Vajza dhe djem të talentuar të Elbasanit, të cilët me përkushtimin dhe vullnetin që ndjekin procesin mësimor, gjejnë kohën dhe kanë dëshirën për t’u angazhuar edhe me strukturat rinore jashtë dyerve të shkollës, bashkëbiseduan sot me Kryeministrin Rama, duke ndarë mendime, ide dhe sugjerime se si dhe çfarë mund të bëhet më mirë për të ardhmen e tyre.
* * *
-Jam në vitin tim të katërt pranë këshillit rinor vendor të Elbasanit edhe të gjitha fjalët që tha Kryeministri, unë kam pasur fatin që ti shoh vetë dhe ta shoh evolucionin e Këshillit rinor hap pas hapi përgjatë 4 viteve. Ne e kemi filluar me një këshill rinor mjaft të vogël, me shumë pak anëtare dhe shumë pak impakt në qytet, por pastaj ishte pikërisht vullneti jonë për ta bërë rininë akoma më shumë aktive dhe për ta nxitur të marrë pjesë, jo vetëm në këshillin rinor, por edhe kudo që do të gjenin mundësinë dhe do kishin dëshirën të aktivizoheshin. Në këtë moment që flasim për këshillin rinor për vitin e ri të aktivizimit kemi arritur në vetëm një javë 300 aplikime të reja nga ju gjimnazistët.
-Duke iu uruar mirëseardhjen zotit kryeministër, doja t’i uroja dhe mirëseardhjen mbi 2300 të rinjve që janë të pranishëm sot sepse për ta është një ditë e veçante, është dita e parë si aktivist të këshillit rinor Elbasan. Është një punë 4 vjeçare. Struktura jonë e parë, bashkë me bashkëpunimin e bashkisë Elbasan me burimet e nevojshme që ne na duheshin, vendosem që të implementonim hapat e klubeve të universitetit tonë, të Harward-it dhe ky ka qenë një hap shumë gjigand sepse të marrësh një strukturë nga prestigjiozja Harvard është shumë e vështirë ta implementosh në Shqipëri. Çdo vit numri i anëtarësimeve të reja rritet, struktura zhvillohet dhe bëhet akoma dhe më solide. Kur çdo vit numri i anëtarësimeve dhe aplikimeve të reja rritet, struktura zhvillohet dhe bëhet më solide. Dua të ndalem te një hap gjigand që kemi marrë këtë vit. Është ai i digjitalizimit të këshillit rinor ku çdo i ri mund të anëtarësohet online dhe jo fizikisht, kjo është dhe për shkak të një nisme mjedisore ku ne nuk duam të harxhojmë më letra dhe çdo aktivist regjistrohet në data base-n të aktivisteve e te Këshillit rinor të Elbasanit.
-Jam prej një viti anëtare i këshillit rinor në bordin e artit dhe kulturës duke parë dhe prirjen time ndaj artit si nxënës i shkollës së mesme artistike Onufri. Duke konsideruar veten artist, qasja e të rinjve ndaj artit dhe promovimi i talenteve tërheq vëmendjen time. Dëshira ime është afrimi i muzikës folklorike elbasanase pranë të rinjve. Ideja ime konkrete është krijimi i një grupi muzikor ku repertori kryesor i tyre të jenë këngët dhe vallet elbasanase. Ne kemi një qendër rinore sot e cila është funksionale por Elbasani ka aq shumë talente saqë po ta krahasojmë me madhësinë e qendrës, ajo është shumë e vogël. Doja të kërkoja zhvillimin e kapacitetit të Qendrës në ambiente por edhe në instrumente.
-Kam qenë pjesë e bordit të inovacionit se aty mendoja se pritshmëritë e mia do të mbushnin më së miri për fushën e teknologjisë së informacionit. Unë dhe te rinjtë sjellim diçka të re, ide dhe produkte te reja. Me mbështetjen e zotit Llatja dhe zonjës ministre Kushi këto ide mund të marrin jetë. Po marr shembull një ide të një produkti që kam bërë unë në bashkëpunim me klasën ishte një byzylyk emergjence për personat e moshuar sepse ata kanë vështirësi në përdorimin e “smartphone”-ve. Më të shtypurin e një butoni ata mund të dërgonin të dhënat e tyre personale dhe lokacionin tek shërbimet e ambulancës. Kjo ide në bashkëpunim me organet shëndetësore gjeja më e mirë e mundshme. Për shumë të rinj këtu që ka ide një qendër inovacioni do ishte ndihmë shumë e madhe për ta.
Kryeministri Edi Rama: Ndonjë andej poshtë, se këtu ju jeni të përgatitur.
–Quhem Xhonsina Osmanaj, jam 18 vjeç. Prej 1 viti jam pjesë e Këshillit Rinor dhe tanimë koordinatore e bordit të mjedisit. Sot kam ardhur me një kërkesë që do doja ndihmën e gjithsecilit këtu. Unë kam pasur idenë e përafërt të “Qytetit 1 ditë pa makina”, pra “Të rinjtë pastrojnë qytetin”. Konsiston në pastrimin 1 ditë në muaj e të pastrojmë zona të caktuara me mbështetjen e bashkisë dhe të rinjve dhe moshatarëve të mi.
Një projekt i dytë që do kisha dëshirë të prezantoja është shtimi i këndeve të lojërave dhe këndeve për të moshuarit që kujdesen për fëmijë. Nuk konsiston thjesht në bërjen e një këndi lojërash madhështor, por këndin e disa pemëve dhe të rrethuara, për një kënd lojërash sa më modest dhe sa më të bukur.
E di që ndoshta do buxhet por do na ndihmoni me buxhetin dhe ne do t’iu ndihmojmë me punën vullnetare.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit realisht dhe do marr shkas nga disa gjëra që u thanë këtu, duke u përpjekur ta bëj sa më pak të mërzitshme për ju, këtë moment që po ndajmë bashkë dhe duke e nisur nga djali aty, që foli për një ide, e cila është një farë që mund të zhvillohet dhe të bëhet një pemë e madhe nëse mbillet si duhet, nëse kultivohet, që ka të bëjë me muzikën tradicionale.
Elbasani është një zonë e cila, kur unë vija atëherë në fillim këtu, dhe thosha “Ka potencial të madh turistik”, dukesha sikur tallesha ose nuk dija se çfarë thosha.
Sot, kjo mund të shikohet, ka disa shenja, qoftë përsa i përket qytetit që ju besoj e keni parë që tërheq më shumë njerëz sesa më përpara për shkak edhe të trashëgimisë kulturore por edhe një lloj nxjerrjeje në dritë sepse deri 8-9 vjet përpara ishte realisht një qytet i zymtë shumë i vështirë.
Po ca do bësh sa i përket zonës së fshatit, e cila është fantastike, duke përfshirë gjithë qarkun, zonën e Belshit, pllajat dhe liqenet e mrekullueshme, por edhe gjithë zonën këtu që është brenda bashkisë së Elbasanit, ku kanë nisur të lindin disa iniciativa pozitive. Ishim qëparë në një pikë, një zonë që nuk ka pasur as rrugë e asgjë dhe tani nuk kishte pëllëmbë toke të papunuar dhe ishte një restorant jashtëzakonisht i bukur si një oaz i gjelbër në mes të asaj zone.
Është e qartë që tendenca kjo është. Pse po flas për këtë pasi fola për idenë e ripërtëritjes së muzikës tradicionale, duke krijuar një grup për të filluar e për ta mbledhur, për ta ruajtur, për ta shpërndarë? Sepse nga ajo ide mund të zhvillohet një sistem i tërë sipërmarrës në funksion të turizmit sepse nuk janë vetëm këngët tradicionale, janë edhe veshjet tradicionale, të cilat në një pjesë të madhe kanë humbur dhe janë të kërcënuara nga zhdukja për shkak se mungojnë gjithnjë e më shumë ata që i bënin.
Që do të thotë që duhet filluar të identifikohen ku janë ata që akoma mund t’i bëjnë dhe duhen angazhuar në një rrjet që mund të jetë një ndërmarrje e vogël, e cila nuk ka nevojë t’i mbledhë të gjithë njerëzit në një vend apo në një strehë, por çdonjëra nga ato gratë qëndistare mund të jenë në shtëpitë e tyre, kudo qoftë dhe të porositen dhe sisteme të tilla ka në vende të ndryshme të Shqipërisë. Pastaj, e gjithë kjo duhet të shfaqet, të prezantohet, të kthehet në një atraksion. Kështu që, nga një ide e thjeshtë shumë e bukur mund të lindë një biznes dhe një biznes, i cili mund të punësojë jo pak njerëz.
Duke folur për punësimin, duke folur për perspektivën dhe insistimin në një psikologji të krijuar “Nuk ka të ardhme këtu, nuk ka mundësi këtu, nuk ka gjë këtu” këtu ka shumë gjëra që mund të bëhen dhe janë ende aty për tu parë, për t’u kapur dhe për t’u bërë sepse mungojnë.
Këtu mungojnë akoma shumë agroturizma dhe të bësh një agroturizëm nuk është aspak një ndërmarrje shumë e komplikuar, por është ama një ndërmarrje që kërkon një vizion shumë të qartë, që kërkon një ambicie për t’ia dalë dhe që kërkon një durim shumë të madh, patjetër do dhe shumë punë.
E mira sot është që mund të flitet jo thjesht me gjëra që i ke parë apo mësuar nga diku tjetër, por sot mund të flitet me gjëra që ndodhin këtu.
Në Shqipëri ka jo pak, ka shumë më pak seç duhet të jenë, por ka shumë më pak njerëz, edhe vajza e djem të rinj, që merren me agroturizëm. Disa prej tyre janë të kthyer nga emigracioni dhe nëse do t’i takonit dhe do t’i pyesnit, do ju thoshin që duke rinovuar një shtëpi të vjetër të gjyshërve ose duke marrë një tokë me qera për të bërë një frutore dhe me radhë, një bujtinë, fitojnë dy-tre-katër-pesë, dhjetë fish të asaj që fitonin në emigracionin ku bënin një punë të zakonshme dhe punonin për dikë.
Ndaj dhe unë insistoj që, të paguash para siç ndodh në rastin e të rinjve që ikin për në Angli me ato varkat, të paguash 20 mijë paund për të marrë varkën e për tu nisur ndërkohë që me 20mijë paund mund të bësh një agroturizëm, mund të hapësh një bujtinë e mund të fillosh të gjenerosh të ardhura, nuk është realisht një krahasim i vështirë.
Patjetër që kjo është vetëm një nga gjërat, ashtu si artizanati dhe organizimi i artizanatit në një vend që është turistik dhe ku gjithmonë e më shumë turistë do të vijnë.
Ne kemi pasur në Gjirokastër 6900 turistë në 2013, 150 mijë i kemi vetëm deri në fund të shtatorit.
Në Shqipëri, në tërësi, kemi numër turistësh të rritur në mënyrë shumë të konsiderueshme mirëpo gjithmonë e më shumë turistët do kërkojnë më shumë gjëra autentike dhe patjetër që ne kemi një folklor të jashtëzakonshëm, kemi kostume popullore të jashtëzakonshme, kemi muzikë, valle të jashtëzakonshme dhe nga këto, janë shumë pak të cilat janë të ekspozuara dhe janë shumë të cilat janë tretur nga koha.
Përtej këtyre, për tu kthyer tek teknologjia. Sot, teknologjia na jep mundësinë, ju jep juve mundësinë që pa lëviz fare nga vendi, në Elbasan po në një fshat të Elbasanit, të mund të punësoheni ku të doni nëpër botë, të punësoheni dhe të paguhen disa herë më mirë se kryetari i bashkisë.
Sigurisht, për këtë duhet mësuar fillimisht kodimi. Disa e mësojnë vetë sepse kanë vullnet, të tjerë kanë nevojë për të ndjekur kurse, për të tjerë ne do hapim programet e trajnimit intensiv që brenda 6,9 muajsh, varet nga lloji i programit, të japin të gjithë dijen e nevojshme që ti menjëherë të jesh i gatshëm të futesh në tregun e punë si kodues, nuk ka nevojë që të bësh universitet për informatikë.
Në atë moment, ti je një nga shumë të tjerë por ama i gatshëm për të hyrë në një treg që deri para disa kohësh numërohej 16milionë vende bosh, të cilat vetëm rriten.
Domethënë, mundësitë janë të jashtëzakonshme.
Kur po e bëja këtë bisedë në Durrës, isha me Borën në një bisedë në atë turin që bënte Bora për idetë për të mbledhur idetë për Strategjinë Rinore, filluan të gjithë të qeshin ose nënqeshin sepse po u dukej sikur po i thosha “Unë iu lashë”.
Siç e tregova në Gjirokastër, më nxori nga situata një vajzë që mori mikrofonin dhe tha “Pse qeshni? Unë jam nga Shën Vlashi”. Shën Vlashi është një fshat shumë i largët nga Durrësi, “Unë jam nga Shën Vlashi, jam në gjimnazin filan dhe unë punoj në Poloni dhe në Amerikë. E vetmja rrugë që bëj për të dalë nga shtëpia nuk është për të shkuar në punë por për të shkuar në shkollë, dhe sa kthehem në shtëpi shkoj në punë. Hap kompjuterin edhe jam në Poloni ose në Amerikë, duke i shërbyer një kompanie ose një tjetre”.
Ishte 15 vjeçe dhe kishte filluar të punonte 11 vjeç dhe ishte e ardhura kryesore për shtëpinë; pra, ajo sillte më shumë të ardhura se prindërit e vet në shtëpi në punën që bënte.
Sepse kjo është koha e re që ne jetojmë. Kjo është mundësia. Nëse ne do të ishim në një kohë tjetër, do të na duhej të kalonim të gjitha fazat dhe të prisnim të gjitha vitet e nevojshme për të kaluar nga faza në fazë. Ndërsa, teknologjia na jep mundësinë që të ngjitemi menjëherë lart, në rast se kemi vizionin, kemi ambicien dhe aftësinë për ta bërë.
Shqipëria deri para disa vitesh ishte një vend ku të gjithë pa përjashtim, për të marrë copën më të parëndësishme të letrës, një certifikatë, që është një letër që vetëm thjesht tregon si e ke emrin, si quhen prindërit e kur ke lindur e ku ke lindur, duhet të shkonim të mbanim radhë. Radha të gjata, histori, “ik, hajde nesër se nuk ka bojë printeri, nuk ka drita”. E kështu për të gjitha llojet e shërbimeve. Sot nuk ka më radha sepse sot nuk ka më sportele, sepse sot 95% e shërbimeve, janë rreth 1200 e disa më shumë shërbime, merren thjesht nga telefoni. Ti shkon tek e-albania, aplikon dhe për një pjesë të tyre e merr përgjigjen direkt, për një pjesë të tyre si Hipoteka, të vjen me postë.
Tani, kujt mund t’i shkonte mendja, para disa vitesh që Shqipëria, në raportin e fundit të Zhvillimit Digjital të Shërbimeve Publike, të kombeve të Bashkuara që bëhet për vit, të ishte e 8 në Europë, dhe e 19 ë botë. Si ndodhi kjo? Vetëm sepse teknologjia ta jep këtë mundësi. Nëse nuk do ishte teknologjia, për të arritur të kishim një administratë e cila të bënte një shërbim me sportele që të ishte i teti në Europë, do të na duheshin dhe 800 vjet. Kurse me teknologjinë, kështu teknologjia e bën zero distancën mes teje e botës. Nuk ka rëndësi fare se në cilën pikë të globit je. Nëse ti di ta flasësh gjuhën e huaj e jo thjesht anglishten por edhe gjuhën e huaj të këtij shekulli që është gjuha e kompjuterit, bota është e jotja. Mjafton të kesh ambicien e të kesh edhe durimin që të gjesh se ku të takon ty vendi në atë treg gjigand. Ka jo pak të rinj që e bëjnë këtë gjë në Shqipëri, nuk është vetëm ajo vajza, por janë shumë herë më pak, nuk ka krahasim, me sa duhet të jenë. E çfarë duhet të bëjmë ne?
Ne tani po organizojmë të gjitha programet që të japin mundësi që një pjesë e të rinjve, të kenë një derë ku të hyjnë e të mësojnë kodimin, ashtu sikundër edhe nëpër shkolla, në një numër shkollash që do të hyjë mundësia e kurseve pasdite, do të bëjmë të njëjtën gjë. Po kështu me fëmijët. Kemi filluar të fusim që në klasën e parë me metodat e sotme mësimin e kodimit dhe nëse ne do të arrijmë të kemi brenda kësaj dekade të paktën 20.000 kodues, ne do të kemi një kapacitet komplet tjetër për sa i përket punësimit të të rinjve, punësimit cilësor të të rinjve, duke kaluar komplet nga epoka e punës që ti nisesh e shkon në një fabrikë dhe punësim të shumë mirë paguar.
Në Elbasan, për veç të tjerash ne do bëjmë auto-moto parkun, që është një investim jashtëzakonisht strategjik. Auto-moto parku do të bëhet me të gjitha standardet e aprovuara edhe nga FIA, që të mund të bëhen edhe gara të Formula 1. Por një garë e Formula 1, në rast se arrijmë deri aty, se çdo gjë është e mundur, se nuk ia priste mendja njeriu deri para disa vitesh që ne do kishim në Shqipëri një finale europiane futbolli. E patëm! Nëse do arrijmë deri aty, do duhen disa vite dhe është një herë në vit, ama ai auto-moto parku do jetë një vend me shumë mundësi punësimi, për ata që janë me njohur të mira në këtë gjuhën e huaj të teknologjisë.
Auto-moto parku, tani është në garë ndërkombëtare projekti, ndërkohë që puna me zonën fillon, për të krijuar aty një zonë e cila dhe nga pikëpamja mjedisore do jetë një zonë shumë e bukur, do jetë gati në një periudhë kohore 3 vjeçare. Që do të thotë që në momentin që ju jeni drejt përfundimit të shkollës, aty do ketë nevojë për një numër jo të vogël të rinjsh e të rejash që të hyjnë në punë.
Përveç kësaj, programet e sportit, programet e arteve e të zejeve, janë po ashtu disa risi që do t’i shërbejnë shumë jetës së të rinjve në të gjitha qytetet. Do i shërbejnë shumë asaj pjese që i kam dëgjuar vetë bashkë me Borën e i kam lexuar dhe në shënimet e raporteve të Borës, kërkonin me insistim aktivitete sportive, kërkonin me insistim aktivitete artistike, kërkonin me insistim laboratorë e të gjitha këto sot, janë pjesë e programit të këtij viti dhe me hyrjen e vitit tjetër do të hapen edhe hapësirat për art, për zeje, ndërkohë që ishim para se të vinim këtu në një shkollë, ku e kishin ndërtuar atë kopshtin bujqësor, që është një nga 5 kopshtet e para. Do bëjmë të tjerë në të tjera shkolla, në mënyrë që përveç mësimit të librave, të rinjtë të mësojnë edhe të tjera gjëra e të nuhasin të tjera gjëra që kanë të bëjnë me ato që pastaj janë oportunitete të jetës nesër për të krijuar kushte për tu punësuar, për tu vetëpunësuar, sepse nuk mund të ecet me idenë që “mbaroj shkollën, punësohem në shtet”. Shteti do të jetë gjithmonë e më pak vendi ku njerëzit do të mund të punësohen, por në një sistem lirie dhe në një sistem me kaq shumë oportunitete, për tu vetëpunësuar e për të punësuar të tjerë. Sot një pjesë shumë e madhe e atyre që merren me sipërmarrje, ata i thonë të vogël por është i vogël për Gjermaninë, janë njerëz që vijnë nga arsimi profesional, ose vijnë nga universitetet dhe të cilët kanë preferuar të ndjekin rrugën e sipërmarrjes.
E fundit që kam lidhet me investimet në shkolla. Ne kemi bërë jashtëzakonisht shumë por edhe këtu ne Elbasan por dhe në disa zona të tjera ka nevojë për më shumë akoma. Ka nevojë dhe për disa investime për ta mbyllur komplet gjithë ciklin, ama një gjë është e sigurt, nëse krahasohemi me nga u nisëm, jemi si nata me ditën. Nëse krahasohemi me ku duhet të shkojmë, akoma nuk është gdhirë. Kështu që duhet t’i japim më shumë forca e duhet të bëjmë më shumë për të arritur më shpejt aty ku me siguri do arrijmë.
Faleminderit!