Të rinj të talentuar, me vullnetin, jo vetëm për rezultate të larta në mësime, por edhe për t’u angazhuar dhe kontribuar në organizmat rinore, bashkëndanë sot me Kryeministrin Rama ide, mendime, opinione, si dhe parashtruan me mençuri kërkesa ndaj qeverisë, lidhur me çfarë mund të bëhet më mirë për të ardhmen e tyre në vendin e tyre.
* * *
-Përshëndetje! Për ata që më njohin dhe ata që jo, unë jam nga ata të rinj që e kam bërtitur herët dëshirën për t’u kthyer dhe investuar në qytetin tim, të ardhmen time. Ngritja dhe funksionimi i Këshillit Rinor që theksoi dhe ministrja tashmë për Fierin është realitet. Fieri ende nuk e ka një universitet, prej kohësh të premtuar, mbi degët prioritare që kjo hapësirë ka potencialin dhe kapacitetin t’i ofrojë të rinjve, duke qenë se qyteti ynë ka dy gjimnaze profesionale, funksionale dhe që nxjerrin nxënëses ekselentë, që qarku ka potencial t’i ofrojë punësim këtyre të rinjve.
Kryeministri Edi Rama: Që të jemi të qartë, që të mos krijojmë konfuzion. Nuk kemi folur për të hapur universitet në Fier, kemi folur për të hapur një degë, fakultet për mjekësinë dhe për infermierinë, duke shfrytëzuar pikërisht Spitalin Memorial dhe për këtë jemi duke punuar, por hapja e një fakulteti të ri nuk është siç hapeshin dikur universitetet si kërpudha gjithandej dhe pastaj iu jepet studentëve iluzioni se po dipolomoheshin dhe mbeteshin me një diplomë pa asnjë vlerë në dorë dhe nuk ishin në gjendje të ofronin asgjë.
Kështu që, ne po punojmë për këtë dhe njëkohësisht po punojmë për të nxitur sa më shumë ndërkombëtarizimin e universiteteve. Ne nuk mund të shkojmë larg në universitete të cilat janë të mbyllura në vetvete; ne na duhen universitete të lidhura me botën, me programe të përbashkëta dhe me diploma të përbashkëta në afat të mesëm, që do të thotë që kur nxënësit shqiptarë të shkojnë në universitet në Shqipëri, të kenë mundësi të marrin programe që janë programe europiane, në bashkëpunim me universitete të tjerë. Në këtë mënyrë, duke shpenzuar më pak sesa po të shkosh jashtë shtetit, ta gjesh këtu një program dhe pastaj të mund të marrësh një diplomë që ka të njejtën vlerë.
Kjo është përpjekja që po bëjmë për universitetin por të mos e ngatërrojmë, një fakultet mjekësie që të jetë një fakultet ekselence i lidhur me spitalin Memorial të Fierit.
-Përshëndetje. Ashtu siç e dimë të gjithë, qyteti i Fierit ka një vijë bregdetare prej rreth 25 kilometra ama është një vijë bregdetare që e lakmojnë shumë qytete të tjerë, të cilët nuk e kanë. Tani çështja është këtu. Duke qenë se kemi një vijë bregdetare të virgjër, të paprekur, çfarë mund të bëjmë ne, ju si qeveri, së bashku me kryetarin e bashkisë, së bashku me kontributin tonë si qytetarë që ta kthejë këtë vijë bregdetare në një pikë turistike, e cila të jetë konkurruese për të gjithë jugun, por edhe të ofrojë një mundësi punësimi për të rinj si unë gjatë sezonit veror?
Së dyti, vjet jam shpallur fitues i olimpiadës kombëtare, vendi i parë në gjithë Shqipërinë me rezultat absolut. Pavarësisht se stimuli i bashkisë ishte një stimul më shumë se i kënaqshëm, mendoj se me kontributin tuaj mund të shtohet motivimi për nxënësit e tjerë për arsye se gjatë viteve kam vënë re se pjesëmarrja në olimpiada ka rënë.
Kryeministri Edi Rama: Meqë kemi dhe takimin e madh aty dhe jeni të ftuar të vini nëse keni dëshirë, dy lajme të mira kam unë për ty, por fillimisht respekte për rezultatet se po më thoshte Taulanti që je i njohur këtu në këtë mjedis si “shkencëtari”, kështu që unë të përshëndes me shumë respekt.
Lajmi i parë i mirë është që duke u nisur nga fakti se është shumë e vërtetë që vija bregdetare e Fierit është e paprekur, ju duhet të jeni shumë të kënaqur me këtë fakt sepse nuk mund të thuhet e njejta gjë për vijën bregdetare të Durrësit, e cila është prekur qysh herët dhe në një pjesë të konsiderueshme të saj është e dëmtuar rëndë. Kjo vijë bregdetare këtu, duke qenë krejt e virgjër, na jep mundësinë që gjithçka ta bëjmë siç duhet. Pse nuk ka ndodhur më përpara? Sepse na është dashur që ta nxjerrim Shqipërinë nga ajo zona e zezë e një imazhi skandaloz. Deri para ca vitesh, artikujt e pakët që bëheshin për Shqipërinë për turizmin ishin artikuj negativ. Jo është pis, plehra, digjeshin plehra, shërbehej keq. Sot ne kemi një bum në turizëm sepse edhe imazhi është komplet ndryshe. Këtë vit, Shqipëria ka qenë prezente në thuajse të gjitha mediat që merren me turizmin në website-t që i dedikohen destinacioneve turistike madje e në disa media të mëdha globale, si një destinacion për tu zbuluar. Kjo lidhet edhe me pronarët sepse edhe këtu si në pjesën dërrmuese të bregdetit, tokat vërtet janë të virgjëra po janë me pronarë. Që pronarët të angazhohen me investime, duhet që investitorët të jenë të interesuar dhe që të vinin investitorët për të hedhur dhjetëra e qindra miliona euro për të investuar, duhej të piqej pak koha.
E tani ne kemi në proces dhe shpresoj që gjëja të shkojë si duhet deri në fund, se ka projekte që nisen e në fund nuk bitisen, kështu është biznesi. Një projekt shumë të bukur, të madh që është rezultat i një marrëveshje mes pronarëve të një familje të madhe që ka trashëguar prona, një pjesë e tyre janë në Itali. Ata kanë kontaktuar investitorë të rëndësishëm. Investitorët kanë ardhur, e kanë parë, janë shumë të kënaqur. Na kanë kontaktuar, na kanë pyetur si bëhet, çfarë kushtesh ka dhe duan të bëjnë një investim, park të madh.
Unë jam i bindur që në këtë dekadë ajo zonë do fillojë të transformohet në një destinacion turistik me vende pune cilësore e me pagesa cilësore. Jam i bindur për këtë. Koha do ta tregojë. Siç isha i bindur që dhe lumi i Gjanicës nga një tmerr, që ishte shkaku numër një i përmbytjeve dhe ishte si një e çarë në fytyrën e qytetit, do kthehej siç është kthyer sot, në funksion kryesor i bukurisë së qytetit dhe i kënaqësisë për të shëtitur në këtë qytet.
Lajmi i dytë i mirë që kam për ty është që ne kemi pasur, në fakt e ka vendosur qeveria e mëparshme, ka qenë një nismë me qëllim shumë të mirë, një fond për të mbështetur ekselentët që studiojnë jashtë në universitetet më të mira të botës. Me atë fond janë financuar çdo vit rreth 20 studentë shqiptarë nga të cilët askush mbasi ka marrë gjithë lekët e shtetit, nuk është kthyer t’i shërbejë vendit, pavarësisht se kushti ka qenë se shteti do të të paguajë studime shumë të shtrenjta dhe t’i do vish të kontribuosh. Madje jo vetëm nuk janë kthyer, po nuk kanë marrë përsipër të çojnë një mesazh, një letër të thonë unë kam gjetur një punë në një kompani të madhe, se faktikisht ato universitete janë universitete ku kompanitë presin te dera për t’i marrë në punë studentët. Këta janë shqiptarë shumë të talentuar, shumë të zotë, po në këtë pikë mendoj unë, që e kanë prishur sepse fare mirë mund të thoshin unë e mbarova shkollën, më vjen shumë keq, nuk vij dot. Mora një punë që s’e refuzoj dot me shumë të ardhura, por jam në dispozicion të ndihmoj në një mënyrë ose në një tjetër.
Ne vendosëm që ta ndërpresim këtë program e këto para mos i çojmë diku tjetër, po tja japim ekselentëve këtu. Jo ekselentëve që i quajmë sot nga 9-10. Nga 9-10 i kemi quajtur ekselentë për marrëveshje fjale, po ekselentëve, ekselentë. Atyre që janë realisht me të gjitha 10-ta. Ne dhamë medalje ari, ishin 132 nxënës nga të cilët 87% apo 78% kishte vendosur të studionin në Shqipëri. Këta janë ata të cilët do marrin nga ky fond dhe studentët e këtij niveli do të paguhen me një pagë minimale. Ti që kërkove nga qeveria mbështetje, nëse do vazhdosh të jesh ky që je dhe të kesh këto rezultate, ti do marrësh nga fondi i super-ekselencës dhe do marrësh çdo muaj një pagë minimale, sot që flasim ti do të marrësh 34 mijë lekë të reja në muaj.
Kemi disa gjëra të reja përveç asaj që folëm për universitetet që kanë të bëjnë me teknologjinë për të ndihmuar këdo prej jush që do të futet në botën e teknologjisë e të mësojë gjuhën e teknologjisë, me ato kurset intensive që shpjegoi Bora, që janë kurse të certifikuara botërisht, ku sipas modelit të kursit, nga 6-9 apo 12 muaj ti merr të gjithë dijen e nevojshme që të mund të punësohesh pa lëvizur nga shtëpia fare në tregun global duke ofruar shërbimin tënd për kompani të ndryshme. Këtë gjë ka vajza dhe djem që e bëjnë në Shqipëri e marrin paga shumë më të larta se paga ime apo se paga e kryetarit të bashkisë. Janë gjimnazistë, studentë që dalin nga shtëpia për të shkuar në shkollë, bëjnë shkollën e pastaj punën e bëjnë në shtëpi. Punojnë në të gjitha vendet e botës. Është një treg ku deri para ca kohësh kishte 16 milion vende pune gjithë bota. Me këtë armë në dorë, me këtë gjuhë të re të këtij shekulli, gjithsecili mund të gjejë punë. Ne këto do ta bëjmë sistem. Kemi filluar me klasën e parë që ata të futen në këtë proces që të vegjël, ata do ta kenë më të gjatë kohën e absorbimit të kësaj gjuhe, por të jenë në gjendje që të zotërojnë këtë gjuhë.
Me shkollat, pasditeve do të kemi kurset ku gjithsecili mund të shkojë dhe mund ta marri këtë. Fondi që kemi vënë në dispozicion është sepse këto kurse kushtojnë shumë e natyrisht nuk mund t’i themi dot shkoni paguani. Ata që kanë më pak mundësi do të mbështeten më shumë financiarisht në mënyrë që të mund ta përballojnë kursin, pjesën më të vogël do ta paguajnë vetë, pjesën më të madhe do ta paguajmë ne ose të gjithën ne, sipas kategorive.
Pastaj është pjesa e arteve për ata që kanë dëshirë të bëjnë kurse artistike. Pjesa e zejeve, ju keni një shkollë shumë të mirë profesionale për bujqësinë. Ajo shkollë do të jetë një shkollë që ne do të bashkëpunojmë për të krijuar kopshtet e gjelbërta, nëpër kopshte të gjelbërta, nëpër shkolla të tjera. Marrja me tokën, njohja e proceseve nuk do të thotë që të shkosh të bëhesh fermer, po do të thotë të zotërosh jo vetëm gjuhën e kompjuterit po të mësosh diçka edhe nga gjuha e tokës e nga mënyra sesi zhvillohet procesi i provimit sepse janë te gjitha gjëra që e plotësojnë njeriun dhe natyrisht pastaj mund të ketë plot nga ju që mund ti përdorin ato njohuri edhe për biznes, mund ti përdorin ato njohuri si pjesë komplementare të gjërave që do të bëjnë në jetë. Tjetra është për vullnetarizmin për mjedisin dhe sporti.
Kemi krijuar tani skuadrat e sportit, të basketbollit dhe volejbollit në të gjitha shkollat, për femrat dhe për meshkujt. Do fillojmë me kampionatet brenda për brenda bashkive, pastaj qarku, pastaj kampionati kombëtar. Po përgatisim të gjithë setin e uniformave, topave, këpucëve, çantave për mijëra e mijëra fëmijë që do futën në këtë proces, fëmijë, domethënë si ju, më falni nëse ofendova ndonjë që i thashë fëmijë dhe të gjitha këto do të rrisin, do të zgjerojnë hapësirën e aktivitetit në kohën midis mësimit dhe shtëpisë e cila përgjithësisht zihet me vështirësi sepse mungojnë, kanë munguar për një kohë të gjatë këto lloj destinacionesh. Natyrisht që në fund fare mbetet prapë rritja e cilësisë brenda për brenda mësimit. Ne nga të gjitha ato takime që kemi bërë me Borën për strategjinë e rinisë kemi marrë disa kërkesa dhe një nga më insistueset ka qenë kërkesa për laboratorët. Kemi filluar me laboratorët. Do të bëjmë hap pas hapi plotësimin me laboratorë modern të shkollave. Ndërkohë që përsa i përket universitetit, e thashë dhe e përsëris. Duam që ta rrisim shumë cilësinë e universitetit duke përfshirë në programe, tani kemi filluar të kemi programe anglisht në universitet, të certifikuara, do vazhdojmë t’i zgjerojmë kështu që jini të sigurt që e nesërmja do të jetë shumë më e mirë sesa e sotmja. Ndërkohë që e sotmja është shumë më e mirë sesa e djeshmja.
Këtu ku jemi mbledhur ne sot ishte një fushë si e përzhitur nga zjarri, me gropa, me pluhur, me makina, parking makinash, ishte një plehorinë. Ja ku jemi sot. Nuk kanë kaluar shumë vite dhe ky është një oaz i gjelbër brenda për brenda por a mjafton ky oaz i gjelbër? Kjo ishte një rrënojë, tani është një galeri artesh, ju e dini më mirë se unë tani se me siguri, e ndiqni aktivitetin, ishte një rrënojë, megjithatë kjo nuk mjafton. Dakord është bukur, por tani duhet të vazhdojmë më tutje të mbushim me më shumë aktivitet, të krijojmë më shumë arsye për të qëndruar këtu dhe për të hapur këtu biznese dhe mbi të gjitha të bëjmë Fierin një zonë që duke e futur dhe detin në ekonominë e Fierit, të ketë shumë më tepër atraksion për turistët sepse Apolonia është një destinacion i jashtëzakonshëm europian, jo shqiptar vetëm, por nuk mjafton.
Kini besim që më mirë do të bëhet. Shoh njërin me violinë. Mirë, bjeri violinës dhe me violinën po e mbyllim edhe takimin! Faleminderit!