Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga Librazhdi, Kryeministri Rama njoftoi përgatitjen e një pakete të re financiare për shlyerjen e detyrimeve ndaj gjithë investitorëve privatë në sistemin energjetik, si pjesë e masave për normalizimin e sektorin elektroenergjetik. Kjo paketë, të cilën Kryeministri e konsideroi rezultatin e parë të aksionit kundër vjedhjes së energjisë, do t’i japë mundësi Qeverisë të negociojë çmimin e energjisë me këta operatorë. Çmim, i cili aktualisht është më i lartë se ai i importit. Por, më së pari është i domosdoshëm “vazhdimi pa kompromis i operacionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike”, ishte mesazhi i Kryeministri.

Këtë masë të re, Kryeministri e bëri të ditur gjatë vizitës në hidrocentralet Rapun 1dhe 2 në rrjedhën e përroit Rapun, në rrethin e Librazhdit, me fuqi rreth 10 megavat. Ndërtimi I këtyre HEC-eve do të mbulojë nevojat për energji të rrethit të Librazhdit. Vlera e këtij investimi shkon në 25 milionë euro.

“Është shumë e rëndësishme që nga këtu t’ju them të gjithë shqiptarëve se falë operacionit të filluar dhe që nuk do të ndalet kundër hajdutëve të energjisë dhe falë kësaj vendosmërie për të kthyer këtë pasuri të madhe, që është pasuria jonë energjetike, nga një hall i madh, nga një gropë e madhe, nga një litar në këmbët e shqiptarëve në një burim mirëqenieje, thjesht dhe vetëm vullneti i shprehur i kësaj faze shumë fillestare ka bërë që bankat të na takojnë për të konfirmuar vullnetin e Qeverisë dhe kështu të fillojmë punën për një paketë financiare, e cila do të na mundësojë shlyerjen e detyrimeve ndaj gjithë investitorëve në sistemin energjetik me këto hidrocentrale private. Që do të thotë se, pastaj do të jemi në kushtet që të negociojmë një çmim energjie, të vendosur në mënyrë arbitrare, në mënyrë abuzive dhe në mënyrën më të papërgjegjshme nga qeveria paraardhëse, për të marrë energjinë nga këto hidrocentrale me 10 lekë më shumë sesa nga importi. Çka e bënte këtë energji shumë më të shtrenjtë, çka i ka futur këto hidrocentrale të gjitha në situatë borxhi dhe kolapsi. Dhe, çka e bën praktikisht nul, përpjekjen për të ulur çmimin e energjisë nga rritja e prodhimit vendas,” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri theksoi se reforma e thellë në sektorin elektroenergjetik është jetike jo vetëm për këtë sektor, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve në këtë përpjekje madhore, e cila nis nga pagimi i energjisë së konsumuar.

“Në momentin kur ne do të rinegociojmë me këto hidrocentrale, këto hidrocentrale do të jenë në gjendje që t’i ofrojnë energji edhe subjekteve private, që do të duan ta marrin këtë drejtpërdrejtë, dhe ky është një rezultat i parë i këtij operacioni. Ndaj unë dua t’i them të gjithë shqiptarëve që Shqipëria europiane nuk bëhet duke vazhduar në rrugën e rrënimit, por bëhet duke marrë përsipër edhe sakrificat e rrugës së re të ndërtimit të Shqipërisë europiane. Sakrifica që, nuk nënkuptojnë në asnjë mënyrë rritjen e çmimit të energjisë në mënyrë të mëtejshme për ata që paguajnë dhe lënien e atyre që vjedhin të vazhdojnë të vjedhin, kështu që ata që paguajnë, paguajnë për ata që vjedhin, por nënkupton që çdokush të paguajë atë që i takon, në mënyrë që pastaj të vijmë në një fazë tjetër, më tutje, kur të jemi në gjendje të flasim edhe për ulje të çmimit, të flasim edhe për ulje të TVSH-së mbi energjinë për familjarët. Por të gjitha këto kërkojnë, në radhë të parë, që të ngremë në këmbë një organizëm të shtrirë përtokë nga një kancer hajdutërie dhe papërgjegjshmërie qeverisëse. Kështu që nuk ka pikë dyshimi, operacioni do të vazhdojë pa kompromis, pa tolerancë, pa parë majtas dhe djathtas. Kush do të vjedhë energjinë nuk ka asnjë mundësi të bashkëjetojë me ne, në lirinë e kësaj shoqërie, por do të shkojë aty ku e ka vendin, sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.”

Kryeministri e cilësoi këtë, një betejë kundër Shqipërisë informale.

“Kush do të kontribuojë, do të shohë vit pas viti një ndryshim për të cilin do të jetë edhe vetë krenar që ka qenë pjesë e tij.

I falenderoj nga zemra dhe i përulem të gjithë atyre që pavarësisht vështirësive vazhdojnë ta paguajnë rregullisht energjinë elektrike. I siguroj se qeveria është në krahun e tyre dhe se sot, ne po bëjmë betejën e tyre. Kjo është beteja e Shqipërisë së ndershme, e Shqipërisë që kërkon të ngrejë kokën përmes punës, përmes rrugës reale drejt zhvillimit dhe me një Shqipëri informale, me një Shqipëri rrumpalle, me një Shqipëri që nuk mundet dot të na çojë larg, por përkundrazi na ka sjellë deri në prag të hendekut, ku ne morëm qeverisjen vetëm një vit më parë.”

Deputeti i zonës Taulant Balla nënvizoi se Librazhdi është paguesi më i mirë i energjisë elektrike në Shqipëri.

***

Në Librazhd, Kryeministri Edi Rama ishte edhe mes punonjësve të një fabrike fason të hapur vetëm prej pak kohësh në këtë rreth, ku janë hapur 500 vende pune. Kryeministri vizitoi këtë sipërmarrje të suksesshme shqiptaro-italiane në fushën e tekstileve dhe konfeksionit, një investim vetëm në fazën e parë të saj një milionë euro, për të siguruar mbështetjen e Qeverisë ndaj sipërmarrjeve të suksesshme që krijojnë punësim real.

Sipërmarrësi shqiptar i Grupit investues “Liberest” shpjegoi se qëllimi i tyre është të afrojë biznese të tjera në fushën e prodhimit të konfeksioneve dhe daljen në tregun e huaj me markën “Made in Albania”. “Tendenca jonë në një afat të shkurtër është që nga sistemi fason të dalim si prodhues të drejtpërdrejtë në tregun vendas, pse jo edhe në tregun e huaj me markën “Made in Albania,” – tha ai.

Ndërsa partneri italian në këtë bashkëpunim, Roberto Grassi, përfaqësues i  kompanisë “Alfredo Grassi”, falënderoi Kryeministrin, me të cilin, u shpreh ai, ndamë idenë dhe morëm mbështetjen për zhvillimin e kësaj sipërmarrjeje, ndërsa solli edhe një impresion të takimit të parë me Kryeministrin. “Në takimin e parë, 6 muaj më parë, nuk më ofroi kafe. Nuk ofroj asnjëherë kafe në vizitën e parë të dikujt, – më tha, – sepse dua të verifikoj që ata do të rikthehen më pas. E falenderojmë për gjithçka ka bërë,” – u shpreh Roberto Grassi.

Duke qeshur Kryeministri në fjalën e tij tha se “E vërteta është që unë asnjëherë nuk i ofroj kafe, të huajve kur vijnë për herë të parë, se jemi mësuar që vijnë, thonë fjalë të bukura dhe pastaj zhduken. Por këtë radhë Roberto dhe ekipi i Grassi-t do ta marrin dopio ekspresin, kur të vijnë, sepse ata që rikthen, janë ata që seriozisht investohen për të çuar përpara projektet.”

Kryeministri vuri fort theksin edhe tek nevoja e investimit në formimin profesional, që do të krijojë kushtet për të pasur forcë pune të kualifikuar.

“Sfida e madhe e jona përveç krijimit të kushteve për krijimin e vendeve të reja të punës është edhe formimi profesional. Do të investojmë edhe më shumë, jo vetëm për punësimin, por edhe për formimin profesional. Jo vetëm për arsimin profesional, por edhe për nxitjen e trajnimeve në mënyrë që të lehtësojmë investitorët dhe të bashkëpunojmë me investitorët që të kemi sa më shumë krah pune të kualifikuar.”

Po ashtu, në bisedë me një prej fasonistëve të mëdhenj të vendit, Kryeministri sqaroi se çdo të ndodhë me 5% që rritet tatimfitimi me buxhetin 2015.

“Me buxhetin e vitit 2015, ne kemi vënë në dispozicion një fond të posaçëm për mbështetjen e punësimit dhe për mbështetjen e kësaj industrie, në mënyrë të veçantë. Në buxhetin e ri 2015, shtesa mbi tatimfitimin që iu bë kompanive për industrinë fason do të kthehet tek fondi për punësimin në dispozicion të kësaj industrie. Rritja 28% e eksporteve, 135 milionë dollarë më shumë eksporte nga fasonët është rezultat i punës tonë të përbashkët. Pa paragjykime kemi bërë paketën e mbështetjes dhe për 6 muaj, paketa na ka sjellë rezultate fantastike. Një gjë është e sigurt, kush do kërkojë të hapë vende pune në këtë industri do të ketë mbështetjen absolute të shtetit dhe do ketë në dispozicion fondin përkatës të punësimit.”

***

Kryeministri Rama inspektoi punimet në sheshin qendror të qytetit të Librazhdit, në kuadër të projektit “Rilindja e Qyteteve”.

Ky projekt  parashikon punime për rehabilitimin e sheshit qendror të qytetit me sipërfaqe rreth 4500 m2. Sheshi, përfshirë trotuaret dhe rrugën do të shtrohen me pllaka guri natyror të zonës. Projekti parashikon zgjerimin e trotuareve dhe pedonalen. Në projekt janë parashikuar edhe sistemi i ndriçimit, ndërtimi i një shatërvani dhe rehabilitimi i fasadave. Element i rëndësishëm i tij është edhe përmasa e gjelbër.

Kryeministri garantoi banorët se projektet do të vazhdojnë me rindërtimin e fushës së sportit, si dhe ndërtimin edhe të një kampi fushash për fëmijët.

“Do ta përfundojmë këtë investim me cilësinë më të lartë. Siç e shihni, cilësia e punës dhe e materialeve është njësoj si në çdo qytet europian. Do të vazhdojmë projektin për të shkuar më tutje me rrugën tokësore për të rindërtuar fushën e sportit bashkë me gjithë pjesën tjetër. Për të bërë tek fusha tjetër pranë një kamp fushash për fëmijët, që të luajnë edhe fëmijët, mos të luajnë vetëm futbollistët. Ky është vetëm fillimi.”

***

Në Zyrën e re për legalizimin e ndërtimeve informale në Librazhd, e hapur vetëm një muaj më parë për të shtyrë përpara procesin e legalizimeve në këtë rreth, i cili deri më tani ka qenë pothuaj i papërfillshëm, Kryeministri siguroi për çuarjen në fund të këtij procesi.

Siç bëri të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale, Artan Lame, hapja e kësaj zyre ishte e domosdoshme për shkak të aplikimeve të larta dhe ritmit të ulët të dhënies së lejeve. “Nga qeverisja e mëparshme, gjithsej për gjithë rrethin e Librazhdit janë dhënë 55 leje legalizimi në 8 vjet,” – tha Drejtori Lame.

Drejtori i Zyrës tha se hapja e Zyrës ka përshpejtuar ndjeshëm procesin. Ndërkohë që sa i përket interesimit të Kryeministrit për ecurinë e dhënies së lejeve të legalizimit, ai informoi se janë gati 60 leje legalizimi. “Ne kemi bërë vetëm për një muaj që kemi hapur këtë zyrë, 400 aplikime dhe 60 leje. Personat që janë këtu pothuaj e kanë marrë lejen dhe janë të shpërndarë nga Rrajca deri në Stërblevë,” – nënvizoi Drejtori i Zyrës.

“Kush ka ndërtuar shtëpi, ashtu si i ka ndërtuar, kjo është zyra e re e legalizimeve, legalizimet do të jenë falas. Kush ka ndërtuar për të përfituar në kurriz të të tjerëve, loja ka mbaruar dhe s’kemi çfarë i bëjmë, do t’i vijë INUK. Këto janë Shqip, të tjerat janë SHQUP,” – ishte mesazhi i Kryeministrit.

Kryeministri përsëriti rëndësinë e aksionit të INUK për lirimin e hapësirave publike.

“Kush tenton ta ngatërrojë operacionin e INUK, që nuk do të ndalet për të shkulur çibanët për qëllim përfitimi nga hapësirat e përbashkëta të qytetarëve, nga rrugët, nga trotuaret apo nga pikat strategjike të rrugëve nacionale, e ka kot. Ne do ta vazhdojmë, por, nga ana tjetër, absolutisht do të legalizojmë falas, siç kemi marrë zotimin, shtëpitë e atyre që me kursim, me gjak e me mund dhe për shkak të nxitjeve të vazhdueshme të qorrave të politikës kanë ndërtuar dhe më në fund, pas vitesh të tëra do të marrin atë që i takon.”

***

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto inspektoi sot, punimet në kilometrin 14+200, rreth 3 km përpara hyrjes së tunelit, zona Kërrabë, të autostradës Tiranë-Elbasan. Gjatë këtij inspektimit të një segmenti prej 13 kilometrash, Kryeministri u njoh me problematikën e hasur mbi stabilitetin e ulët të terrenit, rrëshqitjen e dherave dhe problematika të tjera të hasura, të natyrës gjeofizike. Këto problematika kanë vështirësuar respektimin e afateve për përfundimin e punimeve.

“Kontraktori e ka në monitorim dhe shumë shpejt do të na japi një zgjidhje teknike për stabilitetin. “Kemi gjetur një lëmsh shumë të madh. Kemi zgjidhur shumë gjëra, të cilat tani janë vënë në vijë, por që do të duhet edhe pak kohë shtesë për ta përfunduar,” -u shpreh një prej drejtuesve të institucionit që ndjek në terren punimet.

Kryeministri, ndërsa vuti në dukje se për fat të keq, Qeverisë i është dashur t’i kthehet projekteve për shkak të mangësive që ato paraqesin, theksoi se respektimi i standardeve në punime është shumë i rëndësishëm dhe se afatet nuk janë elektorale.

“Çdo projekt me probleme, çdo rrugë me probleme, kudo duke u rikthyer nga e para për të vendosur standarde. Është një situatë dramatike, e trashëguar që duhet kapërcyer me sa më shumë shpejtësi dhe që besoj do ta kapërceni. Unë nga kontakti që pata me kompaninë, ata ishin optimistë që gjërat po vihen në vijë nga pikëpamja teknike. Në fillim u duk sikur po justifikoheshin duke thënë që është projekti problematik, por në fakt, projekti është super problematik. Gjithsesi ta mbarojmë në kohën më të mirë të mundshme. Ne nuk bëjmë rrugë për fushata, kështu që s’kemi lidhje me afate elektorale. E rëndësishme është që të bëhet rruga një herë e mirë dhe të bëhet tamam,” – u shpreh Kryeministri.

Ministri Haxhinasto kërkoi nga kompania ndërtuese që të angazhojë më shumë burime në këtë vepër publike.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.