisht të gjithë konsumatorët shqiptarë që paguajnë rregullisht energjinë elektrike dhe duke përshëndetur të gjithë ata që dita-ditës, po e braktisin kampin e abuzuesve e po lidhin kontratë me OSHEE-në, dua të komunikoj me ju për fillimin e fazës së dytë të operacionit.

Dua ta nis me hyrjen sot në fuqi të një mekanizmi nxitës për kryerjen e pagesave që skadon në datën 28 shkurt.

Çdo konsumator familjar, e përsëris familjar, që ka borxhe të mbartura ndaj kompanisë dhe po ashtu kamatëvonesa që rriten muaj pas muaji, ka një mundësi të re dhe të papërsëritshme, deri në 28 shkurt:

Të paguajë borxhin të plotë dhe të përfitojë uljen e shumës së kamatëvonesave në masën 80%. Pra, kush paguan borxhin e plotë, fiton mbrapsht 80% të kamatëvonesës. Kjo mundësi skadon në 28 shkurt, dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë se nuk bëhet fjalë për falje, po për një përfitim të dyanshëm përmes pagesës së plotë të borxhit. Kompania përfiton nga marrja mbrapsht menjëherë e borxhit me vetëm 20% kamatëvonesë, ndërsa konsumatori përfiton 80% të kamatëvonesës nga shlyerja e menjëhershme e borxhit.

Mundësia tjetër që u krijohet konsumatorëve që kanë borxhe ndaj kompanisë, është të lidhin menjëherë kontratën dhe përveç pagesës mujore, kur nuk duan t’a shlyejnë borxhin menjëherë, të shlyejnë çdo muaj jo më pak se 2500 lekë të reja nga borxhi i tyre. Ky borxh shtrihet në kohë dhe ka brenda të plotë edhe kamatëvonesën e bartur. Kamatëvonesa nuk rritet për sa kohë konsumatori e paguan këstin mujor të borxhit.  Është e qartë që mospagesa e këstit qoftë edhe një herë, sjell ndërprerjen e menjëhershme të energjisë elektrike dhe rifillimin e llogaritjes së kamatëvonesës.

Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike apo personat me aftësi të kufizuar si edhe pensionistët kryefamiljarë, – pra gjithë pjesa e mbrojtur deri sot nga fasha 300 KW dhe që do të përfitojë para direkt nga buxheti i shtetit qysh në janar pas heqjes së fashës, – vlera e këstit mujor për shlyerjen e borxhit, do të jetë jo më e vogël se 1000 lekë të reja në muaj. Por, nuk do të ketë në asnjë rast lidhje të energjisë elektrike pa hyrë në sistemin e pagesave të rregullta korente dhe pa e paguar këstin përkatës për askënd.

Lejomëni t’ju sqaroj se kjo skemë nxitëse e lehtësuese po ashtu, nuk ka lidhje as me politikën e vjetër të faljeve e të amnistive kriminale në kurriz të qytetarëve të ndershëm dhe të kompanisë e për pasojë edhe të arkës së shtetit tonë të përbashkët, as me pretendimet e paarsyeshme që janë shpalosur rëndom gjithë këto javë për të justifikuar të pajustifikueshmen: Vjedhjen e energjisë elektrike. Grabitjen e pasurisë sonë kombëtare. Gjendjen katastrofike që u krijua me vite nga papërgjegjshmëria e hajdutëria reciproke, e qeverisë së vendit dhe e vjedhësve të rëndomtë të energjisë elektrike.

Kjo skemë ka lidhje me përgjegjësinë e kompanisë dhe të shtetit përmes kompanisë, për pamundësinë aktuale për të ofruar shërbimin e denjë cilësor ndaj klientit dhe me nevojën jetike që shteti të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë në kushtet aspak të lëhta të shërbimit që ofron për konsumatorët. Jo për fajin e kësaj qeverie, -por kjo nuk ka rëndësi, – dhe siç morëm përsipër miliona dhe qindra miliona dollarë borxhe të qeverisë së kaluar ndaj sipërmarrjes apo deri edhe familjeve në ndihmë ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar dhe i shlyem një më një këto të fundit dhe do të shlyejmë një më një edhe ato të parat, kështu marrim përsipër edhe këtë përgjegjësi.

Edhe diçka atyre që e groposën sistemin elektroenergjitik, në këtë varr të madh prej  1.1 miliardë dollarë borxhesh dhe sot shfaqen çdo ditë buzë një grope të hapur po nga vetë ata, për të nxitur pakënaqësi mes njerëzve. Madje derdhin edhe lot krokodili, tamam vrit natën e qaj ditën. E vunë në gjumë me përralla këtë popull tetë vjet rresht e i hapen këtë gropë të madhe borxhesh ku për pak ra brenda e gjithë Shqipëria me gjithë ekonominë e saj, dhe tani që po del dita e po ngrihet ditë pas dite shteti që shqiptarët kanë kërkuar për kaq vite dhe nuk e kanë pasur, i qajnë edhe hallin!

E drejta e tyre të bëjnë ç’të duan me lirinë që kanë. Detyra jonë është të bëjmë shtetin që duan shqiptarët.

Nuk do ndalemi, nuk do zmbrapsemi jo e jo, po do ta operojmë çdo ditë e më thellë organizmin e këtij vendi të mbërthyer nga një kancer që i shtrirë metastazat e veta në çdo sektor.

Veshët tanë janë të shurdhër ndaj thirrjeve për falje krimesh, vjedhjesh, abuzimesh. Sytë tanë janë katër jo vetëm përtej nesh, po edhe brenda nesh. Dy drejtorë dhe një ish-drejtor i OSHEE-së, së bashku me rreth 50 punonjës janë sot prapa hekurave si rezultat i gjithë këtij operacioni që do të vazhdojë intensivisht.

Ne do të luftojmë çdo ditë e çdo natë, me mish e me shpirt, cilidoqoftë që do të kapet, do t’u shkojë pas atyre që tanimë janë aty ku e kanë vendin dhe ne do ta nxjerrim në dritë Shqipërinë e do t’i japim të ardhme të sigurt të gjithë gjeneratës tjetër dhe padyshim do t’i japim një perspektivë të qartë të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë të ndershme në këtë vend dhe që meritojnë të shërbehen me ndershmëri dhe dinjitet nga shteti i tyre.

Nëse keni ndonjë pyetje.

 

A ka një shifër të saktë përsa i përket borxhit të akumuluar të konsumatorëve familjarë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike? A është parashikuar rritja e arkëtimeve nga masat e marra për buxhetin e viti 2015? Qeveria juaj ka deklaruar se do të rimbursojë një masë për heqjen e fashës prej 300 kilovat/orë. A është ky një përcaktim i ri i çmimit të energjisë elektrike  dhe a ka një shkelje të kompetencave të Entit Rregullator të Energjisë që nuk ka ndërmarrë akoma një vendim për çmimin e energjisë elektrike, sesa do të paguajnë konsumatorët?

Nuk ka lidhje fare me asnjë shkelje kompetencash. Koha, kur në këtë foltore, – në fakt ishte një foltore tjetër, dikush tjetër predikonte se do të ndalonte autoritetet e pavarura rregullatorë të bënin punën e tyre dhe se do të mbetej Lala Gjoni i shqiptarëve, – me koston që kemi sot, me faturat që kemi sot, si vend, si shoqëri dhe që kanë sot individët e vënë në gjumë nga një qeveri e papërgjegjshme, ka mbaruar.

Ne kemi bërë një kalkulim tonin dhe mbi bazën e këtij kalkulimi do të çojmë drejtpërdrejtë në xhepin e pensionistëve kryefamiljarë, në xhepin  e konsumatorëve të energjisë, që figurojnë edhe si persona me aftësi të kufizuar, invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, dhe në xhepin e çdo familjeje që jeton më ndihmë ekonomike, një shumë parash që do ti mbrojë nga heqja e fashës.

Përsa i përket çmimit, është në tagrin e autoritetit rregullator që të bëjë përcaktimin e çmimit, pasi të ketë dëgjuar të gjithë pretendimet e palëve. Por, ne kemi arsye të besojmë se sidoqoftë, gjithçka që është predikuar për të nxitur pakënaqësi, nga ata që mundohen të përfitojnë nga gropat, që në fakt i kanë hapur vetë, është tërësisht e pabazë, lidhur me çmimin.

Përsa i përket borxheve, borxhet janë kolosale. Por, nga ana tjetër, nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveç shlyerjes një më një, deri në qindarkën e fundit, nga çdo njeri që i ka borxh apo nga çdo konsumator që i ka borxh kompanisë, për çfarë ka konsumuar.

Ky mekanizëm i ri vë në lëvizje, besojmë ne, një mundësi absolutisht të re dhe që nuk do të përsëritet, me afatin limit 28 shkurt.

Janë tre muaj dhe kemi lënë tre muaj për të përballuar një fluks të mundshëm njerëzish në arkat e kompanisë, që do të duan të shlyejnë të gjithë borxhin menjëherë dhe kështu të ulin 80 % kamatëvonesën. E nga ana tjetër, për ti dhënë mundësi njerëzve, këtyre familjeve të lidhen në sistem, ne kemi ndërtuar dhe një skemë të dytë këstesh të borxhit, por në këtë rast me gjithë kamatëvonesën.

Pra, kush nuk do ta paguajë menjëherë të gjithë borxhin, nuk do të përfitojë asnjë ulje, por vetëm shtrirje në kohë të borxhit që ka, principali dhe kamatëvonesa.

Qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e tyre. Unë do ti inkurajoja dhe do ti sugjeroja shumë vëllazërisht që të bëjnë zgjedhjen e parë, të paguajnë të gjithë borxhin dhe të ulin 80 % kamatëvonesën.

Zgjedhja tjetër është plotësisht në dispozicion të tyre, por në rastin kur ata nuk janë persona me aftësi të kufizuar, në rastin kur ata nuk janë familje në ndihmë ekonomike, në rastin kur ata nuk janë pensionistë kryefamiljarë, do të duhet që krahas faturës korrente të çdo muaji, të paguajnë jo më pak se 2500 lekë të reja për të shlyer borxhin e tyre në kohë, çka do të jetë një shumë, që do ti shtohet praktikisht çdo muaj barrës së faturës. Ndërkohë, që me shlyerjen menjëherë, mbyllin një problem të së shkuarës dhe hyjnë në normalitet në raportet me kompaninë, pa qenë të detyruar të paguajnë më shumë se 20 % të kamatëvonesës.

Besoj që të dyja alternativat janë të favorshme, por alternativa e parë është ajo që unë do ta sugjeroja, do ta inkurajoja me ngulm, sepse nga ana tjetër është një alternativë që do të sjelle shumë më tepër pastaj, të mira të kthyera mbrapsht, në formën e investimeve në sistem dhe në formën e rritjes të shpejtë të cilësisë së shërbimit.

 

Buxheti i shtetit i porsamiratuar nga qeveria juaj dhe parlamenti shqiptar është totalisht i pamjaftueshëm për të kompensuar familjet në nevojë. Si do të veproni ju për të mbajtur premtimin për kompensimin total të tyre?

Buxheti i vitit 2015 është i pari buxhet, në historinë së paku këtij 10-vjeçari, që gjithçka që i kushtohet familjeve në ndihmë ekonomike, gjithçka që i kushtohet personave me aftësi të kufizuar, invalidë, paraplegjikë, tetraplegjikë, është e garantuar. Hymë në një marrëdhënie të re pa borxhe. Kemi larë të gjitha borxhet. Të mos harrojmë se trashëguam një borxh katastrofik dhe ndaj tyre dhe për herë të parë gjatë këtij viti, me këtë qeveri, kanë filluar pagesat e rregullta, me afat.

Kemi parë deri në të shkuarën e afërt, se sa here detyroheshin ata të gjorët të vinin deri këtu poshtë për të kërkuar pagesën e vonuar me muaj e muaj të tërë.

Kështu që varet se çfarë kuptoni ju me të pamjaftueshme.

 

Si gazetar social do të bëj një pyetje shumë konkrete. Nga 88 mijë personat që marrin ndihmë aktualisht, ka prej tyre, rreth 5 apo 10 % që janë ekstremisht të varfër, që nënkupton mes tyre edhe kryefamiljare me fëmijë jetim apo gjysmë jetim se nuk  e marrin statusin. Ka një rast në Shkozë kur nëna me tre fëmijë, jeton në bunker dhe për më tepër me 45 mijë lekë ndihmë ekonomike detyrohet që të mbajë familjen gjallë, jo më drita që nuk i paguan dot. Për këtë kategori, pra për 5-10 %  të familjeve në nevojë ka parashikuar qeveria një masë të rritur sepse flasim për bukën e gojës, jo më për energjinë elektrike.

Unë e vlerësoj pyetjen tuaj dhe jam i bindur që ju jeni të shqetësuar seriozisht për bukën e gojës të atyre fëmijëve. E për këtë arsye, besoj që të njëjtin shqetësim duhet të ndajmë dhe në të njëjtin drejtim duhet të shkojmë, duke bashkuar forcat që hajdutet e energjisë elektrike të fshihen nga faqja e borxheve të kompanisë dhe të sistemit elektroenergjetik sepse është kollaj të vajtojmë mbi një rast apo mbi 100 apo 1 mijë raste, por kur vajtojmë duhet të kemi parasysh se pse gjërat kanë shkuar kaq larg dhe si janë katandisur njerëzit në pikë të hallit.

Fjala vjen, pse kjo nënë me tre fëmijë nuk mund të marrë një apartament qoftë në Durrës, qoftë në Tiranë, ku i takon, ku banesat për të pastrehët qëndrojnë peng i politikës së vjetër të pengmarrjes, prej vitesh të tëra. Po degradojnë banesat sociale në Tiranë, po degradojnë banesat sociale në Durrës, sepse papërgjegjshmëria politike dhe nuk e di se çfarë tjetër më pas, nuk lejon që kështu të ndodhë.

Solla një shembull, por sigurisht që sikur të gjitha ato banesa të viheshin në dispozicion të këtyre njerëzve, mund të kishte ende njerëz që të ishin në këtë hall. Por pikërisht duke parë këto halle, duke parë këto dhimbje, duke parë se si vitet kanë kaluar dhe se si bebe të lindura në bunker, po bëhen adoleshentë në bunker, unë jam shumë here më i motivuar për të shkuar më thellë me reformat, për të shkuar me thellë me goditjen ndaj gjithë këtyre mikrobeve që e kanë bërë plagë trupin e vendit, në formën e një qasjeje tërësisht destruktive ndaj të ardhmes së vendit për të blerë kohë dhe për të mbajtur pushtetin.

Atyre që vajtojnë mbi këto plagë duke bërë sikur nuk kanë qenë këtu, apo duke u përpjekur që t’i bëjnë njerëzit të harrojnë se janë ata autorët e atyre plagëve, unë thjesht u rezervoj të gjithë keqardhjen time dhe asgjë më shumë se kaq nuk mund të bëj për ta.

 

Keni lënë jashtë skemës biznesin.

Biznesi nuk ka asnjë lloj tolerance, do të paguajë një më një dhe kush do të kapet, do të shkojë përpara gjyqit, i akuzuar për grabitje të pasurisë kombëtare. Sepse, në rast se na duhen skema alternative për familjet në ndihmë ekonomike, apo për konsumatorët familjarë në tërësi, – duke bërë një dallim në rastin e një familje në ndihmë ekonomike apo të personave me aftësi të kufizuar, që gjithsesi janë paguesit më të rregullt këta të fundit, apo pensionistët kryefamiljarë që gjithsesi janë paguesit më të rregullt të energjisë elektrike, duke i rezervuar një këst borxhi prej 1000 lekësh në muaj, krahas faturës korrente që nuk negociohet, dhe të tjerëve prej 2500 lekësh të reja në muaj, – përtej konsumatorëve familjarë, nuk ka asnjë lloj skemë alternative. Biznesi të paguajë paratë.

 

A është i aftë biznesi i vogël të paguajë?

Nuk përfshihen në këtë punë fare njësitë e biznesit të vogël dhe madje ju siguroj se njësitë e biznesit të vogël janë pagues të rregullt, kështu që nuk kanë probleme të kësaj natyre, e për më tepër janë konsumator shumë të vegjël të energjisë, përjashto furrat e bukës apo ndonjë njësi tjetër ndaj të cilave do të ketë një regjim tërësisht të privilegjuar.  Kështu që nuk është fare në lupën tonë biznesi i vogël. Ndërkohë që shumë njësi që hiqen si biznesi i vogël po bëjnë para të madhe, lokale apo pub-e apo ku e di unë se çfarë, qoftë edhe në qendër të Tiranës, – kanë ende hesape të hapura, e pavarësisht se kanë rendur ti shkëpusin fijet, ka ende fije që janë për t’u zbuluar, sidomos lidhjet të bëra në mënyrë të fshehtë, falë edhe bashkëpunimit me hajdutët e kompanisë.

Ju faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.