Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

By pass-i i Fierit, 22 kilometra, është një nga projekt rrugore shumë të rëndësishëm, që do të lidhë autostradat Lushnje-Fier me Levan-Vlorë. I përbërë me 2 kalime dhe 4 korsi, ai bashkohet në sektorin e fundit të autostradës në Durrës. Si pjesë e korridorit veri-jug, By pass-i i jep zgjidhje përfundimtare qarkullimit dhe veçanërisht e lehtëson atë gjatë sezonit turistik, ku fluksi i lëvizjes në këtë aks është tepër i lartë. Me përfundimin e tij, shkurtohet ndjeshëm koha e lëvizjes, e cila parashikohet të përshkohet në 15 minuta.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto dhe deputetë të qarkut, inspektoi sot ndërtimin e këtij By pass-i.

Drejtuesi i punimeve informoi se po punohet me ritme të shpejta, nga kompanitë nënkontraktore, njëherësh në disa seksione, në Fier, në Lushnje dhe në Vlorë. Në gjatësinë e tij po ndërtohen 4 mbikalime e nënkalime dhe tre ura, 80 metra secila. Një nga mbikalimet do të ndërtohet në afërsi të zonës arkeologjike të Apolonisë. Ai siguroi se një korsi e rrugës do të hapet në qershor të vitit 2015.

Përfundimi i një korsie në nisje të sezonit turistik, sipas angazhimit të marrë nga firma ndërtuese, u konsiderua nga Kryeministri, shumë i rëndësishëm.

Po ashtu, përfaqësuesi i kompanisë ndërtuese vuri në dukje se për ndërtimin e By pass-it janë angazhuar 450 punëtorë të kualifikuar, të cilët kanë punuar në Italia dhe tani janë rikthyer. By pass-i i Fierit është një investim me vlerë rreth 40 milionë euro.

***

Kryeministri Rama inspektoi edhe rrugën Kthesa e Qarrit – Pish Poro, e përfshirë në rikonstruksion të plotë, me të gjithë elementet e infrastrukturës rrugore, punimet nëntokësore, trotuare në zonat e banuara dhe sinjalistikën.

Drejtuesi i punimeve informoi Kryeministrin se pjesa ndërtimore e rrugës tashmë ka përfunduar dhe aktualisht po punohet për trotuaret në pjesën e rrugës që kalon në zona të banuara dhe vendosja e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, të cilat priten të përfundojnë shumë shpejt.

Investimi për këtë rrugë është në vlerë mbi 190 milionë lekë.

***

Gjatë vizitës në qarkun e Fierit, Kryeministri u ndal në Patos, në sipërmarrjen private Driza ShPK, të rritjes së shpendëve për mish(broiler). Kjo sipërmarrje përmes mbështetjes së subvencioneve të Programit qeverisës për Bujqësinë 2014, ka rritur kapacitetin e prodhimit vendas duke ulur importin.

Ky sektor është vlerësuar si një sektor me potencial konkurrues për vendin tonë, pasi më shumë se gjysma e këtyre lloj shpendëve importohen, si pasojë e pamundësisë së prodhimit vendas për të mbuluar kërkesën e tregut të brendshëm.

Sipërmarrësi e njohu Kryeministrin me avantazhet e përfituara prej skemës së subvencioneve. Me investimin e ri të impiantit të financuar edhe nga AZHBR Driza ShPK rrit kapacitetin prodhues deri në 40 %. “Janë ndërtuar gjithsej 5 kapanone. Me subvencionimin  e kësaj skeme, kompania e ka rritur në 345 mijë euro investimin total. Në një kohë tepër rekord i kemi vendosur në punë këto pajisje, duke ulur koston  e prodhimit. Duke pasur teknologjinë, do të kemi mundësi edhe të konkurrojmë në tregjet europiane, pasi teknologji do të thotë zhvillim. Nga energji elektrike që përdornim dikur për ngrohjen e shpendëve, sot e kemi kthyer me kaldaja të reja,” u shpreh sipërmarrësi i Driza Sh.P.K.

Duke vlerësuar praninë e kryeministrit në terren, drejtuesi i saj shtoi se mbështetja e qeverisë ka dhënë rezultate konkrete dhe jo fiktive. “Sinqerisht e vlerësojmë ardhjen tuaj këtu, sepse ky është një sektor i rëndësishëm. Kanë ardhur dhe më  parë ministra dhe autoritete për të parë, por çfarë ka bërë qeveria e sotme, është një realitet që e shohim me sy dhe e kemi të prekshëm, jo vetëm fjalë.”

Duke parë nga afër teknologjinë e re të prodhimit, Kryeministri tha se prodhimi vendas i mishit të shpendëve është një nga prioritete e sektorit të bujqësisë, duke synuar në të njëjtën kohë edhe eksportin e tij.  Kryeministri premtoi mbështetjen e sektorit përmes një qasje krejt të re, nga më parë. “Ne kemi ndryshuar qasjen komplet. Ne mbështetemi tek investimet që krijojnë cikël të mbyllur dhe që rrisin prodhimin vendas duke ekuilibruar tregjet e brendshme, por dhe që rrisin eksportin. Prodhimin e mishit të shpendëve e kemi një nga prioritetet. E do të vazhdojmë të mbështesim sektorin, në mënyrë që të përmbysim balancën e tregut, duke ulur koston  dhe që të ulet çmimi i mishit në raport me atë të importit.”

Kryeministri u shpreh se historitë e lëmoshave për fermerët kanë marrë fund njëherë e mirë dhe se nocioni i konkurrencës dhe i fitimit të ndershëm do të jenë parësoret për një bujqësi të zhvilluar.  “Ajo që është bërë gjithë këto vite, që shpërndahen një mijë thërrime për lëmoshë, edhe me tesera partie e pa rend pune, pa ditur se ku shkon prodhimi, pa ditur se çfarë mbjell këtu e çfarë korr atje, ka marrë fund. Nuk ka më nga ajo histori. Ne do ta kalojmë së bashku këtë fazë duke futur realisht nocionin e  konkurrencës, nocionin e fitimit, nocionin e kapitalizmit në fshat. Patjetër që në bazë të shembujve të suksesit që keni ju, do të stimulojmë dhe të tjerët. Jam i bindur se të gjithë do të fillojnë të zgjohen nga ajo përgjumja ku i ka mbajtur lëmosha dhe do të fillojnë të shikojnë se mundësitë janë pa fund.”

Ndër të tjera, kjo sipërmarrje do të mbështetet financiarisht përmes skemave  edhe në ndërtimin e “qendrës prindërore” ku do të mundësohet prodhimi i vezëve në Shqipëri dhe jo importi i tyre nga Italia, siç ndodh aktualisht. “Qëllimi i kompanisë ka qenë ndërtimi i një qendre prindërore që këto vezë të mos merreshin nga jashtë, por të çeleshin këtu dhe të ulim koston, duke patur një prodhim të kontrolluar, që nga veza deri tek mishi në tavolinën e konsumatorit,” u shpreh sipërmarrësi.

Po ashtu gjatë bisedës me Kryeministrin sipërmarrësi u shpreh se procedurat tashmë janë thjeshtuar dhe projektet po marrin mbështetje dhe zgjidhje të shpejtë. “Para dy vitesh erdhi BERZH, bëri një studim, paguam të gjitha detyrimet që kishim karshi tyre, ramë dakord, u aprovua kredia në Londër 1 milion e 600 mijë euro. Nuk u realizua projekti, pasi nuk kishim lejen  e ndërtimit. Ndërsa, jo për kompliment se jeni ju këtu, brenda dy muajve unë u pajisa me lejen e ndërtimit dhe isha i gatshëm për të bërë investimin,” – u shpreh drejtuesi i firmës.

Teksa inkurajoi këtë risi, Kryeministri shpjegoi se për të gjitha ndërtimet që janë të nevojshme për aktivitetin si në bujqësi, apo në fushat e tjera, procedura  e dhënies së lejes së ndërtimit është e menjëhershme, duke kaluar nëpërmjet AZHBR.

“Ne për të gjithë ndërtimet që janë të nevojshme për aktivitetin prodhues qoftë në bujqësi, qoftë në të gjitha fushat e tjera, kemi një procedurë të menjëhershme të dhënies së lejes së ndërtimit. Duhet ta dinë  mirë të gjithë fermerët, sepse ka shumë disinformacion, se kushdo që të do të marrë lejen për aktivitet prodhues,  e merr menjëherë, mjafton që të kalojë nëpërmjet AZHBR,” përfundoi Kryeministri Rama.

***

Kryeministri u ndal edhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, e cila ofron për qytetarët sportelin e ri unik me procedura të unifikuara.

Kryekomisar Ervin Hodaj e ka informuar lidhur me mjediset e reja që janë vënë në funksionim për pritjen dhe shërbimin ndaj qytetarëve, si dhe me volumin e punës që kryhet në këto mjedise.  Sipas tij janë rreth 60 aplikime që kryhen në ditë nga qytetarët për të marrë shërbime nga më të ndryshmet nga policia, duke nisur që nga vërtetimet, aplikimet për pasaporta, kërkesat për licenca apo dokumentacione të tjera. Po ashtu në këtë zyrë bëhen rreth 15 kallëzime në ditë nga qytetarët.

Ka mjedise të sistemuara për shërbime të veçanta siç është zyra për intervistimin e të miturve, proces i cili kryhet nga psikologu, ndërsa punonjësit e policisë e ndjekin nëpërmjet regjistrimit audio. Po ashtu pranë Zyrës së shërbimit unik të qytetarëve është instaluar edhe një zyrë e Postës Shqiptare, e cila u vjen në ndihmë qytetarëve për tarifat e ndryshme që u duhet të paguajnë apo edhe detyrimet për masat administrative të Policisë Rrugore.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.